Prokuroria e Posaçme është e bindur se Arben Ahmetaj ka bërë gjithçka për të pasuruar miqtë e tij, ata që konsiderohen si “bosët e inceneratorëve”, Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri.
Dhe, nuk ka pasur pak në dorë. Si ministër i Zhvillimit Ekonomik dhe më tej si Ministër i Financave, Ahmetaj ka hartuar procedura, ka lëvruar fonde, ka vendosur stafin e tij në dispozicion të biznesmenëve privatë, madje edhe ka propozuar dhe ka marrë mbështetjen e Këshillit të Ministrave për forcimin e kompetencave të tij ligjore që lidhen me koncesionet.
Të gjitha këto, sipas SPAK-ut, janë konkluduar me dorëzimin kontratave koncesionare të landfilleve të Elbasanit, Fierit e Tiranës në duart e kompanive që lidhen me Mërtirin dhe Zoton.
Në këmbim të këtyre favoreve ligjore-pretendon SPAK- Ahmetaj ka siguruar përfitime materiale, në formën e pasurive të paluajtshme apo udhëtimeve jashtë Shqipërisë.
“Gijotina” ka siguruar dosjen që Prokuroria e Posaçme ka dërguar në Parlament, nga i cili kërkon autorizimin për arrestimin e deputetit socialiste, Arben Ahmetaj.
Prokurorët e çështjes, Altin Dumani dhe Enkelejda Millonai, kanë renditur në mënyrë të përmbledhur të gjithë aktivitetin e Ahmetaj si zyrtar i lartë qeveritar, veprimtari që ka shkuar në favor të “bosëve të inceneratorëve”.
Inceneratori Elbasan
Në lidhe me proceduren me objekt “Ndërtimi dhe administrimi i impiantit të trajtimit të mbetjeve urbane të Oarkut të Elbasanit për prodhimin e energjisë”, personi nën hetim Arben Ahmetaj, si Ministër i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, nëpërmjet vartësit të tij, të ndjerit Zamir Stefani, ka kontribuar në dhënien e koncensionit, në kundërshtim me kuadrin ligjor rregullues, duke u zbatuar tek procedura e negocimit pa shpallje paraprake, si dhe duke mos u zbatuar detyrimet e tjera të ngarkuara nga kuadri ligjor në fushën e koncensioneve, përgjatë procedurave tē ndjekura nga anëtarët e komisionit të sipërcituar, pjesë e të cilit ka qenë edhe i ndjeri Zamir Stefani.
Me shkresen nr. 7975/1 prot date 14. 11.2014 ështe shprehur parimisht dakort, në lidhje me projekt vendimin për percaktimin e autoritetit kontraktues, Ministrinë e Mjedisit, procedurën perzgjedhëse me negocim pa shpallje paraprake të njoftimit të kontratës që i jepte shoqërisë “Alb- Tek” sh.p.k. në proceduren koncensionare, me objekt “Ndërtimi dhe administrimi i impiantit të trajtimit të mbetjeve urbane të Qarkut të Elbasanit për prodhimin e energjisë”.
Procedurë e paligjshme
Kjo shprehje dakordësie vjen në kundërshtim me kuadrin ligjor në fushën e koncensioneve, kur nuk mund të zbatohej procedura me negocim pa shpallje paraprake të njoftimit të kontratës.
Gjithashtu, në asnjë moment nuk ka ngritur shqetësimin, se cila ishte shoqëria propozuese, paaftësia e saj teknike, ekonomike për kryerjen e një vepre të tillë.
Në lidhje me proceduren me objekt “Ndërtimin dhe administrimin e impiantit të trajtimit të mbetjeve urbane te Qarkut Fier dhe prodhimin e energjise”, personi nën hetim Arben Ahmetaj, si Ministër i Zhvillimi Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, paraprakisht ka ndërmarrë nisma ligiore ( me vendimin nr. 325 date 22.04.2015 te nënshkruar nga vetë Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Tregtise dhe Sipërmarrjes, shtetasi Arben Ahmetaj, janë propozuar disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 125/2013, ndryshime këto të miratuara në datë 16. 07.2015) me qëllimin e vetëm, përforcimin e rolit të tij dhe të organeve në varësi të tij (Atrako), në procedurat koncensionare.
