Emisioni “Në Shënjestër” ka hedhur dritë mbi personazhin e njohur të botës së krimit, Arben Isufaj, i njohur ndryshe me nofkën “Ben Qimja”, duke zbardhur episodet e shantazhit dhe kërcënimeve të tij ndaj gjyqtarit Vladimir Cjapi në qytetin e Fierit.
Pjesë nga dokumentari
I ashtuquajturi Universiteti i Krimit, një qytet ku gjithmonë fijet janë lëvizur nën rrogoz, Fieri ka qenë gjithmonë një çështje pasioni dhe miklimi për individë dhe grupe kriminale, të cilët kanë parë aty strehën e tyre për të zhvilluar larg syve të gjithë atë që quhet jeta e tyre pas kuintave.
Një qytet në afërsi të disa pikave strategjike, i rrethuar nga pasuri mbi dhe nëntokësore, mbi të gjitha i pasur me naftë, por edhe si një magazinë e stërmadhe e amballazhimit të industrisë së lehtë që ka shërbyer edhe si një lloj stacioni për trafikun e paligjshëm dhe fshehjes së lëndëve të forta narkotike, Fieri ka ruajtur gjithmonë fizionominë e tërhequr nga krimi.
Por në fakt kjo ka qenë vetëm dukja që na ka dhënë.
Pasi ndryshe nga qytetet e tjera, ku grupet kriminale janë përplasur ashpër me njëri-tjetrin për territor, duke lënë pas shumë të vrarë, duket se në Fier grupet kriminale kanë mundur të jetojnë së bashku qoftë edhe me pahir nëpërmjet një marrëveshje të pashprehur, që ka mundur të mbajë sa më larg ndezjen e gjakrave dhe për pasojë nxjerrjen e tytave të armëve si shpagim.
Por ndërsa ka ruajtur këtë aspekt të vetin, të dallueshëm nga qytetet e tjera, sigurisht që emri i Fierit si qytet është i lidhur edhe me emrat e disa prej ‘të fortëve’ të tij, të cilët kohë pas kohe kanë ngritur krye si për të na treguar se ata janë aty, pavarësisht aktivitetit kriminal që bëjnë në kundërshtim me ligjin.
Një nga këta ‘të fortë’ që ka ngritur mitin e tij në këtë qytet është edhe Arben Isufaj, apo i njohur ndryshe si Ben ‘Qimja’.
Një personazh i botës së krimit në këtë qytet që i ka mbijetuar me sukses kulisave, por që edhe ka mundur pavarësisht jetëshkrimit të tij të pasur me vepra të ndryshme penale, t’ia dalë mbanë edhe të fitojë benefite të rëndësishme në zonën e pasur me pasuri nëntokësore.
Por po kështu ka ditur që nëpërmjet kërcënimit dhe shantazhit, të vendosë diktatin e tij në qytet, ashtu siç është përpjekur të ndikojë edhe te drejtësia, sikur ishte edhe rasti i fundit kur u shfaq në skenë, ai i kërcënimit të një gjyqtari dhe një noteri në qytetin e Fierit, të cilët i kanosi nëpërmjet tytës së armës.
Por çfarë ishte ky kërcënim dhe pse Ben ‘Qimja’ i ndihmuar edhe nga të afërmit e tij, u rishfaq kaq dhunshëm në skenë?
Si mundi ai t’u ikë forcave RENEA që mësynë në banesën e tij, aty ku gjetën edhe një armë zjarri pas urdhrit që u lëshua nga Gjykata e Fierit pasi ky i fundit kishte kanosur me jetë gjyqtarin?
Kush është gjyqtari që dorëzoi një kallëzim në Prokurorinë e Fierit për kërcënim nga Arben Isufaj?
Sipas dosjes hetimore të siguruar nga emisioni ‘Në Shënjestër’, gjithçka duket se lidhet me një nga hasmët e familjes Isufaj. Më konkretisht me një rishikim vendimi në emër të një të dënuari me burgim të përjetshëm.
Çështje e cila sipas shortit elektronik që përzgjedh gjyqtarin që do marrë në ngarkim rishikimin e këtij vendimi. i kishte rënë magjistratit Vladimir Cjapi.
Dhe kërkuesi i rishikimit të këtij vendimi në Gjykatën e Apelit në Fier, ishte Pëllumb Yzeiraj, aktualisht i dënuar me burgim të përjetshëm.
(*Redaksionale: Pëllumb Yzeiraj është dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e Enver Isufajt, babait të Arben Isufajt, i njohur si “Ben Qimja”. Enver Isufaj është vrarë në një bilardo në afërsi të banesës në zonën e Sheqit. Në vrasje, dyshohet se kishin marrë pjesë Pëllumb Yzeiraj dhe Vladimir Hasani, vëllai i Sel Çamit.
