Nga Besim Ndregjoni
Mbas 2 viteve që i ka mbaruar mandati “Avokatit të Popullit”, Komisioni i Ligjeve të Parlamentit thirri në seancë dëgjimore kandidatët për të paraqitur performacën e tyre për t’u zgjedhur në atë institucion kushtetues. Në mes kandidatëve për dy vite rresht kandidoj dhe unë si përfaqësues i 100.000 familjeve të mbijetuarve të diktaturës dhe i mbështetur nga shoqëria civile dhe tri komuniteteve fetare në vend. Sigurisht, kandidonin ish zv.kryeministra, ish- titullarë të lartë të institucioneve kushtetuese, ku fatkeqësisht mbahen mend nga shoqëria si dështakë, por që mbroheshin nga partia, sepse ishin me biografi të mirë dhe i përkisnin regjimit totalitar që kishte dhunuar të drejtat dhe liritë e njeriut, në regjimin e diktatorit Enver Hoxha. Për lexuesit po ju paraqes fjalën time që mbajta në Komisionin e Ligjeve për t’i shërbyer sadopak së vërtetës se si Parlamenti shqiptar e përdor formalizmin për funksionimin e Kushtetutës, kurse vendimet i merr me vendime partie në kundërshtim me Kushtetutën e vendit.
E para: I përkas një familje fisnike shqiptare që ka përballuar tre diktatura, fashiste, Naziste, dhe Komuniste, për CV time jua a kan ba prezencë shoqëria civile, tri komunitetet fetare si dhe personalitete të larta të artit kulturës, por mbi të gjitha thirrja që u ka drejtuar ish-e burgosura politike, bashkëshortja e poetit martir Havzi Nela, Lavdie Nela, drejtuar Kryetares së Kuvendit dhe juve të gjithëve Anëtarë të Komisionit të Ligjeve. Thirrja e saj u ndesh me heshtjen dhe mospërgjigjen e anëtarëve të Kuvendit, zgjodhën heshtjen dhe vendimin e partisë për t’iu përgjigjur një armikeje siç është heroina e burgjeve dhe bashkëshortja e poetit martir. Bazuar në ligjin për Avokatin e Popullit, neni 2, citohet se mbron të drejtat, liritë edhe interesat e ligjshëm të individit nga veprimet e mosveprimet e paligjshëm e të parregullta të organeve e administratës publike, si dhe të tretëve që veprojnë për llogari të saj. Avokati i Popullit udhëhiqet nga parimet e paanësisë, konfidecialitetit, profesionalizmit dhe pavarësisë, ushtron veprimtarinë në mbretje të të drejtave dhe lirive të njeriut të parishikuar në dispozitat kushtetuese dhe në ligje. E kush më shumë se ne që na janë dhunuar të drejtat e liritë, me ndalimin e arsimit, me luftën e klasave për punën etj., e ka sensibilitetin t’i mbrojë këto të drejta, e ta kryejë me nder atë detyrë kushtetuese. Neni 12 i këtij ligji përcakton të drejtat për t’u ankuar në at institucion, bazuar në këtë nen t’i përgjigjem qytetarit ashtu siç e përcakton ligji dhe në ruajtjen e sekretit të qytetarit. Gjithashtu neni 13, 17, 18, 19, 19/1 dhe 21 i japin të drejtën e funksionimit dhe shqyrtimit të ankesave dhe të drejtave të qytetarëve. Neni 22/1 i jep të drejtën avokatit për sanksione ndaj administratës që ka shkelur ligjet për qytetarin.
I përkas asaj pjese të popullsisë që e kanë vadit tokën shqiptare me gjak martirësh nga jugu në veri dhe kam tridhjetedy që komuniteti që përfaqësoj ka tri dekada që presin të mësojnë të vërteten e asaj çfarë ka ndodhur dhe si janë dhunuar të drejtat e shqiptarëve gjatë periudhës komuniste dhe si janë krijuar dosjet e tyre… Hetimi dhe dënimi i krimeve të komunizmit janë të lidhura ngushtë me sigurinë kombëtare të shqiptarëve në kontekstin strategjik. Dhe besoj më shumë se ky institucion nuk mund të japin kontribut ndonjë institucion tjetër që i shërben politikës, partisë dhe jo shtetit të së drejtës, që ka 32 vite që nuk po e ndërtojmë.
Kush ka frikë nga e vërteta, hetimi, zbulimi dhe dënimi i krimeve komuniste në Shqipëri?
