Emisioni “Review” ka mësuar se të emëruarit ose “grupi i ri” siç e quajti ministri i Brendhsëm, Taulant Balla janë emëruar brenda 3-muajve, në shkelje të rëndë të ligjit “Për Policinë e Shtetit” “Rregullores për Policinë e Shtetit” si dhe ligji “Për gradat në Policinë e shtetit”.
Në emisionin me temë “Skandali i TIMS dhe ekipi i ri në Policinë e Shtetit” u trajtua gjerësisht, duke sjellë edhe fakte konkrete për shkeljet e kryera me emërimet Brenda strukturave më sensitive të Policisë së Shtetit.
Ervin Muça, Drejtor i Departamentit për Teknologjinë dhe Informacionit. I emëruar me Urdhër nr. 1178/5 date 27.06.2023 i Drejtorit te Përgjithshëm Muhamet Rrumbullaku, urdhrin e Ministrit të Brendshëm nr.84, datë 16.06.2023 “Për miratimin e funksionit të veçantë në Policinë e Shtetit”, në urdhrin nr.887/1 datë 19.06.2023 të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit “Për fillimin e Aplikimeve për pranim në funksione të veçanta të Policisë së Shtetit”, në vendimin numër 1178/3 datë 22.06.2023 “Për pranimin në funksione të veçanta të Policisë së Shtetit emërimin në detyrë dhe dhënien e gradës policore Z. Ervin Hekuran Muca”.
Cilat janë shkeljet e kryera dhe cili ishte roli i Ervin Mucës në krye të Drejtorisë më të rëndësishme që ruan informacionin e Klasifikuar?
Në shkelje të rëndë të ligjeve në fuqi si dhe me urdhër të Ministrit të Brendshëm Bledi Çuçi i është dhënë grada “drejtues i lartë”, pa kryer trajnimin në Akademinë e Policisë si dhe në shkelje të rëndë të ligjit “Për policinë e Shtetit” për “Funksionet e veçanta”. Sipas këtij ligji, një ekspert IT i rekrutuar brenda Policisë së Shtetit nuk mund të fitojë gradën “Drejtues i Lartë” por vetëm gradën “Nën komisar”.
Sipas urdhrit të miratuar nga Bledi Çuçi, në 16 qershor 2023, Ministri ka miratuar funksionin e veçantë, në datë 19 qershor Drejtori i Përgjithshëm Muhamet Rrumbullaku, ka nxjerrë urdhrin për hapjen e aplikimeve, në 22 qershor është emëruar në detyrë Ervin Muça, në 26 qershor kanë filluar marrëdhëniet financiare. E gjithë procedura e futjes së z. Muça ka ndodhur brenda 10 ditëve.
Roli i Ervin Muçës ishte të rekrutonte të njohurit e tij brenda Policisë për të kryer ndërhyrjen dhe marrjen e të dhënave konfidenciale të TIMS.
Të parin që do rekrutonte në Polici, në drejtorinë e Sistemeve ishte Besjon Tanuzi.
Besjan Astrit Tonuzi ka qëndruar vetëm 1 muaj në detyrë sepse pas publikimit të skandalit është dorehequr nga pozicioni që mbante si Drejtor në Drejtorinë e Sistemeve në Departamentin e IT në Policinë e Shtetit.
Tonuzi është emëruar me Urdhër nr. 3133/1 date 18.07.2023 dhe me propozim të Drejtorit të Departamentit për Teknologjisë dhe Informacionin (Ervin Muça), Drejtor në Drejtorinë e Sistemeve në Departamentin e Teknologjisë dhe Informacionit.
Në 21 Korrik për Tonuzin kanë filluar marrëdhëniet financiare. Edhe Tonuzi pa kryer Trajnimin 4-mujor ne Akademinë e Policisë dhe në shkelje të gjithë Procedurave ligjore për emërimet në Polici. Tonuzi ishte Personi që futi Klodian Mazarin e të tjerë persona të paautorizuar në Laboratorin e DTI-së, ku ndodhi ndërhyrja në TIMS.
