Një skemë e dyshuar mashtrimi me vlerat e mallrave dhe falsifikim dokumentesh është zbuluar nga Dogana Shqiptare në bashkëpunim me autoritetet greke. Në njërin prej rasteve, një ngarkesë mallrash me vlerë reale 237,615 euro ishte deklaruar në doganë për vetëm 46,639 euro, duke krijuar një diferencë prej afro 191 mijë eurosh.
Nga verifikimet rezulton se për këtë rast detyrimi doganor i papaguar llogaritet në rreth 22.5 milionë lekë. Zbulimi u bë pas shkëmbimit të informacionit mes autoriteteve doganore shqiptare dhe greke, të cilat konstatuan mospërputhje mes dokumentacionit të paraqitur nga subjektet importuese.
Në rastin e parë, faturat dhe dokumentet e tranzitit të dorëzuara në Shqipëri rezultuan të ndryshme nga ato që dispononin autoritetet greke. Mospërputhjet kishin të bënin me vlerën e mallrave dhe të dhënat e marrësve. Ndërsa në rastin e dytë, diferenca mes vlerës së deklaruar dhe asaj reale ishte 190,976 euro. Sipas Doganës, skemat dyshohet se ishin përdorur për të shmangur detyrimet tatimore dhe doganore ndaj shtetit.
Pas hetimeve paraprake, Drejtoria e Hetimit Doganor ka referuar materialet në Prokurorinë e Korçës për administratorët e subjekteve importuese, të dyshuar për kontrabandë me mallra të tjera dhe falsifikim të dokumenteve zyrtare.
gijotina.com/










Discussion about this post