Ish ministri i Jashtëm Ditmir Bushati ka dhënë një intervistë ku ka komentuar zhvillimet më të fundit rreth integrimit evropian të Shqipërisë.
Pyetje: Konferenca e parë ndërqeveritare dhe hapja e negociatave me Bashkimin Evropian nuk është më si ato mirazhet në shkretëtirë, që largohen pikërisht kur mendon se ke zgjatur dorën dhe i ke kapur. Si një prej personazheve politike me një kontribut domethënës, në këtë rrugëtim të Shqipërisë drejt BE-së, cili është përjetimi juaj?
Bushati: Zyrtarizimi i bisedimeve për anëtarësim në BE shënon një moment të rëndësishëm në rrugëtimin e Shqipërisë drejt familjes europiane. Ky akt i dha fund një precedenti sfilitës e të panjohur më parë në procesin e zgjerimit, ku ndonëse shtetet anëtare të BE-së skicuan rrugën për në tryezën e bisedimeve për Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut qysh prej Qershorit të 2018-ës, ishin në ngërç për ta zyrtarizuar këtë proces. Fillimisht, për shkak të kundërshtimit të Presidentit francez Macron, i cili e kushtëzoi procesin e zgjerimit me reformimin e mëtejshëm të BE-së. Më pas, mosmarrëveshja ndërmjet Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, ku Shqipëria u mbajt për fat të keq si kolateral.
Natyrisht është një moment i gëzueshëm për të gjithë shqiptarët dhe kurorëzim i përpjekjeve të mijëra kontributorëve për këtë stad të ri në të cilën hyn vendi. Është koha të shtojmë energjitë për reforma dhe përgjegjeshmërinë për mirëkuptim politik, pasi rruga para nesh do të jetë edhe më sfiduese. Kemi humbur kohë rrugës duke u vetëpenguar në çdo etapë të këtij procesi. Tani që kemi hyrë në dekadën e katërt të tranzicionit, çdo ditë që kalon pa përcaktuar e punuar për objektivin kohor për anëtarësimin në BE është pengmarrje ndaj gjeneratave të ardhshme.
Pyetje: A mendoni se e kanë “merituar” shqiptarët një proces kaq të gjatë, të lodhshëm, shpesh herë të perceptuar si të padrejtë?
Bushati: Jo. Megjithatë, analizën duhet ta nisim nga vetja teksa vrullet e optimizmit dhe pesimizmit zëvendësojnë njëri tjetrin në këtë proces, që është më shumë një proces sesa një “pikë fundore”. Fillimi i ndryshimeve politike dhe shoqërore në fillim të viteve ‘90-të, nën thirrjen “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, nuk ishte gjetje e ndonje kompanie marketingu, por shprehje e aspiratës së gjeneratave të tëra për t’u kthyer politikisht aty ku kemi bërë pjesë me kohë shpirtërisht, pasi lidhja jonë me Europën ka qenë dhe mbetet organike. Europa është një lloj vatre shpirtërore e jona që nga Balshajt e këndej.
Ndaj, nuk është aspak çudi që mijëra “agjentë të ndryshimit” që e kanë lënë Shqipërinë me kohë e kanë gjetur “Europën” e tyre. Po kështu, shqiptarët pavarësisht se ku jetojnë, janë qartësisht të orientuar nga vlerat perëndimore. Çështja shtrohet se kur do të bëhet Shqipëria një shtet modern europian në kuptimin e sundimit të së drejtës dhe zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik e shoqëror.
Pyetje: Nëse shikojmë fazat e zgjerimit të Bashkimit Evropian, sidomos pas viteve nëntëdhjetë, kemi zgjerimin më të madh që ka ndodhur, ai me 10 shtete në vitin 2004, më pas anëtarësimin e Rumanisë dhe Bullgarisë në 2007 dhe Kroacisë në 2013. Mendoni se BE ka qenë më “dorëlëshuar” në përfshirjen në gjirin e vet, të shumë vendeve me një të kaluar disi të ngjashme me Shqipërinë, apo ka qenë i ashtuquajturi “zeitgeist” – fryma e kohës – që e ka lehtësuar këtë proces për ta?