Përgjigjja është e qartë, nga e vërteta ka frikë politika shqiptare që për 32 vite jo që nuk kërkoi falje, por nderoi xhelatët e krimit dhe përbuzi viktimat dhe të mbijetuarit e diktaturës, duke përfituar nga paqja që përcollën ky komunitet fisnik ndaj politikës. Ndaj këtyre padrejtësive dhe shkelje të të drejtave dhe lirive të njeriut që ka përdorun politika për 32 vite, fatkeqësisht dhe Avokati i Popullit heshti. Prandaj kandidoj që ta dënojmë heshtjen ndaj krimit, ta dënojmë pushtetin dhunues ndaj të drejtave dhe lirive të njeriut. Njohja dhe demaskimi i krimeve të kryeme, dhe paralelisht me ata edhe respekti për viktimat e pafajshme të këtyne krimeve janë dy aspekte të së njëjtës monedhë: natyra dhe pesha e përgjegjësisë sonë, si dëshmitare të kësaj tragjedie thellësisht njerëzore dhe rranjesisht kombëtare, ashte nji problem ekzistencial për të gjithë njerëzimin e ndershëm, problem që ka karakter politik e personal- dhe fetar për ata që besojnë. Prandaj kandidoj që institucioni i Avokatit të Popullit të jetë në shërbim të shoqërisë dhe jo politikës.
Pavarësisht nga përpjekjet e “propagandistëve” tëpakurueshem që nuk pranojnë këtë fakt të qartë si drita e diellit, e që nuk tregojnë asnji interesim me dëshmue rrjedhimet shkatërruese të atij regjimi gjakatar që përjetojmë edhe sot, duhet pranue se shkalla e krimeve komuniste ka arrit në pikën ku mund të cilësohen si “krime kundër njerëzimit” të dënueshme nga legjislacioni ndërkombëtar dhe heshtet nga legjislacioni kombëtar. Këto përpjekje të “propagandisteve”, nuk kane qellim tjetër veçse me largue vëmendjen e popullsisë shqiptare nga e kaluemja, sa ma gjatë që të jetë e mundun… derisa t’i mbuloje harresa. Me nji zhvillim të këtillë ndërgjegje tona do të mbeten të njollosuna; si rrjedhim, pamundësohet integrimi ynë në botën e lirë, si qytetarë të lirë, që na synojmë.
Ky zhvillim duhet të shërbejë dhe për zbulimin e nji aspekti të vendit tone, në nji kohë të caktueme…! Si ashtë e mundun që i kemi lejue vetes, si shoqeni shqiptare, me zbrit kaq poshtë? Dhe kjo ndodh që institucionet nuk veprojnë, por imitojnë rregullore e privilegje për drejtuesit e deputetët. Deputetët janë mandatuar për të dhanë ligje dhe barazi për qytetarët jo për t’i kthyer institucionet në vende pune për miq partiakë siç ndodhi në dhjetor ku maxhoranca dhe opozita kacafyteshin në Parlament për të zgjedhur Avokat Populli mikun, klientin, dhe aspak nuk merrnin në konsideratë përfaqësuesin e shoqërisë civile, dhe të 100.000 familjeve shqiptare që i mbijetuan diktaturës, duke mos kursyer dhe jetën. Zotërinj deputetë të ligjeve, Institucionet në shtetin e së drejtës nuk janë krijuar për politikanë e familjare të tyre, por me Kushtetutë janë pronë e qytetarëve shqiptarë që japin kontributeve e tyre që të ndërtojmë shtetin e së drejtës, votohet dhe kundërshtari politik, kështu funksionon demokracia, zotërinj, nuk funksionon me vendime politike partie kundra kundërshtarëve politikë. Më lejoni t’ju sjell ndërmend thënien e socialdemokrates disdidentes Musine Kokalari që iu drejtue xhelatve në sallë e gjyqit: Ju po më dënoni se nuk jam komuniste, por Shqipërinë e dua më shume se Ju. Atëherë shtrohet pyetja përse Ju ligjvënës luftoni që mos të zgjidhet një antikomunist por vetëm në qoftë se ka lidhje me diktaturën.
