Logjikë suedeze për të neglizhuar korrupsionin afrikan! Kështu mund ta quajmë trajtimin me tendera që i bën “Rilindja” personave që kanë probleme me drejtësinë. Sipas qëndrimit të nënkuptuar, por edhe të shprehur nga eksponentët e “Rilindjes”, derisa të mbarojnë gjyqet, këta mund të marrin paratë e buxhetit të shtetit. Për më tepër, këta bëhen protagonistë në procedura korruptive të prokurimeve.
Një nga këta afaristë është Gjergji Bezati nga Gramshi. Qysh në dhjetor 2025, Policia e Shtetit nuk po lë vend pa e kërkuar. Akuzohet nga Prokuroria e Elbasanit në kuadrin e dosjes së Metalurgjikut për ndotjen e qytetit.
Nëse një pronar hoteli e strehon Gjergji Bezatin, e ka për detyrë të njoftojë policinë, ndryshe rrezikon të ndiqet penalisht. Por vini re, kjo situatë juridike nuk e pengon Blerim Sherën, kryetarin e Bashkisë Vorë, që t’i besojë kontratën publike një njeriu të shpallur në kërkim nga shteti.

Tender me risk korrupsioni
Bëhet fjalë për tenderin e Bashkisë Vorë me objekt “Rehabilitimi i kanalit të ujërave të bardha dhe rrjetit KUZ përgjatë rrugës Marqinet, në fshatin Marqinet”. Në lojë janë 72 milionë e 512 mijë e 932 lekë të reja pa përfshirë TVSH.

Në tenderin e mbajtur më 20 korrik 2026 komisioni i ngritur nga kryebashkiaku Shera i ka eliminuar kompanitë konkurruese dhe ka lënë mbi tryezë vetëm ofertën e Bezatit.

Për këto shkelje, Open Data Albania e ka klasifikuar këtë procedurë prokurimi me risk korrupsioni dhe, e ka shenjuar me “Flamur të kuq”.
Shera nuk i ka marrë në konsideratë ofertat që kursenin buxhetin e bashkisë, por ka bërë pazar me të kërkuarin Gjergji Bezati.
Bashkimi i operatorëve i udhëhequr nga kompania e Bezatit “VIANTE Konstruksion” shpk kishte ofruar vlerën e kontratës 699 milionë lekë pa TVSH. Por kjo ishte një nga ofertat më të larta.
Kështu, operatori ekonomik “BE – IS” shpk ka dorëzuar ofertën 592 milionë lekë, që është 100 milionë lekë më poshte se sa shifra e Gjergji Bezatit. Kjo diferencë, pavarësisht se si do ta justifikojë kryetari Shera para KLSH dhe SPAK, është thjesht një tarifë korrupsioni në kurriz të taksapaguesit.

Shera do të kishte bërë mirë që, edhe sikur të kishte prorosi nga lart, ta shmangte pazarin me kërkuarin Bezati. Biznesmeni prezumohet i pafajshëm për momentin, por duhet të dorëzohet në polici, të presë hetimin gjyqësor. Pasi gjykata t’i heqë masën e sigurisë, le të vazhdojë të bëjë biznes.
Por Shera e kishte të paracaktuar rezultatin, prandaj nuk do ta ndalonte asnjë rrethanë të shpallte fitues Gjergji Bezatin

Më 5 gusht 2026, i është dërguar Bezatit formulari i shpalljes së fituesit. Duke qenë i vetdijshëm se tenderi ka probleme me ligjin, Shera ia ka lënë sekretarit të Bashkisë, që të hedhë firmën. Por kjo nuk e shmang përgjegjësinë e tij që nis qysh nga ngritja e komisioneve të tenderit, tek përllogaritja e fondit limit dhe deri tek miratimi i rezultatit.
Përse akuzohet Gjergji Bezati?
Me 15 dhjetor 2025, nga hetimet intensive, si dhe nga inspektimet e kryera në bashkëpunim me Inspektoratin Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT), ka rezultuar se dy subjektet tregtare që ushtronin aktivitet në zonën e ish-Metalurgjikut në Elbasan, “Kanë shkelur rëndë legjislacionin mjedisor; Kanë ndotur ajrin, ujërat dhe token; Nuk kanë respektuar rregullat për menaxhimin e integruar të mbetjeve”.
Po ashtu, kanë kryer përpunim të paligjshëm të mbetjeve të baterive, një aktivitet me rrezik të lartë për shëndetin publik dhe mjedisin. Në flagrancë u arrestuan 16 persona, ndërsa 8 të tjerë u shpallën në kërkim nga Policia e Shtetit.
Të kërkuarit janë Bujar Zogu, Dritan Konica, Fejzo Meçaj, Ilir Londo, Gjergj Bezati, Agron Shpallo dhe Serafin Orgoça.

