Autoritetet belge dyshojnë se pistoleta Makarov, e cila u përdor nga Kasandër Noga për të qëlluar Erion Hasanbellin, në qershor 2022 në Bruksel, është pronë e Policisë së Shqipërisë.
Për këtë arsye, prokuroria e kryeqytetit belg kërkon nga autoritetet e sigurisë së vendit tonë që të kryejë verifikimet nëse “arma me mbishkrimin “IK 38 xxxxx” është përdorur nga forcat Shqiptare të sigurisë apo jo”.
“Gijotina.com” ka siguruar në mënyrë ekskluzive të dhënat e letër-porosisë që autoritetet belge u kanë drejtuar homologëve të tyre shqiptarë në mes të Tetorit 2022 pas arrestimit të disa personave në Durrës, që dyshohet se kanë marrë porosi nga Kasandër Noga për vrasjen e disa “armiqve” të tij në Tiranë e Durrës.
Në letër-porosinë belge zbulohet edhe një tjetër detaj, që lidhet me bashkëpunimin e mundshëm të zyrtarëve policorë me anëtarët e grupit kriminal.
Prokuroria e Brukselit kërkon, ndër të tjera, nga autoritetet shqiptare që “…të identifikohet dhe pyetet oficeri i poligjisë gjyqësore K….., lidhur me të dhënat e TIMS për Mikel Rakipllari dhe Renato Rapaj.
Objekti kryesor i kërkesës së autoriteteve belge janë të dhëna për Kevin Zenelin, i konsideruar si “krahu i djathtë” i Kasandër Nogës dhe që besohet se ka qenë i pranishën në atentatin kundër Erion Hasanbellit në Bruksel.
Ndërkohë që Noga u arrestua pak pas atentatin, Kevin Suçi (ka ndryshuar mbiemrin në “Zeneli” pas martese) është në arrati dhe besohet se gjendet në Shqipëri.
Nga ana tjetër, Kevin Suçi (Zeneli), dyshohet edhe si pjesë e disa atentateve të organizuara në Shqipëri në dy vitet e fundit.
- Detajet e letër-porosisë belge
Pak ditë më parë, Gjykata e Durrësit i ka dhënë rrugë letër-porosisë së autoriteteve belge, duke ngarkuar Policinë që të kryejë të paktën 10 detyra.
“Gijotina.com” ka parë dokumentat zyrtarë mbi këtë çështje, ku prezantohen detaje interesante edhe për një martesë fiktive të Kevin Suçi (Zeneli) me një vajzë që ka probleme të shëndetit mendor dhe qëndron e shtruar në spital prej tre vitesh.
Nga aktet rezulton se shtetasit Kasandër Noga dhe Kevin Suçi (Zeneli) dyshohen se, në datën 11.06.2022, midis orëve 20.15 dhe 20.21, kanë tentuar të vrasin duke i qëlluar 7 herë me armë zjarri në blevardin “Adolphe Max 76” në Bruksel, mbi një njeri të identifikuar në bazë të pasaportës shqiptare si Mikel Rakipllari, datëlindja 09.07.1978.
Autori ka qëlluar nga pas dhe ka përdorur një armë Makarov. Shtetasi i quajtur Mikel Rakipllari është në fakt shtetasi Erion Hasanbelliu.
Nëpërmjet kësaj kërkesë është kërkuar të kryen këto veprime ;
- Kontroll banese të Kevin Zeneli, Suçi .
- Marrja në pyetje e Kevin Zeneli, Suçi si person i dyshuar.
- Marrja në pyetje e D. V. (Suçi) si deklarues.
- Identifikimin dhe marrjen e ADN së së Kevin Zeneli, Suçi .
- Të kryet hetim mbi telefonine Kevin Zeneli Suçit për datat 04.06.2022 – 11.06.2022.
- Të merren të dhënat bankarepër llogaritë e Kevin Suçit Zeneli dhe partnerja e tij, fëmijët etj. nga dt. 01.01.2022 e vijim .
- Të merret info nga agjensitë e transfertave bankarepër Kevin Suçi nga dt. 01.01.2022 dhe të identifkohen këto transferta.
