Ai ka arritur një rezultat rekord në maturën e këtij viti. Nga mbi 27 mijë maturantë Egnald Çela është i vetmi që mori notën 10.00 në të katërta provimet e MSH 2023. Në një intervistë për Portalin Shkollor ai rrëfen se çfarë do të thotë të jesh një nxënës absolut dhe si arrihet konkretisht një sukses i tillë.
Egnald Çela ju jeni maturanti i vetëm në Shqipëri i cili keni rezultuar të merrni notën 10.00 në të gjitha provimet e MSH 2023. Ju në fakt keni arritur një rekord pasi kishte rreth 12 vite që nuk ishte arritur një rezultat i tillë na mbarë vendin. Si ja dolët dhe si ndiheni tani për këtë?
Fillimisht ju falënderoj për ftesën. Kur vjen puna për këtë arritje në Maturën Shtetërore 2023 ndihem krenar, pasi prej disa vitesh nuk kishte ndodhur që një nxënës të merrte pikë të plota në të gjitha provimet e maturës. Është një sukses i përbashkët i punës sime disa vjeçare, së bashku me mësuesit e gjimnazit “Qemal Stafa” dhe me stafin drejtues që për mua kanë qenë mentorët e duhur drejt suksesit. Ndihem vërtet i vlerësuar ; është një arritje personale por që kam fatin ta ndaj edhe me prindërit e mi dhe familjen pasi një pjesë shumë të madhe të individit që jam sot ja dedikoj atyre.
Mund të ndani me ne konkretisht përjetimin e momenteve kur ju shihnit rezultatet absolute provim pas provimi?
Po të thosha që nuk e prisja aspak do gënjeja, që të jem i sinqertë me ju. Patjetër, pas një pune të lodhshme, të rregullt dhe të shtrirë në kohë synoja notën 10 në provime edhe me shkallëzimet si 9.8 / 9.6 etj. Kisha qëllim të fitoja medaljen e artë, pra të merrja njërin provim 10.0, por duke arritur 10.0-n në të 4 provimet jam më se i lumtur të them që pas kaq shumë vitesh risjell në gjimnazin “Qemal Stafa” prizmin e artë të Maturës Shtetërore. Përjetimi i emocioneve të daljes së notave të maturës ishte i një soji tjetër. Ishin emocione të bukura si për të kurorëzuar me sukses lodhjen, mundimin, orët e gjata të studimit. është e vështirë ta përshkruash me fjalë, por është një ndjenjë arritjeje dhe krenarie kur thua “Me në fund ja dola”.
Çfarë ju bëri ju një nxënës ekselentë, si studionit, mund të ndani me ne mbase disa teknika a metoda të të mësuari për të dal sa më mirë në provime? Për shembull, a e planifikonit ju çdo ditë?
E them shpesh dhe do vazhdoj ta vë theksin te disiplina e punës. Gjithmonë kam mësuar çdo mësim, çdo lëndë pa e lënë për më vonë. Kur krijon një rutinë të vazhdueshme dhe të rregullt ke arritur të bësh gjysmën e punës. Gjatë përgatitjes për provime nuk kam ndeshur informacion të ri, por vetëm kam rifreskuar materialet e ezauruara më parë. Këshillat e mia për provimet e MSH janë:
Punoni sa më shumë teza. Shoh mjaft maturantë të harxhojnë shumë kohë në përsëritjen teorike të materialit dhe nuk u del mjaftueshëm hapësira për të punuar tezat e viteve të kaluara. Besoj fort se tezat krijojnë një panoramë më të qartë të formatit të provimit real, menaxhimit të kohës dhe mbi të gjitha ke mundësinë e vetëkorrigjimit me skemat e vlerësimit online.
Kuptoni çfarë ju kërkohet. Provimet e MSH kanë pyetje që shpesh kërkojnë përgjigje specifike ose një tip të caktuar përgjigjesh. Kam vënë re se maturantët përgjithësisht humbasin pikë pasi nuk kanë kuptuar mirë kërkesën. Për shembull: Ushtrimi thotë “Ilustroni dhe interpretoni me të dhënat në tabelë”. është shumë e rëndësishme që të ndalemi të fjalët kyçe “ilustro” dhe “interpreto”. Shumica e maturantëve mund të japin përgjigje shkencore të saktë, por në nxitim e sipër kanë harruar të interpretojnë të dhënat e tabelës sipas kërkesës dhe kjo rezulton në një pikë të humbur
Detajet bëjnë diferencën. Mos lini asgjë që ju e dini pa e shkruar. Personalisht, jam përpjekur që në çdo përgjigje të jem sa më i plotë, i qartë dhe mos të le vende për interpretime të gabuara nga korrigjuesit. është shumë e rëndësishme ta bëni korrigjuesin të kuptojë që ka të bëjë me një nxënës të përgatitur që kërkon rezultate të larta dhe kjo duket vetëm nga çfarë keni shkruar, prandaj mos mbani asgjë në mendje por shkruajeni për sa kohë jeni të sigurt që është e saktë. Këto janë 3 këshilla kryesore që unë mendoj se edhe mësuesit i thonë shpesh, por janë me të vërtetë të vyera pasi garantojnë performancë më të lartë në provime.
Ju e përmendët pak më lart mbështetjen që keni pasur qoftë nga familja qoftë nga mësuesit. Por më konkretisht sa e rëndësishme ishte kjo për arritjen e këtij suksesi?
