Tregu i lodrave është një nga shembujt më tipikë të triumfit të mallrave kineze në tregjet botërore dhe sidomos në vendet pak të zhvilluara, ku çmimi është më i rëndësishëm se cilësia, të paktën për pjesën më të madhe të njerëzve. Megjithatë, një tendencë e viteve të fundit e raportuar nga dyqanet e shitjeve me pakicë tregon se shqiptarët po drejtohen më shumë drejt cilësisë “pak dhe saktë”. Tendenca përforcohet edhe nga ulja e numrit të lindjeve, tashmë familjet kanë më pak fëmijë.
Sipas të dhënave zyrtare nga Doganat në vendin tonë, sasia më e madhe e lodrave vjen nga Kina, por edhe vende të tjera. Një pjesë më e vogël lodrash vijnë nga Italia, por numri i tyre nuk mund të krahasohet me masivitetin e fabrikimeve kineze. Natyrisht këto janë më të shtrenjta, por edhe më cilësore. Brenda Shqipërisë, industria e prodhimit të lodrave është inekzistente, sepse deri më tani, nuk është hapur një fabrikë e tillë.
Biznesi i lodrave, si shumë industri, ka ndryshuar në mënyrë dramatike që kur filloi pandemia. Llojet e produkteve të shitura dhe vëllimi i produkteve ka ndryshuar gjithashtu, duke qenë se një ndër faktorët që ndikoi ishte padyshim karantina. Gjatë kësaj periudhe u raportua rritje e kërkesës për lodra, sipas burimeve në treg. Nga “Shtëpia e Lodrave” pohojnë se u ul kërkesa për veshje dhe u rrit ajo për lodra. Ndër produktet më të kërkuara kanë qenë ato edukative, apo rimodeluese si plastelina.
Nga dyqani “Hapat e vegjël”, që tregton produkte skandinave, pohojnë se kërkesa për lodrat e drurit ishte në rritje, tendencë e cila vijon edhe tani.
Në një vëzhgim në disa dyqane me pakicë në kryeqytet, si dhe në Tregun Çam, tregtarët pohojnë se prej pandemisë, blerjet e lodrave nga prindërit u ndikuan nga nevoja:
-për lodra që fëmijët mund t’i përdorin vetëm në shtëpi
-për lodra që familjet mund t’i luajnë së bashku
-për lodra që rrisin njohuritë në shkencë dhe teknologji
-e varësisë nga ekrani në shtëpi me më pak fokus në argëtimin e jashtëm.
“Ndërsa nisi pandemia dhe prindërit kuptuan se do të kalonin më shumë kohë në shtëpi, shitjet u rritën. Shitjet e lodrave vjet u rritën me 20% dhe ne punuam me dërgesat online, direkt nga magazina, pasi dyqanet i kishim të mbyllura. Kategoritë e mëdha më të shitura ishin lojërat me enigma (puzzle), kukulla dhe superheronj”, pohojnë nga dyqani “Shtëpia e Lodrave”.
Tregtarët shprehen se sivjet po operojnë me çmime më të lira, madje disa dyqane pretendojnë se lodrat i shesin 50% më lirë se vitin e kaluar. Kjo duket se ka ndikuar edhe në rritjet e shitjeve, që gjithnjë sipas tyre, janë më të mira se një vit më parë.
Sipas psikologëve, personaliteti i njeriut fillon të formohet që në fëmijërinë e hershme, ndaj bëhet thirrje për zgjedhjen e duhur të lodrave, si një tregues i parë për prirjet e mëvonshme të fëmijëve. Psikologia Sibora Kalluçi e vë theksin te fakti, që një pjesë e prindërve shpenzojnë më shumë aty ku shohin që fëmijët kanë prirje, p.sh. në lojëra formuese, apo matematikore dhe kjo vëmendje që i kushtohet, nxit shitjet.
Importet
Pjesa dërrmuese e lodrave që tregtohen në Shqipëri vijnë nga Kina, qoftë për llogari të firmave të njohura europiane që kanë ngritur fabrikat e tyre atje, qoftë prodhime origjinale “Made in China”, të cilat importohen me çmime të lira. Ato u lejojnë edhe prindërve me të ardhura modeste t’ua bëjnë qejfin fëmijëve, brenda mundësive.