Është e vërtetë se fryma e kohës ka qenë ndryshe dhe përqafuese pa hezitim e konceptit për një Europë të pandarë, të lirë dhe në paqe. Udhëheqësit kryesorë europianë përjetuan ndarjet që solli Lufta e Ftohtë duke mbruajtur me fanatizëm idealet e etërve themelues të projektit europian që nisi me mbarimin e Luftës së Dytë Botërore. Pas rënies së Murit të Berlinit atyre iu desh të bashkërendonin përpjekjet me SHBA-të për t’i dhënë fund luftrave e konflikteve në Ballkan. Vetvetiu, ndjenja e mikpritjes për shtetet e Europës Qendrore dhe Lindore ishte e madhe. Mirëpo, rrëzimi i projekt Kushtetutës Europiane nga francezët dhe hollandezët në vitin 2004; kriza financiare e 2008-ës dhe kriza e refugjatëve në 2015-ën nxorën në pah dallime të qenësishme mes jugut dhe veriut të BE-së në planin ekonomik, dhe perëndimit e lindjes së BE-së në planin e vlerave dhe lirive themelore.
Në vitin 2014, Presidenti i Komisionit Europian Juncker, gjatë prezantimit të programit para Parlamentit Europian deklaroi se nuk do të kishte valë zgjerimi gjatë mandatit të tij pesë vjeçar. Thënë kjo nga Komisioni, i cili njihet si shtytësi i procesit të integrimit europian, ishte tregues i faktit se procesi i zgjerimit e kishte humbur entuziazmin e dikurshëm dhe mbështetjen politike nga një pjesë e shteteve anëtare të BE-së. Kjo situatë u reflektua edhe në procesin e tejzgjatur të bisedimeve për anëtarësim të Malit të Zi dhe Serbisë duke mos prodhuar dot transformimin demokratik të dëshiruar.
Shpërndarja e portofoleve në Komisionin aktual dhe kompromiset e momenteve të fundit brenda radhëve të Partive Popullore që i besuan portofolin e zgjerimit Hungarisë, një shtet dashamirës ndaj rajonit tonë, por i shumëkritikuar dhe nën mekanizmin e kontrollit të shtetit të së drejtës të BE-së, forcoi bindjen e elitave drejtuese në rajon se, procesi i anëtarësimit në BE po kthehej gjithnjë e më shumë në një proces fasadë, ku palët në mënyrë të ndërsjellë përkushtohen vetëm në mënyrë deklarative.
Pasojë e situatës së mësipërme është edhe rrëshqitja demokratike e shteteve të rajonit, me përjashtim të Kosovës, sipas matjeve të institucioneve prestigjioze ndërkombëtare. Braktisja e rajonit është tregues i mungesës së perspektivës. Ndonëse prania ekonomike dhe politike e BE-së në rajon është e pakrahasueshme me fuqitë e tjera, fuqia e saj ndikuese në zhvillimet e brendshme apo në adresimin e konflikteve të papërfunduara të shtetësisë është reduktuar në progresion gjeometrik me numrin e emisarëve specialë.
Pyetje: Cili është mesazhi i fillimit të bisedimeve për anëtarësim në BE nga ana e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut? A duhet të presim një përshpejtim të këtij procesi në kushtet aktuale?
Bushati: Zyrtarizimi i procesit të bisedimeve për anëtarësim në BE, nga ana e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, duke pasur parasysh kontekstin e sigurisë në Europë, si pasojë e agresionit të Rusisë kundrejt Ukrainës, është një mesazh politik kuptimplotë për të ardhmen e rajonit brenda BE-së. Prioritizimi i procesit të zgjerimit me gjashtë shtetet e Europës Juglindore, që rrethohen nga shtete anëtare të BE-së, do të thotë konsolidim në vetvete i projektit europian dhe jo zgjerim në kuptimin gjeografik. Si i tillë, ai duhet konsideruar si një proces me përfitim të dyanshëm.
