Kryeministrit Rama nuk i sosin paratë për oligarkun Bashkim Ulaj. Në prill 2025, kompania “Gener 2” përfundoi rrugën Shëngjin-Velipojë, ku u hodhën 38 milionë euro. Pa i përtypur mirë këto këto fonde që u hodhën për vetëm 15 kilometër rrugë, kryeministrit i kishte lindur në kokë idea për t’i dhënë 11 miliardë lekë të tjera. Më saktë nxitja ishte e Ulajt që kërkonte një rrugë e dy punë, edhe përfitonte para ekstra, edhe i hapej segmenti për të marrë interte me kamionët e tij.

Në shtator 2025, u miratua projekti për Bypass-in e Shëngjinit. Në mënyrë rrufe u firmosën kalimi i tokave, pyjeve, kullotave për rrugën, nga kryebashkiaku Pjerin Ndreu dhe drejtorët e tij. Në tetor 2025 u vendos një tabelë në anë të rrugës që njoftonte punimet.

Tashmë në letrat e Fondit Shqiptar të Zhvillimit nuk ishte “Gener 2”, kompania kryesore e Ulajt, por një bashkim operatorësh që janë krijuar për maskim.
Në terren nuk do të dukej fare as kompania “4-AM” shpk dhe as “Bonus” shpk që janë satelite të oligarkut Ulaj. Ndërkaq, Dritan Agolli, drejtori i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, në rolin e zhvilluesit, e kishte situatën nën kontroll. I mësuar të punojë nën presionin e Ramës, që flet para se të bëhen letrat, Agolli i rregulloi fondet në favor të satelitëve të Ulajt.

Në projektin e ri plot 12 milionë euro, u angazhuan firma të ndryshme nënkontraktore të padeklaruara zyrtarisht që punonin me mjete të rënda, ose kryenin shpërthime në Malin e Rencit.

Në pranverë, Rama “i shqetësuar” për trafikun e makinave të turistëve, do të delte sërish me ato videot e tij: Rruga drejt mbarimit, Bypass strategjik, investim i madh për turizmin…

Zakonisht, kur kryemnistri del me foto dhe video të tilla, përfundimi është shumë larg dhe bëhen gati para të tjera.
Tenderi i ri quhet “Ndërhyrje për përmirësimin e aksesit, konektivitetit & mobilitetit rajonal dhe lokal: Sistemim Asfaltim i rrugës Hyrja e qytetit Koplik dhe rrugës Dalja e qytetit Koplik për Bajzë, Njesia Administrative Koplik & Sistemim asfaltim Bypass Shëngjin”. Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka bërë një bashkim të dy projekteve pa lidhje me njëri tjetrin, Koplikut dhe Bypassit të Shëngjinit.
Fondi Limit i caktuar nga Dritan Agolli është 518 milionë lekë të reja. Këto janë para shtesë për të përfunduar Bypassin e Shëngjinit. Oligarku ka nevojë për lekë të tjera.
Me shpejtësi të madhe, FSHZH njoftoi tenderin e ri 15 qershor 2026 dhe e mbajti procedurën më 1 korrik 2026.

Tenderi është vlerësuar me “Flamurin e kuq” të korrupsionit. Por Dritan Agolli ka vazhduar me planin e tij të paracaktuar për t’ia dhënë paratë Bashkim Ulajt. Sic e shpjeguam, në vend të tij paraqitet kompania hije “4 A-M ” sh.p.k e cila bëri ofertën 308,9 milionë lekë të reja pa tvsh.
Ndërkaq, ofertat më ekonomike nuk u përfillën. Kështu, “ALBAVIA” sh.p.k propozoi ta bënte këtë punë me 298,5 milionë lekë pa TVSH.

Me të njëjtën shpejtësi, Agolli, pas dy javësh, më 14 korrik 2026 i ka dërguar formularin e fituesit Ardit Metalliajt, pronari në letra të “4 A-M” sh.p.k

Disa ditë para mbajtjes së tenderit. Rama theksoi se bypass-i do të krijojë një lidhje më të shpejtë dhe më funksionale mes Shëngjinit, zonës së Rana e Hedhun dhe më tej me Velipojën, duke ndikuar drejtpërdrejt në zhvillimin e turizmit bregdetar në veri.
Rruga po ndërtohet përgjatë zonës malore të Rrencit dhe, sipas kryeministrit, do të shërbejë jo vetëm si aks transporti, por edhe si një segment panoramik që rrit atraktivitetin turistik të zonës. Punimet për përfundimin e këtij projekti pritet të mbyllen në shkurt të vitit 2027.
Do të vijë shkurti dhe rruga nuk do të ketë mbaruar, sepse korrupsioni i përpin paratë. Një pjesë e lekëve janë investimi për asfaltin e Bypassin e Shëngjinit.

Ndërsa pjesa tjetër, për të cilën Rama nuk ka brë akoma video, është rruga në hyrje dhe dalja nga Kopliku. Edhe kjo rrugë duhet të përfundojë brenda 6 muajve.