Gjithashtu, është propozuar dhe në vijim miratuar, që propozuesit të pakërkuar t’i jepej bonus, nga e cila është arritur dhe është përdorur pikërisht në rastin e projektit koncensionar të Fierit, ku i është dhënë bonus, një shoqërie te lidhur me shtetasit S.M (bashkëjetues i shtetases S. G), Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri.
Personi nën hetim, Arben Ahmetaj, ka qenë vazhdimisht në dijeni të problematikave që evidentonte Ministria e Financave dhe pengesat që kjo e fundit po nxirrte për miratim, në lidhje me proceduren koncensionare me objekt “Ndërtimi dhe administrimi i impiantit të trajtimit të mbetjeve urbane të Qarkut të Elbasanit për prodhimin e energjisë”, apo edhe me diskutimet e komisionit, siç lexohet nga emaili i dates 06.12.2014, kur shtetasi Ervin Mete i ka nisur në këtë date e-mailin e përcjellë nga shtetasi Alqi Bllako, me materialin e përgatitur nga komisioni në lidhje me pikat e diskutuara dhe me pikat e diskutimit të Ministrisë së Financës.
Miliarda për “miqtë”
Me shkresën nr. 429/1 prot., datë 19.01.2016, personi nën hetim, Arben Ahmetaj, si Ministër i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, ka shprehur dakordësinë per çeljen e investimeve nga Ministria e Mjedisit, detajimin e tyre për vitin 2016, në lidhje me Inceneratorin e Elbasanit në shumen 550 000 000 lekë, Impianti i prodhimit të energjise nga mbetjet Fier, 73 330 000 lekë; Pastrimi i lumit Shkumbin, 130 000 000 dhe Mbyllja e vendepozitimit ekzistues të mbetjeve të ngurta urbane të qytetit të Elbasanit, 740 000 000 lekë, ku në të katërta këto procedura, janë pikërisht miqtë e tij, shtetasit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri që, në mënyrë të drejtëpërdrejtë apo të tërthortë, kanë përfituar të ardhura.
Personi nën hetim, Arben Ahmetaj, si Ministër i Zhvillimi Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, ka ndërmarre nisma ligjore (me shkresën nr. 8026/22 prot date 28.01.2016, shtetasi Arben Ahmetaj, në pozicionin e Ministrit të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes paraqet pranë Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave, projekt vendimin për disa ndryshime dhe shtesa në VKM nr. 575 datë 10.07.2013 “Për miratimin e rregullave për vlerësimin dhe dhënien me koncension/partneritet publik privat” të ndryshuar) në lidhje edhe me ndryshimin e VKM nr. 575 date 10.07.2013, në koherencë me ndryshimet e ligjit për koncensionet të propozuara po prej tij, ku rritet pushteti i Ministrisë që ai drejton dhe i “Atrako” (Agjencia e Trajtimit të Koncesioneve).
Inceneratori Fier
Personi nën hetim, Arben Ahmetaj, si Ministër i Zhvillimi Ekonomik, Tregtise dhe Sipërmarrjes, me shkresen nr. 367/2 prot., datë 01.02.2016, ka shprehur dakordësinë e tij për projekt vendimin “Për miratimin e Bonusit prej 10 (dhjete)% të pikëve, që i jepet shoqërisë “Building & Green Energy”, për rezultatin teknik, financiar dhe mjedisor, në procedurën përzgjedhëse konkuruese, për dhënien me koncesion, të ndërtimit dhe administrimit të impiantit të trajtimit të mbetjeve urbane të Qarkut Fier dhe prodhimin e energisë”.