- Të hetohen arma Makarov me mbishkrimin IK 38 XXXX nëse është përdorur nga forcat Shqiptare të sigurisë apo jo.
- Te identifikohet dhe pyetet opgj K……, lidhur me të dhënat e TIMS për Mikel Rakipllari dhe Renato Rapaj.
- Të kryhen tëgjitha veprimet e tjera hetimore të nevojshme.
Martesa “fiktive”
Kevin Suçi (Zeneli) dyshohet, ndër të tjera, se ka kryer edhe një martesë fiktive me një shtetase me probleme të theksuara të shëndetit mendor, mesa duket për t’i marrë mbiemrin.
“Gijotina.com” mëson se, në maj të vitit 2021, personi me emrin E.Zeneli. ka kallëzuar në Policinë e Durrësit Kevin Suçit për “Mashtrim”.
Sipas kallëzueses, Kevin Suçi ka lidhur martesë fiktive me vajzën e saj të sëmurë, A. Zeneli, e cila prej vitit 2019 është e shtruar në Spitalin nr. 5, Tiranë.
Pengmarrja që zbuloi atentatet me pagesë
Në datë 2 Tetor 2022, rreth orës 12.00, Policia e Durrësit ka marre njoftimin lidhur me një ngjarje kriminale të ndodhur në autostradën Durrës – Tiranë.
Sipas një njoftimi verbal, dy shtetas të identifikuar si Gentjan Beqiraj dhe vëllai i tij, Indrit Beqiraj, të dy banues në Durrës, duke udhëtuar me një motoçikletë Piaggio në drejtim të Vorës, në afërsi të fshatit Maminas, pa arritur atje, ku drejtues motoçiklete ka qenë Gentjani e pasagjer i vëllai i tij, shtetasi Indrit Beqiraj, janë goditur në lëvizje nga një mjet BMW, me ngjyrë të zezë me targa 117, i paidentifikuar qartë.
Në vendngjarje është afruar edhe një mjet tjetër, Benz, dhe personat kanë dalë nga mjetet. Personat që ndodheshin në këto mjete kanë nisur të dhunojnë shtetasit Gentjan dhe Indrit Beqiraj.
Në vijim, këta persona kanë marrë me dhunë në njërin nga mjetet, shtetasin Indrit Beqiraj dhe të tre telefonat e tyre personalë. Menjëherë pas ngjarjes, shtetasi Gentjan Beqiraj ka njoftuar policinë, të cilët kanë nisur nga veprimet e para në vendngjarje.
Pas rreth një gjysëm ore, policia u njoftua që Indrit Beqiri ishte lënë i lirë dhe u paraqit në Drejtorinë e Policisë Durrës.
Indrit Beqiraj deklaron se ai është dhunuar edhe gjatë udhëtimit në automjetin e “pengmarrësve”, të cilët e pyesnin se përse kishte qenë tek lokali “Tratoria”, që ndodhet në Sukth, Durrës.
Beqiraj, sipas kallëzimit, u ka thënë dhunuesve se kishte qenë thjesht për të ngrënë drekë dhe se nuk e njihte pronarin e lokalit, Aleksandër Laho.
Tre personat kanë vijuar ta pyesin dhe godasin vazhdimisht, deri sa në një moment, siç duket, janë bindur se ai kishte qenë pa arsye aty dhe e kanë lënë të lirë e janë larguar.
Policia ka kryer veprimet hetimore, duke kqyrur kamerat e sigurisë. Në to dallohet se pas makinës BMW kishte ardhur një Benz, që rezultoi në pronësi të Fatjon Myrtos, nga Sukthi.
Po sipas kamerave, Myrto dhe dy personat që gjendeshin në BMW, shihen duke goditur dy vëllezërit Beqiraj, që u rrëzuan nga motori.
Fatjon Myrto ka deklaruar në polici se punon si taksist në zonën e Sukthit dhe atë ditë po udhëtonte me një shtetas me emrin Zhaku, banues në Sukth, i identifikuar si Dritan Ferra dhe pasi ka parë aksidentin, ka ndaluar për të dhënë ndihmë, ku nga mjeti ka zbritur Dritani, por ai, pasi ka parë konfliktin, është larguar.
