Mariglen Qato është një nga drejtorët e bashkisë Tiranë që ra këtë të enjte në pranga, me urdhër të SPAK-ut, në lidhje me dosjen 5D.
Qato akuzohet për veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, në 4 raste, në bashkëpunim dhe “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”.
Por, dosja 5D nuk është i vetmi rast kur Qatos i është dashur të përballet me drejtësinë për bëmat e tij.
Më parë, për drejtorin ka pasur një hetim për ndërtim të paligjshëm nga Prokuroria e Tiranës, që lidhet me kohën kur ai ka qenë Kryeinspektor pranë IMT-së Bashkia Tiranë.
Asokohe, Mariglen Qato u mor nën hetim për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim, por çështja u pushua.
Në një prej kërkesave të Prokurorisë për masë sigurie, thuhet se Qato nuk kishte përmbushur misionin e ngarkuar me ligj për mbrojtjen e territorit dhe mjedisit dhe kishte lejuar ndërtimin e paligjshëm, duke cënuar rëndë interesat e ligjshme të shtetit.
“Kryeinspektori dhe inspektorët e IMT-së, ndonëse kanë ardhur në dijeni për ndërtimin e kundërligjshëm, kanë kryer veprime formale, duke mos marrë asnjë masë nga ato të parashikuara në nenin 5/b, c, ç, d dhe dh, të ligjit me nr. nr.9780 datë 16.07.2007 i ndryshuar “Për Inspektimin dhe Mbrojtjen e Territorit nga Ndërtimet e Kundërligjshme”, si dhe në nenin 5/b, c, ç dhe d të Rregullores së Brendshme të IMT. Ndonëse ndërtimi i kundërligjshëm ishte i qartë, i dukshëm, K/Inspektori ka ndërmarrë masa administrative të lehta në vendosjen e gjobës në shumën 300 000 lekë dhe në vijim nuk është kryer asnjë procedurë për ekzekutimin e kësaj gjobe, megjithse është titull ekzekutiv. Sipas nenit 4 të ligjit, kryeinspektori dhe inskeptorët janë personat përgjegjës për kontrollin e tërritorit dhe zbatimin e ligjshmërisë e aq më shumë pasi kanë ardhur në dijeni për një ndërtim të kundërligjshëm. K/inspektori ka nxjerrë vendimin për pezullimin e punimeve, që në rastin konkret nuk ishte i nevojshëm pasi mund të merrej direkt vendimi për prishjen e ndërtimit të kundërligjshëm”,thuhej në kërkesë.
Sipas prokurorisë së Tiranës, Qato, në detyrën e kryeinspektorit, me veprimet dhe mosveprimet e tij, në mospërmbushje të rregullt të detyrës, duke mos nxjerrë vendimet e duhura dhe në kohën e duhur si dhe duke mos siguruar zbatimin dhe kontrollin e tyre, ka lejuar ndërtimin pa leje.
Gjithashtu, në kërkesë theksohej se Qato në mënyrë të vazhdueshme i është shmangur hetimit dhe nuk është paraqitur në Prokurori, duke pretenduar për gjendje të rënduar të tij shëndetësore.
“Ndërkohë nga këqyrjet e kamerave të sigurisë në ambjentet e IMT-së dhe Policisë Bashkiake, rezulton se shtetasi Mariglen Qato në datat 07.08 dhe 09 Qershor 2021 është paraqitur në punë, në ambjentet e IMT-së dhe ka qëndruar për disa orë, çfarë ka vënë në dyshim jo vetëm gjendjen e tij shendetësore por është provuar fakti, se ky shtetas ndonëse i veshur me funksionin publik, me dashje, i është shmangur paraqitjes në organin e prokurorisë dhe në tërësi vënies së tij në dispozicion të hetimit”, nënvizohej më tej.
Megjithatë, drejtori Qato shpëtoi nga prangat për ndërtimin e paligjshëm, duke qenë se çështja u pushua. Tashmë, ai është arrestuar dhe po hetohet për dosjen 5D – 5 Drejtorët, ku SPAK thekson se është pronar “de facto”.
Discussion about this post