Vlera e lodrave që u importuan vitin e kaluar ishte 76 milionë dollarë, shifër 12% më e lartë se në vitin 2019, sipas doganave. Këto statistika lënë të kuptohet një rritje të kërkesës për lodra dhe se shqiptarët po shpenzojnë gjithnjë e më shumë për kënaqësinë e fëmijëve.
Brenda 5 viteve, vlera e lodrave të importuara është 4-fishuar. Për sa u takon tendencave të tregut, e reja është se djemtë deri diku po “çarmatosen”. Nga pushkët dhe pistoletat, dëshirat e tyre janë drejtuar nga personazhet e filmave vizatimorë, që mund t’i gjejnë në formë robotësh ose superheronjsh. Personazhet e filmave vizatimorë janë bërë tashmë lodrat më të preferuara të vogëlushëve të shoqërisë moderne, tendencë e cila mbështetet edhe nga aksesi më i lartë i fëmijëve të sotëm në ekrane.
Ata janë të magjepsur nga bota elektronike që shfaqet në YouTube dhe të etur për t’u ngjarë heronjve të ekranit. Për vajzat, më të dashurat ngelen kukullat, për të cilat ekzistojnë të gjitha ambientet dhe mjetet plotësuese “për t’i rehatuar” dhe për të krijuar përreth tyre një botë në miniaturë.
Sa kushtojnë?
Për një gjë biem dakord, gama është e shumëllojshme dhe markat të pafundme. Markat europiane janë dukshëm më të shtrenjta dhe lodrat e drurit kanë dyfishin e çmimeve të atyre plastike. Një makinë me bateri, të cilën fëmija juaj mund ta ngasë dhe ta ndiejë veten një “shofer” i vërtetë, kushton nga 35 – 80 mijë lekë. Kërkesat për këto lloje lodrash janë kryesisht në ditëlindjen e parë të fëmijës. Për fëmijët deri në 3 vjeç ka versione më të vogla, pa vetëlëvizje, që kushtojnë 3-5 mijë lekë.
Nëse fëmijët kanë prirje sportive, në veçanti për djemtë, kërkohen tavolina pingpongu ose bilardoje. Fushat e pingpongut, sipas përmasave, kushtojnë nga 3 mijë deri në 15 mijë lekë. Ndërsa një minifushë bilardoje, me të gjitha mjetet e domosdoshme ndihmëse, kushton rreth 3 mijë lekë. Për ata prindër që duan t’i edukojnë djemtë me sjellje “më luftarake” janë dorezat e boksit së bashku me “thesin e rërës” (që këtë radhë është prej sfungjeri), për të zhvilluar goditjet dhe reflekset fillestare të një boksieri të ardhshëm. Pa harruar mjetin më të famshëm për të bërë sport: topin.
Një top i lehtë llastiku, për të mos bërë shumë dëme në shtëpi, kushton 250 lekë dhe është një dhuratë sa e lirë, aq edhe e sigurt. Rrallë të gjesh fëmijë që të mos ketë dëshirë të luajë me top. Së fundmi, janë lojërat elektronike që ngelen shumë të dashura, ndoshta më shumë se ç’duhet dhe se sa këshillohet. Disku i një loje elektronike për fëmijë kushton vetëm 500 lekë dhe gama e lojërave elektronike nis nga playstation e gjithashtu, përfshin e iPad.
Sa u përket blerjeve për vajza, kukullat-zonjusha gjithnjë e më tepër po u zënë vendin kukullave-bebe të dikurshme, edhe pse këto të fundit vijojnë të jenë të preferuara për moshat nën 3 vjeç. Çmimet variojnë sipas madhësisë dhe aksesorëve ndihmës, por një kukull origjinale Barbi kushton nga 1 mijë deri në 8 mijë lekë. Në veçanti për vajzat, ka lodra për t’i bërë të ndihen “zonja shtëpie” të vërteta. Këtu bëhet fjalë për mjedise dhe orendi që shërbejnë për të rehatuar kukullat në shtëpizat e tyre, të cilat mund të kushtojnë nga 3 mijë deri në 15 mijë lekë, sipas përmasave, por edhe markave.