Nën hetim janë subjektet “CCALB” sh.p.k dhe “GSA Ferrokrom” sh.p.k., të cilat dyshohen se kanë ushtruar aktivitet të paligjshëm në përpunimin e mbetjeve dhe prodhimin e ferrokromit duke e mbytur zonën me tymra helmues.
Bezati jo vetëm iu fsheh Policisë, por e justifikonte publikisht në rrjetet sociale veprimin e tij.

Biznesmeni shpërndante një postim mbi seancën e masave të sigurisë, nga avokati Plarent Ndreca, që është eksponent i “Rilindjes” dhe personazh në dosjet e SPAK. Dëmtimi i shëndetit të njerëzve nuk do të thotë gjë për afaristin nga Gramshi. Ai nuk i kërkon ndjesë publikut për aktivitetin e motivuar nga ethet e pasurimit.

Gjergji Bezati është aksioner i kompanisë “CCALB” shpk, të cilat i bleu në vitin 2021.


Shoqëria ka si aktivitet zyrtar “Grumbullim, transportim, përpunim, rikuperim dhe riciklim i mbetjeve të rrezikshme dhe jo të rrezikshme. Shfrytëzim impiantesh industriale, teknologjike, kimike, metalurgjike për riciklim mbetjesh, përpunim të lëndës së parë, pasurim mineralesh”. Për dy vjet rresh tymrat e aktivitetit të kësaj firme mbytën qytetin e Elbasanit dhe zonën e Bradasheshit.
Mashtrimet me situacionet e punimeve
Bezati me kompanitë e tij nuk është vetëm rrezik për mjedisin, por është provuar se mashtron në zbatimin e kontratave publike. Kjo është një nga gjetjet e auditimit të kryer nga KLSH në bashkinë Gramsh.
Paratë publike janë përvetësuar në mënyrë të kundraligjshme me tenderin për sistemimin dhe asfaltimin e rrugëve të brendshme të fshatit Ceruje, me vlerë rreth 400 mijë euro. Fituesit e tenderit me pazar në tavolinë janë Algert Zani i kompanisë “Gele Zani”sh.p.k dhe Gjergji Bezati i kompanisë “Viante Construksion” sh.p.k, të cilët kanë mashtruar me zbatimin e kontratës së vitit 2023. Firmat kanë bërë bërë letra për punime të pakryera në bashkëpunim gjithnjë me supervizorin.

Nga ana tjetër banorët e fshatit Marqinet duhet të shqetësohen që projektin po e merr një kompani që e ka zakon të vonojë përfundimin e kontratave që merr përsipër.

Aktualisht, Bezati i ka forcat dhe mjetet të angazhuara në kontratën publike për restaurimin e qendrës së Pogradecit. “Viante Construction” e Bezatit bashkë me Besnik Lulajn, pronarin e “Valona Konstruksion”, morën më 15 janar 2025 tenderin 5.4 miliardë lekë. Kontrata e kishte kohëzgjatjen 16 muaj, por edhe pas kalimit të afatit, sipas burimeve zyrtare, është realizuar vetëm 80% e punimeve.
Përqëndrimi i tenderave me vlerë miliona euro në pak duar dhe zvarritja e projekteve është pasojë e qartë e korrupsionit. Pikërisht se është pjesë e këtij rrjeti të besuar “Rilindjes”, Gjergji Bezati, merr guximin edhe t’i shmanget drejtësisë.
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.









Discussion about this post