Kolegji Universitar “Wisdom” e prezanton veten si “një institucion i përkushtuar për të zhvilluar arsimin dhe shkencën, duke i shërbyer lirisë dhe diversitetit të ideve, dhe për të zhvilluar dhe konsoliduar shoqërinë”. Megjithatë, në një dosje hetimore të prokurorisë italiane rezulton se universiteti privat është akredituar duke i dhënë ryshfet kryetarit të këshillit të akreditimit të Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë. Bëhet fjalë për një çantë të markës luksoze “Louis Vuitton” me vlerë 1,200 euro.
Të dhënat zbulohen nga mediat italiane që citojnë akuzat e autoritetit ligjzbatues “Guardia di Finanza” në ngarkim të një grupi që rezulton se ka marrë shuma të konsiderueshme parash për tu siguruar të interesuarve diploma universitare. Diploma, që sipas hetimeve, ishin të falsifikuara.
“Çifti Cianci-Catalano kishte korruptuar edhe një funksionar të qeverisë shqiptare. Në dokumentet përkatëse, thuhet se të dy i kishin dhuruar një çantë Louis Vuitton me vlerë 1,200 euro kryetarit të Këshillit të Akreditimit të Ascal-it (Agjencia për Garantimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë), një ent qeveritar i emëruar drejtpërdrejt nga kryeministri i Shqipërisë, për të aktivizuar dhe përfunduar në mënyrë të favorshme procesin e akreditimit të Universitetit Wisdom”, shkruan media italiane “L’Immediato”, që ka raportuar për rastin.
Personazhi kryesor i hetimit është italiani Savino Cianci, që siç raporton media italiane duke iu referuar dosjes hetimore të “Guardia di Finanza”, “kishte marrë pjesë në menaxhimin e të ardhurave të paligjshme, duke planifikuar dhe zbatuar krijimin e zyrave kombëtare dhe ndërkombëtare, përfshirë edhe ato virtuale, për ndërmarrjet përfituese të fitimeve të paligjshme (në Shqipëri)”.
Në uebsajtin e universitetit privat thuhet se “Wisdom” iu nënshtrua procesit të akreditimit institucional nga Agjencia Britanike e Sigurimit të Cilësisë në bashkëpunim me Agjencinë e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë gjatë vitit akademik 2016-2017.
“Gijotina” verifikoi se përmes disa vendimeve të marra më 10.07.2017, nga Bordi i Akreditimit i ASCAL, rezulton se “Wisdom” akreditoi tre progarame studimi të nivelit “Bachelor” – Psikologji e Drejtësi. Më vonë, nga i njëjti ent, është akredituar për programe të tjera studimore si Bachelor në Financë Bankë, menaxhim Biznesi, si dhe të nivelit “Master”.
Në raportimin e saj, media italiane nuk specifikon se për cilin vendimin kryetari i bordit të Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë së Arsimit të Lartë është korruptuar, apo cili është zyrtari që mori çantën “Louis Vuitton”. Aktualisht, në krye të Bordit të ASCAL është Prof. Dr. Shqiponja Telhaj.
Artikulli i medias italiane
Në rrjetet sociale postonte foto të jetës së tij të bukur, plot udhëtime, plazhe, karavidhe dhe qitje. Në qershor një martesë luksoze me Lucia Catalano, sot transferimi në burg. Fundi i bizneseve për Savino Cianci, i njohur si “Nino”, lindur në Stornarella në vitin 1964 dhe banues në Trani, dhe për gruan e tij Lucia Catalano, e njohur si “Lucy”, 44 vjeçe, lindur në San Severo.
Të dy përfunduan pas hekurave në përfundim të një operacioni të madh nga Guardia di Finanza kundër diplomave të rreme. Në burg përfunduan gjithashtu Maria Saveria Modaffari, Giada Fortunata Modaffari, Maria Ornella Attisano, Leonardo Catalano, Marco Lombardi, Antonio Caporale dhe Maria M’Daraa. Përveç tyre, janë nën hetim edhe rreth tridhjetë persona të tjerë.