Në kushtet e reja që imponon mjedisi i sigurisë, integrimi europian nuk është më një zgjedhje, por një domosdoshmëri. Që prej Samitit të Selanikut të vitit 2003, procesi i anëtarësimit të shteteve të Europës Juglindore, me përjashtim të Kroacisë, nuk ka gjetur mënyrën për të fuqizuar forcat e ndryshimit në shoqëri apo tërhequr qytetarët në procesin e shtetndërtimit demokratik, integritetit institucional dhe rrugën e reformave për zhvillim ekonomik të qendrueshëm.
Nëse BE-ja dëshiron të transformojë realisht kontinentin, të zgjerojë modelin e vet të qeverisjes, të inkurajojë reforma demokratike dhe të jetë një aktor me peshë globale, BE-ja duhet ta bëjë ofertën e saj të prekshme në radhë të parë për qytetarët e rajonit. Prandaj duhet të shkojë përtej simbolikës duke ndjekur këshillën e njohur të Winston Churchillit “për të mos e çuar dëm një krizë” si një mundësi për të konsoliduar projektin europian, përmes ofrimit të mekanizmave ndihmues dhe përcaktimit të një afati të arsyeshëm kohor për anëtarësimin në BE të gjashtë shteteve të rajonit tonë. Një angazhim serioz i BE-së me rajonin kërkon një proces anëtarësimi të rreptë por të drejtë, të parashikueshëm, të prekshëm dhe motivues për qytetarët, duke trajtuar me përparësi sundimin e së drejtës; hemorragjinë demografike; dhe hendekun zhvillimor të rajonit tonë me atë të BE-së.
Pyetje: Z. Bushati, nëse ktheni kokën pas në tre dekadat e fundit, a mendoni se ka patur një moment kur Shqipëria ka qenë fare pranë bashkimit me familjen e madhe të Evropës së bashkuar. Ju kemi dëgjuar shpesh të flisni për nevojën e një “Pakti për Europën”. Sa realiste dukej kjo në kushtet e një mjedisi politik konfliktual?
Bushati: Sikurse e përmenda më sipër kemi humbur kohë rrugës duke u vetëpenguar në çdo etapë të këtij procesi. Dhe ç’është më e keqja nuk reflektojmë ende kapacitet vetëshërues. Shqipëria do të ishte anëtare BE-së bashkë me Bullgarinë, Rumaninë dhe Kroacinë, nëse do të kishim krijuar kushtet për një mjedis politik përbashkues për çështjet me interes kombëtar që shtrihen përtej politikës së ditës.
Duke qenë mesdhetarë e ballkanas është e kuptueshme që mjedisi politik të jetë elektrizues. Por, polarizimi i skajshëm, eksportimi i baltës politike tek partnerët ndërkombëtar dhe përdorimi i tyre në funksion të legjitimimit të lojërave politike, ka vonuar rrugën tonë europiane.
Për ta mbyllur këtë kapitull dominimi mesvedit, që mban në burgun e të shkuarës një popull të tërë nevojitet një “Pakt për Europën” që nxit një cilësi e shpejtësi tjetër për reformat e shtetkonsolidimit demokratik. Për fatet e Atdheut fjala kompromis e mirëkuptim nuk duhet konsideruar kurrë as si pazar i rëndomtë e as fjalë e ndyrë. Në këtë proces qeveritë kanë barrën kryesore, por përgjegjësia është e përbashkët. Ndërsa merita është vetëm e shqiptarëve që nuk kanë asnjë mëdyshje për rrugën europiane.
