Për kompaninë e ish-deputetit të PS, Ndue Kola, drejtori i FSHZH, Dritan Agolli i fshin të gjithë konkurrentët. Sepse oligarkët janë të përveçëm, nuk zbatohet ligji i prokurimeve për bizneset e tyre. Kompanisë së vëllait të tij “Company Riviera 2008” shpk i është dhënë dje kontrata 1.3 miliardë lekë për të shtruar një trotuar të ngushtë në fshatin Remas, Valbonë të Tropojës.
“Skualifikim i të gjithë operatorëve konkurrues përveç fituesit. Kusht: fituesi nuk është operatori me ofertën më të ulët”, kështu e ka klasifikuar tenderin Open Data Albania. Madje i ka vendosur një “Flamur të kuq” që është shenja e riskut të korrupsionit.
Bëhet fjalë për procedurën e prokurimit “Përmirësimi i transportit lokal dhe urban me ndërhyrje në rrugë dhe trotuare: Lot 5 -“Ndërtim trotuari përgjatë rrugës “Azem Hajdari”, Valbonë Bashkia Tropojë”.
Agolli e ka hapur procedurën është më 18 prill 2025 dhe megjithëse është me vlerë të lartë monetare, e ka mbajtur tenderin 2 javë para afatit ligjor. Duhen të paktën 30 ditë për dorëzimin e ofertave.
Vlera e Fondit Limit të përllogaritur nga komisioni është 127,377,663 pa TVSH. Për këtë fond u paraqitën me oferta 16 pjesëmarrës, por Agolli i ka skualifikuar firmat që i bënin konkurrencë kompanisë së ish deputetit.
Kështu, operator ekonomik “COMPANY RIVIERA 2008” më 20 maj 2025 do të shpallej fitues me ofertën 80,798,053 lekë pa TVSH për kontratën me afat 1 vit.
Ndërkohë në mes të ofertave të skualifikuara të bën përshtypje se kishte kompani të tilla si “GRIALD” sh.p.k , që bashkë me “VLLAZNIMI” sh.p.k dhe “C O L O M B O” sh.p.k propozonin të bënin këtë punë me 78,006,138 lekë.
Ndërsa operatori ekonomik “FLORIDA” sh.p.k ofronte ta përfundonte trotuarin me 78,495,584.67 lekë pa tvsh.
Nga ana tjetër duhet ta theksojmë se ky është fond i fryrë me të paktën 30 % mbi nevojën e projektit të trotuarit modest që do të ndërtohet. Dhe shpresojmë që KLSH me auditimin e saj ta vërtetojë dyshimin tonë.
Mirë që i harxhojnë lekët në një vend ku nuk ka nevojë për trotuar se aty rrallë kalon ndonjë makinë, por të paktën ta bënin siç duhet. Trotuari sipas projektit ka një gjerësi 1 metër dhe do të shtrihet vetëm në njërën anë të rrugës.
Vëllai i ish-deputetit, përgjegjës për shembjen e rrugës në Ersekë
Agim Kola, pronar në letra i kompanisë A.N.K ka marrë mbi 65 milionë euro para publike për të bërë rrugën Korçë-Ersekë që u shemb ende pa u inauguruar.
Ndërsa kreu i ARRSH, Evis Berberi, sot i arrestuar për korrupsion, i ka dhënë paratë Agim Kolës pa ndjekur zbatimin e kontratës.
Rruga e re Korçë-Ersekë, me gjatësi 35 kilometra, që pritej të inaugurohej që në qershor të vitit 2023 dhe që ka gllabëruar deri 65 milionë euro, në shkurt 2024 u konstatua se po shembej.
Në foto është një nga urat në lotin e dytë të rrugës në vendin e quajtur Qafa e Qarrit. Nuk është një shembje e izoluar. Probleme u konstatuan edhe në pjesën tjetër të rrugës, ku kishin përfunduar punimet dhe ishin dorëzuar nga kontraktori.
Në 8 gusht 2020, ish-kreu i ARRSH-së, Ergys Verdho, shpalli kompaninë A.N.K të Agim Kolës, fituese të lotit të dytë, pjesa e parë e rrugës Korçë-Ersekë. U skualifikuan të gjithë ofertuesit e tjerë përveç fituesit. Ofera fituese, 23.5 milionë euro ishte gati sa fondi limit, një tjetër indicie kjo për një pazar të mundshëm.
