“Skualifikim i të gjithë operatorëve konkurrues përveç fituesit. Kusht: fituesi nuk është operatori me ofertën më të ulët”. Ky është shënimi i Open Data Albania për tenderin 3.2 miliardë lekë të Dritan Agollit dhënë firmës së Qani Saraçit ditët e fundit.
Hetimi dhe thirrja në SPAK e administratorit Agolli nuk e kanë ndaluar shpërdorimin e fondeve përmes tenderave fiktivë. Bëhet fjalë për tenderin me objekt “Ndërhyrje për rikonstruksionin e godinave të spitalit të Peqinit dhe Shtëpisë së fëmijës “Vangjel Pulla”, Sarandë, Transformimin e Qendrës Shëndetësore në një Qendër Mjekësore të Traumës Sportive në Thumanë, Krujë”. Tenderit i është vendosur një “Flamur i kuq”, që tregon riskun e korrupsionit.
Komisioni i Agollit ka vendosur një fond limit të kontratës prej 316,235,894.81 lekësh (pa TVSH) pa sqaruar se si është përllogaritur. Për më tepër, nuk është e qartë përse janë bashkuar tre projekte në qarqe të ndryshme të vendit brenda një tenderi. Sigurisht, që kjo bëhet për të përqendruar të gjithë shumën në një prokurim, nënkupto në një pazar të Dritan Agollit. Nga ana tjetër, duke bashkuar tre projekte, lihen jashtë konkurrimit, kompanitë më të vogla të ndërtimit.
Njoftimi i tenderit është bërë më 21 nëntor 2024, ndërsa afati i mbylljes për dorëzimin e ofertave ishte caktuar më 6 dhjetor 2024. Në këtë procedurë janë përpjekur të marrin pjesë 8 operatorë konkurrues, por Agolli i ka skualifikuar fillimisht ato me vlerë më të ulët dhe ma pas procesi ka qenë thjesht formal, sepse fituesi ishte i paracaktuar.
Fiton oferta më e shtrenjtë
Bashkimi i operatorëve “EURONDERTIMI 2000” sh.p.k dhe “EVEREST” sh.p.k me ofertë pa TVSH 243,387,102 lekë u shpall fitues më 27 dhjetor 2024, ndërsa kontrata u lidh nga Agolli më 10 janar 2025. Theksojmë se vlera e pritshme e kontratës me TVSH është 272,231,250 lekë, ndërsa çelësat e objekteve duhen dorëzuar pas 18 muajve.
Nga ky dokument i administruar në Agjencinë e Prokurimit Publik vërejmë se, po të ishin marrë në konsideratë ofertat e skualifikuara nga Agolli, buxhetit të shtetit do t’i ishin kursyer rreth 400 milionë lekë.
Kështu bashkimi i operatorëve “BEAN” sh.p.k & “NG STRUCTURES” sh.p.k kishte një ofertë me vlerë 239,788,987.29 lekë. Ndërsa operatori ekonomik “L.T.E CONSTRUCTION” sh.p.k propozonte ta bënte këtë punë me 213,191,310.50 lekë (pa tvsh).
Akoma më ekonomik është propozimi i bashkimit të operatorëve “BOSHNJAKU B” sh.p.k & “T&J Construction” sh.p.k & “MF INVEST GROUP” sh.p.k & “SIRE-ALB“ shpk & “2 ED” me vlerë 208,325,662.57 lekë pa tvsh, që po ashtu është skualifikuar.
Problemi i këtij tenderi janë edhe përmbushja e kushteve teknike. Nuk e dimë nëse i ka dorëzuar licencat e kërkuara, të listuara nga FSHZH në dokumentet standarde të tenderit, por në QKB, kompania e Qani Saraçit ka aktive vetëm licencën mjedisore.
Pra, Agolli nuk pyet për buxhetin e shtetit. Ndryshe, si do të pasurohej drejtor Agolli, pa përdorur postin për të favorizuar miqtë nëpër tendera?!
Kur do mbarojë rikonstruksioni i objekteve?
Kompania e Qani Saraçit, sipas faqes zyrtare, ka 40 punonjës, ndërsa sipas tenderit do të angazhojë 38 veta bashkë fabrikën e aluminit “Everest” të Sokol Çupit. A janë të mjaftueshëm kaq punonjës për të kryer këtë punë? Sipas krahasimeve që bëmë për punë të njëjta të prokuruara kohët e fundit, vetëm për një objekt të tillë kërkohen afro 100 punonjës të specialiteteve të ndryshme. Ky kriter është stërholluar me qëllim që të arrihej përmbushej nga Qani Saraçi. Janë tre objekte shumë larg njëri tjetrit, që na bëjmë të mendojmë se projektet do të zvarriten. I pari është “Ndërhyrje për rikonstruksionin e godinave të spitalit të Peqinit”.
