Katër nga gjashtë personat e arrestuar për ekzekutimin e Ardian Nikualjt më 19 prill në Shëngjin tashmë janë në pranga.
Policia shqiptare i ka bërë me dije ndalimet e tyre që ditën e shtunë, ndërkohë që autori i krimit dhe personi që ka luajtur rolin e informatorit ende nuk janë lokalizuar e madje as nuk dihet vendndodhja e tyre. 4 të arrestuarit, përfshi edhe djalin nga Lezha, Edmond Haxhia, i konsideruar si porositësi për ta kryer atë krim të rëndë, presin përkthimin e dokumentacionitprovë që është përpiluar kundër tyre nga autoritetet tona. Sipas të dhënave, bëhet me dije se afati është deri me 5 maj, ndërkohë që në lidhje me shtetasin portugez po punohet edhe me palën greke për ta sjellë në pranga.
Policia dhe Prokuroria e Lezhës janë të bindur në mekanizmin që kanë zbuluar pak ditë më parë që është përdorur në ekzekutimin e biznesmenit të njohur lezhjan, Ardian Nikulaj, e për pasojë ata vijojnë të bëjnë me dije se vrasja ka ndodhur për gjakmarrje. Edhe pse familja Haxhia nga Kakarriqi i Lezhës nuk ka qenë në ndonjë hasmëri të mëparshme me familjen Nikulaj, edhe pse Policia dhe Prokuroria kurrë nuk e fajësuan familjen Nikulaj për ndonjë ngjarje, ata sot pretendojnë se krimi i rëndë i ndodhur në ambientet e hotel “Coral” ka ndodhur për shkak të gjakmarrjes me familjen Lekstakaj, nga Balldreni. Edmond Haxhia, në fakt është djali i dajës së njërit prej djemve të familjes Lekstakaj që ndodhen në Britani prej shumë vitesh, ku policia dhe prokuroria pretendojnë se Edmond Haxhia ka kryer porosinë konkretisht të djalit të hallës së tij!
Provat që pretendon drejtësia jonë
Sipas të dhënave bëhet me dije se prova të reja kanë dalë në dritë për grupin e vrasësve me pagesë që ekzekutuan biznesmenin Ardian Nikulaj. Grupi hetimor është ndalur te fakti se Edmond Haxhia iku nga Shqipëria përmes Rinasit vetëm pasi u bind se vrasja është kryer. Nga grupi hetimor kanë dalë të dhëna se më herët ai kishte tentuar me oferta vrasësish edhe në Fushë-Krujë, madje thotë policia se ai iu kishte afruar aq shumë shënjestrës sa kishte luajtur futboll me të afërm të familjes Nikulaj.
Por askush nuk e njihte mbasi kishte emigruar në Angli që 14 vjeç dhe ndërkohë ishte kthyer në zonë me qëllimin për të orientuar një skuadër të huaj vëzhguesish dhe vrasësish që duhet ta eliminonin për gjakmarrje Ardian Nikulajn. Por në fakt është për tu habitur me këtë fakt, kur bëhet me dije se Edmond Haxhia kishte motrën e tij të punësuar në bashkinë e Lezhës, aty ku drejtonte prej shumë kohësh sektor jetik për rrethin viktima. Por Policia dhe Prokuroria e Lezhës janë të bindur me prova se i dyshuari Edmond Haxhia arriti të shfrytëzojë edhe partneren e tij e cila bleu me akt noterial motorin e afishuar për shitje nga një person nga Tirana, në zonën e 21 Dhjetorit. Policia thotë se e telefonoi shitësin i cili tregoi se e kishte shitur, por më pas në një deklaratë të mëvonshme të detajuar para hetuesve ai tregoi emrin e pronares së re, e cila quhej Valbona Deda, që sipas të dhënave të policisë është edhe bashkëshortja e Edmond Haxhiajt. Pikërisht ky motor, thotë grupi hetimor u përdor nga portugezi, Ruben Saraiva, i cili lëvizte i qetë sa në Shkodër ashtu edhe në Lezhë.
