Dokumenti i siguruar nga gazetari Renaldo Salianji për BalkanWeb tregon se organizatorët kishin njoftuar autoritetet për protestën e përditshme, duke përcaktuar orarin, itinerarin dhe qëllimin e tubimit. Madje, shkresa ishte dorëzuar nga vetë Goxhaj dhe Lika, të cilët ua treguan efektivëve edhe gjatë përplasjes përpara Kryeministrisë.
Megjithatë, policia vendosi t’i gjobiste me argumentin se po zhvillonin një tubim të paligjshëm. Refuzimi i dy aktivistëve për të pranuar gjobat u pasua nga ndërhyrja e efektivëve dhe shoqërimi i tyre me forcë.
Në shkresën e dorëzuar në polici, organizatorët theksonin se protesta zhvillohej në mënyrë paqësore dhe se kërkesa kryesore ishte dorëheqja e kryeministrit Edi Rama dhe e të gjithë qeverisë.
“Në vijim dhe në shërbim të protestës që po mbahet prej 98 ditësh në qytetin e Tiranës, konkretisht nga Sheshi ‘Skënderbej’ drejt objektit të Kryeministrisë. Protestë e cila kërkesë kryesore ka dorëheqjen e kryeministrit dhe të gjithë qeverisë dhe po zhvillohet në mënyrë paqësore”, thuhet në dokument.
Një tjetër element i rëndësishëm është fakti se aktivistët i kishin kërkuar policisë bashkëpunim për garantimin e sigurisë gjatë tubimeve, duke iu referuar nenit 47 të Kushtetutës dhe ligjit për tubimet.
“Duke kërkuar mirëkuptimin dhe bashkëpunimin me organet kompetente, të cilat kanë detyrë sigurimin e mbarëvajtjes së çdo proteste të lajmëruar paraprakisht në respekt të nenit 47 të Kushtetutës dhe të ligjit për tubimet, do të donim që edhe në këtë rast të siguronit mbarëvajtjen e kësaj proteste paqësore”, theksohet në dokument.
Madje, organizatorët kishin ngritur shqetësime edhe për ndërhyrjet e mëparshme të policisë, duke pretenduar se ndaj protestuesve ishte ushtruar dhunë joproporcionale dhe ishin kryer arrestime të paligjshme.
“Duke u nisur dhe nga rasti i fundit te Kryeministria, rast në të cilin është përdorur dhunë joproporcionale dhe janë kryer arrestime të jashtëligjshme, kërkojmë nga ana juaj të ngriheni në lartësinë e detyrës dhe të vendimeve të gjykatës, në mënyrë që këto protesta t’i shërbejnë demokracisë, Kushtetutës dhe Republikës”, thuhet më tej.


Discussion about this post