Cianci dhe gruaja e tij rezultojnë si ortakë dhe administratorë të përkohshëm të CS Consulting Group srl, me seli në Foggia, në” via Trieste 22”; Maria Saveria Modaffari është referentja italiane e entitetit të huaj “Unimorfe International University”, e ngarkuar me ndjekjen e provimeve për marrjen e diplomave të specializimit nga jashtë si dhe për ndjekjen e procedurës administrative për njohjen nga Ministria e Arsimit të titullit të lëshuar nga universiteti qipriot “Evergood Advisors Campus University”. Giada Fortunata Modaffari shfaqet si përfaqësuese ligjore e “Evergood Advisors Campus University”, por edhe e “Unimorfe International University”, “Unimorfe International Ltd” dhe “Istituto Superior De Profesorado”. Në thelb, këto ishin entitete fiktive të arsimit që përdoren vetëm për të mashtruar pjesëmarrësit në kurse.
Dy Modaffari, të dyja nga Reggio Calabria, përmenden në urdhrin e gjyqtarit, 312 faqe, si “promotore të shoqatës me detyra të koordinimit dhe drejtimit të aktiviteteve të anëtarëve të tjerë”.
Cianci kishte menaxhuar dhe organizuar “aktivitetin kriminal dhe zyrat e organizatës në qytetet Trani dhe Foggia”. Gjithashtu, ai “kishte marrë pjesë në menaxhimin e të ardhurave të paligjshme, duke planifikuar dhe zbatuar krijimin e zyrave kombëtare dhe ndërkombëtare, përfshirë edhe ato virtuale, për ndërmarrjet përfituese të fitimeve të paligjshme (në Shqipëri)”. Cianci akuzohet gjithashtu për pastrim të të ardhurave të paligjshme përmes blerjes së pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme në Trani dhe Foggia.
Të hetuarit kishin marrë rreth 8 mijë euro për çdo diplomë të lëshuar, duke garantuar specializime në fusha të ndryshme. Megjithatë, titujt ishin të rremë. Disa certifikata ishin lëshuar kinse nga Universiteti La Sapienza i Romës apo “Apostille de l’Aja” nga Prokuroria e Romës. Në një rast, një viktimë kishte paguar transferta bankare deri në shumën totale prej mbi 9 mijë euro për një specializim në mësimdhënie për mësues ndihmës në shkollat e mesme të nivelit të dytë italiane, të njohur nga Ministria e Arsimit si titull i përshtatshëm për të marrë pjesë në konkursin për mësues ndihmës në shkollat e mesme, si dhe për t’u përfshirë në listat e specializuarve për mësimdhënie ndihmëse. Dokumentet publike, të falsifikuara qartësisht, në disa raste kishin data të palexueshme.
Një viktimë tjetër kishte paguar 19,500 euro për të marrë një diplomë master në shkencat e edukimit. 9 mijë euro për një diplomë bachelor në “Kriminologji”, që, sipas akuzës, ishte lëshuar nga një shoqatë kriminale. Një situatë mjaft paradoksale. Kostoja për një diplomë hoteliere për hyrjen në listat publike për stafin e personelit ndihmës (Ata) ishte 6 mijë euro.
Çifti Cianci-Catalano kishte korruptuar edhe një funksionar të qeverisë shqiptare. Në dokumentet përkatëse, thuhet se të dy i kishin dhuruar një çantë Louis Vuitton me vlerë 1,200 euro kryetarit të Këshillit të Akreditimit të Ascal-it (Agjencia për Garantimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë), një ent qeveritar i emëruar drejtpërdrejt nga kryeministri i Shqipërisë, për të aktivizuar dhe përfunduar në mënyrë të favorshme procesin e akreditimit të Universitetit Ëisdom.
Një tjetër episod i përmendur në dokumentet e hetuesve përfshin një Maserati të re. Për të “pastruar” paratë, Marco Lombardi kishte blerë një Maserati Levante, duke e regjistruar atë në emër të Cs Consulting Group srl të Cianci dhe Catalano.
Discussion about this post