Prej vitesh pushteti vendor ka ngecur në realizimin e planit për mbledhjen e të ardhurave, e për pasojë ka dështuar në shlyerjen e borxheve. Në gjashtë muajit e parë të këtij viti gjendja e bashkive nuk paraqitet aspak optimiste pasi të ardhurat janë në rënie në krahasim me një vit më parë. Bazuar në të dhënat e Ministrisë së Financave nga janari në qershor 2023 bashkitë kanë mbledhur në total 15.3 miliardë lekë, me një rënie me rreth 1.5 miliardë lekë në krahasim me vitin 2022. Ndërsa rënia në raport me planin e të ardhurave është me 2.2 miliardë lekë.
Siç shihet edhe nga tabela, rënia më e madhe është regjistruar nga mos mbledhja e taksës mbi pasurinë (problem i mbartur i bashkive). Për gjashtë muajit e parë të vitit bashkitë kanë mbledhur nga taksa e pasurisë vetëm 3.3 miliardë lekë me një rënie prej 9.4% krahasuar me vjet.
Zgjedhjet ‘dëmtojnë’ buxhetin vendor
Për ekspertin e çështjeve vendore Agron Haxhimali, kjo rënie e të ardhurave ka disa faktorë, ku një ndër to është pagesa e detyrimeve nga tatimpaguesit e mëdhenj, por nuk duhet harruar edhe fakti që ishim në vit elektoral, dhe vëmendja ishte e përqendruar tek zgjedhjet.
“E para lidhet me afatet kohore dhe procedurat administrativë. Bashkitë dërgojnë njoftimet tek taksapaguesit në muajt e parë të vitit dhe taksapaguesit kanë detyrimin ta bëjnë pagesën brenda muajit prill. Tjetër problem janë edhe ligjet me një farë ngathtësie administrative dhe Infrastrukture në sistemin e taksave jo efektive. Po ashtu nuk duhet harruar që ka qenë vit zgjedhor”, shprehet Haxhimali.
Ndikimi i zgjedhjeve në realizimin e të ardhurave, në Shqipëri është i pashmangshëm, por që sipas ekspertit ka sjellë pasoja negative afatgjata.
“Vitet zgjedhore sjellin probleme në realizimin e të ardhurave, kjo është e zakonshme në Shqipëri. Këto janë truke të panevojshme, pasi Bashkitë janë institucione të vazhdimësisë, dhe çdo detyrim për cilindo taksapagues do mbartet në kohë”, thotë ai.
Por sipas tij duhet parë me kujdes edhe fuqia që kanë qytetarët dhe bizneset për të paguar në kohë detyrimet e tyre, për shkak se edhe kriza e inflacionit ndryshe nga në vendet e Evropës, në Shqipëri duket se nuk ka të ndalur.
“Shkak që duhet të merret në konsideratë është edhe fuqia paguese e qytetarëve dhe bizneseve për të paguar këstet e para”, pohon eksperti.
Kjo mungesë e të ardhurave, në një kohë që përflitet për rritje të të ardhurave, mund të vërë në vështirësi edhe likuiditetet e bashkive në vend, sidomos ato që janë në vështirësi financiare.
“Një “rrezik” është fuqia likuiduese për ato bashki që kanë financa të dobëta”, shton Haxhimali.
Më pak të ardhura përkthehen në më pak shërbime cilësore për qytetarët. Por për të dëshmuar impaktin e zgjedhjeve në buxhetin vendor, flasin shpenzimet që ishin 28.9 miliardë lekë, duke u rritur me mbi 4.2 miliardë lekë në raport me gjashtëmujorin e parë të 2022. Më shumë para në këtë periudhë të parë të vitit janë shpenzuar për pagat e punonjësve dhe për investime.
Ndërtimet shtohen, por nuk paguajnë taksat
Prej vitesh vendi po përjeton një bum ndërtimesh, që mesa duket nuk ka të ndaluar. Bazuar në të dhënat e Institutit të Statistikave, vetëm në 3 muajit e parë të këtij viti janë miratuar gjithsej 429 leje ndërtimi për ndërtesa të reja, nga 397 leje të miratuara në tremujorin e parë 2022, duke shënuar një rritje prej 8,1 %.