Këtë përgjigje e ka dhënë pikërisht në kohën kur në këtë shoqëri ishte bërë aksioner shoqëria “Integrated Technology Services” sh.p.k. e shtetasit Klodian Zoto.
Në dhënien e kësaj dakordësie, nuk ka ngritur asnjë shqëtësim në lidhje me historikun e kësaj shoqërie, aftësitë e saj financiare apo teknike.
Personi nën hetim, Arben Ahmetaj, si Ministër i Financave, me shkresën nr. 6770/1 prot., datë 24.05.2016, ka miratuar transferimin e fondeve për investime, duke i shtuar projektit “Mbyllja e vendepozitimit ekzistues të mbetjeve të ngurta urbane të qytetit të Elbasanit” shumën prej 177 500 000 lekë dhe pakësuar projektit “Impiantit të Prodhimit të energjisë nga mbetjet në Fier” shumën prej 60 000 000 lekë, si dhe projektit të “Inceneratorit te Elbasanit” shumen prej 40 000 000 lekë, me qëllim pagesën e punëve shtesë për JV “Ndërtim Montim Patos dhe Gjikuria” për objektin “Zhvendosia e mbetjeve të ngurta urbane nga venddepozitimi ekzistues Elbasan dhe bonifikimi i zonës”, me vlerë shtesë kontrate 137,988,830.833 lekë pa tvsh.
Ky bashkim operatorësh ka bashkëpunuar me shtetasit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri për fitimin e këtij prokurimi, duke qenë subjekt i parazgjedhur prej tyre në bashkëpunim me funksionarët që kanë realizuar procedurën.
Më datë 02.06.2016, miratohet ligji Nr. 57/2016 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9936 datë 26.06.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë” të ndryshuar, ku evidentohet parashikimi i nenit 4/2 me këtë parashikim: “Ministria e Financave vlerëson dhe miraton, paraprakisht, të gjitha projektet koncesionare dhe të partneritetit publik privat (PPP), si edhe çdo ndryshim të tyre, nga pikëpamja e implikimeve, individuale apo në grup, për shpenzimet buxhetore, deficitin buxhetor, qëndrueshmërinë e borxhit publik dhe detyrimet kontingjente eventuale.
Ahmetaj vs Shkëlqim Cani
Personi nën hetim Arben Ahmetaj, si Ministër i Financave, me shkresen nr. 8264/1 prot., datë 27.06.2016 është shprehur se janë përmbushur në tërësi kriteret e përcaktuara nga VKM nr. 575/2013, i ndryshuar në lidhje me vijimin e procedurave të koncensionit, në rastin e projektit koncensionar të Fierit të sipercituar, miratim ky i ardhur pas pengesës që po i bëhej kësaj procedure nga ana e paraardhësit të tij, ish Ministrit të Financave, shtetasit Shkëlqim Cani, duke pasqyruar si mangësi përveç detyrimit që, në zbatim të nenit 22 të VKM nr. 575/2013, autoriteti kontraktor (Ministria e Mjedisit) duhet të garantojë mbulimin e kostove financiare, brenda tavaneve afatmesme të miratuara të shpenzimeve të saj.
Shkresa e mësipërme është nënshkruar vetëm pas komunikimeve të datave 17.06.2016, 20.06.2016, 21.06.2016, 22.06.2016, që janë shkëmbyer ndermjet shtetasve Alda Klosi (funksionare e Ministrisë së Financave), Alba Thoma, Gentian Opre (funksionar i Ministrise së Financave), Etleva Kondi, Alqi Bllako, Gelardina Prodani (funksionare e Ministrisë së Financave), Mimoza Dhëmbi (funksionare e Ministrisë së Financave), e-maile këto që më pas percilleshin nga shtetësja Alba Thoma tek shtetasi Klodian Zoto dhe ky i fundit tek shtetësja Etleva Kondi.