Sipas verifikimeve të Drejtorisë së Krimit Kibernetik të dy këta persona kanë kryer shkelje të rënda, si më poshtë:
“Gjithashtu nga verifikimet e mëtejshme ka rezultuar dhe se Drejtori i Departamentit DTI-së Ervin Muça dhe Drejtori Sistemeve Besjon Tanuzi:
- Nuk janë të pajisur me Certifikatën e Sigurisë së Personelit, dhe as nuk kanë aplikuar.
- Kanë lejuar hyrjen në institucion të personave të paautorizuar,
- Kanë urdhëruar punonjësit e vartësisë, për të kryer veprime në kundërshtim me detyrën që ata ushtrojnë.
- Në lidhje me veprimin që ka ndërmarrë më gjithë stafin e tij nuk ka informuar më parë DPPSH, nëpërmjet një memo informuese, informacioni apo një plan veprimi për problematikat e konstatuara dhe veprimet e ndërmarra nga ana e tij për rregullimin e tyre.
- Fakti që veprimet janë kryer në orët e vona të natës, janë futur persona të paautorizuar jo pjesë e stafit, është cekuar me pinin personal të një punonjësi tjetër jo prezent krijon dyshime të arsyeshme për veprime jo korrekte dhe në kundërshtim me ligjin.
Po ashtu, më datë 28.07.2023, ora 09:11AM, nga Shefi i Sektorit të Koordinimit të Politikave dhe Proçedurave Standarte ështe drejtuar një e-mail Drejtorit të Departamentit IT Ervin Muça dhe punonjësve të tjerë për plotësimin e detyrimit që kishte të bënte me plotësimin e procedurave standarte deri më datën 30.07.2023.
Në lidhje me këtë e-mail nuk është kthyer përgjigje nga Drejtori I Departamentit të IT Drejtues i Lartë Ervin Muça.
Duke Ju referuar Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë dhe më saktësisht “Hyrja E paautorizuar kompjuterike” dhe “Shpërdorimi i detyrës” parashikuar nga Nenet 192/b dhe 248 K.Penal të cilat ndër të tjera parashikojnë se:
Neni 192/b paragrafi i dytë
“…Kur kjo vepër kryhet në sistemet kompjuterike ushtarake, të sigurisë kombëtare, të rendit publik, të mbrojtjes civile, të shëndetësisë apo në çdo sistem tjetër kompjuterik, me rëndësi publike…”
Neni 248
“…Kryerja ose moskryerja me dashje e veprimeve a e mosveprimeve në kundërshtim me ligjin, që përbën mospëmbushje të rregullt të detyrës, nga personi që ushtron funksione publike, kur i kanë sjellë atij ose personave të tjerë përfitime materiale ose jomateriale të padrejta a kanë dëmtuar interesat e ligjshëm të shtetit, të shtetasve dhe të personave të tjerë juridike…”.
Gjithashtu, nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore u krye inspektimi përkatës në kuadër të njoftimit të marrë dhe ku u morën deklarime nga personat e përfshirë, sekuestrime, këqyrje marrje të dhënash si dhe u morën provat të cilat u konstatuan gjatë veprimeve të kryera.
“Nga sa më sipër, ju dërgojmë këtë informacion bashkë me:
- Raportin e Vlerësimit për zbatimin e Procedurave standarde të punës në Departamentin e Teknologjisë së Informacionit me Nr.939/ 1-a, Datë 04.08.2023.
- Shkresën e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore “Mbi inspektimin kryer në Departamentin e Teknologjisë dhe Informacionit në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit” me Nr.2014/ 1, datë 07.08.2023,
- Përshkrime pune Drejtoria e Teknologjisë dhe Informacionit miratuar me Urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Nr.853, datë 04.07.2019.
