Kreu i SPAK, Altin Dumani, u shpreh mbrëmjen e së premtes, se ka çështje në hetim edhe brenda Strukturës së Posaçme lidhur me rrjedhjen e sekretit hetimor.
“Sa i takon rrjedhjes së sekretit dhe gazetarët e kronikës janë dëshmitarë që është minimizuar shumë falë edhe masave të marra si institucion. Kemi hapur edhe hetime, aty brenda nesh për njëri-tjetrin për prokurorë, për hetues, kushdo që ka qenë në kontakt me informacionin i cili ka rrjedhur.
Ju garantoj që nëse ka prokurorë të prokurorisë së Posaçme, hetues të Byrosë Kombëtare të Hetimit, i cili bën të mundur rrjedhjen e informacionit apo kryen një vepër tjetër penale, do vendoset para përgjegjësisë penale. Kjo nuk diskutohet. Raporti nuk është përfundimtar, ka çështje që janë në hetim në lidhje me sekretin hetimor edhe nga brenda nesh”, tha Dumani.
Kreu i SPAK, Altin Dumani, në një intervistë televizive, tha se prokurorët flasin me punë dhe jo me fjalë. “Mënyra më e mirë e komunikimit është puna e prokurorit. Puna jonë flet vetë”, u shpreh Dumani për emisionin “3D” të Alban Dudushit.
Ai u shpreh se tashmë SPAK ka dhënë prova se askush nuk është imun ndaj ndjekjes penale, duke theksuar se Prokuroria Speciale ka tronditur kulturën e pandëshkueshmërisë”
“Rezultatet tona janë tregues i qartë i suksesit kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. SPAK ka një bilanc pozitiv: 150 milionë euro asete të sekuestruara dhe konfiskuara. Prokuroria Speciale nuk ka dy standarde, pasi hetimi bazohet vetëm te ligji dhe provat”, tha Dumani, duke iu përgjigjur kështu edhe akuzave që i drejtohen pothuajse çdo ditë se SPAK vepron me dy standarde, veçanërisht sa i takon ndjekjeve penale apo hetimeve për politikanët.
Por sa e shqetësojnë sulmet politike, kreun e SPAK?
Dumani thekson se deklaratat dhe sulmet politike nuk e shqetësojnë, ndërsa thekson se fokusi ynë është ligji dhe lufta ndaj korrupsionit.
“Është hera e parë që i dëgjoj deklaratat. Kam informacion, sepse stafi i ngushtë më informon. Por vetë, për shkak të kohës së kufizuar që kam në dispozicion, pasi është e mbushur e tëra me punë, nuk kam kohë që të merrem e që ti ndjek. Jemi të vëmendshëm ndaj denoncimeve për afera të dyshuara për korrupsion nga kushdo që bëhen. Pjesën tjetër nuk kam kohë që t’i ndjek me zë dhe figurë. Unë kam një qëndrim indiferent ndaj deklaratave të tilla. Çdo ditë e jetës sime që kur kam futur këmbët në organin e prokurorisë, është që kujdesem që të zbatoj ligjin. Sulmet politike nuk parapëlqej t’i komentoj. Jam shumë i ftohtë ndaj këtyre deklaratave politike. Është zgjedhja ime që ti anashkaloj”, tha Dumani.
Në vijim ai shprehet se ka zgjedhur të mos i përgjigjet retorikes politike, ndërsa thekson se çdo pasuri e tij është e verifikuar në detaje në një proces hetimi administrativ rigoroz nga institucionet e vetingut.
Në këtë mënyrë Kreu i SPAK i ka dhënë përgjigje edhe akuzave që i janë bërë nga ish-Kryeministri Sali Berisha dhe zyrtarë të tjerë të opozitës, përsa i takon pasurive që ka Altin Dumani.
“SPAK nuk është Altin Dumani, por është përpjekja e përbashkët e të gjithë prokurorëve dhe stafit. Sot, SPAK është plotësisht operacional, dhe pavarësisht bilancit pozitiv, ka ende vend për përmirësim”, u shpreh Dumani.
Kreu i SPAK-ut, Altin Dumani, tha se krimi i organizuar shqiptar është shumë i rrezikshëm dhe se mjaft prokurorë, familjarë të tyre, janë kërcënuar nga ky krim i organizuar.
“Lidhur me krimin e organizuar jemi të shqetësuar, sepse vihet në rrezik jeta e tyre dhe e familjarëve të tyre. Krimi i organizuar shqiptar është shumë i rrezikshëm dhe këtë nuk e themi vetëm ne, por edhe agjencitë e huaja me të cilat ne bashkëpunojmë. Nuk flasim për krim të rrezikshëm imagjinar, por për real.”, tha Dumani.
Altin Dumani, kreu i SPAK, ka deklaruar se SHBA-të nuk kanë ushtruar asnjë ndikim apo ndërhyrje në hetimet e SPAK-ut.
Sipas Dumanit, ai bashkëpunon me agjencitë e SHBA-ve që prej vitit 2003 dhe ka konstatuar se SHBA është e interesuar më shumë për të ndërtuar institucione të shëndosha dhe jo te individët.
“E kam dëgjuar edhe këtë që mbështetet Altin Dumani. Kam një përvojë shumëvjeçare me agjencitë e SHBA-ve, me OPDAT, ICITAP, DEA-n dhe FBI që në vitin 2003. Jam zgjedhur anëtar i task-forcës së parë kundër krimit të organizuar që u krijua.
Kam konstatuar se SHBA-të janë të interesuara për të ndërtuar institucione të shëndosha demokratike sesa për individë të veçantë. Në këtë përvojë timen shumëvjeçare nuk ka pasur asnjë edhe një rast të vetëm që përfaqësuesit e Shtetet e Bashkuara të Amerikës të ndërhyjnë hetimet tona, të drejtojnë apo orientojnë hetimet tona”, tha Dumani në intervistë për emisionin “3D”.
Ai shpjegoi gjithashtu edhe bashkëpunimin e gjerë dhe ndihmën që kanë dhënë agjencitë amerikane për Strukturën e Posaçme.
“SPAK ka një bashkëpunim shumë të mirë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me misionet e OPDAT, ICITAP, DEA-n dhe me FBI-në. Ata kanë kontribuar në rritjen e institucionit në bërjen funksionale të institucionit. Shtetet e Bashkuara të Amerikës përmes këtyre misionevë që unë thashë, kanë qenë prezent që në momentin që është dizajnuar SPAK-u në ligj. Më tej kanë qenë prezent në përzgjedhjen e prokurorëve të Prokurorisë Posaçme, në përzgjedhjen e hetuesve të Byrosë Kombëtare të Hetimit, në përzgjedhjen e drejtuesve të Prokurorisë së Posaçme.
Na kanë mbështetur me trajnime, ne dhe hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Na kanë mbështetur me mjete teknike, me infrastrukturë, me qëllim që të krijohen kushtet për ushtrimin e funksioneve tona. Kemi prezencë të FBI-së në zyrat tona, na është premtuar se edhe DEA do hapë në Tiranë. Ne kemi hetime të përbashkëta me SHBA-në, me FBI-në dhe me DEA-n. Hetime të përbashkëta ku cenohen interesat e dy shteteve tona. Dua t’i falënderoj SHBA-në, përfaqësuesit e OPDAT, ICITAP, DEA-n dhe FBI për mundësinë që na kanë dhënë që të kemi kontakte me agjenci të ndryshme të zbatimit të ligjit në Europë por sidomos në Amerikën Latine”, tha Dumani.
Discussion about this post