Ashtu si e përmenda edhe pak më lart unë nuk do isha këtu pa mbështetjen e vazhdueshme të shumë faktorëve. Familja ime është parësore në rrugëtimin tim. Kam pasur fatin të jem djali i dy prindërve nga familje intelektualësh, që ia dinë rëndësinë dhe vlerën punës së palodhur dhe që gjithmonë kanë siguruar më të mirat për mua dhe formimin tim. Mbas tyre, vijnë mësuesit që nga 9-vjeçarja, por sidomos mësuesit e gjimnazit “Qemal Stafa”, të cilët më kanë mbështetur në maksimum për të arritur qëllimet e përbashkëta pasi në fund të fundit rezultatet e mia në provime janë produkt i një pune intensive të këtyre mësueseve. E them shpesh dhe do vazhdoj ta them që jam shumë mirënjohës që kam qenë nxënës i mësuesve më të mirë në Shqipëri, mësues të përgatitur, të motivuar dhe mbi të gjitha mësues me integritet të lartë.
Për çfarë do t’i vazhdoni studimet e larta dhe ku do zgjidhni të studioni? Pse?
Pas një dileme goxha të madhe për të zgjedhur degën e duhur, kam vendosur të studioj inxhinieri kompjuterike. Gjithmonë më ka tërhequr inxhinieria, lëndët si matematika dhe fizika dhe jam i sigurt që do e bëj me shumë pasion.
Për sa i përket studimeve në Shqipëri ose jashtë vendit , për momentin do të qëndroj në Shqipëri. Nuk e kam vendosur ende në cilin institucion arsimor do të ndjek studimet por është një zgjedhje që do të më duhet ta bëj së shpejti. Nëse më jepet mundësia të ndjek studimet jashtë Shqipërisë, do ta bëja patjetër. Një gjë është pak por e sigurt: Në Shqipëri do të kthehem me patjetër.
Ndërkohë, kush është Egnaldi përveç djalit që tashmë e njohim me notat vetëm 10.00?
Vitet e mia të gjimnazit i kam shfrytëzuar për të krijuar një imazh të vetes sime, duke ndjekur pasionet e mia përtej arritjeve akademike. Unë jam Kryetari i Qeverisë së Nxënësve në gjimnazin “Qemal Stafa” , ndryshe i njohur si Presidenti i shkollës. E kam mbajtur këtë post për 2 vite, duke vënë kështu rekord pasi asnjë president para meje nuk është zgjedhur dy vite radhazi. Kam qenë dhe jam i përfshirë në aktivizimin social dhe rinor, pasi mendoj që secili prej nesh luan një rol thelbësor në mirëqenien e përgjithshme të shoqërisë. Në çastin që flasim, jam pjesë e Bordit Këshillues të Adoleshentëve pranë UNICEF Shqipëri prej disa muajsh. Jam angazhuar në aktivitete që prekin fusha të ndryshme të jetës si MUN Albania, trajnime me Kryqin e Kuq, UpShift, Ponder, ICTwards. Madje këtë vit fituam vendin e 2-të në botë në një konkurs ndërkombëtar organizuar nga IAEA, ku së bashku me 3 miq nga shkolla realizuam një kërkim shkencor për nivelin e ndotjes së ujërave në zonat rreth Tiranës.
Përtej veprimtarive sociale, më ka pëlqyer gjithmonë media, bota e televizionit dhe kamerat. Kam nisur udhëtimin tim mediatik në emisionin e debatit “Dimensioni 4” në RTSH ku u spikata duke patur mundësinë që më vonë të moderoja vetë puntata të këtij emisioni. Kam qenë pjesë e paneleve të ndryshme në emisione për tematika kryesisht që ndikojnë rininë dhe kam moderuar për dy vite radhazi festivalin më të madh të gjimnazeve të Tiranës “Tirana Art Fest”. Në shkurt të këtij viti u përzgjodha për të moderuar “Konkursin Kombëtar” në RTSH, një eksperiencë kjo mjaft e këndshme për mua. Televizioni dhe moderimi gjithmonë do të ngelen pasione për mua; nuk i shoh si profesione në planin afatgjatë, por kurrë nuk do t’i thosha jo një mundësie për të moderuar në televizion.
Cili është mesazhi juaj për të gjithë të rinjtë sa i përket nxënies në shkollë por edhe në jetë?
Vitet e gjimnazit janë vitet më të bukura për të kuptuar kush jeni dhe çfarë doni të bëni. Shfrytëzoni çdo mundësi, çdo moment pasi kurrë nuk e parashikoni dot si mund të rrjedhin ngjarjet më vonë. Mos thoni kurrë jo për një eksperiencë të re, çfarëdo të jetë ajo. Mos kini turp as frikë të gaboni, madje gaboni sa më shumë në këtë moshë që të kuptoni se si duhen bërë disa gjëra që të arrini drejt më të mirës.
Për arritjet akademike, kushtojini rëndësinë e duhur çdo hapi akademik që hidhni. Krijoni një rutinë për të studiuar dhe vendosini vetes tuaj qëllime konkrete dhe të matshme. Sigurohuni që të zgjidhni shkollën që ju përshtatet më së miri dhe synoni për shkollat që kanë dëshmuar histori suksesi ndër vite, pasi ato nuk zhgënjejnë kurrë dhe mund të jeni vetë ju pjesë e suksesit të tyre.
Më e rëndësishmja: përqafoni fort unin tuaj personal dhe individualitetin tuaj. Ka vetëm një si ti dhe kjo është superfuqia jote.
Discussion about this post