Për herë të parë kanë dalë në dritë detaje të pathëna dhe dyshimet për atentatin që tronditi Shkodrën.
Por fillimisht para se të shkojmë te gjetjet dhe dyshimet e grupit hetues, le të ndalemi te vetë dinamika e krimit të shumëfishtë të ndodhur në fshatin Dobraç, atë fillim pasdite të datës 30 Tetor 2024.
Sipas dinamikës së ndërtuar nga grupi hetues, informacioni i parë mbi atë që kishte ndodhur në rrugën që lidh Koplikun me Shkodrën, në vendin e quajtur Rruga e Tuzit në fshatin Dobraç, u raportua se kishin të bënin me një aksident rrugor me humbje të shumta jete, por në fakt thirrja e dytë që nuk do të vononte në sallën operative të policisë, nuk bënte më fjalë për një aksident me përmasa tragjike, po për një atentat të shumëfishtë, të frikshëm në jetë njerëzore.
- Dinamika e Krimit
Si pasojë e të shtënave të shumta me armë, dyshohet se drejtuesi i mjetit ka humbur kontrollin dhe më pas është përplasur me një motor me targa EDN 436, ku për pasojë ka mbetur i plagosur rëndë drejtuesi i motorit shtetasi Bashkim Basha i datëlindjes 1957, i cili ka ndërruar jetë disa ditë më pas në spital, si dhe ka mbetur e vdekur në vendngjarje bashkëshortja e tij Flutura Basha, e vitit të lindjes 1968.
Po kështu në vendngjarje u konstatua se personi i parë që ka ndërruar jetë në makinë është drejtuesi i mjetit Hamza Lici, i datëlindjes 2001, ndërsa personi i dytë në makinë, i cili ka ndërruar jetë disa orë më pas në spital, si pasojë e plagosjes me armë zjarri, është Arlind Bushati, i datëlindjes 1992.
Edhe pse në fillim u raportua për një aksident tragjik, në fakt plumbat e shumtë të mbetur në vendin e ngjarjes dhe ato që kishin depërtuar në makinën me të cilën lëviznin viktimat, lanë të kuptonin shpejt se ngjarja kishte një aspekt kriminal.
Kjo gjë u vërtetua edhe nga vetë profili i viktimave, aktiviteti i tyre si edhe përplasjet në të cilat ishin përfshirë kohë pas kohe familjet apo anëtarë të tyre të gjakut.
Ku në këtë pritë, të dyja palët, krahas qitësve të cilët derdhën plot 50 plumba mbi shënjestrat e tyre, edhe viktimat, qarkullonin të armatosur me disa armë me vete, të cilat u gjetën në makinë gjatë kontrollit të parë që iu bë automjetit të tyre.
- Dosja Hetimore
Gjatë kqyrjes së vendit të ngjarjes, grupi hetues sekuestroi 42 gëzhoja armë zjarri.
Në automjetin me targë ST 3510 AL u sekuestruan 9 gëzhoja metalike, 1 armë zjarri ‘Glock’ ngjyrë e zezë me krëhër të vendosur me 13 fishekë.
Një armë zjarri ‘Glock’, ngjyrë kafe me numra të fshirë, si dhe një armë zjarri ‘Glock’ me numra të stampuar, një faturë dërgëse parash, etj.
Brutaliteti me të cilin u qëllua automjeti ku udhëtonin dy objektivat e atentatit, u pa edhe te plumbat që kishte marrë drejtuesi, Hamza Lici, të cilit iu gjetën në trup 17 plumba, ndërsa miku i tij Arlind Bushati, i ndodhur në sediljen e parë të makinës, kishte marrë vetëm një të tillë në kokë, që i shkaktoi më pas vdekjen në spital.
Vetëm një orë e pak minuta nga konsumimi i këtij krimi, policia u njoftua se jo shumë larg vendit të atentatit, po digjej ndërkohë një automjet. Makinë e cila më pas rezultoi se ishte e njëjta me atë të përdorur në atentatin e shumëfishtë në Dobraç.