Përse nuk i ka ndarë në lote Dritan Agolli këto dy projekte? Kjo mbetet e dyshimtë, por ndoshta auditimi i KLSH mund të nxjerrë pasojat e këtyre shkeljeve.
Kompania “4-AM” shpk është favorizuar në tendera, falë mbështetjes politike që i jep Bashkim Ulaj. Në të njëjtën kohë që po niste Bypassi i Shengjinit, firmës hije i jepej nga ish-zëvendskryeministrja Balluku dhe ish-drejtori i ARRSH, Gentian Gjyli, tenderi një rruge tjetër. Bëhet fjalë për kontratë me objekt “Ndërtim rruga Kashar – Nyja Vaqarr Faza I”.
Gjyli, që është në arrest shtëpiak për korrupsion, e firmosi këtë kontratë më 2 shtator 2025. Më konkretisht, objekti është pjesë e ndërtimit të Unazës së re të Tiranës (Kashar-Vaqarr-Mullet) dhe integrimi i saj me dy autostradat. Ai synon në veçanti të çlirojë nga mbingarkesa e trafikut në zonat qendrore të qytetit të Tiranës për shkak të trafikut të tranzitit që hyn në qendër të qytetit.
Fondi Limit i përllogaritur për projektin është mbi 33.3 miliardë lekë pa TVSH.

Edhe kjo kontratë është dhënë me “Flamur të kuq” korrupsioni.

“Skualifikim i të gjithë operatorëve konkurrues përvec fituesit/ Skualifikim i ofertes me vlerë më të ulët”, kështu e ka klasifikuar tenderin Open Data Albania.
Kompania “4 A-M” shpk është kapur mjaft herë në shkelje të ligjit, por urdhrat politikë e kanë nxjerrë nga balta. Dihen marrëdhëniet dhe lidhjet e shkurtra të Bashkim Ulajt me kryeministrin Rama, prandaj gjithnjë ka qenë e garantuar mbështetja për kompaninë që njihet si “maska” e tij.
Pasi shpëtoi pa i hyrë gjemb në skandalin me “Dh-Albania” (ku kishin gisht njerëzit e Bashkim Ulajt) oligarku vendosi të angazhojë më shumë “4 A-M” shpk dhe ta lërë në hije kompaninë “Gener 2” shpk.

Shkeljet e shumta që bëheshin në favor të kompanisë “4 A-M” ranë edhe në dorën e KLSH.
Në nëntor të vitit 2021, KLSH zbuloi shkelje të shumta në tenderin mbi 3 milionë euro të Bashkisë Tropojë dhe kallëzoi në SPAK kryebashkiakun e Tropojës, si edhe 8 zyrtarë të tjerë të institucionit në Prokurorinë e Tropojës. “Komisioni i Vlerësimit të Ofertave (KVO) nuk e ka konstatuar faktin se ky Operator Ekonomik (4-AM) ka paraqitur deklarim të rremë në këtë procedurë prokurimi”, thuhet në raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit.
Por, pavarësisht këtij kallëzimi Agjencia e Prokurimit Publik (APP) nuk mori asnjë masë. Madje në vitin 2022, APP mori vendimin që të mos pranojë këtë kërkesë të KLSH.
Koha tregoi se KLSH kishte të drejtë, ndërsa APP si një institucion i politizuar vepron me urdhra nga lart. Në prill 2024, SPAK e çoi këtë dosje në gjykatë. U vërtetua se funksionarët e bashkisë Tropojë me vendimmarrjen e tyre kanë favorizuar në procedurën e rikonstruksionit të gjimnazit “Asim Vokshi”, subjektin “4 A-M” që zotërohet nga Ardit Metaliaj. Tre të pandehurit, ish-zyrtarë të bashkisë Tropojë kanë pranuar autorësinë e krimit duke lidhur marrëveshje pranimi fajësie me SPAK.
Si përfundim, qysh nga skandali i “Dh Albania” që lidhet me Unazën e Madhe të Tiranës, nuk ka ndryshuar asgjë: I njëjti oligark që lëviz fijet në prapaskenë, të njëjtat institucione që bëjnë tenderat e rrugëve, e njëjtat ministri. Pavarësisht zyrtarëve të hetuar nga SPAK që ikin, vijnë të tjerë më të zellshëm që favorizojnë Ulajn.
Dhe shenjat e korrupsionit nuk janë vetëm në letra. Në dhjetor 2025, disa muaj pas inaugurimit, kjo ishte pamja e rrugës Shëngjin–Velipojë, pranë fshatit Rrjoll. Për shkak të rrëshqitjes së dherave, traseja e rrugës ka pësuar çarje në një gjatësi të konsiderueshme dhe rrezikon shembjen e plotë. Kompania e Bashkim Ulajt “Gener 2” që ka ndërtuar këtë segment rrugor kishte vendosur barriera betoni dhe sinjalistikë në një gjatësi prej 50 metrash.

Rrugët e reja, të përuruara me pompozitet po përballen me defekte serioze brenda pak muajsh. Çarje, shembje, rrëshqitje, dhe ndërhyrje të përkohshme janë bërë tashmë realitet i përditshëm. Deri më sot hetimet e SPAK nuk kanë sjellë asnjë lloj ngadalësimi apo stepje të korrupsionit me paratë e tenderave. Duket sikur organi i akuzës nga njëra anë dhe zyrtarët e shtetit dhe kryeministri në anën tjetër, ecin në kahe të kundërta.
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.










Discussion about this post