Flauers Shoshi drejtori i ri i Ujesjellës Kanalizimeve Tiranë po na vërteton se Skerdi Drenova dhe të tjerët kanë qenë lule krahasur me të. Shoshi është i papërmbajtshëm, sepse ndjen rrjetën e merimangës ku e ka futur Kryeministri Rama, ndërkohë që hetimet e SPAK ndaj tij po përmbyllen me shpejtësi.
Kështu, pa u ulur mirë në kolltukun e paraardhësit Skerdi Drenova, më 5 janar 2026, firmosi tenderin për të blerë makina. Dhe ja ç’bëri Shoshi. “Skualifikim i të gjithë operatorëve konkurrues përvec fituesit/ Skualifikim i ofertës me vlerë më të ulët”, kështu e klasifikon prokurimin Open Data Albania.

Procedura është shënuar me “Flamur të kuq”, që sinjalizon riskun e korrupsionit. Më konkretisht bëhet fjalë për tenderin e SH.A Ujesjelles Kanalizime Tiranë me objekt “Blerje Autovetura multifunksionale 4+1 për nevojat e shoqërisë”. Tenderi është hapur nga Skerdi Drenova dhe është mbyllur nga drejtori i ri Flauers Shoshi.
Fondi Limit i caktuar për këto makina është 43 964 800,00 lekë pa TVSH dhe me këtë fond do të blihen 16 vetura. Lidhur me gjendjen e këtyre mjeteve në specifikimet teknike nuk përcaktohet që të jenë me zero km. Megjithatë lihet të kuptohet se nuk do të jenë makina të reja për arsye se garancia e kërkuar është vetëm 1 vit pa limit për kilometrazhin. Zakonisht makinat e papërdorura kanë garanci të tjera.
Dyshimi shtohet sepse për blerjen e autoveturave është zgjedhur një tregtar i makinave të përdorura.
Kështu, fitues i tenderit është shpallur Ardian Basha (person fizik) i cili ka bërë ofertën me vlerë 39 440 000,00 lekë, por nëse shtojmë TVSH, kontrata pritet të arrijë 500 mijë euro.
Ndërkaq, kjo ofertë nuk ka qenë më e ulëta, por siç e thamë drejtori i ri e ka me nxitim.