Shtëpia e kukullës ngelet një ndër lodrat më të dashura dhe tërheqëse për vajzat e vogla. Ndërsa një tavolinë e kompletuar tualeti për kukullën dhe të zonjën e saj kushton deri në 6 mijë lekë. Kompletet e kuzhinave kanë shënuar rritje në kërkesë, të cilat kushtojnë 3 – 9 mijë lekë. Në rritje raportohen edhe shitjet për lodrat didaktike ose operative. Bëhet fjalë për teknika, të cilat e ndihmojnë fëmijën të përvetësojë numrat dhe germat e alfabetit. Janë tabela dhe komplete trupash gjeometrikë që mund të gjenden në shumë lloje dhe kushtojnë relativisht lirë, 600 deri në 1000 lekë.
Në rast se janë prej druri, kushtojnë dyfishin e vlerës. Kërkesa vijojnë të kenë edhe produktet muzikore, si flautet, që kushtojnë 500-600 lekë, pastaj kitarat 2-3 mijë lekë dhe fizarmonikat që, në përmasa të mëdha kushton mbi 5 mijë lekë. Ka edhe lodra që për nga çmimi nuk janë shumë larg nga instrumentet e mirëfillta muzikore. Një piano dore e madhe për fëmijë kushton 9 mijë lekë. Kërkesa ka edhe për pikturat ose ndërtesat mozaik, me copa të ndara për t’u formuar nga vetë fëmijët (puzzle), që arrijnë deri në përmasa madhështore.
Me to mund të ndërtohen kështjella-lodër dhe modele të tilla kushtojnë deri në 10 mijë lekë. Çmimet për kafshët e pellushit fillojnë nga 400 lekë dhe këtu bëhet fjalë për ekzemplarë të vegjël. Por nëse doni t’i dhuroni fëmijës suaj një “mik” të butë e të lehtë pellushi, në përmasat e tij dhe ndoshta më të madh, pellushët mund të jenë vërtet “të rëndë” për portofolin tuaj.
Tregu global
Raporti “Global Toy Market Outlook, 2025” shkruan se ky treg ishte rreth 110.97 miliardë dollarë në 2019-n. Tregu i lodrave në nivel global është përhapur shumë me modele të ndryshme dhe sjellje të konsumatorëve nëpër rajone. Pak ndryshime janë vërejtur globalisht, por rëndësia dhe qasja e lodrave mbetet e pandryshuar.
Tregu i lodrave ka një portofol të gjerë të linjave të produkteve si edukative, lodra të artit dhe artizanatit, grupe ndërtimi, kukulla, lojëra dhe enigma, lodra për foshnje/ të vegjël/ parashkollorë, elektronikë për të rinjtë, lodra në natyrë dhe sporte, lodra prej pelushi, kopje të automjeteve dhe lodra eksploruese.
Llojet e ndryshme të lodrave kanë treguar lloje të ndryshme të kërkesës në vende të ndryshme, sipas rëndësisë dhe kërkesës. Sidoqoftë, lodrat sportive kanë pjesën më të lartë të tregut globalisht, të nxitur kryesisht nga Shtetet e Bashkuara, e cila është tregu më i madh i lodrave në botë që nga viti 2019. Linjat e produkteve pritet të ndryshojnë për t’u përshtatur me preferencat në ndryshim të konsumatorëve.
Tregu i lodrave në nivel global karakterizohet nga fragmentimi dhe drejtohet nga një pjesë e madhe e Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme. Pengesat e hyrjes në industrinë e lodrave janë të ulëta dhe lëndët e para lehtësisht të disponueshme motivojnë sipërmarrësit të ndërmarrin sipërmarrje në industri. Këto firma të vogla dhe të mesme formojnë një pjesë shumë thelbësore të zinxhirit të furnizimit në industri. Kanalet e shitjes në treg janë ndarë gjerësisht në kanalet e shitjeve online dhe kanalet e shitjeve jashtë linje.
Pandemia Covid-19 ka vepruar si një katalizator për të nxitur kanalet e shitjeve online në treg. Për rajone si Amerika e Veriut, Europa dhe Amerika Latine ku pjesa më e madhe e shitjeve vjetore të lodrave krijohen gjatë sezoneve festive në dimër, ka pasur një rritje në shitjet online të lodrave në këtë rajon. Sidoqoftë, sistemi i fortë i tregtisë elektronike luajti rol kyç në kalimin efektiv të konsumatorëve për të lëvizur nga dyqanet me pakicë jashtë linje, supermarketet për të blerë lodra në internet.
