Emisioni “Në Shënjestër” i gazetares Klodiana Lala, është ndalur këtë të mërkurë te ekzekutimi mafioz i 23-vjeçarit Gëzim Sinomataj.
Ndërsa ende nuk ka autorë të identifikuar, një nga pistat e hetimit është ajo e ‘hesapeve’ të pambyllura që babai i tij ka, si pjesë e banës së ‘Gaxhait’.
Por për cilat krime akuzohet ai?
Pjesë nga dokumentari:
Nëse Bernard Sinomataj dhe e shkuara e tij e lidhur ngushtësisht me krimin, mund të jetë një nga arsyet që çuan në eliminimin e nipit të tij Gëzim Sinomataj, a mund të jetë kthyer edhe e shkuara e babait të viktimës, në fundin e tij?!
A mund të jetë vrasja e të birit, një ndëshkim për aktivitetin kriminal të Sokol Sinomataj, të njohur ndryshe si ‘Buzëderri’?!
Dhe cilat janë këto ngjarje kriminale, që edhe pse të vjetra në kohë, mund të kenë rikthyer edhe njëherë në vëmendje larjen e hesapeve të pambyllura. Tashmë duke mos kursyer as fëmijët, qofshin këta edhe të pafajshëm. Siç mund të jetë rasti i të riut, Gëzim Sinomataj.
Po për të kuptuar se cilat janë fajet në jetë të babait të tij, është me vend të kthehemi shumë pas në kohë, në vitin e mbrapshtë 1997. Viti kur Sokol Sinomataj, atëkohë në moshën e djalit të tij tashmë të ndjerë, u përfshi në bandën e drejtuar nga ‘Gaxhai’, emri i vërtetë Gazmir Brakaj.
Një nga personazhet më emblematikë të krimit gjatë këtij viti në qytet, por edhe më vonë me bëmat e tij.
Një fraksion i krimit në qytetin e trazuar rëndë nga mungesa e rendit dhe sigurisë dhe vrasjeve të shumta, që luftonte kundër bandës tjetër rivale, asaj të drejtuar nga Zani Çaushi.
Luftë midis dy bandave që kishte sjellë shumë të vrarë në qytet, ku nuk u kursyen as punonjës të policisë. Të cilët shpejt me t’u vendosur rendi në qytet, do të përballeshin me drejtësinë, dhe do të vuanin dënimet e tyre për krimet e kryera.
Ashtu si edhe Sokol Sinomataj, që ishte në bankën e të akuzuarve si pjesë e bandës së ‘Gaxhait’.
Dosja Hetimore
Sokol Sinomataj, i njohur me nofkën ‘Buzëderri’ ka një të shkuar kriminale si anëtar i bandës së Gazmir Brakës, i njohur si ‘Gaxhai’.
Në këtë bandë bënin pjesë Gazmir (Gazmend) Braka (Gaxhai), Armando Sulejmani (Çipuri), Sokol Sinomataj (Buzëderri), Edmond Leskaj (Mond Fshatari) si edhe Gazmend Nebiu.
Akuzat ndaj kësaj bande lidhen me vrasjet me paramendim të shtetasve Sadik Kurti, Avdul Bajrami, Dhimitraq Mishka, Zihni Haruni, Robert Myftari, vjedhjes me dhunë në dëm të shtetasve Artur Pashaj, Vladimir Mema dhe Flamur Xhelaj si edhe vrasjes për shkak të cilësive të veçanta të punonjësit të policisë Viron Rrapaj.
Pikërisht një nga vrasjet ku ka qenë i pranishëm edhe Sokol Sinomataj, është edhe ajo efektivit të policisë, Viron Rrapaj. Edhe pse Sinomataj nuk ka qëlluar ndaj punonjësit të komisariatit të policisë Vlorë, sipas të dhënave të siguruara nga dosja hetimore në ngarkim të bandës së ‘Gaxhait’, ai del se ka qenë i pranishëm në momentin kur posta e policisë u rrethua nga pjesëtarët e bandës kriminale.
Gjithçka sipas kësaj dosje, ndodh më 11 maj 1997. Dhe vinte pas shumë krimeve të tjera që banda e ‘Gaxhait’ kishte kryer në qytet, por edhe ashpërsimit të rivalitetit me bandën e Zani Çaushit.
Luftë e përgjakshme e cila ishte ndezur edhe më shumë pas vrasjes nga banda e Zani Çaushit, të njërit prej njerëzve besnik të ‘Gaxhait’.