Në vijim të hetimeve është gjetur i braktisur në një zonë të Sukthit automjeti marka BMW X3, pa targa, e cila është dyshuar si e përdorur në vendngjarje. Nga kontrolli i mjetit janë gjetur njolla gjaku dhe nga dokumentacioni i saj ky mjet rezulton ne pronësi të shtetasit Agron Bejdolli, banues ne lagjen nr.15 Durres.
Policia ka kryer kërkimet për Dritan Ferrën dhe Agron Bejdolli, por nuk i gjeti. Po ashtu, edhe nga kontrolli i bërë në banesën e shtetasit Aleksandër Laho nuk është gjetur në banesë dhe as ndonjë provë tjetër në interes të çështjes.
Atentatet me pagesë
Dy vëllezërit Indrit dhe Gentjan Beqiraj, me vullnetin e tyre, paraqitën dëshirën që të tregojnë dhe ngjarje të tjera kriminale, në të cilat kanë marrë pjesë vetë, duke bashkëpunuar apo të nxitur nga persona të tjerë, si edhe të deklaronin të dhëna për armë të blera e të shitura tek persona të ndryshëm.
Sipas deklarimeve të tyre, në Korrik të vitit 2021, iu është afruar shtetasi Ilirjan Feçi, person të cilin e kanë njohur më parë. Ai iu ka kërkuar mendim se si mund të realizohej më mirë një vrasje, me autoveturë apo me motor.
Në vijim të takimeve me njëri-tjetrin, Ilirjani iu ka thënë vëllezërve Beqiraj se po merrej me vrasje kundrejt pagesës dhe që ishte duke punuar për vrasjen e shtetasit Geron Hasanbelli, kundrejt pagesës për të cilën paguante Kasandër Noga. Shuma që jepej ishte 100.000 euro.
Duke qenë në një gjendje jo të mirë ekonomike, i kanë kërkuar dhe ata të dy që të përfshiheshin në këtë lloj aktiviteti kriminal. Por Ilirjani i ka refuzuar, duke deklaruar se në këtë fazë po punonte me Alban Skonjën, banues në Durrës.
Në vijim të deklarimit dhe të kontakteve me shtetasin Ilirjan Feçi, nga fundi i muajit Gusht të vitit 2021, dy vëllezërit janë takuar tek një lokal në Durrës, ku në shoqërinë e Ilirjanit ka qene edhe shtetasi Kevin Zeneli (Suçi), person që dy vëllezërit e njihnim dhe që ishte nga Burreli e jetonte në Durrës, në një banesë me qera së bashku me Ilirjanin, afër Urës së Dalanit.
Ilirjani iu ka thënë që Alban Skonja ishte larguar nga puna që do të bënin për vrasjen e Geron Hasanbelliut, dhe iu kërkoi nëse ishin të interesuar që të bashkëpunonin për kryerjen e kësaj vrasjeje, për të cilën paguante Kasandër Noga.
Kanë pranuar që të kryenin këtë vrasje dhe, nën shoqërinë e Ilirjan Feçit dhe Kevin Zenelit, kanë shkuar disa herë në Fier, ku banonte Geroni, me makinën e Ilirjanit, tip Volvo me portobagazh. Por, sipas tyre, nuk kanë arritur të realizojnë vrasjen.
Në vijim kanë marrë informacion se Geroni nuk qëndronte më në Fier, por ishte vendosur në Tiranë, në zonën e Don Boskos dhe pinte kafe tek një lokal me emrin “Fokus”.
Nga Kevini u janë siguruar armë pistoleta, me të cilat do të realizohej vrasja, si dhe i kanë kërkuar dhe 2000 euro, duke i thënë që u duhej një banesë me qera në Tiranë, që të ruanin objektivin.
Kevini u ka dhënë paratë, të cilat i dërgonte Kasandri, dhe kanë marrë një banesë me qera për një muaj, në afërsi të një lavazhi me emrin “Lavazh 313”, në rrugën “Jordan Misja”, ku ndodhet burgu 313.
