Emri i oligarkut Shkëlqim Fusha të del përpara sa herë shpallen tendera, kur jepen leje kullash dhe koncesione. Sidomos, qendrën e Tiranës e ka zaptuar në të gjitha kuptimet e fjalës. Fusha është mbi rrënojat e Teatrit Kombëtar, para dhe poshtë Skënderbeut. Në çdo operacion të Kryeministrit Rama që lidhet me qendrën e Kryeqytetit, më parë vendoste sipas rastit, maskën me pamjen e Shkëlqim Fushës ose të Erion Veliajt.
Tashmë që Veliaj është në burg dhe Fusha vazhdon të mbretërojë në Sheshin Skënderbej, kryeministri po përpiqet të dizajnojë një maskë me fytyrë femre. Por Anuela Ristani duket e panatyrshme dhe e pabesueshme.
Si shembull na vjen tenderi i fundit 1.3 miliardë lekë për pastrimin e Sheshit Skënderbej, i Bashkisë Tiranë, i shpallur përmes Drejtorisë së Pergjithshme të Rrugëve dhe Ndriçimit Publik.
Nuk do t’iu thoshim gjë të re, që tenderi është qepur si kustum pas trupit të Shkëlqim Fushës. Por, Anuela nuk e ka bërë me kokën e vet. As drejtori që ka firmosur letrat nuk e ka këtë guxim.
Ata mbase nuk do ta refuzonin “biznesin” me Fushën, por gjërat kanë nisur shumë kohë më parë. Shkëlqim Fusha ështëpërfituesi i projektit të rikonstruksionit të sheshit dhe qysh atëherë përfiton një koncesion të pashpallur që lidhet me të. Çdo tre vjet bëhet ky tenderi i pastrimit dhe Fusha mbledh me fshesë thërrimet e kontratës 1.3 milardë lekë.
Më konkretisht, tenderi quhet “Mirëmbajtja dhe Menaxhimi i Sheshit “Skënderbej”.
Më 19 mars 2026 u njoftua prokurimi më 20 prill ishte data e mbajtjes së tenderit.

Fituesi akoma nuk është shpallur, por do të ishte surprizë të mos fitonte Shkëlqim Fusha. Ai ka espertizë në “punë ta ngjshme” dhe lidhje direkte me krerët e “Rilindjes”.
Sheshi që është ndërtuar dhe ka marrë këtë emër qysh më 26 nëntor 1937, ka pësuar vetëm ndryshime kozmetike të politikanëve që kanë qeverisur. Enver Hoxha hiqte dhe vinte buste, ndërsa Edi Rama hoqi qarkullimin e makinave dhe ndërtoi një parkim nëntokësor. Por këto u kushtuan qimet e kokës taksapaguesve.
Në vitin 2008, qeveria shqiptare firmosi një marrëveshje me shtetin e Kuvajtit ku u sigurua një grant 5 milionë euro. Këto para u shpenzuan për rehabilitimin e sheshit të konceptuar vetëm për këmbësorët, gjatë viteve 2008-2011 kur në krye të bashkisë ishte Edi Rama.Ky nisi zbatimin e projektit të studios belge “51N4E” . Në maj të viti 2011, Edi Rama firmosi një marrëveshje granti me Fondin Kuvajtian për Zhvillimin Ekonomik Arab, nëpërmjet të cilit u dhanë 5,5 milionë euro, ku parashikohej zhvillimi i fazës së dytë të punimeve për sheshin.
Me ardhjen më krye të bashkisë të Lulzim Bashës, u kthye sërish qarkullimi i makinave.
Në prill të 2016-ës, dhjetë muaj pasi ishte zgjedhur kryebashkiak, Erion Veliaj risolli për projektin e Ramës.
Kompania fituese që do të bënte punimet ishte “Fusha sh.p.k” e cila në vitin 2016 fitoi tenderat me vlerë 15,1 milionë euro. Kjo kompani zbatoi dy fazat e rikualifikimit urban të sheshit dhe ndërtimin e parkingut nëntokësor.

Në fazën e dytë të punimeve të sheshit u shtua edhe dëmshpërblimi i disa pronarëve që prekeshin nga projekti. Me një Vendim të Këshillit të Ministrave, shuma që u përcaktua për dëmshpërblimin e pronarëve ishte 1.65 milionë euro.
Kostoja e shpenzimeve për sheshin nuk mbyllet me kaq. Në vitin 2018 kompania “Fusha sh.p.k” nënshkroi tre shtesa kontratash për punime në sheshin “Skënderbej” që arrijnë shifrën prej 3.2 milionë euro.
Deri aty, projekti kishte kapur shifrën e rreth 20 milionë eurove.

