Nga Elisa Lois, EL PAIS
Kjo është bastisja e katërt policore kundër këtyre grupeve që veprojnë për “Klanin e Ballkanit” dhe që u shfaqën në portin e Vigos në vitin 2024. Operacioni i fundit nisi në orët e para të mëngjesit të 15 shkurtit, pasi kontejneri i dyshuar u përzgjodh nga Njësia e Analizës së Rrezikut të Doganës së Vigos. Kontejneri iu nënshtrua kontrollit me rreze X nga Njësia e Kontrollit Radiologjik Kufitar dhe pikërisht kështu u zbulua se në sistemin e ftohjes ishte fshehur kokaina.
Pas këtij zbulimi, agjentë të grupit EDOA të Pontevedrës dhe të ECO Galicia, të dyja njësi të ‘Guardia Civil’, si dhe Njësia e Përbashkët e Mbikëqyrjes Doganore në Vigo, nisën një hetim që çoi në identifikimin e një organizate kriminale të përbërë nga individë me shtetësi shqiptare. Qëllimi i tyre ishte nxjerrja e lëndës narkotike të fshehur brenda kontejnerit të vendosur në zonën portuale.
Përpjekja për rikuperimin e kokainës ndodhi në orët e para të mëngjesit të së dielës së kaluar. Agjentët arritën të arrestonin dy “nxjerrësit” shqiptarë në momentin kur tentuan të hynin në kontejnerin e kontaminuar. Dy persona të tjerë, që do të merrnin pjesë në operacion, arritën të arratiseshin.
Pas arrestimeve, autoritetet sekuestruan 61 pako kokainë si dhe mjete të ndryshme për rikuperimin e drogës: katër çanta sportive të mëdha, një shkallë të palosshme, një trapan, lidhëse plastike, dy telefona dhe një automjet. Më 16 shkurt, gjatë një kontrolli të imtësishëm të kontejnerit — ku u përdorën edhe pajisje radiologjike portative të Mbikëqyrjes Doganore në Vigo — u zbuluan edhe nëntë pako të tjera kokainë të fshehura mes makinerive të sistemit të ftohjes. Në total u sekuestruan mbi 80 kilogramë të kësaj lënde, me vlerë rreth 1.5 milionë euro.
‘Guardia Civil’ dhe Shërbimi i Mbikëqyrjes Doganore e mbajnë hetimin të hapur ndaj kësaj organizate kriminale me karakter ndërkombëtar dhe nuk përjashtohen arrestime të tjera, sipas burimeve policore. Veprimet po koordinohen nga gjyqtarja përgjegjëse e Seksionit të Hetimit në Gjykatën e Vigos.
Kjo është sekuestrimi i dytë këtë vit në portin e Vigos. “Në të dy rastet, jo vetëm që u sekuestrua mall i paligjshëm, por u arrit edhe arrestimi dhe shkatërrimi i organizatave kriminale pronare të ngarkesës”, theksuan burime nga Drejtoria e Përgjithshme e Guardia Civil.
Një muaj më parë, Operacioni Monterrey përfundoi me kapjen e 200 kilogramëve kokainë dhe tetë të arrestuarve, të gjithë pjesë e një klani tjetër me origjinë shqiptare që përdori të njëjtin sistem: dërgimin e ngarkesave në kontejnerë nga Ekuadori, një nga pikat kryesore të nisjes së kësaj droge në dekadën e fundit.
Porti i Kuitos, i kontrolluar kryesisht nga këto mafie, është një nga ndalesat e rrugës tregtare me Amerikën e Jugut që operon nga porti i Vigos përmes kompanisë gjermane Hapag Lloyd. Hapja në prill 2024 e kësaj linje detare me frekuencë javore për transportin e frutave dhe peshkut të ngrirë ka krijuar mundësi për tregje të reja, por edhe një avantazh të madh për “Klanin e Ballkanit”.
Gjatë vitit të fundit janë kapur 10 tonë kokainë në portin e Vigos, çka ka vënë në alarm grupet antidrogë dhe shërbimet fiskale e doganore. Ngarkesa më e madhe e sekuestruar deri më sot në Galici (7.5 tonë) hyri përmes këtij porti në dhjetor 2023, e kamufluar në disa kontejnerë me fileto ton të ngrirë, ndonëse u zbulua në një magazinë në Cambre (A Coruña). Edhe pas saj duken “tentakulat” e Klanit të Ballkanit.










Discussion about this post