Pasi i vranë të atin, Arben Isufaj largohet jashtë. Nga viti 1994 deri në 1998 ai nuk u shfaq në Fier. Isufaj u shpërngul në Spanjë e më pas në Holandë dhe Itali duke krijuar lidhje të fuqishme në trafikun e kokainës. Ben Qimja u fuqizua shumë dhe u shndërrua në furnitorin kryesor të bandës së Aldo Bares në Itali, siç u zbulua nga përgjimet.)
Dosja Hetimore
“Më datë 21 janar 2025 me short elektronik gjyqtari Vladimir Cjapi është përzgjedhur anëtar i trupës gjyqësore për gjykimin e çështjes penale me kërkues Pëllumb Yzeiraj, i cili nga ana e tij kërkon rishikimin e vendimit penal Nr.2005, datë 3 nëntor 2004 të Gjykatës së Fierit.”
Ky short dhe përcaktimi i gjyqtarit Cjapi, si një nga anëtarët e trupës gjykuese që do marrë në shqyrtim kërkesën për rishikimin e vendimit më burgim të përjetshëm në ngarkim të vuajtësit të dënimit, shtetasit Pëllumb Yzeiraj, dhe frika se ky i fundit mund të lërë qelinë me masën e dënimit të vuajtur, duket se ka vënë në lëvizje edhe familjen Isufaj.
Dhe në këtë rast vetë personazhin e saj më të fuqishëm, Ben ‘Qimen’, i cili mesa duket që nga momenti që mësoi mbi lëvizjet ligjore të hasmit të tij që ndodhet në burg, fillon edhe ai vetë të lëvizë.
Këtë herë duke i kapur vetë anëtarët e trupës gjykuese ku ai ka menduar se aty ku nuk bën punë kulaçi, bën kërbaçi. Në këtë rast shantazhi, që ndonjëherë bën më shumë punë sesa fjala.
Dosja Hetimore
“Referuar vendimit penal për të cilin kërkohet rishikimi, rezulton se kërkuesi Pëllumb Yzeiraj është dënuar me burgim të përjetshëm për vrasje në rrethana cilësuese ku viktima rezultojnë Julian Isufaj, Esat Tare, ndërsa të plagosur kanë mbetur Bledar Kastrati dhe Taip Sulaj.”
Siç thamë do të ishte pikërisht ky informacion që kishte shkuar ndërkohë në veshin e Ben ‘Qimes’, i cili mesa duket ka të dhëna të sakta nga brenda institucionit të drejtësisë në Fier, që e vendos atë në pozita lëvizje.
Fillimisht duke kontaktuar me miqtë më të afërt të gjyqtarit Vladimir Cjapi, i cili nga ana tij kishte vetëm 15 muaj që ushtronte këtë detyrë në Gjykatën e Fierit, kohë gjatë kohës së cilës Ben ‘Qimja’, po kërkonte ta kontaktonte, që përkon me mesin e muajit shkurt të vitit 2025, kur gjyqtari ndodhej me leje vjetore jashtë Shqipërisë.
Por në pamundësi për të takuar gjyqtarin Cjapi dhe për tja lënë vetë personalisht mesazhin që ky i fundit duhet të merrte, Ben ‘Qimja’ e ndalon makinën e tij të blinduar në një nga zyrat e noterisë në qytet, aty ku kryente funksionin si noter, një nga miqtë e ngushtë të gjyqtarit.
Vladimir Cjapi: “Unë kam 15 muaj që ushtroj detyrën e gjyqtarit në Gjykatën e Fierit. Ajo që dua tju them fillimisht është se nga data 11 deri më 15 shkurt, unë kam konsumuar një pjesë të lejes vjetore. Dhe gjatë këtyre ditëve kam qenë jashtë shtetit, ku jam kthyer në qytetin e Fierit, mbrëmjen e datës 15 Shkurt 2025. Të nesërmen e kësaj date, më datë 16 Shkurt, nga ora 10.00 deri në orën 11.00, unë kam qenë në ambientet e gjykatës, pasi kisha një seancë gjyqësore në dhomë këshillimi. Menjëherë sapo përfundova seancën telefonova mikun tim Arben Tahiraj, me profesion noter në qytetin e Fierit. Kjo pasi ky i fundit më kishte telefonuar më herët me qëllim për të më takuar”.
Por ndërsa priste një takim rutinë midis miqsh të vjetër, ky është momenti kur gjyqtari Cjapi mëson për kërcënimin që ka ardhur në adresë të tij.
Kërcënim që lidhej edhe me familjen e tij, ku Arben Isufaj i kishte lënë të kuptohej mikut të gjyqtarit, që nuk do të kursente askënd nga familja e tij, nëse ai do të ndërrmerrte një vendim që do të ishte i papëlqyeshëm nga ana e tij.
