I arrestuari sot Albi Mecini dyshohet se do të vriste në Fier një emër të njohur të botës së krimit të këtij qyteti.
Lidhja e tij me zhdukjen e dy miqve Fatmir Sulollari dhe Leonard Thodhori është provuar shkencërisht.
Brenda automjetit të sekuestruar disa kohë më parë janë përftuar profile gjenetike AND-je, të cilat bëjnë hetuesit të dyshojnë se ai është një prej autorëve.
Albi Mecini rezulton se është me precedent të theksuar kriminal edhe jashtë shtetit, në Angli e Francë, për trafikim droge dhe krime kundër personit.
Mecini konsiderohet edhe krahu i djathtë i Admir Tafilit, dënuar me burg të përjetshëm. Albi Mecini u kap me 22 kg lëndë plasëse, që dyshohet se do e përdorte në atentat.
Policia e Fierit ka arrestuar 29-vjeçarin Meçini dhe ka shpallur në kërkim dy bashkëpunëtorët e tij, Arafat Manërkolli, 27 vjeç, banues në Dibër dhe Ervis Cukali, 25 vjeç, banues në Tiranë.
Këta persona ishin nisur për të kryer një vrasje me shpërthim eksplozivi në Fier, por ende nuk është mësuar emri i shënjestrës. Admir Tafili konsiderohet si kreu i grupit të vrasësve me pagesë.
Kush është Admir Tafili
Admir Tafilaj është dënuar për vrasjen e mbetur në tentativë ndaj ish-shefit të Krimeve, Prel Pjetrushi. Ai njihet edhe si kreu i grupit të ‘tritolit’ pasi teksa ndodhej në burg porositi vrasjen e Ibrahim Manit përmes Kristi Pinës, një bashkëpunëtor tashmë i drejtësisë. Admir Tafili dhe vëllai i tij Genci, ishin djemtë e peshkatarit Bahri Tafili. Në vitin 2000 policia e Shkodrës, nën drejtimin e drejtorit Arben Zylyftari shkoi në një operacion në lagjen Kiras për të arrestuar Bahri Tafilin që akuzohej për vrasjen e shtetasit Skënder Geci.
Në atë operacion u vranë si Bahri Tafili dhe po ashtu edhe drejtori i Policisë së Shkodrës, Komisar Arben Zylyftari, vrasje për të cilën u akuzuan gjithashtu të dy vëllezërit Tafili. Vetë familja Tafili disa herë ka akuzuar si autor të dy vrasjeve ish-shefin e krimeve të Shkodrës në atë kohë, Prel Pjetrushin. Kimete Tafili, bashkëshortja e Bahri Tafilit, është shprehur se i shoqi është vrarë nga Prelë Pjetrushi pasi u dorëzua i prangosur, dhe se autorët e vërtetë të vrasjes së Arben Zylyftarit janë të lirë.
Në vitin 2010, Admir Tafili, mori leje nga burgu i Shën Kollit për të parë të ëmën e sëmurë dhe në këtë rast arratiset. Në mars të vitit 2011, vrau në pritë dy vëllezërit e Prel Pjetrushit në fshatin Grudë të Shkodrës. Muaj më vonë, pas një operacioni të suksesshëm policie Tafili arrestohet në Tiranë.
Dy vite më pas, në vjeshtën e 2013-s, ndërsa ndodhej në burgun e sigurisë së lartë në Drenovë, Admir Tafili me Fran Marashin, Gëzim Gurin, Artur Goran, Gëzim Tomën, Reiz Haxhirajn dhe Eduard Lulan arratisen, por një ditë më vonë prangosen nga RENEA në Prrenjas. Tashmë ai ndodhet në burgun e Burrelit ku është ngritur në grevë bashkë me të dënuar të tjerë pasi kërkojnë takime me familjarët.
Njoftimi i policisë për kapjen e Albi Mecinit
Fier/Finalizohet megaoperacioni policor i koduar “MISTERI”.
Policia parandalon një ngjarje shumë të rëndë kriminale dhe njëkohësisht zbardh një tjetër ngjarje kriminale.
Me 2 çanta me lëndë plasëse artizanale (rreth 21.3 kilogramë), të montuara për shpërthim në distancë dhe me bidona me lëndë djegëse (benzinë), në 2 automjete, kapet në flagrancë dhe vihet në pranga 29-vjeçari, i dënuar më parë për dhënie ndihmë 4 shtetasve, për largim nga IEVP-ja.
Identifikohen dhe shpallen në kërkim 2 bashkëpunëtorët e 29-vjeçarit, me të cilët ky shtetas do të kryente ngjarjen kriminale, me lëndë plasëse.
29-vjeçari i arrestuar me çanta me lëndë plasëse, dhe një 25-vjeçar i shpallur në kërkim nga Policia, janë të dyshuar dhe për rrëmbimin e shtetasve L. Th. dhe F. S., të kryer në Sarandë, më datë 09.04.2023.
Si rezultat i punës intensive dhe të pandërprerë të kryer për parandalimin e ngjarjeve kriminale, strukturat hetimore dhe operacionale të DVP Fier, në bazë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, kanë organizuar dhe finalizuar me sukses megaoperacionin policor të koduar “MISTERI”.
-Në kuadër të këtij megaoperacioni, në aksin rrugor “Mbrostar-Fier”, shërbimet e Forcës se Posaçme Operacionale dhe ato të Forcës së Posaçme “Shqiponja”, të DVP Fier, kapën në flagrancë shtetasin A. M., 29 vjeç, banues në Kamzë, me 2 çanta brenda të cilave ishin 2 pako me rreth 21.3 kilogramë lëndë plasëse artizanale, të montuara me celularë, për shpërthim në distancë. Te dyja çantat u gjetën në afërsi të automjetit të këtij shtetasi.
Gjithashtu, nga kontrolli i zonës ku u kap shtetasi A. M., u gjet një tjetër automjet në brendësi të të cilit ishin 3 bidona me lëndë djegëse benzinë. Nga veprimet hetimore rezulton se 29-vjeçari, në bashkëpunim me shtetasit A. M., 27 vjeç, banues në Dibër dhe E. C., 25 vjeç, banues në Tiranë (të cilët u shpallën në kërkim), i kishin siguruar këto kushte dhe mjete, me qëllim kryerjen e një ngjarjeje të rëndë kriminale.
Policia sekuestroi 2 automjete, 2 çanta me rreth 21.3 kg lëndë plasëse artizanale, e montuar me celularë, për shpërthim në distancë, 3 bidonë me benzinë dhe 4 celularë.
-Në vijim të veprimeve hetimore të kryera nga Policia e Fierit, në bashkëpunim me Policinë e Vlorës, në funksion të një procedimi penal të iniciuar nga DVP Vlorë, për zhdukjen e shtetasve L. Th. dhe F. S., zhdukje e raportuar në Policinë e Sarandës, më datë 09.04.2023, rezultoi se shtetasi i arrestuar në flagrance, me çantat me lëndë plasëse, është autor i dyshuar për këtë rast, së bashku me shtetasin S. L., 25 vjeç, i cili u shpall në kërkim.
Për shtetasit A. M. dhe S. L., ditën e sotme, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit” .
Strukturat hetimore të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Rënda në Departamentin e Policisë Kriminale në DPPSH dhe strukturat hetimore të dvp-ve Fier dhe Vlorë, në drejtimin e prokurorive përkatëse, vijojnë punën për zbardhjen dhe dokumentimin ligjor të të dyja rasteve, kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, si dhe për identifikimin dhe arrestimin e shtetasve të tjerë të implikuar në këto 2 raste.
Discussion about this post