Pyetje: Shpresat e tridhjetë viteve janë zbehur e forcuar e zbehur sërish gjatë këtyre dekadave, por në perceptimin e shqiptarëve, aanëtarësimi në BE është parë gjithnjë e më shumë si një lloj “shkopi magjik”, i cili do të shëronte me një të tundur në ajër të gjitha sëmundjet e një tranzicioni të stërgjatur. Cili është mesazhi apo këshilla juaj, si një politikan me një eksperiencë të madhe në çështjet e integrimit, për shqiptarët, në kuptimin e menaxhimit të pritshmërive që ata kanë nga ky proces, por edhe vetëdijësimin mbi detyrimet që burojnë prej tij?
Bushati: Mendoj se shumëçka do të varet prej nesh. E filluam tranzicionin me sloganin “ne qeverisim, bota na ndihmon”, duke eksperimentuar me “terapinë shock” dhe “çekun e bardhë”, e duke ushqyer iluzionin se reformat vetëzbatohen. Më pas me “reformat standarde” pa marrë parasysh nevojat tona. Për reformat në fushën e sundimit të së drejtës themi se i bëjmë në bashkëautorësi me partnerët ndërkombëtarë, por pa pronësi. Shkurt, kemi nevojë për më shumë përgjegjësi politike dhe jo për politikë inkuizicionale. Pasi nuk ka politikë dhe angazhim publik pa moral. Morali pa qëndrime e veprime që e dëshmojnë atë është hipokrizi.
Pyetja juaj për pritshmëritë e qytetarëve, është e lidhur me dhënien fund të politikës së “privatizimit të përfitimeve dhe shoqërizimit të riskut”, sipas të cilës, i pasur mund të bëhesh jo falë punës, marrjes përsipër të riskut, apo inovacionit, por falë shfrytëzimit të buxhetit të shtetit, pasurisë publike të nëntokës, tokës, detit, lumenjve, liqeneve, alpeve dhe ajrit.
Na duhet një konceptim gjithëpërfshirës për qeverisjen me fokus tek vlera që prodhon shumica në ekonomi, që rrit besimin e njerëzve tek vendi dhe njëkohësisht zvogëlon distancën oqeanike mes shqiptarëve të diasporës dhe vendit. Pa përfshirjen reale të tyre përmes mundësimit të së drejtës së votës në zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe skemave të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik, të aplikuara në mënyrë të efektshme në vende me diasporë dhe karakteristika të ngjashme me ne, si Izraeli dhe Irlanda, do ta kemi të pamundur të bëjmë kapërcimin që nevojitet për të ndërtuar një shtet dhe shoqëri të drejtë, modern dhe europian në kuptimin e vërtetë të fjalës.
Qytetarët e dinë mirë se jeta e tyre nuk do të ndryshojë me magji tani që procesi i anëtarësimit në BE filloi. Ata e dinë gjithashtu po aq mirë se nuk do të “negoicojmë” me BE-në standardin europian, por afatin se kur jemi gati për ta zbatuar atë. Në këtë proces të mundimshëm duhet të identifikojmë dhe mbrojmë interesin e ekonomisë dhe shoqërisë shqiptare. Thënë ndryshe, pas shterrimit të të gjitha burimeve të trashëguara, tani është koha të vrasim mendjen e të punojmë per eksplorimin e rrugëve të pashkelura.
Së fundmi, krahas përcaktimit të afatit kohor brenda të cilit synojmë anëtarësimin në BE, duhet të përcaktojmë një objektiv konkret për çdo grup kapitujsh që hapen e mbyllen, sepse pritshmëritë e njerëzve nuk “ushqehen” dot me kapituj. Këto elementë të rëndësishëm për cilësinë dhe shpejtësinë e procesit të anëtarësimit në BE, duhet të trupëzohen në trajtën e vizionit dhe angazhimeve në një “Pakt për Europën”. Shndërrimi i vizioneve të guximshme në hapa konkretë të ndjeshëm tek qytetarët është sekreti i suksesit të procesit të integrimit europian.
*Kjo interviste është pjesë e serisë së shkrimeve rreth integrimit europian të Shqipërisë, të Institutit Shqiptar te Medias, në kuadrin e Programit të Promovimit të Tranzicionit të Republikës Çeke.
Discussion about this post