Vladimir Cjapi: “Pasi u takova dhe u përshëndeta me mikun tim Arben Tahiraj, ky i fundit më tha se te zyra e tij e noterisë kishte shkuar shtetasi Arben Isufaj. I cili tekstualisht i kishte thënë: ‘Ti e ke shok Vladimirin. I thuaj që do t’i shuaj familjen. Do e vras atë, gruan dhe fëmijët. Po nuk e bëra vetë atë gjë, do e lë me amanet’”.
Po sipas gjyqtarit, gjatë bisedës që zhvilloi me mikun e tij, ai kishte mësuar se Arben Isufaj, pasi kishte lënë mesazhin e tij kërcënues ndaj magjistratit, ishte kthyer më pas duke kanosur edhe vetë noterin.
Ndërsa gjyqtari Vladimir Cjapi, dha shpjegime përpara grupit hetues edhe mbi njohjen e tij me personazhin e Ben ‘Qimes’ dhe konfliktet e mundshme që mund të kishte me të.
Ku ai deklaroi se me personazhin problematik të ligjit në Fier, ishte njohur shumë kohë më parë, kur ishte avokat në dhomën e Avokatisë në Fier, por më pas i kishin shkëputur marrëdhëniet dhe sipas tij, kjo kishte sjellë një pakënaqësi të dukshme vetë Isufaj.
Vladimir Cjapi: “Arbeni më tha më tej gjatë bisedës se Arben Isufaj, kishte vazhduar më tej me sharje dhe kërcënime edhe ndaj familjes së tij. Në lidhje me shtetasin Arben Isufaj, unë jam njohur me të gjatë kohës, që kam ushtruar funksionin e avokatit në Dhomën e Avokatisë Fier, deri në momentin kur fillova Shkollën e Magjistraturës. Pasi nisa studimet në Magjistraturë, nuk pata më lidhje me këtë shtetas, shkëputje e cila mesa duket krijoi pakënaqësi te ai, gjë që e ka shprehur edhe te persona të ndryshëm”.
Por siç shpjegon edhe vetë më poshtë, gjyqtari Cjapi, ka krijuar bindjen se kërcënimi i ardhur nga Arben Isufaj, nuk ka lidhje me pakënaqësinë që ai ka krijuar për shkak të shkëputjes së beftë të marrëdhënies midis tyre, por me çështjen që ai kishte marrë në ngarkim në muajin janar, nëpërmjet shortit elektronik, të rishikimit të vendimit me burgim të përjetshëm të kërkuar nga nga i dënuari Pëllumb Yzeiraj.
Vladimir Cjapi: “Lidhur mbi rastin konkret, kjo ka të bëjë me një çështje e cila është futur rishtas në gjykim. Rrethanë kjo që ka bërë, që shtetasi Arben Isufaj të marrë nismën për të krijuar një situatë frike dhe presioni, me qëllim për të ndikuar në vendimmarrjen time. për shkak të funksionit tim si gjyqtar”.
Të njëjtat shpjegime lidhur mbi kërcënimin që kishte marrë dha përpara oficerit të policisë gjyqësore edhe noteri Arben Tahiraj, i cili rrëfeu të gjithë dinamikën se si Arben Isufaj mbërriti në zyrën e tij të punës, bashkë me njerëz të tij të afërt.
Arben Tahiraj: “Më datë 12 Shkurt 2025, rreth orës 16.20 unë ndodhesha në zyrën e time të punës, duke kryer disa veprime noteriale me një qytetar. Gjatë kësaj kohe, nga hyrja e zyrës që korespondon me rrugën, vë re se përballë kishte ndaluar një automjet ‘Fuoristradë’, ngjyrë e errët me xhama të zinj. Ku dallova vetëm drejtuesin e mjetit që po shikonte nga zyra ime. Pasi e pashë me vëmendje, konstatova që drejtuesi i automjetit ishte djali i shtetasit Arben Isufaj.Të cilin e njoh si banor të Fierit dhe për faktin që ka ardhur shpesh te unë për të kryer veprime noteriale”.
Por ndërsa thotë se ngriti dorën dhe e përshëndeti, me të dalë nga zyra, ai u përball me vetë personazhin e Ben ‘Qimes’, që ndërkohë kishte qenë i ulur në sediljen e pasme të automjetit, të drejtuar në këtë rast nga djali i tij.
Pasi zbriti nga automjeti, ai i kërkoi noterit që së bashku të kalonin në anën e pasme të zyrës së tij.