Na bën përshtypje se oferta e “N O SH I” sh.p.k është më e ulët, 37,529,120 lekë pa tvsh, por është skualifikuar.
Drejtori “i palarë” i Edi Ramës
Flauers Shoshi u bë meme nga vlonjatët gjatë krizës së ujësjellësit, sepse u kërkoi të mos ankoheshin për ujë me fjalët “edhe unë jam i palarë”. Pak ditë pas skandalit me krizën disaditore të ujit në Vlorë, teksa të gjithë prisnin shkarkimin e tij nga detyra, Flauers Shoshi shpërblehet nga kryeministri Rama dhe emërohet drejtor i ri i Ujësjellës Kanalizime Tiranë (UKT).
Nuk ka diskutim se postin ia ka dhënë kryeministri Rama, sepse Anuela Ristani është e komanduar dhe nuk zotëron pushtet për të bërë emërime të tilla.
Deri para marrjes së kësaj detyre, Shoshi ka shërbyer si kreu i Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve, në varësinë e Belinda Ballukut.
Shoshi zëvendëson në këtë detyrë ish-drejtorin Skerdi Drenova. Ky i fundit u largua nga ky post në ditët e fundit të vitit 2025, por nuk dihen ende zyrtarisht arsyet që çuan në largimin e tij.
Ndërkohë sipas raportimeve, në krye të AKUK është komanduar përkohësisht Elidjana Çelaj e cila ka drejtuar më parë Postën Shqiptare dhe ka shërbyer përkohësisht edhe si drejtoreshë e komanduar e Tatimeve.
Si e futi Rama Shoshin në rrjetën e merimangës?
Pas më shumë se pesë vitesh, Prokuroria e Posaçme (SPAK) duket se ka arritur në fazën finale të hetimeve mbi tenderin 15 milionë euro për ndërtimin e një Eco-Parku në zonën e Porto Romanos, aty ku dikur ishte një fusha e mbetjeve urbane.
Ish-drejtuesi i SPAK, Altin Dumani, deklaroi gjatë seancës raportuese në Parlament se “hetimi për rastin e Eco-Parkut është drejt fundit dhe prokurori i çështjes do të konkludojë mbi materialet e administruara”.
Shoshi ka mbajtur postin e zv.drejtorit të AKUK-ut në vitet 2019-2020, e cila në atë kohë quhej Agjencia Kombëtare e Ujësjellës-Kanalizimeve dhe Mbetjeve (AKUM). Ai rezulton të jetë personi kryesor përgjegjës që ka firmosur për dorëzimin e tenderit 15 milionë euro në duart e kompanisë italiane “De Mare srl”, e lidhur ngushtë me kompanitë e aferës së inceneratorëve.
Në kohën e kryerjes së procedurave, në fund të vitit 2019 dhe në fillim të vitit 2020, Agjencia Kombëtare e Ujësjellës Kanalizimeve (dhe Mbetjeve Urbane), drejtohej nga Alqi Bllako, i cili u arrestua sapo mori mandatin e deputetit, në kuadër të hetimeve të Prokurorisë së Posaçme për çështjen e inceneratorit të Fierit dhe Tiranës.
Por veprimet për tenderin e “Eco Parkut” janë drejtuar nga zëvendësi i Bllakos në atë kohë, Flauers Shoshi, pasi titullari i institucionit a kishte deleguar këtij të fundit detyrën.
Flauers Shoshi është në profesion inxhinier dhe ka punuar për shumë vite në ndërmarrjen e ujësjellës-kanalizimeve të Malësisë së Madhe. Në vitin 2019, ai u emërua zv.drejtor i Agjencisë Kombëtare të Ujësjellësave (AKUK) dhe, prej qershorit 2025, ai ka marrë emërimin si drejtor i kësaj strukture të rëndësishme shtetërore.
Në 27 janar 2020 Shoshi shpalli fitues të tenderit “Mbyllja e venddepozitimit ekzistues të mbetjeve të ngurta EKO-Park, Durrës”, bashkimin e dy operatorëve, konkretisht: kompaninë italiane “De Mare” srl, e regjistruar në QKR vetëm 3 ditë para tenderit, si dhe kompaninë shqiptare “Viktoria Invest International”.
Sipas njoftimit zyrtar të AKUM, tenderi ishte zhvilluar pa garë, më saktë me procedurën e “negociimit paraprak, pa shpallje”, nën argumentin e situatës emergjente të krijuar pas tërmetit të 26 Nëntorit 2019.
Autoriteti kontraktor, Agjencia Kombëtare e Ujësjellës-Kanalizime e ka argumentuar këtë procedurë “të veçantë” tenderi “për shkak të nevojës ekstreme pas ngjarjeve të shkaktuara nga tërmeti i datës 26 nëntor 2019”.
Mirëpo kjo gjë nuk kishte lidhje me tërmetin. Që mbyllja e land-fillit të Porto Romanos ishte shndërruar në “emergjencë” konfirmohet edhe nga fakti që Agjencia Kombëtare e Ujësjellës-Kanalizimeve, administruese e asaj zone, kishte shpallur tenderin në Tetor 2019, pra rreth një muaj para tërmetit tragjik të 26 Nëntorit.
Dhe këtë “emergjencë” e kishte zbuluar kryeministri Edi Rama, i cili kishte planifikuar që pas mbylljes së landfillit, Durrësi t’i conte mbeturinat në Sharrë dhe të paguante faturat e italianëve të inveneratorit që nuk ekziston. Në Qershor 2018, kryeministri Edi Rama deklaroi se “Ne kemi marrë një angazhim që ta mbyllim zonën kanceroze të fushës së mbetjeve. Besoj deri në vjeshtën e vitit të ardhshëm”. Këtu nisën problemet me e drejtorit të Ramës, Flauers Shoshi, i cili tashmë nuk asgjë për të humbur, sepse po ndjen shtrëngimin në rrjetën e merimangës.
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.










Discussion about this post