Shkresa e mësipërme është nënshkruar vetëm pas komunikimeve nëpërmjet e-maileve që shtetasi Klodian Zoto ka bërë në kuadër të redaktimit, si dhe plotësimeve të mangësive të evidentuara, në data 18.06.2016, 9.06.2016, 20.06.2016, 22.06.2016 me shtetasit, Sevi Zani, Erton Kaleshi, Alba Thoma, Etleva Kondi.
Megjithëse me memot përkatëse, punonjësit në varësi të personit nën hetim, Arben Ahmetaj, janë përgjigjur mbi mangësitë dhe më datë 15.06.2016 rezulton se shtetësja Alda Klosi ka përgatitur edhe kthimin e përgjigjes ku rendit të gjitha këto mangësi, personi nën hetim Arben Ahmetaj, nuk ka nxituar të kthejë përgjigje negative, por i është lënë koha dhe mundesia shetasve Zoto dhe Mërtiri për të rregulluar ato, duke përdorur funksionare të ministrisë që personi nën hetim kishte në varësi, si edhe me ndihmën e shtetaseve Alba Thoma dhe Etleva Kondi.
Inceneratori Tiranë
Personi nën hetim, Arben Ahmetaj, si Ministër i Financave, në lidhje me projektin “Për ndërtim landfilli, inceneratori dhe rehabilitim i venddepozitimeve ekzistuese Tiranë dhe prodhimin e energjisë elektrike Zona e trajtimit te mbetjeve Tiranë (ZTMT)”, me shkresën nr. 13118/9 prot., datë 06.04.2017, është shprehur “pa komente”, për vazhdimin e procedurës koncensionare, përsa kohë që financuesi dhe perfituesi kryesor i projektit është Bashkia Tirane, por duke kërkuar te vlerësohen me prioritet maksimal disa çështje, si kostot bushetore që mund te lindin si pasojë e materializimit të risqeve të ndryshimit të kursit të kembimit dhe atij nga inflacioni; Marrjen e miratimit nga Ministria e Energjisë dhe Infrastrukturës; Marrjen e miratimit nga njësitë e qeverisjes vendore.
Në këtë procedurë, minimalisht, nuk duhet të ishte mjaftuar me pëlqimin vetëm të njërës bashki që prekej nga ky projekt.
Personi nen hetim Arben Ahmetaj, si Ministër i Financave, me shkresen nr. 8619/1 prot., datë 07.05.2018 drejtuar Ministrisë së Industrisë dhe Energjisë, është shprehur në parim dakord, në lidhje me projekt vendimin “Për miratimin e parashikimit të financimit të nevojshëm për plotësimin e detyrimeve kontraktore në kontraten e koncensionare datë 31.08.2017 “Për ndërtim landfilli, inceneratori dhe reabilitim i venddepozitimeve ekzistuese në Tiranë dhe prodhimin e energjisë elektrike, zona e trajtimit te mbetjeve Tirane (ZTMI)”, por duke kërkuar riformulim të disa pikave.
Dyshimet e SPAK
Në konkluzion, pasur parasysh, se të tre këto procedura kanë rezultuar me problematika të theksuara, që kanë sjell dëm në bushetin e shtetit, ku tashmë për dy të parat, Elbasanin dhe Fierin, kemi edhe vendimmarrje të gykatave për dërgimin e çështjes për gjykim, qoftë në lidhje me shkelje ligjore të ndodhura në procedurat e ndjekura, ashtu edhe në lidhje me punime të pakryera, me pagesa fiktive, konstatohet se, që ne lindjen e këtyre procedurave e deri ne përfundimin e tyre dhe përsa kohë që edhe janë kryer pagesa në kohën që shtetasi Arben Ahmetaj ka ushtruar detyrën e Ministrit të Financave, tregon më së qarti se roli i personit nën hetim Arben Ahmetaj, ka qenë i tillë që, përveçse nuk është bërë pengues, ekziston dyshimi i arsyeshëm i mbeshtetur ne prova, se është shpërblyer për miratim të dhënë prej tij.
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016
Discussion about this post