Arben Tahiraj: “Pasi zbriti nga makina, Arben Isufaj më tha që të kalonim nga pjesa e trotuarit, në një rrugicë, nga ku më pas shkohet për në gjykatë. Në këtë moment unë pashë që pas ‘fuoristradës’ ndodhej edhe një automjet tjetër, ngjyrë e zezë, me siguri ‘BMW’, aty nga ky zbriti nipi i Arbenit, shtetasi Amarildo Isufaj si dhe djali i tij, të cilët qëndruan në një distancë rreth 3 metra larg nesh. Sapo u larguam pak metra, Arbeni mu drejtua me fjalët: ‘Ti je shoku i Ladit?’ dhe unë ju përgjigja ‘Po’, duke kuptuar që ai po më pyeste për shtetasin Vladimir Cjapi me detyrë gjyqtar, që në fakt unë e kam shok”.
Por teksa në fillim Arben Isufaj apo i njohur ndryshe si personazhi i Ben ‘Qimes’ u tregua shumë i sjellshëm me të, noteri rrëfeu më tej, se mënjëherë pasi e tërhoqi mënjanë, ai filloi ta kërcënonte.
Madje duke inskenuar sikur të dy bashkë me gjyqtarin e kishin marrë atë dhe nipërit e tij nëpër gojë nëpër tavolina kafenesh.
Arben Tahiraj: “Pasi i thashë që e njoh Ladin dhe e kam shok, Arben Isufaj mu drejtua menjëherë me fjalët kërcënuese: ‘Do tju vras të dyve’. Në këtë moment unë e pyeta; “Përse?’. Por ai më tha: ‘Ju më keni përmendur mua dhe nipat e mi’. Në këtë moment ai u kthye nga unë duke më thënë që t’i bëj me dije Ladit që: ‘Do ta vras, do ta zhduk, do i vras fëmijët. Nuk kam dashur të vete te gjykata se do ta degjeneroja atje. S’dua tja di për njeri kush është Ladi’. Unë i thashë që:‘Nuk të ka përmendur dhe s’kam punë me ty’.Por ai vazhdoi të më thoshte që: ‘Ke qenë në një tavolinë me të, kur më ka përmendur’”.
Pas këtij kërcënimi ndaj tij dhe gjyqtarit Vladimir Cjapi, noteri Arben Tahiraj, tregoi se Arben Isufaj u largua bashkë me djalin dhe nipin e tij.
Ndaj për këtë arsye ai priti që miku i tij të kthehej nga jashtë Shqipërisë ku ndodhej dhe t’i tregonte për atë që i kishte ngjarë.
Arben Tahiraj: “Duke e ditur që miku im Vladimir Cjapi ndodhej jashtë Shqipërisë, unë prita që ai të kthehej në Fier që ta kontaktoja. Gjë që e bëra më 16 Shkurt ku i kërkova të takoheshim të nesërmen dhe t’i tregoja çfarë kishte ndodhur”.
Me qëllim për të konfirmuar pretendimet e ngritura si nga noteri ashtu edhe nga gjyqtari, Vladimir Cjapi, grupi hetues mori në administrim pamjet filmike, të vetë noterisë, ku thuhet se në ambientet e jashtme ndodhi edhe takimi aspak miqësor midis noterit Arben Tahiraj dhe Arben Isufajt.
Aty u vërtetuan thëniet e noterit, se krahas personazhit të Ben ‘Qimes’, të pranishëm në distancë në këtë takim ishin nipi dhe djali i tij.
Dosja Hetimore
“Nga administrimi i pamjeve filmike, të marra në ambientet e brendshme të zyrës së noterit Arben Tahiraj, si edhe të një kamere në pronësi të një supermarket, që lidhen me intervalin kohor nga ora 16.00 deri më 16.30, të datës 12 Shkurt 2025, rezulton se në këtë datë, në orën 16:16, në rrugicën midis noterisë dhe objektit në krah, vihen re të takohen dy persona, të cilët dallohen që kanë një komunikim midis tyre. Personi i parë shoqërohet nga persona që qëndrojnë në trotuar, por nuk dallohet të marrin pjesë në komunikimin midis këtyre dy personave. Ku më pas ata vihen re teksa largohen së bashku me personin që shoqëronin”.
Do të ishin këto pamje filmike, që konfirmonin pohimet e noterit Arben Tahiraj, mbi takimin e zhvilluar me Arben Isufajn në ambientet e jashtme të zyrës së tij të punës, si edhe dëshmia e tij mbi mesazhin kërcënues, që siç thamë çuan fillimisht më datë 17 Shkurt, në denoncimin që gjyqtari bëri te eprorët e tij dhe më pas në kallëzimin e tij në Prokurori. ndaj shtetasit Arben Isufaj, me cilësimin ‘kanosje për shkak të detyrës që ai ushtron’.
Kjo çoi Prokuorinë e Fierit në urdhërin për ndalimin e ‘të fortit’ të qytetit.
Discussion about this post