Dosja Hetimore
Më datë 11 Maj 1997, anëtarë të bandës së ‘Gaxhait’, kanë shkuar të organizuar në Komisariatin e Policisë Vlorë, me qëllim për të marrë një mjet të blinduar dhe para se të largoheshin ata kanë vrarë oficerin e policisë, Viron Rrapaj.
Sipas dëshmive që dolën gjatë hetimit, rezulton se nga ana e Policisë kishte të dhëna se bandat që vepronin në qytet do të sulmonin Komisariatin e Policisë për të marrë prej aty mjetet e blinduara.
Në fillim, rreth orës 11.00 të datës 11 Maj 1997 në komisariat kanë shkuar tre-katër persona të armatosur.
Njëri prej tyre është prezantuar si ‘Gaxhai’ dhe ka kërkuar që të merrte kontakt me drejtuesit e policisë dhe të merrte blindat për t’u mbrojtur nga Zani.
Pas disa minutash para Komisariatit të Policisë erdhën mjaft makina dhe prej tyre zbritën rreth 30-40 persona të armatosur të cilët u futën në oborrin e Komisariatit.
Por me të shkuar në komisariatin e Vlorës, duket se banda e ‘Gaxhait’ kishte hasur në kundërshtimin e efektivëve të policisë që ndodheshin aty në atë moment, të cilët kanë refuzuar që t’u dorëzojnë blindat.
Por ndërsa duket se gjithçka ishte mbyllur aty dhe banda po tërhiqej qetësisht nga komisariati, një nga pjesëtarët më të rrezikshëm të grupit kriminal, i njohur si ‘Kakami’ qëllon dhe vret në derën e komisariatit, punonjësin e policisë, Viron Rrapaj.
Ndërsa dëshmitarët në gjyq, identifikuan ndër të tjerë, si të pranishëm gjatë sulmit ndaj policisë, edhe Sokol Sinomatajn.
Dosja Hetimore
Oficeri i Policisë, Haxhi Dersha, u shpjegoi pjesëtarëve të grupit kriminal se nuk mund t’i merrnin mjetet e blinduara.
Pasi u sqaruan personat e armatosur u tërhoqën prej Komisariatit.
Por duke dalë nga oborri i Komisariatit Alfred Nebiu (Kakami) ka parë policin Viron Rrapaj në derën e brendshme të Komisariatit dhe ka qëlluar në drejtim të tij duke e vrarë.
Përveç Alfredit, deklaruesi I.B por dhe persona të tjerë që kanë qenë aty të pranishëm kanë mundur të njohin nga anëtarët e bandës, edhe të pandehurin Gazmir Braka (Gaxhain), Sokol Sinomataj dhe Armando Sulejmanin i cili kur u zhvillua ngjarja ka patur një debat me policin Andrea Kanani për t’i marrë antiplumbin.
Por këto nuk ishin të vetmet krime makabre që banda e ‘Gaxhait’, ku bënte pjesë edhe Sokol Sinomataj, po kryente ndërkohë në Vlorë dhe në rrethinat e saj.
Dëshmitë e personave okularë apo që kishin qenë pre e kësaj dhune mizore, janë rrëqethëse.
Një nga këto krime të dokumentuara, që iu faturua bandës së ‘Gaxhait’, ishte edhe ai ndodhur në fshatin Armen të Vlorës, më 13 Qershor të vitit 1997.
Dosja Hetimore
Më datë 13 Qershor 1997 në fshatin Armen, Vlorë, shtetasi Robert Boraku i ka dalë përpara automjetit ku po udhëtonin shtetasit Ligor dhe Dhame Koreta, Dhimitraq dhe Taqo Mishka dhe Panajot Qirjo dhe ka qëlluar ndaj tyre, duke i lënë të plagosur.
Ndërkohë që nga ky shkëmbim zjarrit mbeti i plagosur dhe vetë Robert Boraku.
Vetëm tri ditë më pas, konkretisht më 19 Qershor 1997, Robert dhe Niko Boraku së bashku me personin e njohur si ‘Gaxhai’, kanë vrarë dhe më pas kanë djegur trupin e shtetasit Dhimitraq Mishka, kufoma e të cilit u gjend në vendin e quajtur Shamogjin.
Sipas hetimeve rezulton se ditën e ngjarjes, banda e ‘Gaxhait’ ka shkuar dhe e ka marrë viktimën në fshatin Mëkat tek klubi i vëllait të tij Andrea Mishka.