Pas marrjes së drejtimit nga Evis Berberi, në 2022 për mbikëqyrjen e punimeve për ndërtimin e rrugës Korçë-Ersekë, loti i dytë, pjesa e parë u kontraktua Entela Çano.
Këto të dhëna zyrtare tregojnë për një skemë të organizuar, për të kanalizuar paratë e kësaj rruge në duart e dy kompanive, A.N.K si zbatuese e kontratës dhe A & E Engeniering si garantuese që kontrata do zbatohej. Çështja është kallëzuar në SPAK dhe ndohet në hetim.
Po ashtu, vëllai ish-deputetit të PS është klient i vjetër i Erion Veliajt. Kompania e tij mori tenderin e korsive të biçikletave në Tiranë. E veçanta e këtij tenderi është se fituan dy kompani, njëra në emër të babait, tjetra në pronësinë e të birit. Bashkimi i operatorëve “RSM Company” dhe “ALS Engineering Construction”, rezulton të ketë fituar kontratën prej 545 milionë lekë pa garë. Në garë kanë marrë pjesë 2 operatorë ekonomikë, ku njëri prej tyre është skualifikuar me argumentin se nuk justifikonte kapacitetin teknik. Ndaj automatikisht ka fituar bashkimi i operatorëve “RSM Company” shpk dhe “ALS Engineering Construction” shpk.
Në fakt, sipas të dhënave në QKB rezulton se aksionerët e të dy kompanive kenë lidhje familjare, babë e bir.
RSM Company përfaqësohet nga Agim Kola, ndërkohë që djali i tij Stiven Kola zotëron 80% të aksioneve tek “ALS Engineering Construction” sh.p.k.
Por Ndue Kola ka mbështetje shumë më lart. Pa ndërhyrjen e kryeministrit Rama, kompania ANK nuk mund ta merrte koncesionin e rrugës Milot Balldren. Kur u pas së kjo firmë nuk kishte paratë për ta ndërtuar rrugën, ia hoqën kontratën për t’ia dhënë një oligarku tjetër.
Ndërkaq, vëllai i ish-deputetit ka pasur probleme edhe me ligjin. Në shtator 2019, Policia e Shtetit me kërkesë të prokurorisë së kryeqytetit, arrestoi biznesmenin Agim Kola, duke e çuar në 17 numri i biznesmenëve të prangosur për skemën e mashtrimit me TVSH-në mes fatura fiktive që llogaritet se i shkaktuar shtetit një dëm prej 4 milionë eurosh. Agim Kola, akuzohej në cilësinë e administratorit të kompanisë Rr.s.M.& Hidro Company.
Drejtori nën hetim vazhdon ndan paratë e shtetit me tendera korruptivë
Në këtë tender nuk ka asgjë të rastësishme, sepse drejtori i FSHZH, Dritan Agolli është shquar në listën e zyrtarëve të lartë që po heton SPAK për korrupsion.
Në dhjetor 2024, Agolli u thirr dy herë në SPAK. Kujtojmë që dy vite më parë, SPAK nisi hetimet për Dritan Agollin pas zbulimit të skandalit me tenderin 500 mijë dollarë për një libër me receta dhe informacione dhe po ashtu edhe për një dokumentar nga i cili do të promovohet puna mbi menynë “100 Fshatra”.
Dritan Agolli është denoncuar edhe për pagat marramendëse në këtë institucion.
Dy vite më parë, kur edhe u publikuan të dhënat mbi pagat, u zbulua se 5 shoferët e Fondit Shqiptar të Zhvillimit kishin paga bruto nga 1500 dollarë (153120 lekë) deri 1900 dollarë (196 636 lekë) në muaj, afërsisht sa paga e një deputeti (156 770 lekë) dhe në disa raste më shumë se e një ministri (174 760 lekë). Ndërsa vetë Dritan Agolli kishte një pagë afro 7 mijë dollarësh (701 100 lekë) ne muaj.
Më herët ai ka mbajtur disa detyra të rëndësishme në Bashkinë e Tiranës, në vitet 2002, deri në 2011. Ka qenë drejtor i Urbanistikës, drejtor i Punëve Publike dhe administrator i përgjithshëm i Bashkisë.
Pas vitit 2011, Agolli u angazhua në biznese private në fushën e ndërtimit dhe energjisë. Në vitin 2019, u emërua drejtor të përgjithshëm të Fondit Shqiptar të Zhvillimit.
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.
Discussion about this post