Halyna, banore e pjesës së pushtuar nga Rusia të rajonit Herson, thotë se motra dhe prindërit e saj nuk kanë ndërmend që ditët e ardhshme të largohen nga shtëpia e tyre. Nuk ka të bëjë fare me luftimet e ndërprera midis forcave ruse dhe atyre ukrainase në atë zonë, COVID-19, apo motin e ligë.
Përkundrazi, ata po përpiqen të shmangin punonjësit e zgjedhjeve të shoqëruar nga ushtarë të armatosur rusë, të cilët po përpiqen t’i detyrojnë ata të marrin pjesë në një votim për anëtarësimin në Federatën Ruse, që bie ndesh me ligjin ndërkombëtar dhe Kartën e OKB-së dhe që ata personalisht e shohin si të paligjshëm.
“Ata po përpiqen të shmangin fare largimin nga banesa e tyre”, i tha Halyna Radios Evropa e Lirë më 23 shtator, kur i ashtuquajturi referendum kishte filluar.
Sipas disa videove dhe postimeve personale në internet, mijëra familje ukrainase si ajo e Halynas po ndjekin shembullin, duke refuzuar të përgjigjen kur zyrtarë të zgjedhjeve trokasin në dyert e tyre në shenjë të protestës së heshtur.
Një video shfaq punonjësit zgjedhorë me ushtarë të armatosur me pushkë automatike duke hyrë në një ndërtesë banimi dhe më vonë mund të dëgjohen duke trokitur në dyer përpara se të largohen pa asnjë sukses pas rreth një minute.
Në një tjetër video nga Donjecku, shihet një zyrtar zgjedhor teksa ecën rrugës së fshatit duke i thirrur njerëzit të dalin nga shtëpitë e tyre për të votuar, por asnjë nuk përgjigjet.
Zyrtarët e mbështetur nga Rusia në katër rajone pjesërisht të pushtuara të Ukrainës vendosën nxitimthi në fillim të kësaj jave që të kryejnë votim të organizuar për bashkimin me Rusinë, ndërsa presidenti Vladimir Putin rrezikoi kah një përshkallëzim për të frenuar humbjet e tij ushtarake.
Votimi në pjesët e kontrolluara nga Moska të Luhanskut, Donjeckut, Hersonit dhe Zaporizhjës pritet të zgjasë deri më 27 shtator, por rezultatet pritet të shpallen në fillim të tetorit, disa ditë para ditëlindjes së 70-të të presidentit rus, Vladimir Putin.
Siç është raportuar, Rusia ka bllokuar njerëzit që të largohen nga pjesë të territoreve të pushtuara për t’i parandaluar ata të shmangin votën.
Postime të ukrainasve në disa kanale në Telegram pretendojnë së zyrtarë rusë po ndalonin në mënyrë të rastësishme njerëzit në hapësira të jashtme për t’i bërë ata të votonin.
Sipas një postimi, një burrë ukrainas në rajonin e Hersonit ishte ndaluar nga ushtarët teksa po ngiste biçikletën nga një fshat në një tjetër dhe u detyrua të plotësonte pyetësorin e thjeshtë për aneksim.
Zyrtarët në rajonet e pushtuara vendosën “qendra votimi” – kryesisht gra të moshuara pas një stende ose tavoline me buletine votimi, stilolapsa dhe një kuti votimi – jashtë ndërtesave të apartamenteve ose në dyqane dhe tregje me qëllim që të kapnin më shumë njerëz.
Përveç shmangies së zyrtarëve zgjedhorë, ukrainasit kanë treguar rezistencë ndaj këtij votimi të paligjshëm duke i lyer posterët me të verdhë e të kaltër në korridoret e ndërtesave të banimit me fjalët “Nuk mund ta ndryshoni [kufirin e] Ukrainës me një referendum” dhe “Ndaloni referendumin”. E kaltra dhe e verdha janë ngjyrat e flamurit të Ukrainës.
Vendvotimet tradicionale të vendosura në shkolla dhe tjera ndërtesa të tjera shoqërore dukej se tërhoqën pak votues, edhe pse media ruse pretendoi të tregojë disa që ishin më të zëna.
Zyrtarët ukrainas pretenduan se njerëzit në ato video u mblodhën dhe u dërguan me autobus në disa vende, teksa Kremlini përpiqet t’u provojë qytetarëve të tij se zgjedhjet janë të vërteta.
