Vija bregdetare e Orikumit është përballur sot me një fenomen që ka çuditur dhe trembur banorët. Objektet përgjatë vijës bregdetare janë prekur nga një valë e fortë uji. Për pasojë janë përmbytur biznese dhe disa banesa.
Uji mbuloi përkohësisht edhe segmentin kryesor rrugor që lidh zonën bregdetare me pjesën tjetër të qytetit, duke vështirësuar qarkullimin e automjeteve dhe këmbësorëve. Nuk raportohen persona të lënduar.
Ekspertët lokalë e lidhin fenomenin me kombinimin e baticës së lartë, presionit atmosferik dhe erërave të forta që kanë favorizuar shtyrjen e masës ujore drejt bregut. Sipas tyre, situata të tilla, ndonëse të rralla, janë të mundshme gjatë periudhave me kushte të paqëndrueshme atmosferike.
Autoritetet vendore kanë dalë në terren për të vlerësuar dëmet dhe për të monitoruar situatën, ndërsa u kanë bërë thirrje qytetarëve dhe bizneseve të tregojnë kujdes deri në stabilizimin e plotë të kushteve të motit.
Parashikimet meteorologjike tregojnë për përmirësim gradual të kushteve gjatë orëve në vijim, çka pritet të sjellë edhe tërheqjen e nivelit të ujit në parametrat normalë.
gijotina.com/










Discussion about this post