Policia e Lezhës dhe prokuroria mësohet se e kanë marrë disa herë në pyetje Valbona Dedën, nga e cila kanë mundur të sigurojnë edhe një mori të dhënash që më pas i shpërndanë në media ku ajo foli edhe për një mori faktesh të tjera, që sipas prokurorisë janë edhe ‘arma’më ë fortë në duart e tyre për të vënë para përgjegjësisë autorët e shpallur në kërkim. Policia bën me dije se brenda datës 5 maj, Shqipëria duhet të përkthejë në anglisht provat dhe t’ia dërgojë Britanisë së Madhe ndaj të arrestuarve Edmond Haxhia, Stephen Hunt, Thomas Mithan dhe Harriet Harriet Bridgeman. Ndërsa në kërkim vijojnë Ruben Saraiva, i cili dyshohet se është në Greqi dhe Harry Simson, që të paktën nga Tirana është nisur në drejtim të Londrës.
‘Beteja’ për ekstradimet
Edmond Haxhia dhe tre shtetas të tjerë britanik janë ndaluar orëve të para të së shtunës nga Policia britanike. Nuk dihet ende se çfarë kanë dëshmuar dhe në çfarë rrethanash janë ndaluar, por bëhet me dije se shtetasi shqiptar, i konsideruar si personi që ka porositur vrasjen është vetëdorëzuar në policinë e Londrës.
Autoritetet tona po “luftojnë” me kohën për të mundësuar dërgimin e plotë të dosjes në ngarkim të këtyre shtetasve për të bërë të mundur sjelljen e tyre para drejtësisë sonë, pasi ata akuzohen për një nga ngjarjet më të rënda të ndodhura në vendin tonë kohëve të fundit. Sipas të dhënave Prokuroria jonë kanë një mori pamjesh filmike, që janë edhe arma më e fortë e pranisë së tyre në skenën e krimit, prova shkencore, fakte dhe një sërë shkresash të identifikimit të momenteve kur kanë hyrë dhe dalë nga vendi jonë të gjithë protagonistët, përfshirë edhe dy të kërkuarit, që sipas policisë janë autori i vrasjes dhe informatori që është gjendur në hotelin e viktimës.
Mësohet se ndër provat e tjera shumë të rëndësishme që u dërguan në Angli, janë dhe profilet e ADN-së të shtetasve anglezë dhe Edmond Haxhisë. Këto fakte sipas hetuesve janë çuar për të mos lindur asnjë dyshim, tek trupi gjykues nëse vërtet 4 të arrestuarit janë të njëjtët me ata që kërkon prokuroria Shqiptare apo jo. Mes këtyre provave, materiali i prokurorisë Shqiptare shoqërohet edhe me vendimin e Gjykatës së Lezhës, që ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për 4 nga 6 të proceduarit e kësaj vrasjeje. Sigurisht në dosjen Shqiptare të dërguar në Angli, ndodhet dhe një relacion ku jepet me detaje e gjithë tabloja hetimore mbi ngjarjen e rëndë të vrasjes së biznesmenit Ardian Nikulaj.
Autoritet shqiptare, kërkojnë ekstradimin nga Anglia të 4 personave të akuzuar në Shqipëri, për “Vrasje me paramendim” të kryer në bashkëpunim me motiv gjakmarrjen. Në kërkim për këtë ngjarje vijon të jetë i dyshuari si personi që kreu vrasjen shtetasi nga Potugalia Ruben Saraiva dhe anglezi me 27 rekorde kriminale Harry Simson. Ky i fundit ka pasur rolin e vëzhguesit dhe është larguar nga Shqipëria menjëherë pas vrasjes, duke përdorur dy taksi. Sipas policisë shqiptare, Edmond Haxhia është personi kryesor në këtë ngjarje, i cili ka koordinuar dhe financuar grupin prej 5 shtetasve të huaj me qëllim eliminim fizik të biznesmenit dhe politikanit lokal Ardian Nikulaj.
Discussion about this post