Pas mbarimit të rikonstruksionit të sheshit, “Fusha” do të merrte tenderin e pajustifikuar të pastrimit të këtij territori, që dyhsohet se është një vjedhje e pastër e buxhetit. Bashkia e Tiranës ka të punësuar mijëra punëtorë në disa ndërmarrje. Nga pastrim gjelbërimi, parqet e rekreacioni, deri tek Punëtorët e Qytetit dhe të tjera drejtori. Ndërkohë për pastrime prokurohen miliona euro, teksa qytetin është ndarë në disa nënzona, për të cilat kishte kontrata pastrimi. Pa llogaritur këtu shoqërinë “Eco Tirana”, e cila tenderon miliona euro çdo muaj për kazanë dhe blerje makinerish pastrimi.
Për më tepër, vetë struktura e sheshit është ende nën mbrojtjen e garancisë teknike. Sipas kushteve të ndërtimit, “Fusha” ka një detyrim kontraktor 12-vjeçar për të riparuar çdo dëmtim apo defekt që mund të shfaqet deri në vitin 2029.
Në fakt, gjithnjë tek sheshi janë parë punonjësit e pastrim gjelbërimit që kujdesen për koshat dhe lulishtet.
E Megjithatë Bashkia e Tiranës në vitin 2019, do të hapte tenderin me obejkt “Mirëmbajtja dhe menaxhimi i sheshit ‘Skënderbej” me një fond limit prej 1.33 miliardë lekë.

Kështu, më 9 janar 2020, u firmos kontrata me “Flamur të kuq’ të korrupsionit me “Fusha”shpk. Kohëzgjatja, sipas dokumenteve ishte 36 muaj.
E njëjta situatë përsëritet edhe më 6 qershor 2023, kur kompanisë “Fusha” shpk i jepet kontrata e pastrimit të sheshit për 3 vjet të tjera. Sërish me “Flamur të kuq”. U eliminuan të gjithë konkurrentët përvec fituesit.

Po cili është menaxhimi që i bën sheshit kjo kompani: parkimin e ka bashkia me Tirana Parking, koncertet i vendos drejtoria e Kulturës e Bashkisë, kioskave të qofteve dhe lodrave u jep leja bashkia. Në kontratë flitet për pastrimin e fasadave. Cilën ndërtesë pastron “Fusha”? Muzeun që është i rrethuar me skela prej 10 vjetësh, Bankën që sapo është rikonstruktuar, apo Pallatin e Kulturës, që financohet nga ministria e Kulturës për cdo investim?!
Për të qarë dhe për të qeshur ky tender! Nga kujdesi për të justifikuar këtë vjedhje spektakolare, në preventiv është futur një shërbim special pastrimi.

Pastrimi i çamçakëzëve nga pllakat e sheshit! Sasia? 26 mijë metra katror! Sikur i gjithë sheshi të mbulohej me çamçakëzë, nuk do t’ia vlente që ky zë të shënohej në këtë tabelë me 1.3 milionë euro.
Për kë vidhen këto para? SPAK i është afruar të së vërtetës. Për momentin të gjitha përgjegjësitë po i merr Erion Veliaj, por së shpejti hetimet do të shkojnë më lart.
Një nga biznesmenët për të cilët SPAK ka vendosur masën “detyrim paraqitje” është edhe Shkëlqim Fusha, pronar i kompanisë së ndërtimit ‘Fusha Shpk’. Edhe kjo, një kompani e lidhur ngushtësisht me punët publike gjatë periudhës së drejtimit të bashkisë, përgjatë tri mandateve të “Rilindjes”.

Madje për biznesmenin Fusha u tentua të bëhej dhe një ligj klienelist për të për t’i falur tokë tek Teatri Kombëtar, që u rrafshua pavarësisht kundërshtimit të aktorëve. Veliaj, sipas SPAK ka firmosur një leje ndërtimi në fshatin Yrshek të Tiranës, objekt që do të ndërtohej nga kompania ‘Fusha Shpk”. Por edhe këtu del në skenë një nga OJF-të e ngritura nga Ajola Xoxa, bashkëshortja e z. Veliaj.
Nëpërmjet kësaj OJF-je, Xoxa kryen transaksione të çuditshme bankare, të cilat SPAK thotë se janë përfitime të ardhura nga klientelizmi i bashkëshortit të saj me administratorin e kompanisë ‘Fusha’ SHPK.

Nga aktet e administruara pranë Bashkisë Tiranë, rezulton e provuar se ‘Fusha’ Shpk, me aksioner biznesmenin Shkëlqim Fusha ka përfituar leje ndërtimi nga kjo bashki në kohë të ndryshme. Në një nga këto raste, Erion Veliaj ka firmosur leje për një vilë në Yrshek që do ta ndërtonte Fusha.
Pas marrjes se lejes, kompania ‘Fusha’ shpk, kalon një shumë të konsiderueshme parash në llogarinë e dy avokateve, lidhje të afërta të Ajola Xoxës dhe ata e kalojnë gjysmën e parave në llogarinë e ‘Harabel’.
Po sipas SPAK, një pjesë e konsiderueshme e financimeve të kryera për qendrën ‘Harabel’, që zotërohet nga Ajola Xoxa, merreshin kryesisht nga sponsorizime nga subjekte të cilët lidhen në një formë apo me një tjetër me bashkinë e Tiranës, Këto përdoren edhe për pagesat e qirave të Ajola Xoxes.
Po kështu, edhe si likujdime të faturave për shërbime të kryera nga shoqëritë e familjarëve të saj.

Gjithsesi marrja e kaq shumë tenderave dhe koncesioneve, nuk mund të shlyhet vetëm me transaksionet që i ka bërë Fusha bashkëshortes së Veliajt.
Po ashtu, diçka mund të pikojë, edhe për kryebashkiaken e komanduar, Ristanin që kalon këto tendera. E megjithatë, ky oligark nuk do të mund të merrte asnjë kontratë të rëndësishme pa dijeninë dhe miratimin e Kryeministrit Rama.
gijotina.com/









Discussion about this post