Më pas ata e kanë çuar në qendër të fshatit Cerkovinë ku dhe e kanë torturuar. Më tej ata e kanë ekzekutuar në bazën eksperimentale në Shamogjin dhe më pas e kanë djegur kufomën.
Por aktiviteti kriminal i bandës ka qenë aq i vrullshëm, sa ata kanë kryer tortura dhe vrasje të ngjashme, edhe brenda një dite.
Rezulton se në të njëjtën ditë kur rrëmbyen dhe ekzekutuan shtetasin Dhimitraq Mishka, banda mori peng dhe vrau shtetasin Zini Haruni.
I cili edhe ky pasi u torturua u vra në fshatin Cerkovinë ku ishte edhe baza e bandës së ‘Gaxhait’.
Dosja Hetimore
Po në këtë datë, pra më 19 Qershor 1997 nga ana e bandës së ‘Gaxhait’, u krye një tjetër krim.
Sipas të dhënave që dolën edhe nga hetimi, në vendin e quajtur Shamogjin pranë një karburanti, anëtarët e bandës rrëmbyen shtetasit Zini Haruni dhe Ardian Tase, të cilët ndërkohë ishin duke udhëtuar nga Fieri për në Vlorë.
Pasi lëshuan Ardianin, ata morën me një furgon të bardhë Ziniun dhe e çuan në fshatin Cerkovinë, të cilin e vranë një ditë më pas tek punishtja e mermerit pranë këtij fshati.
Në lidhje me këtë vrasje u arrit të provohej se ‘Gaxhai’ së bashku me pjesëtarët e tjerë të organizatës së tij kriminale, vranë për hakmarrje shtetasin Zini Haruni, për shkak të rivalitetit me grupin e Zani Çaushit.
Emri i Sokol Sinomataj në këto sipërmarrje kriminale, del më qartë edhe në ekzekutimin e Robert Myftarit, i cili u qëllua në makinën e tij ndërsa po udhëtonte me bashkëshorten.
Ishte vetë viktima i cili para se të jepte shpirt në spital i kishte rrëfyer së shoqes, se njëri nga ata që e qëlluan ishte Sokol Sinomataj, ‘Buzëderri’, i bandës së ‘Gaxhait’.
Dosja Hetimore
Një tjetër vrasje e kryer nga banda e ‘Gaxhait’, ku sërish motivet dalin të jenë rivaliteti midis grupeve kriminale, është dhe ajo e shtetasit Robert Myftari.
Kështu më datë 8 Gusht 1997 në vendin e quajtur ‘Skelë’ pranë lokalit ‘Miami’ në Vlorë, i pandehuri Sokol Sinomataj ka qëlluar me armë zjarri kundrejt shtetasit Robert Myftari, i cili gjatë kësaj kohe ishte duke udhëtuar me makinë me gruan e tij Amarilda Halili.
Sipas dëshmisë së gruas së viktimës, ngjarja ka ndodhur rreth orës 20.30 të kësaj dite, kur makina e tyre u ndalua nga disa persona.
Të cilët ajo rrëfeu se pasi ata ndaluan makinën, një prej personave të armatosur tha se ky qenka Berti i Shaveres, një nga ata të ‘Çoles’, lagje në Vlorë ku kishte qendrën banda e Zanit.
Vetë Robert Myftari para se të humbte jetën në spital, i tregoi gruas se një nga ata që e qëlloi ishte Sokol ‘Buzëderri’ i bandës së ‘Gaxhait’
Një tjetër episod dhune që lidhet sërish me ngjarjet e vitit 1997, ku del të jetë i përfshirë Sokol Sinomataj ‘Buzëderri’ është edhe ai i qershorit të këtij viti.
Ai që e identifikoi ndër të tjerë, ishte një punonjës i policisë.
Dosja Hetimore
Gjatë gjykimit arritëm të provojmë se pjesëtarë të bandës së ‘Gaxhait’, kanë vjedhur me dhunë shtetasin Ardian Skënderi.
Dëshmi të cilat ky shtetas i dha edhe para kësaj gjykate në seancën e datës 7 Shkurt 2006.
‘…Në qershor të vitit 1997 kam qenë me grupin e gatshëm të Drejtorisë së Policisë Vlorë. Ka qenë fillimi i qershorit të këtij viti, kur po udhëtoja në një furgon në të cilin ndodheshin dhe tre persona të tjerë. Por pa arritur në fshatin Shamogjin pranë Institutit, vura re se na dolën përpara tre persona të armatosur dhe me maska. Njëri prej tyre u afrua dhe më kërkoi armën por nuk e kisha me vete, ndërsa tjetri më tha: ‘Na falni shef por situatën e kemi ne nën kontroll’.