Ndërsa në këtë periudhë para zgjedhjeve, sipërfaqja ndërtimore e miratuar është mbi 415 mijë metë katror. Sipas raportit në tremujorin e parë 2023, vlera e përafërt e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa dhe punime inxhinierike është 21 miliardë lekë.
Por edhe pse numri i lejeve të ndërtimit është rritur, të ardhurat që mblidhen prej tyre nga taksa e ndikimit në infrastrukturë është në rënie.
Raporti i tremujorit të parë për financat vendore tregon se të ardhurat nga taksat vendore shënuar një nivel prej rreth 3 miliardë lekë, në rënie me rreth 49% në terma vjetorë. Ndikimi kryesor në këtë rënie është dhënë pikërisht nga rënia e të ardhurave nga ndërtimet e reja.
“Performanca negative në të ardhura nga taksat vendore udhëhiqet nga rënia e të ardhurave nga taksa e ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja, ndjekur nga taksa mbi pasuritë e paluajtshme, së bashku këto dy taksa përfaqësojnë rreth 88% të të ardhurave totale nga taksat vendore për periudhën në analizë”, thuhet në raport.
Vlera më e madhe e të ardhurave nga kjo taksë është e përqendruar në Tiranë, me 67% të saj.
“Të ardhurat nga taksa e ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja (TNI)shënuan një nivel prej rreth 1.6 miliardë lekë, në rënie me rreth 63% në terma vjetorë. Përjashtuar të ardhurat për TNI të mbledhura nga bashkia Tiranë (rreth 67% e të ardhurave totale nga kjo taksë), 60 bashkitë e tjera në vend mblodhën rreth 536 milionë lekë, në rënie me rreth 35% krahasuar me çka mbledhur në të njëjtën periudhë një vit më parë”, vijon më tej raporti.
Për drejtorin Ekzekutiv të Shoqatës së Bashkive, kjo rënie nga këto taksa është shqetësuese, dhe kërkon llogari e transparencë, pasi në sektor bëhet evazion.
“ Ky është një lajm jo i mirë. Këtu ka vend për një analizë të thelluar dhe llogaridhënie nga bashkitë që kanë të tillë performancë, pasi kjo mund të ketë ardhur nga vullneti dhe evazioni që bëhet në këtë sektor,” shton Haxhimali.
A ka dështuar reforma zgjedhore e 2015-ës?
Në një kohë kur bashkitë paraqesin probleme të vazhdueshme financiare, si në mbledhjen e të ardhurave ashtu edhe në reduktimin e borxheve, pikëpyetja që ngrihet ka të bëjë me efektivitetin e reformës Administrativo-Territoriale të 2015-ës, se sa efektive ishte ajo?
Faktikisht rezultatet tregojnë se ajo reformë nuk ka dhënë rezultatet e pritshme në situatën financiare të bashkive. Një nga pikat kyçe të asaj reforme që shkriu komunat dhe e ndau vendin në 61 bashki, ishte fuqizimi i bashkive, dhe shkëputja e tyre nga varësia që kishin ndaj buxhetit të shtetit.
Por e vërteta është e kundërta, bashkitë vijojnë të marrin çdo vit e më shumë para nga buxheti i shtetit, borxhet vazhdojnë të mbeten rreth 6 miliardë lekë, dhe autonomia e tyre financiare duket shumë larg realizimit.
Eksperti Haxhimali liston shkurtimisht për Gijotina problemet më të mëdha që kanë sot bashkitë në administrimin e të ardhurave të tyre.
“Probleme me kapacitetet administrative, infrastrukturë dhe teknologji në sistemin e tatim-taksave jo të qëndrueshëm, si dhe ka evazion dhe keqmenaxhim”, thotë Haxhimali.
Gjatë vitit të kaluar, qeveria dhe opozita u ulën dhe diskutuan për reformën e re territoriale, por asgjë nuk u arrit, pasi nuk pati konsensus, dhe fatkeqësisht vëmendja u përqendrua vetëm tek numrat, pra se sa bashki duhet të kishte vendi, dhe nuk u diskutua për shqetësimet serioze dhe shërbimi që marrin qytetarët.
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016
Discussion about this post