Spartak Kovaçi, Drejtori i Ujësjellësit Durrës, i përkrahur nga kryebashkiakja Emirana Sako dhe ministrja Balluku, është një makineri që shpërdoron para duke firmosur tendera në shkelje të ligjit.
Kovaçi është këmbëngulës dhe kreativ duke e gjetur rrugën që të manipulojë edhe ata tenderë që denoncohen në KPP dhe nga mediat.
Në sistemin e Prokurimeve Publike shohim se UK Durrës, ditën e djeshme, ka hapur një garë për tenderin me objekt: “Shërbimet e përmirësimit dhe mirëmbajtjes së softëare-ve”, për të cilin është lënë në dispozicion rreth 140 milionë lekë (pa TVSH). Në dokument përcaktohet se firma fituese gëzon këto kontratë për një afat 1-vjecar, pra deri në prill të vitit 2025, sepse më datë 8 prill parashikohet të shpallet fituesi.
Denoncimi
Ky është një tender që po rihapet pas vendimit të KPP. Ado të ketë denoncime të tjera për Kovaçin? Gjithsesi për këtë duhet të presim deri më datë 8 prill. Kujtojmë se një tender të tillë UK Durrës e ka hapur në shkurt 2024 me fond limit 145 milionë lekë. Por tenderi me të njëjtin objekt u denoncua firma kroate ‘PRIMUS ALBANIA’, me administrator Hrvoje Cabrajic, pranë Komisionit të Prokurimeve Publike.
Kroati në ankesën e bërë shprehet se në mënyrë antiligjore Shoqëria e Ujësjellësit kërkon që të plotësohen kriteret në bazë të Termave të Referencës duke i marrë copy paste.
Në fakt UK gjatë manipulimit ka bërë një lapsus në hartimin e kritereve.
Gjithashtu, ankimuesi specifikonte se duhej hequr kriteri për ‘6 (gjashtë) punonjës të diplomuar në fushën e IT’, duke shpjeguar se bie në kundërshtim me vendimin e KPP dhe gjithashtu duket qartë që është kriter i përshtatshëm vetëm për një kompani të parapëlqyer nga Kovaçi. Sipas tij, këto janë burokraci që pengojnë investitorët e huaj dhe favorizojnë kompaninë e paracaktuar.
Por, shohim që pas një muaji, Kovaçi ka përfshirë në dokument një përshkrim sipërfaqësor për termat e referencës si për t’i mbyllur gojën ankimuesit. Duke na hedhur ‘hi syve’ ai ka hapur sërish garën, sepse kërkon që t’i nxjerrë nga arka këto 140 milionë lekë sa më shpejt të jetë e mundur
Shpërdorimi i fondit gjatë vitit 2023
Ndërkohë, vlen të përmendet se me këtë shërbim drejtori i UKD ka abuzuar edhe në vitin 2023. Kovaçi ka firmosur një tender për mirëmbajtje serverësh me vlerë vlerën 90 milionë lekë, në mungesë të plotë të konkurrencës.
Sipas Open Data, kontrata që i është dhënë firmës “KREATX” shpk mban “Flamurin e kuq” për riskun e korrupsionit. Firma “Kretax” me dokumente është në pronësi të Lejdi Koçi dhe Enor Nakuçi, por pas tyre qëndron Panajot Gjiknuri, vëllai i sekretarit të PS-së, Damian Gjiknuri.
Ndërkohë drejtori i UKD, Spartak Kovaçi është në fokusin e hetimeve pas oficerët e BKH marrë edhe prova materiale nga zyra e tij.
Drejtori ia jep paratë e tenderëve babait!
Edhe pse e zhyti në 150 milionë euro borxhe Ujësjellësin e Durrësit, ky fakt nuk e ndali qeverinë aktuale ta promovonte Spartak Kovaçin, si administrator të Shoqërisë Rajonale Ujësjellës-Kanalizime Durrës pas shkrirjes së ujësjellësit të vjetër.
Më flagrante janë marrja e tenderëve nga kompania e babait të tij në konflikt të interesit. Më 26 tetor 2021, kryetarja e Bashkisë Durrës, Emiriana Sako, do të hapte garën për tenderin për rehabilitimin e infrastrukturës së rrjetit në zonën e Porto Romanos-Kënetë dhe sistemin e rrjetit të ujërave të shiut në pjesën urbane të Durrësit për fazën e parë me fond limit 1,97 miliardë lekë ose 20 milionë euro.
Në garën për tender do të merrte pjesë kompania “Gjoka Konstruksion” shpk dhe konsorciumi i kompanive “Vëllezërit Hysa” & “2T” & “ADRIATIK” shpk. Bashkimi i kompanive fituan garën për tenderin me ofertë sa 99.9% e fondit limit.
Konkretisht, kompania “ADRIATIK” sh.p.k ka si aksioner Ardian Mustafarajn dhe Petrit Kovaçin me nga 50% të aksioneve. Petrit Kovaçi është babai i Spartak Kovaçit, Drejtorit të Përgjithshëm të Ujësjellës Kanalizime Durrës, institucion në zotërim me shumicë aksionesh nga Bashkia Durrës.
Ndërkohë, në 15 shtator 2022, Bashkia Durrës hapi garën për tenderin “Sistemim K.U.B në rrugën Taulantia” me fond limit 366 mijë euro. Hartimi i këtij projekti është bërë nga drejtoria teknike e Ujësjellësit të Durrësit. Në këtë rast, fituese e tenderit është kompania e babait të Drejtorit të Ujësjellësit, Petrit Kovaçi me ofertë 400 mijë euro me TVSH.
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016
Discussion about this post