Unë me vete në atë moment kisha 168 000 lekë të rrogës të cilat mi mori personi që komunikoi me mua. Ndërsa dy të tjerët qëndronin në distancë me automatik në dorë. Gjatë bisedës njëri prej tyre më qëlloi me qytën e armës në nofull. Në këtë moment unë arrita të njoh njërin prej personave që ishte Sokol Sinomataj (Buzëderri)
Një tjetër episod kriminal, ku edhe këtu del emri i Sokol Sinomataj dhe që vazhdon të lidhet me aktivitetin e tij në kuadër të bandës së Gaxhait, gjatë vitit 1997, është ai edhe i grabitjes me dhunë, të një automjeti.
Por që fatmirësisht në këtë rast nuk pati të lënduar si në rastet e ngjashme, ku banda kishte bërë kërdinë duke torturuar dhe vrarë njerëz të pafajshëm jo vetëm me mendimin për t’i grabitur, apo edhe në dyshimet se ata ishin pjesë e bandave rivale në qytet.
Dosja Hetimore
Në fund të muajit Prill të vitit 1997 pranë Bashkisë Vlorë disa persona të armatosur i kanë marrë me forcë në kërcënimin e armëve automjetin shtetasit Artur Pashai.
Ky shtetas ka mundur të identifikojë si persona të armatosur të pandehurin Edmond Leskaj, Sokol Sinomataj dhe Armando Sulejmani.
Automjeti në momentin që është marrë nga tre të pandehurit ka qenë duke u drejtuar nga shtetasi Enver Gjoni edhe ky punonjës i firmës rentiere ‘Vefa’ si dhe pronari i makinës, shtetasi Artur Pashai.
Por me gjithë këto krime të përbindshme, edhe pse Prokuroria kërkoi dënim të përjetshëm për Sokol Sinomataj. në përfundim të gjykimit, Gjykata e Lartë e cilësoi fajtor vetëm për vjedhje me dhunë.
Ndërkohë që ai ishte gjykuar edhe për vrasjen e Elton Tatos dhe plagosjen e Robert Borakut, ngjarje e ndodhur në qershor të vitit 2002.
Vite pritje pas hekurave të cilat në fakt iu dukën shumë të gjata, anëtarit të përkushtuar të bandës së ‘Gaxhait’.
I cili në vitin 2017, duke përfituar nga një leje shpërblyese, mundi të dilte nga burgu i sigurisë së lartë në Peqin dhe të mos kthehej më aty.
Duke zgjedhur të largohej nga Shqipëria, për t’u strehuar bashkë me të birin, Gëzimin, në Belgjikë.
Largim nga vendi i qëndrimit të vuajtjes së dënimit, për të cilin Gjykata e Elbasanit, e dënoi edhe me 1 vit e 6 muaj burgim.
Sokol Sinomataj, i cili pas arrestimit në Belgjikë, u ekstradua drejt Shqipërisë, ku aktualisht po vuan dënimin e parë me 16 vite heqje lirie, në burgun e Fushë-Krujës.
Teksa ai ishte i pranishëm, i shoqëruar me forca të shumta policie, edhe në varrimin e të birit.
Që ishte edhe fëmija i tij i vetëm.
Ndërsa policia ka dhënë një shpërblim të majmë për atë që do të japë informacion se kush e vrau Gëzim Sinomataj, mbrëmjen e 7 Janarit, të shumta janë pikëpyetjet mbi këtë vrasje.
A lidhet në të vërtetë ekzekutimi i tij me aktivitetin e vjetër dhe të ri kriminal të babait dhe xhaxhait të tij?
Dhe a do ta trazojë edhe njëherë qetësinë relative që ishte vendosur gjatë viteve të fundit në Vlorë?
Apo kjo vrasje do të përmbysë sërish kupën e paderdhur të gjakut që ka ngërthyer këtë qytet në shumë vite?
Sagë e mbushur me viktima të panumërta, në të shumtën të zhdukura pa nam dhe nishan.
Qoftë edhe si ky ekzekutim, skena që mund t’i prodhojnë vetëm regjisorët e filmave të famshëm të zhanrit aksion apo ‘fiction’. /BalkanWeb/
Discussion about this post