Kam 32 vite që kam kontribuar në rehabilitimin e qytetarëve që kanë kaluar trauma dhe tortura nga regjimi totalitar komunist, në bashkëpunim me shoqërinë civile, qendrën e traumës dhe torturës dhe në bashkëpunim të plotë me Avokatin e Popullit të Danimarkës bazuar në konventat ndërkombëtare prej një periudhe 15-vjeçare, duke rehabilituar shumë qytetar nga traumat që kishin pësuar. Si misionar i ngritjes së Parcelës Kombëtare të Kujtesës në nderim të mbi 6000 të pushkatuarve dhe të zhdukur kufomat nga ky institucion do t’i shërbejë qetësimit shpirtëror të mbi 6000 familjeve që përballen me heshtjen e politikës dhe shtetit. A ju shkelen të drejtat dhe liritë e njeriut këtyre 6000 shqiptarëve që nuk kanë një varr dhe një ditë kujtese për t’i nderuar martirët që u vranë pa faj. Shoqëria shqiptare është e ndarë, në të privilegjumit e diktaturës dhe ne të mbijetuarit e diktaturës, ku të parët kanë marrë të gjitha benefitet e sistemit dhe pjesa tjetër e shqiptarëve që e vaditi me gjak çdo pjesë të Shqipërisë duke e kundërshtuar diktaturën dhe u përball me murin klasor politik dhe përçmimin e pushtetit dhe politikës të ndërtuar gjatë këtyre tri dekadave. Ka 32 vite që asnjë institucion të shtetit nuk lejohen të drejtojnë ata që kundërshtuan diktaturën, kush ashtë ai ose ajo forcë politike që nuk turpërohet që në institucionet e vendit nuk ka asnji personalitet drejtues që nuk kanë lidhje me diktaturën. Gjatë këtyre 32 viteve, politika sunduese ka krijuar disnivel në pjesët e shoqërisë shembull është të mbijetuarit e diktaturës, kanë pensione qesharake, kurse xhelatët që kryen krime ndaj kësaj pjese të popullsisë kan pensione marramendëse. A nuk është shkelje e të drejtave dhe lirive të njeriut zotërinj parlamentarë? Shqipëria dhe shteti janë pronë e shqiptareve dhe jo vetëm të priviligjuemeve të komunizmit siç ka ndodhur gjatë këtyre tri dekadave. Kandidoj për avokat populli që institucionet kushtetuese të mos politizohen nga ushtarë të partisë apo të zgjedhurit e kryetarëve të partisë. Por t’i drejtojnë ata që bahen ushtarë të ligjit dhe kushtetutës dhe aspak pazareve të drejtuesve të pozitës dhe opozitës. Kurrë gjatë 32 viteve, unë dhe shtresa që përfaqësoj nuk kemi urryer, ju zotërinj politikanë, si majtas dhe djathtas, përse urreni ata që nuk janë ushtarë të partive tuaja. Pse urreni kandidaturat e të përndjekurve politikë zotërinj parlamentarë, përse nuk i kthyet përgjigje heroinës Lavdie Nela, sidomos ju gra deputete, e cila jua cilësonte në emër të nënave që ngelen pa fëmijë nga torturat siç ka ngelur heroi Nela, a nuk ju vrau kjo thënie juve që jeni nëna gra?
Dhe kjo sjellje e juaj, zonja dhe zotërinj deputetë, mjafton që vendi ynë të mos ngrihet kurrë në kambe me nji shoqeni civile të ndërgjegjshme për rolin e saj: nji shoqëni e njerëzishme, tolerante, e përmbi të gjitha jo e dhunshme: “qytetarin” pjesëmarrës e “qytetarinë”! Koncepti i qytetarit përmban pjesëmarrjen koshiente në jetën shoqënore e politike të vendit; pjesëmarrja ashte pengesa kryesore në luftën kundër diktaturës dhe ideologjive totalitare. Pjesëmarrja koshiente lufton sundimtarët e këqij dhe shërbëtorët e tyne me pagesë, lufton atmosferën ku ata mashtrojnë veten. A mundet të na mashtrojnë dhe të mos shqetësohemi? Si do të dalim nga kjo gjendje?… Si do të zhdukim anormalitetin e politikës? Si t’iu kthejmë njerëzve shpresën për të ardhmen. Ky ashte ndërgjegjësimi, hapi i parë i zgjidhjes. Njeriu duhet të jetë koshientë dhe i bindun për drejtësinë e kauzës që mbron para se të aktivizohet… që ashtë hapi i dytë.
Kthimi i institucioneve në shërbim të qytetarëve është primarja e një sistemi demokratik. Dhe thirrja ime përpara jush zotërinj ligjvënës është ta shembeni murin e urrejtës që keni ndërtuar nga 32 vite me pushtet imitues më të pështirë të diktaturës. Lejoni dhe votoni kandidaturat e atyre qytetarëve që kaluan e përballuan terrorin komunist dhe u ndeshën për tri dekada me heshtjen dhe luftën e ftohtë politike të pushteteve postkomuniste në Shqipëri. Votoni që institucionet të demokratizohen jo të politizohen. Demokratizimi i institucioneve demokratizon shoqërinë kombin. Sot keni në dorë ta shembnin murin e urrejtjes dhe të ndërtojmë murin e paqes të dashurisë dhe të shtetit të së drejtës. Nëse bani të kundërtën historia do t’ju dënoj. Bëhuni paqedashës si ne të mbijetuarit e diktaturës që nuk urrejmë, por përçojmë paqe duke ia lënë drejtësisë dënimin e urrejtjes. Kthejuni institucionet shqiptarëve dhe ndërtoni shtetin e së drejtës, dhe jo shtetin politik siç është tani.
* Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës Mbarëkombëtare të Integrimit të të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë
Discussion about this post