Për tregjet në zhvillim si Amerika Latine, Azi Paqësori dhe MEA, kompanitë e lodrave pritet të monitorojnë zhvillimin e kanaleve të shitjeve në internet për lodra, pasi këto rajone kanë rritje eksponenciale në përdoruesit e internetit gjatë gjysmës së fundit të dekadës.
“Gjatë pandemisë pati rritje të kërkesës për lodra”
Flet Isida Peku, menaxhere Retail pranë Jumbo Albania
Edhe pse nën efektin e pandemisë, tendenca për blerjen e lodrave ka qenë në rritje të vazhdueshme. Sipas drejtueses së marketingut të Jumbo Albania, pritet një rritje e kërkesës gjatë fundvitit…
Si ka qenë kërkesa për lodra vitet e fundit?
Edhe pse nën efektin e pandemisë, tendenca për blerjen e lodrave pranë dyqaneve tona ka qenë në rritje të vazhdueshme. Gjatë vitit të shkuar, rreth 30% e shitjeve e zë pikërisht Sektori i Lodrave, i cili duhet thënë se është sektori i dytë më i rëndësishëm pas atij shtëpiak (produkte për shtëpinë).
Cilat kategori lodrash kanë më shumë shitje?
Nëse do t’u referohemi shitjeve të viteve të fundit, kategoria më e shitur është ajo e lodrave për djem. Kjo tendencë pritet të vijojë, sipas vëzhgimeve të deritanishme. Produktet më të shitura janë robotët, dhe modelet e ndryshme të mjeteve të transportit si makina, aeroplanë, kamionë, etj.
A ka pasur ndikim pandemia për një frenim shitjesh?
Sigurisht që pandemia në fillimet e saj ka ndikuar në tërësi sektorin e shitjeve me pakicë, por shumë shpejt, tendenca e shitjeve iu rikthye rritjes.
Situata e izolimit vitin e kaluar ndikoi si në tipologjinë ashtu edhe në vëllimin e lodrave të shitura. Ndryshimi kryesor që vumë re ishte zhvendosja e fokusit të klientëve si rezultat i pandemisë. Prindërve u lindi nevoja për lodra që fëmijët mund t’i përdornin në shtëpi, duke qenë se kopshtet, çerdhet dhe shkollat u mbyllën. Lodrat edukative, praktike me fokus shkencën apo teknologjinë, si dhe lojërat e tavolinës ose lojërat për të gjithë familjen (family games) shënuan trend rritës në shitje.
Vitet e fundit, prindërit raportojnë një tendencë ‘pak e saktë’. A keni vënë re një ndryshim në sjelljen e konsumatorëve shqiptarë, të nxitur drejt cilësisë apo produkteve të drurit?
Duke iu referuar shifrave që kemi për këtë sektor, rezulton që sjellja e konsumatorëve vazhdon të jetë po e njëjtë. Në dyqanet tona prej vitesh, ato që i ofrojmë konsumatorit janë produkte të certifikuara, të cilat tregtohen njësoj në tregun europian. Gjithashtu, ne jemi të orientuar të ofrojmë për klientët brande, të cilat kanë shumëllojshmëri produktesh dhe cilësi maksimale, duke qëndruar vigjilentë ndaj trendeve të tregut apo nevojave në evoluim të konsumatorëve.
Po produktet sezonale a janë të kërkuara?
Nëse bazohemi tek viti 2020, produktet sezonale të festës së Halloëeen nuk patën rezultatin e pritur, kjo sepse grumbullimet nuk ishin të lejuara.
E kundërta ndodhi me festat e fundvitit, ku meqenëse njerëzit festuan brenda shtëpisë dhe vendit, kërkesa për produkte dekorative dhe dhurata shënoi 15% rritje krahasuar me 2019. Me rikthimin e ngadaltë por gradual të normalitetit, jemi optimistë për sa i përket trendit rritës për fundin e 2021. Festat e fundvitit shënojnë volumin më të madh të blerjeve të lodrave, dhe konsumatorët shqiptarë, në përgjithësi, nuk kursejnë kur bëhet fjalë për fëmijët, pavarësisht sfidave financiare.
Marrë nga Monitor
Discussion about this post