- Makina e Autorëve
Rreth orës 17:00, policia ka marrë njoftim se në fshatin Golem, Njësia Administrative Rrethina, në aksin dytësor rrugor të shtruar më çakëll me drejtim lëvizje rruga Koplik-Shkodër-Stom Golem, është gjetur një mjet tërësisht i djegur.
Nga verifikimi paraprak u arrit të konstatohej stema e markës ‘Land Rover’. Si edhe targa e mjetit e mbuluar me mbetje të djegura PG CU 597. Po kështu gjatë kqyrjes së brendshme të këtij automjeti u gjetën në vendin e parë, një armë zjarri e djegur dhe në ndenjësen e pasme të pasagjerit një tjetër armë zjarri.
Do të ishte zbulimi i këtij automjeti të përdorur nga autorët, i cili ishte deklaruar i vjedhur në muajin prill të vitit 2024 në qytetin e Durrësit si edhe i personave të cilët kishin grabitur këtë makinë, që do të sillte për grupin hetues një detaj deri në këtë moment surprizë për ta. Atë se si një nga autorët e grabitjes së makinës ‘Land Rover’ me të cilën toga e qitësve lëvizi dhe qëlloi në masakrën e Dobraçit, kishte udhëtuar po kështu me një nga shënjestrat e këtij atentati. Konkretisht me Arlind Bushatin, gjë që u vërtetua edhe nga sistemi TIMS. Por ajo që duket se i ka bërë edhe më konfuze gjetjet e grupit hetues është fakti se Gabriel K., një nga grabitësit e makinës ‘Land Rover’ që disa muaj më pas u përdor në masakrën e Dobraçit, në të njëjtën ditë që kreu këtë vjedhje, udhëtoi jashtë vendit me Arlind Bushatin, viktimën e atentatit të shumëfishtë.
Një aspekt që nxjerr në pah edhe anën e errët të kësaj ngjarje, se si është e mundur që makina me të cilën Arlind Bushati kishte lëvizur disa muaj më parë, tashmë kishte rënë në dorë të armiqve të tij, të cilët e ekzekutuan nga aty bashkë me mikun e tij Hamza Lici.
- Dosja Hetimore
Rezulton se makina ‘Land Rover’, ngjyrë gri e errët, me targa AB445MXI e përdorur nga autorët në ngjarjen me katër viktima në fshatin Dobraç më 31 Tetor 2024, figuron ALERT në sistem dhe është denoncuar e vjedhur nga Drejtoria e Policisë Durrës më datë 18 Prill 2024.
Kjo drejtori ka njoftuar se autorë të dyshuar të vjedhjes së këtij automjeti janë Gabriel K., dhe Gjulio V., të cilët po këtë ditë dyshohet se kanë grabitur edhe automjete të tjera në qytetin e Durrësit.
Nga verifikimet në sistemin TIMS del se Gabriel K., ndodhet jashtë territorit të Shqipërisë. Ndërsa Gjulio V. rezulton të jetë në Shqipëri.
Më datë 18 Prill 2024 ky shtetas ka dalë nga vendi në pikën kufitare të Muriqanit në orën 08:40 dhe është kthyer po atë ditë në orën 19:35. Gjë që e ka bërë në të njëjtën orë dhe me të njëjtin automjet ku së bashku me të është edhe Arlind Bushati, i cili mbeti viktimë në ngjarjen kriminale të ndodhur në fshatin Dobraç, më 30 Tetor 2024.
Nëse gjithmonë do i besojmë faktit që ata u qëlluan nga makina ‘Land Rover’ e njëjta me të cilin vetë njëri prej tyre kishte përdorur apo udhëtuar disa muaj para se të ekzekutohej, dhe nëse po, si përfundoi kjo makinë në duart e rivalëve të Licëve dhe Bushatëve?
Discussion about this post