Drejtori i Spitalit Rajonal të Fierit, Arben Voja është dërguar me urgjencë në spital gjatë mesnatës së kaluar, pasi ka shfaqur probleme me zemrën.
Sipas burimeve, Voja ndodhet aktualisht në ambientet e spitalit, ku po merr kujdesin e nevojshëm mjekësor dhe po monitorohet nga bluzat e bardha.
Arben Voja u arrestua një ditë më parë, në kuadër të një operacioni policor për tjetërsimin e pronave, i cili përfundoi me arrestimin e pesë personave.
Voja, i cili me pare ka mbajtur postin e Kreut te Kadastrës në Fier është lënë në masën e sigurisë “Arrest me burg” në kuadër të hetimeve për tjetërsimin e 44 mijë metrave katrorë tokë shtetërore, e cila më pas është shitur.
Gjatë kohës kur drejtonte Kadastrën, ai dyshohet se ka qenë i përfshirë në procesin e kalimit të pronës nga tokë shtetërore në pronësi private.
Sipas dyshimeve të hetimit, prona më pas u është shitur investitorëve të një projekti fotovoltaik, me qëllim përfitimin financiar.
Për këtë çështje, masa “arrest me burg” është caktuar edhe për ish-kreun e Njësisë Administrative Dërmenas, Dilaver Shyti, dy punonjësit e Kadastrës Fier, Fjorelo Bida dhe Arbina Jaupaj, si dhe noteren Anila Haxhiu.
Hetimet vijojnë për të zbardhur të gjithë mekanizmin e tjetërsimit të pronës, si dhe rolin dhe përgjegjësinë e secilit prej personave të përfshirë në këtë çështje.









Discussion about this post