E kanë ruajtur Geronin për rreth një muaj, por nuk kanë gjetur momentin për ta qëlluar e në vijim Geroni është larguar nga ai vend, duke ju humbur nga kontrolli e nuk kishin më dijeni për të.
Ata kanë parë afër që afër lokalit “Fokus” lëviznin nipat e Geronit. Kanë dyshuar se i kishte “shitur” Ilirjani dhe kanë vepruar për ta shmangur, ku të dy vëllezërit kanë vijuar të mbajnë lidhje me Kevinin.
Ata thonë se, sipas Kevinit, nga Kasandri ka ardhur porosia që të qëllonin e të vrisnin dhe ndonjë nga nipat e Geronit. Për këtë do të paguheshin nga Kasandri.
Por, megjithëse kanë ardhur disa herë në Tiranë, në zonën e “Astirit”, ku këta shtetas kishin dhe një lokal tabakino, nuk kanë arritur të gjejnë momentin dhe nuk kanë qëlluar ndaj nipave.
Atentati ndaj Manecit
Në vijim, po nga Kevini, gjatë fundit të vitit 2021, iu është propozuar kryerja e një vrasjeje tjetër, konkretisht të shtetasit Arben Mërkuri, të cilin e thërrasin Maneci, banues ne Sukth.
Vëllezërit Beqiraj deklarojnë se për vrasjen e Manecit ishte i interesuar një person që e njohin vetëm me pseudonimin “Katundari”. Ky person, një lidhje shoqërore e Kasandër Nogës, paguante 150 mijë euro për vrasjen e Manecit.
Për të kryer vrasjen, Beqirajt janë pajisur me një benz me targa suedeze nga Kevin Suçi (Zeneli), si edhe kanë marrë një automatik tek shtetasi Armando Daka.
Vëllezërit Beqiraj kanë shkuar disa herë në zonën e Sukthit dhe të Sallmones, por nuk kanë arritur të gjejnë objektivin dhe nuk e realizuar dot qëllimin kriminal.
Nga Kevini, më pas, pa dijeninë e tyre, është marrë mjeti Mercedes Benz. Vëllezërit Beqiraj deklarojnë se këtë mjet e kanë parë në media, si i implikuar në ngjarjen e ndodhur tek lokal “Fokus” në Tiranë, në datën 4 janar 2022, ku është vrarë një person e janë plagosur disa të tjerë.
Ata deklarojnë se kanë komunikuar me Kevinin dhe nga ai kanë mësuar se e kishte realizuar vrasjen nipi i Kasandër Noges dhe Kevini ka qënë pasagjer në këtë mjet ndërsa shofer një person i panjohur.
Sulm ndaj vëllezërve Zoto
Në vijim, janë kontaktuar edhe nga shtetasi Flamur Bejko, person të cilin e kanë njohur më parë, i cili iu ka kërkuar të dëmtonin në shëndet apo t’i shkaktonin dëme materiale dy vëllezërve me mbiemër Zoto, banues pas Drejtorise së Policisë në Durrës.
Sipas vëllezërve Beqiraj, Flamur Bejko kishte patur probleme me vëllezërit Zoto, pasi e kishin rrahur.
Për të realizuar këtë gjë, Flamuri iu kishte dhënë fillimisht 1500 euro dhe me pas 1200 euro, ku me eurot e para kanë blerë një pistoletë tek shtetasi Armand Lama, e më pas kanë blerë lëndë plasëse dinamit, me ndërmjetësimin e shtetasit Pëllumb Hoxha nga Fushë Kruja, tek shtetasi Idajet Hoxha, banues në Bulqizë.
Me lëndën plasëse ata do të dëmtonin apo shkatërronin pronën e dy djemve me mbiemër Zoto. Nuk kanë vepruar në asnjë rast ndaj vëllezërve Zoto.
Falë këtyre rrëfimeve, Policia e Durrësit arrestoi pjesën më të madhe të personave të përmendur nga Gentian dhe Indrit Beqiraj.
Megjithatë, të paktën deri më tani, nuk është gjetur Kevin Suçi (Zeneli).
Discussion about this post