Siç duket edhe nga fotot, objekti është në gjendje të mirë. Nëse do të rikonstruktohet (siç pretendohet në projekt) do të kërkonte shumë fuqi punëtore dhe mjete. Dyshimi që na lind, është se kompania në fjalë i merr tenderat dhe nuk bën punën.
Projekti tjetër është “Ndërhyrje për rikonstruksionin e godinës së Shtëpisë së fëmijës “Vangjel Pulla”, Sarandë”.
Siç duket nga foto, godina është si kukull. Pra, projekti i ndërhyrjes është vetëm sa për fasadë dhe propagandë. Dhe objekti i tretë është “Ndërhyrje për transformimin e Qendrës Shëndetësore në një Qendër Mjekësore të Traumës Sportive në Thumanë, Krujë”.
Duke parë se si është zhvilluar procedura e prokurimit, dyshojmë se shkeljet e bëra do të reflektohen në cilësinë e punimeve dhe në zvarritjen e tyre përtej afatit.
Merr paratë nuk zbaton kontratën
Kompania “EURONDËRTIMI 2000” është identifikuar edhe më herët me problematika dhe me punë të pakryera
Qani Saraci, është pronar dhe administrator i kësaj kompanie. Kjo kompani nga viti 2019 deri në vitin 2024 ka marrë 78 tendera. “Eurondërtim 2000” ka marrë nga shteti 1,469,726,047.00 ose thënë ndryshe 14 miliardë lekë përgjithësisht ose shumica e tenderave janë dhënë nga Bashkia e Durrësit.
Saraçit i ka dalë emri nëpër gjykata pasi i la punimet në Aeroportin e Rinasit pa i bërë. Në datën 9 korrik 2002 ishte firmosur një kontratë sipërmarrjeje për realizimin e punimeve të ndërtimit dhe rikonstruksionit të disa ambienteve aeroportuale të aeroportit “Nënë Tereza”. Referuar vendimeve gjyqësore, kompanisë “Eurondërtimi” i është kërkuar kryerja e punimeve të papërfunduara në sipërfaqen prej 69.46 m2. Për mospërmbushje të detyrimeve kontraktore çështja shkoi me padi Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe vendimi mori formë të prerë në Apel dhe Gjykatën e Lartë në vitin 2015. Të njëjtën sjellje ka treguar kjo kompani edhe me fondet e Rindërtimit nga tërmeti, ku është favorizuar nga zyrtarët.
Ndërsa kompania mbështetëse ‘Everest’ është pjesë e klientelës së Erion Veliajt, i cili është arrestuar për korrupsion dhe fshehje të pasurisë.
Publikimi i listës së pagave ka nxjerrë në pah edhe evazionin e kompanisë së aluminit ‘Everest’ sh.p.k. Në vitin 2022, shtypi zbuloi se kjo kompani i paguante punonjësit nën nivelin e pagës minimale dhe dyshohet se punon me dy bordero.
Nga ana tjetër, drejtori i Fondit Shqiptar të Zhvillimit nuk e ka për herë të parë organizimin e tenderave në shkelje të ligjit. Dritan Agolli është nën hetim për korrupsion dhe është thirrur në SPAK në 12 nëntor 2024.
Dritan Agolli, paralelisht me detyrën e drejtorit, është pronar i një kompanie e quajtur ‘Magnum Opus’ group me objekt studime në nivel strategjik, menaxherial, operacional, analiza, vrojtime, sondazhe, konsulencë, shërbime administrative etj.
Kompania rezulton që ka marrë para publike. Agolli ka siguruar para publike përmes nënkontraktimeve dhe kompaninë që u ka dhënë tendera publik. Kemi një marrëdhënie që kreu i FSHZH ka kryer me kompani private, me të cilët i ka lidhur interesi.
Kreu i Fondit të Zhvillimit Shqiptar Dritan Agolli është vënë nën hetim nga SPAK edhe në lidhje me një tender që i ka dhënë kuzhinierit të famshëm Alfio Rrotani, me vlerë 400 mijë dollarë. Kompania “Mascarpone” ku aksioner kryesor është Alfio Rrotani është shpallur fitues i tenderit me objekt shërbim konsulence për ndërhyrje për krijimin e produktit autentik ushqimor lokal duke krijuar menunë e ”100 Fshatrave” nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Tenderi u denoncua më herët nga Gijotina.com dhe është pjesë e një afere të madhe korruptive.
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.
Discussion about this post