Në kantierin e landfillit të ri të mbetjeve urbane në fshatin Sherishtë – 10 kilometra në lindje të Vlorës, punëtorët po gërmonin për shtrirjen nëntokë të tubave për ndërtimin e impiantit të ujërave të përdorura në mesin e shkurtit.
“Kemi pasur disa ditë me shi, kjo është dita e parë që u hap koha këtë javë, ndaj nuk po punojmë me shumë ritëm,” tha Dritan Dalipaj, përgjegjës kantieri për kompaninë kontraktore ‘Integrated Technology Services’, ITS.
“Këtu puna nuk është ndalur asnjë ditë, veç ditës së Vitit të Ri,” shtoi Dalipaj, ndonëse pranoi se ka pasur një shtyrje të afateve për përfundimin e punimeve për shak të vështirësive të krijuara nga pandemia e COVID-19.
Në qershor 2020, Integrated Technology Services në bashkëpunim me kompaninë italiane Bulfaro Spa, u shpallën fituese të një tenderi prej 9.8 milionë eurosh – pjesë e një projekti të financuar nga banka gjermane KfË për ndërtimin e landfillit me një kapacitet prej 350 mijë ton mbetje.
Megjithatë, moti me shi dhe pandemia e COVID-19 nuk ishin të vetmet vështirësi me të cilat u përball landfilli, ndërtimi i së cilit duhej të kishte përfunduar në qershor të vitit 2021.
Prej 14 dhjetorit 2021, kompania Integrated Technology Services është nën sekuestro preventive me urdhër të Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Aksioneri i saj i vetëm, Klodian Zoto është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Policia e Shtetit, i akuzuar për pastrim parash dhe korrupsion – si pjesë e së ashtuquajturës afera e inceneratorëve.
Përfshirja e ITS në kontratën e landfillit të Sherishtës është shoqëruar me akuza politike, ndërkohë që përfaqësuesit e bizneseve në bashkinë e Vlorës dhe Selenicës janë ankuar për rritjen e tarifave të menaxhimit të mbetjeve.
Arjona Bojaxhi, drejtore e Drejtorisë së Menaxhimit të Mbetjeve të Integruara në bashkinë e Vlorës, i tha BIRN në një intervistë në muajin mars se sekuestrimi i ITS-së nuk i ka ndalur punët në kantierin e Sherishtës.
“Punimet janë duke ecur me ritme të kënaqshme edhe pse hasëm në një bllokim të shkurtër si pasojë e ndërrimit të administratorit të kompanisë Integrated Technology Services,” tha ajo. “Në kantier punët po vijojnë normalisht, pasi punimet kontrollohen nga gjermanët e KfË-së,” shtoi Bojaxhi.
Edhe banka KfË i tha BIRN në një përgjigje me shkrim se projekti është në fazën e zbatimit dhe drejt përfundimit të punimeve.
“Mallrat dhe punimet e tenderuara janë drejt finalizimit,” tha KfË.
Akuza për korrupsion
Ndërtimi i landfillit të Sherishtës është pjesë e një projekti të integruar për menaxhimin e mbetjeve në qarkun e Vlorës me vlerë 20.8 milionë euro të financuar nga KfË, nga të cilat 12.5 milionë euro janë kredi dhe pjesa tjetër grante.
Përveç ndërtimit të landfillit të ri dhe mbylljes së venddepozitimeve ekzistuese në Vlorë dhe Selenicë, pjesë e investimit është edhe ndërtimi i sistemit të mbledhjes së gazrave, impianti i trajtimit të ujërave të ndotura nga mbetjet, impianti i ndarjes së mbetjeve të riciklueshme me kapacitet 60 mijë ton në vit, si dhe kompostimi për mbetjet organike me kapacitet deri në 4,200 ton në vit.
Arjona Bojaxhi i tha BIRN se deri në muajin mars, punimet ishin realizuar në masën 87%.
“Kanë përfunduar të gjitha punimet e dherave dhe shtresave të landfillit për qelizat 1 dhe 2, kanë përfunduar punimet civile të objekteve dhe kanë ardhur të gjitha pajisjet e fabrikës së ndarjes dhe selektimit të mbetjeve të riciklueshme,” shpjegoi Bojaxhi.
“Ka ardhur gjithashtu në kantier edhe impianti i trajtimit të ujërave të ndotur që gjenerohen nga depozitimi i mbetjeve në landfill,” shtoi ajo.
Përveç kontratës së ndërtimit të landfillit të Sherishtës, kompania Integrated Technology Services është përfshirë si nënkontraktore edhe në projektet koncesionare për ndërtimin e inceneratorit të Elbasanit, Fierit dhe Tiranës.
Sipas Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ITS dyshohet se ka krijuar një skemë fiktive me kompani guaska për t’i transferuar zyrtarëve të lartë që kanë firmosur koncesionet e inceneratorëve përfitime të paligjshme prej miliona eurosh.
Hetimet kanë çuar në arrestimin për korrupsion të ish-ministri të Mjedisit, Lefter Koka dhe të deputetit socialist, Alqi Bllako, i cili më herët ka drejtuar Agjencinë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizimeve, AKUM – e cila ka qenë përgjegjëse për koordinimin e zbatimit të programit të menaxhimit të mbetjeve të ngurta në rajonin e Vlorës.
Roli i AKUM-it dhe ish-drejtuesit të saj Bllako në këtë projekt ka ngritur dyshime dhe akuza nga Lëvizja Socialiste për Integrim.
Në një deklaratë për mediat në fund të marsit, kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi e ka paraqitur kontratën midis ITS dhe bashkisë së Vlorës për ndërtimin e landfillit të Sherishtës si një prej kontratave që duhej të hetohej nga SPAK në vazhdën e hetimit të aferës korruptive të inceneratorëve.
