Më shumë se 50% e shqiparëve e kanë të vështirë të bëjnë një javë pushime me familjen për shkak të faturës tepër të lartë. Kjo kosto këtë vit është rritur edhe më tej pasi çmimet e paketave turistike gati janë dyfishuar, ndërkohë që biletat lowCost duket se janë zhdukur nga tregu ajror.
Nga një monitorim nëpër faqet online të agjencive të udhëtimeve, ka rënë plotësisht koncepti i lowCost që dikur shoqëront njoftimet e biletave. Kjo gjë është mëse e dukshme edhe tek çmimi që kanë biletat e udhëtimeve, që janë rritur ndjeshëm e gati dyfishuar me një vit më parë.
Nëse në vitin e kaluar ishte e mundur që në data të caktuara të gjeje një biletë të lirë për në destinacione të ndryshme të Italisë me çmim 30-40 euro vajtje ardhje (loëCost), tanimë 40 euro është një biletë vetëm vajtje.
Praktikisht çmimi është dyfishuar, edhe pse destinacionet janë të njëjtat.
Megjithatë këto janë vetëm çmime siç thuhet edhe në njoftim “ofertë”, pasi biletat kushtojnë edhe më shumë se kaq për destinacionet e mësipërme. Biletat Tiranë-Romë që dikur kushtonin vajtje ardhje deri në 60 euro, tanimë kanë kapërcyer në mbi 140 euro.
Destinacionet e cituara më lart, dhe që janë nëpër njoftime konsiderohen edhe më të lirat në tregun ajror. Pasi nëpër shtetet e tjera çmimet janë edhe më të larta, një biletë vajtje ardhje në Berlin në muajin qershor kushton mbi 25 mijë lekë, nga 12 mijë lekë që ishte një vit më parë, në kulmin e sezonit turistik.
Ndërkohë një tjetër fenomen shqetësues që vihet re në këtë sektor ka të bëjë edhe me biletat super të shtrenjta në kthim. Në momentin që pret biletën në vajtje, agjencitë mund të të ofrojnë një çmim shumë të favorshëm dhe ekonomik, ndërkohë që bileta e kthimit mund të jetë 2 fish më e lartë se ajo e vajtjes.
Kastrati harron premtimin, ulen linjat lowCost
WizzAir erdhi në Shqipëri, si kompania e parë që do të transportonte shqiptarët nëpër destinacione të ndryshme jashtë vendit me bileta të lira, pra me çmime të lira. Por mesa duket edhe në këtë fushë janë krijuar monopole që dëmtojnë direkt interesin e qytetarëve.
Duke qenë se kompania Wizz Air tanimë kontrollon rreth 60% të tregut të fluturimeve, edhe çmimet nuk janë si më parë, pasi kjo dominancë padyshim që ka sjellë edhe ulje të konkurrencës. Italinë apo edhe Gjermaninë i mbulon pothuajse kjo kompani.
Në muajit e fundit kjo kompani përveç faktit që nuk ka më bileta lowCost, ka anulluar fluturime pa njoftim të pasagjerëve ose i ka lënë ata nëpër aeroporte pasi vonesat ishin disa orë.
Në vitin 2020 kur kompania Kastrati mori në dorë aeroportin qeveria dhe vetë drejtuesit e kompanisë premtuan më shumë linja të lira për qytetarët, dhe shtim të biletave ekonomike. Mirëpo mesa duke ashtu si edhe për premtimin e linjës Tiranë-Neë York, edhe për shtimin e linjave lowCost objektivat kanë ndryshuar.
Por nga ana tjetër është shteti që duhet të ndërhyjë në mënyrë që të rritet konkurrenca duke investuar në thithjen e kompanive të reja pasi kjo dominancë në treg, padyshim që krijon kushte për caktimin e çmimeve.
Kërkesa e lartë po dyfishon faturën e pushimeve
Dalja plotësisht nga pandemia, dhe kërkesa e lartë e qytetarëve jo vetëm shqiptar për të pushuar është shkaku kryesor për shtrenjtimin e biletave thotë eksperti i turizmit Ferjolt Ozuni.
“Kompanitë lowCost po i shtojnë destinacionet, madje po vjen edhe kompania e madhe Rayan Air, por është kërkesa që po rrit çmimet. Duhet pasur parasysh se ne u mësuam gjatë pandemisë me çmime të ulta të biletave, për shkak se kompanitë ajrore ishin ato që e vuajtën më shumë periudhën e pandemisë, dhe për të dalë ngs kriza ato ulën çmimet. Por në momentin që kemi fluks turistësh, çmimet e ulta nuk mund të jenë më të ulta pasi kompanitë mbushin boshllëqet e krijuara”, pohon për Gijotina eksperti Ozuni.
Eksperti sjell një shembull për shtrenjtimin jo vetëm të biletave por edhe të paketave turistike në tërësi, e sidomos ato me Turqinë.
“Edhe këtë vit pritet që çmimet të shtrenjtohen sidomos në kulmin e sezonit të verës korrik dhe Gusht. Kjo gjë është dalluar që në fund të vitit të kaluar kur nisin edhe rezervimet për pushimet e verës.normalisht tregu ka treguar gjithmonë që kur ka rritje të kërkesës ka edhe rritje të çmimit sepse oferta është standard me të njëjtat destinacione dhe të njëjtave hotele. Përshembull marrim rastin e Turqisë që është ndër destinacionet e preferuara të verës është bërë e pakapshme përsa I përket çmimit për një familje mesatare në vend. Nëse më parë mund të gjeje një paketë All Incluzive duke përfshirë avionin, transfertat, dhe transportin në hotel mund ta gjeje me 800 euro/personi, këtë vit i njëjti hotel me të njëjtat kushte ka arritur në 1400-1500 euro pra në disa raste kemi arritur edhe në dyfishim të ofertës turistik”, tha eksperti Ozuni.
Me pak fjalë në këtë prag sezoni veror, qytetarët duhet ta mendojnë dy herë nëse duan të bëjnë pushime jashtë apo brenda vendit. Edhe ne shqipëri hotelet kanë shtrenjtuar dhomat e hoteleve, ndërkohë që në shumë pak prej strukturave akomoduese të vendit është koncepti All Incluzive.
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.
Discussion about this post