Nga Agim Nesho
Shqipëria e ka përjetuar propagandën e shtetit komunist në një kohë kur bota ishte e izoluar, lufta ideologjike e fortë dhe Lufta e Ftohtë polarizuese. Sot është e paimagjinueshme në një botë të lirë dhe perëndimore, ku Shqipëria pretendon të bëjë pjesë, që të kthehet propaganda e egër, bota fasadë që ju shërben një klike të korruptuarish të mbeten me çdo kusht në pushtet. Shqipëria e sotme nuk i ngjan vetëm një fshati Potemkin për t’i pëlqyer syrit të ‘perandoreshës’, por një fasade që është ndërtuar në themel me kanabisin politik të regjimit, me mediat e blera e TV personale të autokratit Rama, me largimin në masë të 750 mijë shqiptarëve të pashpresë, që morën rrugën e mërgimit, të sheikëve arabë që ndajnë fitimet me qeveritarët, të neo-otomanëve të rinj që falin një spital në kohë zgjedhjesh për të mbajtur në këmbë regjimin dhe marrin në këmbim gjithë asetet strategjike të vendit. Një Shqipëri e mjerë, që Autokrati kërkon ta pikturojë siç ka pikturuar zyrën e tij.
Sot shqiptarët kanë mundësinë e vetme të grisin dhe të hedhin poshtë këtë fasadë, të kthejnë demokracinë dhe të zhbëjnë shtetin e kapur. Në shtetin putinesk, të krijuar nga z. Rama, ku demokracia është e dirigjuar, ku administrata publike ka frikë dhe shtypet për interesat e pushtetit, ku zgjedhjet deformohen dhe blihen, kërkohet të mbahet me zor kjo fasadë. Diviza e fushatës së autokratit është ‘Jo mbrapa, përpara’, për të treguar që diktatori i ri është e ardhmja.
Por le të shikojmë se çfarë përfaqëson ‘e ardhmja’:
-Shpërdorimin e fondeve publike për të ndërtuar ‘Rilindjen Urbane’ me vlerë mbi 2 miliard euro
-Rritjen e borxhit kombëtar nga 67 % në 100 % ku brezat e ardhshëm do të paguajnë në vazhdimësi
-Vjedhjet e hapura dhe shpërdorimin e fondeve dhe pronës publike në aferat korruptive të inceneratorëve dhe mega-aferën korruptive të Portit të Durrësit
-Politikat shpërdoruese dhe përfituese të PPP-ve
-Largimin dhe shpopullimin e Shqipërisë me mbi 750 mijë shqiptarë vetëm 10 vitet e fundit
-Skandalin ndërkombëtar të McGonigal dhe përpjekjen për të korruptuar individë dhe institucione të partnerit tonë strategjik, SHBA
-Uljen e investimeve të huaja dhe detyrimit që ka Shqipëria për t’i paguar qindra miliona dollarë kompanive të huaja si rezultat i prepotencës dhe arrogancës së një kryeministri.
-Shitjen e interesave kombëtare dhe sakrifikimin e Kosovës në përkrahje të projekteve serbo-ruse të Vuçiç.
Ata, që për autokratin Rama janë e shkuara, në fakt kanë vënë themelet e shtetit demokratik:
-Sollën pluralizmin në Shqipëri
-Hoqën vizat me BE dhe mundësuan lëvizjen e lirë të Shqiptarëve në Perëndim
-Futën Shqipërinë në NATO duke e vendosur vendin në arkitekturën mbrojtëse perëndimore (Berisha)
-Krijuan për herë të parë arkitekturën e marrëdhënieve të miqësisë dhe stabilitetin ballkanik
-Përshpejtuan integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian duke krijuar Lëvizjen për Integrim
-Ndërtuan rrugë dhe investime strategjike duke mos harxhuar milionat e dollarëve të taksapaguesve Shqiptarë por me punën dhe kontributin e ushtrisë
-Luftuan për mbrojtjen e Kushtetutës dhe shtetit ligjor edhe të vetëm, kur regjimi e ktheu Kushtetutën në një letër pa vlerë në kioskat noterike të lumit Lana (Meta).
Vizioni i Ramës për të ardhmen ka mbetur vetëm si të rrjepim ato që na dalin përpara.
Duke parë këtë paturpësi dhe hipokrizi të hapur, përpara një populli të lodhur dhe të dërrmuar, lind pyetja: Përse e bën?
Përgjigjen e kësaj pyetje ma dha një politikan amerikan. Është një devizë elektorale që është përdorur nga Tony Blair në fushatat e tij elektorale. Duket se edhe lobistët e tij (T.Blair&Co.) janë lodhur me një njeri të konsumuar dhe nuk janë më kreativë. Kur të vjen fundi nuk kanë kohë të merren me ty, me situatën reale por përdorin shabllone! Që Rama është i dashuruar me veten dhe aventurier politik, këtë e tregon edhe vendosja e fotografisë së tij në këtë slogan elektoral si personifikim i së ardhmes, gjë që as Tony Blair nuk ka guxuar ta bëjë.
Edhe diçka të fundit për lobistët e tij britanikë dhe këshilltarin Blair. Mos u konsumo për të ndihmuar autokratët Vuçiç dhe Rama dhe për të shkallmuar demokracinë në Ballkan. Nuk ia vlen që emri juaj i skalitur në zemrën e çdo shqiptari për kontributin tuaj në rrëzimin e regjimit genocidal të Milosheviçit, të baltoset me përkrahjen për regjime autokratike dhe kleptokratike që kërkojnë të largojnë shqiptarët nga rruga perëndimore.
Discussion about this post