Partia Demokratike ka akuzuar qeverinë për propagandë të rreme dhe shkelje të rënda ligjore në punimet për ndërtimin e unazës së qytetit të Burrelit. Në një deklaratë publike, zëdhënësja e Antikorrupsionit në PD, Genta Vangjeli, ka hedhur akuza të drejtpërdrejta ndaj Kryeministrit Edi Rama dhe Autoritetit Rrugor Shqiptar.
Sipas saj, më 22 tetor Kryeministri publikoi në Facebook foto nga punimet drejt përfundimit të unazës, duke pretenduar se po hidheshin shtresat e fundit të asfaltit dhe se veprat e artit kishin përfunduar. Por, sipas PD-së, realiteti në terren është krejtësisht ndryshe.
Vangjeli deklaroi se më 6 mars, ARRSH ka lidhur kontratë me kompaninë “Ulza shpk”, me subjekt mbështetës “ASI 2A CO shpk”, me vlerë 1.2 milion euro, për sistemimin dhe asfaltimin e rrugëve të Rajonit Verior Shkodër. Ndërkohë, fituesi për mbikëqyrjen e punimeve është shpallur vetëm më 2 qershor, pra tre muaj pas nisjes së punimeve civile, në kundërshtim me rregullat e prokurimit, sipas të cilave mbikëqyrja duhet të zhvillohet paralelisht me punimet.
Sipas PD-së, në tabelën informuese në terren nuk figuron kompania fituese për mbikëqyrjen, por si mbikëqyrës shfaqet një punonjës i ARRSH, shtetasi Nikollaq Mihali. Kjo ngre pikëpyetje serioze mbi fatin e fondeve të shpenzuara për mbikëqyrjen dhe ligjshmërinë e procesit.
“Punimet e ndërtimit për kontratën 1.2 milion euro janë mbikëqyrur nga një punëmarrës i ARRSH dhe jo nga subjekti i kontraktuar. Sot rezultatin e shohim qartë: asfalti është çarë, rruga është dëmtuar dhe degraduar pa përfunduar mirë punimet”, – deklaroi Vangjeli.
Sipas Partisë Demokratike, ky rast përfaqëson “fytyrën e vërtetë të propagandës qeveritare”, e cila, sipas saj, përpiqet të fshehë korrupsionin dhe papërgjegjshmërinë pas fotove dhe postimeve në rrjete sociale.
Në përfundim, PD i ka bërë thirrje SPAK-ut të nisë hetimet për këtë çështje, duke theksuar se “shqiptarët nuk meritojnë vjedhje, mashtrim dhe korrupsion”.
Deklarata e zëdhënëses së Antikorrupsionit në PD, Genta Vangjeli
Duket se ditët e këqija për propagandën false të kryeministrit Edi Rama nuk po marrin fund.

Më 22 tetor, në rrjetin e tij social Facebook, Kryeministri publikoi foto nga punimet drejt përfundimit për ndërtimin e unazës në qytetin e Burrelit, ku po hidheshin shtresat e fundit asfaltike, ndërsa kishin përfunduar të gjitha punimet për veprat e artit.
Por e vërteta është krejt tjetër.

Në datën 6 Mars ARRSH lidhi kontratën me kompaninë Ulza shpk (me subjekt mbështetës ASI 2A CO shpk), me objekt ‘Sistemim asfaltim rrugët e Drejtorisë së Rajonit Verior Shkodër’ kundrejt vlerës 1.2 milion euro.

Sipas procedurës së prokurimit të zhvilluar nga ARRSH fituesi që do të kryente mbikqyrjen e punimeve për të njëjtin objekt ishte një bashkim operatorësh (LENI ING SHPK – ANGERBA SHPK), i shpallur fitues në datën 2 qershor të këtij viti pra 3 muaj pasi ishte lidhur kontrata për punët civile më lart, procese këto që ecin paralel me njëri tjetrin pasi asnjë punë ndërtimi nuk mund të zbatohet pa u mbikëqyrur njëkohësisht.

Ndërkohë në tabelën informuese teknike në terren, mbikëqyrës i punimeve nuk shfaqet bashkimi i operatorëve shpallur fitues më lart, por çuditërisht një punëmarrës i ARRSH z. Nikollaq Mihali.
Nuk dihet çfarë ndodhi me fituesit në letra të prokurimit për mbikëqyrjen dhe me fondet e shpenzuara për këtë qëllim por e sigurt është që punimet e ndërtimit për kontratën 1.2 mil euro që u prokurua nga ARRSH, u mbikëqyrën nga punëmarrësi i ARRSH.
Dhe…..rezultatin shiheni vetë….
Siç paraqitet në pamjet e marra në terren, asfalti është çarë e rruga është dëmtuar, e degraduar pa u përfunduar mirë……
Kjo është fytyra e vërtetë e propagandës qeveritare, e cila përpiqet të fshehë dëmin, korrupsionin dhe papërgjegjshmërinë me foto dhe statuse në rrjetet sociale.
Partia Demokratike kërkon që SPAK të hetojë këtë rast skandaloz.
Shqiptarët nuk meritojnë vjedhjen, mashtrimin dhe as korrupsionin.










Discussion about this post