“Kompania e tij ITS ka marrë 9 milionë euro për landfillin e Vlorës, për të cilën deri më sot asnjë nga ne nuk ka dëgjuar asgjë, ka qenë e fshehur, e padeklaruar dhe e pa prezantuar jo vetëm publikisht por dhe në aspekte dokumentesh,” u shpreh Kryemadhi.
“Jo vetëm komisioni hetimor, por dhe SPAK, përveç evazionit fiskal të Klodian Zotos do shikojmë që çështja e grupit të strukturuar kriminal, njëra nga këmbët e Meduzës është inceneratori, por ka dhe disa këmbë të tjera që po vazhdojmë t’i bëjmë haptas sot publike,” shtoi ajo.
E pyetur nga BIRN, banka gjermane KfË mohoi të kishte dijeni për akuzat LSI-së.
Biznesi kundër rritjes së tarifave
Për të realizuar menaxhimin e integruar të mbetjeve, bashkitë e qarkut Vlorë kanë krijuar një ndërmarrje të re, MIM Vlora, për të realizuar grumbullimin, riciklimin, kompostimin dhe depozitimin e mbetjeve nga bashkia e Vlorës dhe Selenicës në landfillin e Sherishtës.
Sipas drejtueses së MIM Vlora, Arjona Bojaxhi, trajtimi i mbetjeve urbane në Bashkinë e Vlorës po merr një hap cilësor me teknologjinë, e cila sipas saj po instalohet me ndihmën financiare dhe teknike të KfË-së.
“Përpunimi i mbetjeve urbane për bashkinë e Vlorës në impiantin rajonal do të përfshijë të tre hallkat: kompostim i mbetjeve të gjelbërta, përgatitje për riciklim dhe depozitim të sigurtë sanitar,” shpjegoi Bojaxhi.
Ajo shtoi se kostoja e përpunimit të 1 ton mbetje në landfillin e Sherishtës është 7.5 euro për ton, ndërkohë që kostoja e përllogaritur për trajtimin e plotë të mbetjeve urbane në të gjithë zinxhirin është 22 euro për ton ose 3 lekë për kilogram dhe përfshin dhe garancinë mjedisore për monitorimin afatgjatë dhe rehabilitimin e territorit.
Landfilli i Sherishtës ka një kosto për ton për trajtimin e mbetjeve të ngurta gati katër herë më të vogël se inceneratori i Tiranës, ndërtimi i së cilit i është dhënë me koncesion kompanisë ‘Integrated Energy BV’.
Përveç kostove për ton për menaxhimin e mbetjeve, tarifa e pastrimit për bashkitë e Vlorës dhe Selenicës duhet të mbulojë edhe kostot administrative, interesat e kredisë së KFË, por edhe kostot e stafit dhe mirëmbajtjes.
“Të gjitha këto kosto do të rëndojnë mbi qytetarët dhe biznesin, të cilët do të përballen me taksa deri në 30% më të larta për të gjithë kategoritë,” tha një ekspert vendor, i cili refuzoi të identifikohej me emër.
Në dhjetor 2021, Këshilli Bashkik i Vlorës miratoi paketën fiskale për vitin 2022, ku përfshihet edhe rritja e tarifës së grumbullimit të mbetjeve për disa tipologji biznesesh.
Nga kjo rritje e taksës vjetore u prekën kryesisht bare dhe restorante përgjatë vijës bregdetare, fast food-e dhe biznesi fason, të cilët ankohen se nuk janë konsultuar përpara marrjes së vendimit.
Gjithashtu, një ditë pas marrjes së këtij vendimi dhe miratimit në Këshill Bashkiak, policia bashkiake i ndaloi bizneset të depozitonin mbetjet në koshat pranë vendit të ushtrimit të aktivitetit.
Policët bashkiakë u shfaqën për t’u komunikuar administratorëve se tashmë bizneset do të duhej të shkonin dhe t’i depozitonin mbetjet e tyre në venddepozitimin e vjetër të Vlorës.
“Ishte fare qesharake, rrisin taksën dhe të nesërmen më thotë t’i derdh vetë në venddepozitim mbetjet,” tha Artur Malaj, pronar i një rrjeti supermarketesh. “Shkruajta në Portal dhe përgjigjia ishte që mund t’i derdh mbetjet në kosh në orar të përcaktuar,” u ankua ai, ndërsa theksoi se gjeneron vetëm kartonë dhe mbetje ambalazhi.
Edhe pronari i një biznesi fason në rrugën Transballkanike, i cili nuk preferoi të identifikohej me emër, ishte njësoj kritik.
“Me rritjen e taksës thamë se do të rritej shërbimi, por përkundrazi, na i hoqën koshat që kishim para punës që t’i hedhim vetë mbetjet në venddepozitim dhe nuk e kuptoj sesi kërkojnë t’i paguajmë më shumë pa na ofruar asnjë shërbim,” tha ai.
Adrian Taushani, administrator i një bar-i në Vlorë tha se shërbimi i grumbullimit të mbetjeve nuk është përmirësuar, ndaj për pasojë nuk mund të rritet tarifa e pastrimit.
Ai theksi se ishte njohur me vendimin e Këshillit Bashkiak nga media, pasi vendimmarrja nuk ishte konsultuar me grupet e interesit që preken në mënyrë direkte.
“I vetmi investim i cili është bërë është vendosja e disa koshave të rinj, por kjo nuk është përkthyer me rritjen e shërbimit dhe standardit të pastërtisë në qytet,” tha Taushani. “Ne e konsiderojmë abuzive dhe do të kërkojmë të rishikohet vendimi,” përfundoi ai. /BIRN/
Discussion about this post