Gjatë udhëheqjes gati 23-vjeçare të Putinit, Rusia rrallë ka mbajtur zgjedhje të lira dhe të drejta, me praktika të zakonshme votimi të detyruar, fryrje votash, frikësim të votuesve, mashtrim të drejtpërdrejtë dhe manipulim mediatik.
Rusia mbajti një votim të ngjashëm të paligjshëm në vitin 2014 pasi pushtoi me forcë rajonin e Krimesë të Ukrainës. Shumë pak vende i kanë pranuar rezultatet e votimit.
Kreu i administratës ushtarake në rajonin e Zaporizhjës, Oleksandr Starukh, tha se Kremlini kishte nevojë për një “pseudovotim” për të justifikuar thirrjen e tij të fundit për mobilizim.
Putini njoftoi bëri thirrje për një mobilizim “të pjesshëm” më 21 shtator në mes të një kundërofensive ukrainase që i ka shkaktuar humbje të dukshme të personelit forcave të tij pushtuese.
Sukseset e fundit luftarake të Ukrainës kanë ngritur spektrin e një disfate të mundshme ruse, diçka që analistët thonë se më në fund mund të minojë kontrollin e Putinit në pushtet.
Zyrtarë dhe ekspertë perëndimorë thonë se Putini ka në plan të përdorë referendumet e rreme për të pretenduar se Ukraina po pushton territorin që është pjesë e Rusisë, duke lejuar Moskën t’i ikë përgjegjësisë.
Këtë javë, Putin kërcënoi me përdorimin e të gjithë fuqisë së Rusisë – një referencë e fshehur hollë për armët e tij bërthamore – në një përpjekje për të frikësuar Kievin dhe mbështetësit e tij perëndimorë nga veprime të mëtejshme ushtarake.
Tetyana Ihnatchenko, zëdhënëse e administratës civile-ushtarake të Donjeckut, i tha Current Time se vullneti i popullit ukrainas nuk do të luajë asnjë rol në votim.Ajo tha se autoritetet ruse thjesht do të krijojnë një rezultat që më pas do ta shpallin në televizion për audiencën e tyre vendase. “Kjo duhet të kuptohet qartë nga ne dhe duhet të kuptohet qartë nga e gjithë bota. [Rezultati] është shkruar tashmë në Kremlin”, tha ajo.
Autoritetet ruse kanë të dhënat personale dhe biometrike të shumë ukrainasve në zonat e pushtuara, duke u mundësuar atyre të manipulojnë rezultatet e referendumit, thotë Petro Andryushchenko, një këshilltar i kryetarit të Bashkisë së Mariupolit, një qytet-port në Donjeck.
Forcat ruse rrethuan Mariupolin në ditët e para të pushtimit dhe e bombarduan për javë të tëra, duke e kthyer në rrënoja dhe duke shkaktuar një krizë humanitare. Teksa shpërndanë para dhe ushqime – disa nga to të vjedhura nga Ukraina – për qytetarët që mbetën në Mariupol, autoritetet ruse mblodhën të gjitha të dhënat e tyre personale, përfshirë edhe problemet e tyre shëndetësore, tha ai.
“Të gjitha këto të dhëna të mbledhura, tani do të konvertohen në vota”, tha Andryushchenko.
“Sa më pak njerëz në Mariupol, aq më e madhe është pjesëmarrja në realitet që ata mund të tregojnë pa pasur nevojë të shkojnë askund”.
Ndërsa një përqindje e caktuar e ukrainasve që mbeten në qytet – veçanërisht ata të moshës së pensionit – do të votojnë me kënaqësi për aneksimin, pjesërisht sepse atyre u është “shpëlarë truri” nga propaganda ruse, shumica janë kundër saj, tha Andryushchenko.
Megjithatë, ata mund të gjenden nën presion, tha ai, nëse detyrohen të votojnë. “Nuk ka mundësi të mos shenjëzosh, duke qenë se në thelb po votoni nën kërcënimin e armës”, tha ai.
Dhe duke shenjëzuar “jo” mund të çojë në kërcënime, tha ai. Gjëja më e mirë, thanë zyrtarët, është të qëndroni në shtëpi derisa të përfundojë votimi.
“Ata nuk duhet të rrëzojnë dyert dhe të hyjnë në shtëpi – edhe kjo do të jetë shumë për [rusët]”, tha për Current Time Yuriy Sobolevskiy, një anëtar i lartë i këshillit rajonal të Hersonit./REL
Discussion about this post