Krejt heshturazi dhe vjedhurazi, ashtu sic e ka zakon “Rilindja”, pa dëgjesa publike dhe debat, po ndodh një “kafshim” i ri i Parkut të Madh të Liqenit Artificial (PMLA). Projekti kaloi thjesht si një zë buxheti të vitit 2026, në Këshillin Bashkiak të Tiranës dhe për ta është e mjaftueshme të vazhdojnë të betonojnë parkun.
Jo vetëm gërmim dhe betonim, por një harxhim i kotë, vetëm për të xhiruar paratë e taksapaguesve kryeqytetas tek oligarkët e ndërtimit. Janë 9 miliardë lekë të buxhetit të bashkisë, që justifikohen me hapjen e një grope në territorin e gjelbër.

Më konkretisht bëhet fjalë për tenderin me objekt “Ndërtim Parking Nëntoksor (2 kate), në hyrjen veriore të PMLA, pranë sheshit “Frederik Shopen”.
Fondi Limit i caktuar nga bashkia është 897.8 milionë lekë të reja pa TVSH, ose 9.5 milionë Euro pa TVSH, sipas kursit të Bankës së Shqipërisë.

Tenderi është planifikuar të mbahet më 22 qershor 2026, por puna nuk do të nisë shumë shpejt për shkak të pazareve që bën pushteti para zgjedhje të ardhshme vendore.
Parkimi nëntokësor do të pozicionohet përballë portës së Gardës, në hyrjen veriore të PMLA, pranë sheshit Frederik Shopen. Sipas dokumenteve, janë rreth 11 mijë metra katrorë që do t’i merren Parkut dhe do të betonohen.

Dhe nuk mjafton kjo gropë, por në sipërfaqe është parashikuar parkimi i autobusave! Në total janë planifikuar 12 poste parkimi për autobuza. Nuk mjaftojnë dy terminale autobusësh, por u dashka edhe një tjetër pikërisht tek hyrja e parkut. Imagjinojeni cfarë pamje e shëmtuar për të prezantuar Parkun! Pa llogaritur ndotjen që krijohet nga gazrat e motorëve të tyre. Këta mashtrues, nga njëra anë harxhuan qindra milionë lekë për pista bicikletash, nga ana tjetër vazhdojnë me parkime makinash.
Nëse do t’i pyesnin qytetarët, ky parkim nuk është i nevojshëm. Vetëm 100 metra larg janë parkimi i Sheshit Italia, parkimet e Stadiumit “Air Albania”.
Ndërkohë një parkim tjetër nëntokësor po ndërtohet tek sheshi “Nënë Tereza”, poshtë instalacionit “Tirana Moons”.

Sipas projektit, hyrja dhe dalja e parkimit është realizuar nga ana e sheshit “Frederik Shopen”.
Gropa e Parkimi nëntokesor ka një sipërfaqe totale rreth 6000 m2.
Parkimi do të realizohet në dy kate me një standart të përgjithshëm prej maksimumi 20/-25 m2/parkim.
Eshtë parashikuar një dalje vertikale në sheshin mbi parkimin publik i kombinuar me një
infopoint dhe biletari.
Projektuesi duhet të realizojë sistem ajrimi të parkimit për të mundësuar largimin e të gjitha ndotjeve të shkaktuara për shkak të shkarkimit të gazrave nga automjetet që parkojnë. Në fakt këto gazra përfundojnë në ambientin përreth.
Sipas letrave, projekti do të ndërtohet për 15 muaj, por zakonisht këto zgjasin shumë më tepër. Pra, betonieret do të lëvizin në atë zonë për të paktën 2 deri në 3 vjet. Këtë e themi bazuar në precedentë.

Kështu, parkimi nëntokësor tek sheshi Avni Rustemi ka filluar në gusht 2024 dhe duhet të mbyllej në janar 2026, por akoma vazhdon të jetë një grumbull betoni dhe pluhurash që kanë mbuluar monumentin e kulturës të ndërtuar qysh në vitin 1930.
Ndërkaq, oreksi për të vjedhur është shtuar para zgjedhje vendore! Dhe për krahasim, ky parkim nëntokësor ka dyfishin e vendeve të këtij që po fillon në hyrje të Parkut. Nga ana tjetër, fondi limit i tenderit që do të mbahet në 22 qershor 2026, është afro 3 miliardë lekë më tepër! Janë para të ndara për t’u vjedhur sepse nuk dalin llogaritë. Madje tek fondi limit i tenderit për parkimin tek Avni Rustemi ishin futur edhe lyerja e fasadave godinave anës rrugës dhe rrotull sheshit.
Të gjithë këto projekte që më parë i faturoheshin Erion Veliajt, tashmë janë nën kujdestarinë direkte të kryeministrit Edi Rama, që ka komanduar në këtë post Anuela Ristanin. Nuk e besojmë se Parkun po e “kafshon” Anuela me kokën e saj. Kjo është një nga ato punët që i vizaton Edi Rama dhe Anuela thjesht i firmos!