- Procedurat Standarde të Drejtorisë së Teknologjisë dhe Informacionit miratuar me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Nr. 1057, datë 15.11.2021,
Duke u nisur nga veprimet e kryera nga ana jonë dhe konkluzionet mbi bazën e tyre, kërkojmë:
Regjistrimin e procedimit penal për veprat penale “Hyrja e Paautorizuar Kompjuterike” dhe “Shpërdorimi i detyrës” parashikuar nga nenet 192/b dhe 248 të Kodit Penal”,-thuhet në referimin e kësaj strukture drejtuar Prokurorisë së Tiranës.
Por nuk mbaron me kaq, sepse një tjetër emërim i paligjshëm, po e rekrutuar nga Ervin Muça, në strukturën më të rëndësishme të Antikrimit Kibernetik do të katapultohej Ervina Gjana, me firmë të ministrit të brendshëm Taulant Balla.
Ervina Gjana, Drejtore, në Drejtorine për Hetimet Kibernetike ne Departamentin e Policisë Kriminale, Është hetuar nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Ministrinë e Brendshme për ndërhyrje dhe vjedhjen e Hard Diskut 500 MB, pranë Drejtorisë së Teknologjisë dhe Informacionit në këtë institucion. Sipas dosjes së depozituar në Prokurorinë e Tiranës, me nr. 6170, të cilën ne e disponojmë, kallëzimi i SHKB është dorëzuar në Prokurorinë Tiranë në datën 23.05.2014 dhe është regjistruar në datën 30.05.2014).
Gjana është emëruar me Urdhër: 4836, date 02.08.2023 i Drejtorit të Përgjithshëm Muhamet Rrumbullaku, dita kur Muca, Tonuzi dhe Mazari ndërhynë për marrjen e të dhënave të TIMS.
Por cili është roli i Drejtuesit të Krimit Kibernetik, në këtë rast i Ervina Gjanës.
Drejtoria e Policisë Kriminale dhe departamenti i hetimit kibernetik është strukture hetuese Kjo strukturë është e vetmja në Policinë e Shtetit që heton Drejtorin e Sistemit të IT. Sa duket, emërimi i saj në këtë pozicion, në datën e ndërhyrjes në sistem, do të kompletonte pazëllin dhe do të mbyllte qarkun për kontrollin e të dhënave konfidenciale të TIMS.
Gjana me edukim në Teknologjinë e Informacionit është emëruar dhe graduar Drejtore brenda 8 ditësh, pa kryer Trajnimin 4-mujor ne Akademinë e Sigurisë duke i dhënë gradën “drejtues i parë”, në shkelje të ligjit.
Enri Ndoni, Drejtor i Sistemeve në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, pas largimit te Besjon Tanuzit. Aktualisht i komanduar në krye të Drejtorisë së IT, duke zëvendësuar Ervin Mucën. I emëruar në të njëjtën mënyrë si Ervin Muça, Besjon Tanuzi, dhe Ervina Gjana. Edhe Ndoni është emëruar pa trajnimin 4-mujor në Akademinë e Sigurisë, pa Certifikatë Sigurie e cila është e detyrueshme për pozicionin që aktualisht ai mban.
Një tjetër emër që do të emërohej në shkelje të ligjit është edhe Elona Gogo. Urdhri i emërimit të zonjës Elona Gogo në postin e Drejtorit të Drejtorisë së Programimit dhe Bazave të të Dhënave në Departamentin e IT, u krye në një kohë kur ajo gjykohej nga GJKKO (Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar) për veprën penale të “Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tenderë apo ankande publike”.
Pas publikimit të rastit në media, më 9 nëntor, drejtori Rrumbullaku reagoi, duke e larguar Elona Gogon nga detyra me motivacionin: “Është konstatuar pavlefshmëria e aktit administrativ të pranimit”.
Duket se Ervin Muça, e kishte mirëmenduar planin për ndërhyrjen që kreu në datën 2 gusht, duke u siguruar që nuk do hetohej nga asnjë strukturë dhe me emërimet e të grupit të tij, në kundërshtim me ligjin, do të kontrollonte gjithë sistemin e të dhënave konfidenciale të TIMS./Euronews Albania.
Discussion about this post