Që tenderi është dizajnuar për të vjedhur, e tregon edhe planifikimi pa kufi i parave për kompaninë që do të fitojë tenderin. Ndërsa për Mbikëqyrjen e punimeve janë caktuar lekët me pikatore.
E përse duhen aq shumë inxhiniera për mbikëqyrje, kur është bërë praktikë që thjesht firmosen situacionet dhe faturat, pa asnjë lloj kontrollit në terren?!

Këtë nuk zbuluam ne, por e dononcon një nga kompanitë pjesëmarrëse në tenderin e mbikëqyrjes së punimeve.
Kjo është ankesë të kompanisë “TOWER” shpk dërguar Komisionit të Prokurimit Publik më 7 prill 2026.

KPK njoftohet se Bashkia ka vendosur fond të pamjaftueshëm për tenderin “Loti i II-të: Mbikqyrja e punimeve për objektin: “Ndërtim Parking Nëntokësor (2 kate), në hyrjen veriore të PMLA, pranë sheshit “Frederik Shopen”.
Sipas analizës për Lotin II: Bashkia ka parashikuar një fond limit prej 7.7 milionë lekësh për një kohëzgjatje prej 15 muajsh. Nga ana tjetër formalisht kërkohet një staf prej 10 personash. Nëse aplikohet paga indikative prej 115,000 lekësh, vetëm kostoja bruto e pagave kap vlerën 17,250,000.00 lekë. Pra, Fondi limit aktual mbulon vetëm rreth 44% të kostos mesatare indikative të pagave, pa llogaritur sigurimet shoqërore, shpenzimet operative dhe fitimin e shoqërisë.
Cfarë sjellë kjo si pasojë? Nga njëra nuk kursehen paratë për beton, por nuk llogariten sigurimet Shoqërore të punonjësve. Kjo nxit evazion dhe informalitet, duke deklaruar paga më të ulëta. Ndërsa në ofertat do të propozohen shifra anomalisht të ulëta. Po ashtu rrezikohet që stafi të punojë me kohë të pjesshme dhe të vihet në rrezik ekzekutimi i kontratës.

I ndodhur përballë një skandali kaq të hapur, KPP vendosi të pranojë ankesën dhe të urdhërojë bashkinë të shtojë fondin për ixhinierët e mbikqyrjes së punimeve.
Bashkia ka refuzuar të japë sqarime, por ka deklaruar se do ta anulojë tenderin. Ky është një stil i vjetër që e përdor kryetarja Anuela Ristani, kur do të fitojë kohë. Ndërsa KPP ka vendosur ta bllokojë cdo hap tjetër të Bashkisë Tiranë.

Më 1 qershor 2026, KPP vendosi të mos lejojë Bashkinë Tiranë për vijimin me hapat e mëtejshëm të procedurës së prokurimit “Mbikqyrja e punimeve për 3 objekte të Bashkisë Tiranë për vitin 2026”, përkatësisht Loti i II-të: Mbikqyrja e punimeve për objektin: “Ndërtim Parking Nëntokësor (2 kate), në hyrjen veriore të PMLA, pranë sheshit “Frederik Shopen”.
Praktika ka treguar se sa më i madh të jetë fondi i projektit, aq më të vështira bëhen pazaret për mbikëqyrësin e punimeve. Preferohet gjithmonë një kompani e besuar që të tolerojë dhe të faturojë punët e pabëra.
Vjedhja e parë është bërë në letër! Në projekt dhe në skica ka gjelbërim mbi betonin e parkingut nëntokësor.

Ndërsa në preventiv, mes 349 zërave të punimeve dhe mallrave që do të furnizohen nuk ka pemë ose lule!

Pra, duhet një mbikqëyrës që të mbyllë gojën dhe të firmosë këto dëmtime të mjedisit dhe moskthimin në gjendjen e mëparshme të sipërfaqes së parkingut.
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet .nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016










Discussion about this post