Shtimi i flukseve emigratore është reflektuar në rritjen e ndjeshme të lejeve të qëndrimit, që vendet e Bashkimit Europian kanë dhënë për shtetasit shqiptarë në vitin 2022.
Sipas Eurostat, në 2022 rreth 74 mijë shtetas shqiptarë (73,858) morën leje qëndrimi në një nga vendet e BE-së. Në krahasim me një vit më parë, numri i lejeve është rritur me 34%.
Ndërkohë, kjo është shifra më e lartë e konstatuar që nga viti 2010, duke treguar qartë një tendencë të shtimit të personave që lënë vendin me synimin për të jetuar dhe punuar në një nga shtetet e Bashkimit Europian.
Që nga viti 2008, kur raportohen të dhënat më të hershme të Eurostat, vendet e Bashkimit Europian kanë dhënë gjithsej 832 mijë leje qëndrimi për shtetasit shqiptarë. Kjo shifër është gati sa një e treta e popullsisë që raportohet se jeton në Shqipëri (Censi që do e tregojë saktë numrin e personave që kanë mbetur në vend po zhvillohet këtë vit).
Grafiku “Lejet e qëndrimit për shtetasit shqiptarë nga vendet e BE-së” tregon se pasi kulmoi në 2008 (viti i parë kur Eurostat raporton të dhënat) numri i lejeve të qëndrimit filloi të binte ndjeshëm deri në 2014-n, duke reflektuar mbarimin e ciklit të parë të emigracionit, që kishte nisur në gjysmën e parë të viteve ’90.. Më pas nisi rigjallërërimi i këtij cikli nga viti 2015, që u reflektua dhe në numrin e lartë të kërkesave për azil, që në atë kohë arriti në rekordin e gati 70 mijë personave.
Lejet e dhëna, po ashtu dhe kërkesat për azil, ranë më pas në 2020-n, si rrjedhojë e kufizimeve të pandemisë. Pas pandemisë nisi sërish një valë e re ikjeje, që u ndie shumë në vend, si në tregun e punës me bizneset që nuk gjenin do punonjës, ashtu dhe në konsum, me sipërmarrjet që ankoheshin për rënie të shitjeve.
Shtimi i lejeve të qëndrimit në 2022 është në linjë me rritjen e kërkesave për azil po këtë vit, që arritën nivelin më të lartë në gati një dekadë.
Italia dhe Greqia janë shtetet kryesore që kanë dhënë në vite leje qëndrimi për shtetasit shqiptarë, ndërsa në 2022 u shënua rritje e ndjeshme e lejeve të dhëna nga Gjermania. Në 2022, Italia dha 34.8 mijë leje qëndrimi, Greqia 14.3 mijë dhe Gjermania 13.3 mijë.
Sipas arsyeve, në 2022, gati 75% e lejeve u dhanë për arsye familjare, 4.3% për studime dhe pjesa e mbetur për arsye të tjera.
Gati 3.7 milionë leje qëndrimi në total u dhanë për herë të parë në 2022 në BE
Sipas Eurostat, gjatë vitit 2022 në Bashkimin Europian gati 3.7 milionë leje qëndrimi u dhanë për herë të parë për qytetarët e jo BE-së, një rritje m 26 për qind (+753 445 leje) krahasuar me vitin 2021. Shifra totale është më e larta e regjistruar që nga viti 2009, duke nivelin e regjistruar e para pandemisë, në 2019, ku u dhanë 3 milionë leje qëndrimi.
“Arsyet e punësimit” përbënin 42% të të gjitha lejeve të qëndrimit të dhëna në vitin 2022, me rreth 1.6 milionë leje, që tregon një rritje prej 18% krahasuar me vitin 2021 (+243 617).
“Arsyet familjare” përbënin 24%, “arsye të tjera”, përfshirë mbrojtjen ndërkombëtare, përbënin 21%, dhe “arsye arsimore” 13%.
Krahasuar me vitin 2021, këto tre arsye kryesore shënuan rritje të konsiderueshme: “arsye të tjera” u rritën me 37% (+209 074), e ndjekur nga “arsye arsimore” (+33%; +117 230) dhe arsye familjare” (+26 %; +183 524).
Ndër vendet e BE-së për të cilat disponohen të dhëna në vitin 2022, Gjermania kryesoi listën e lejeve të qëndrimit të dhëna për herë të për në BE, me 538 690 leje (15% e totalit të lejeve të lëshuara në BE). Më shumë se 300 000 leje të para janë lëshuar gjithashtu nga Spanja (12%; 457 412 leje;), Italia (9%; 337788) dhe Franca (9%; 324 200).
Rritja më e madhe relative në numrin total të lejeve të dhëna në vitin 2022, krahasuar me vitin 2021, është regjistruar në Gjermani: +190% (nga 185 570 në 2021 në 538 690 në 2022). Rritja në Gjermani ishte kryesisht për shkak të rritjes së numrit të lejeve të dhëna për arsye familjare dhe të tjera. Gjermania ndiqet nga Malta (+164%; nga 14 358 në 37 851) dhe Irlanda (+146%; nga 34 935 në 85 793).
Ulje në numrin total të lejeve të lëshuara në 2022 krahasuar me 2021 u regjistruan në Çeki (-28%; nga 74 395 në 53 809), Sllovaki (-6%; nga 29 067 në 27 441) dhe Hungari (-1 %; nga 58 115 në 57 286).
Destinacionet më të zakonshme për punë në vitin 2022 për të cilat disponohen të dhëna ishin Spanja (145 314 leje), Gjermania (81 795 leje) dhe Italia (66 791 leje).
Vendet e BE-së me numrin më të madh të lejeve të dhëna për arsye familjare në vitin 2022 ishin Gjermania (5%; 188 367), Spanja (5%; 168 804) dhe Italia (4%; 131 275) të totalit të lejeve të para të qëndrimit.
Gjermania kryesoi gjithashtu listën e “arsyeve të tjera”, me 198 456 leje dhe 5% të totalit të lejeve të parë të qëndrimit, e ndjekur nga Italia (114 256) me 3%.
Franca dha më shumë leje të lidhura me arsimin (3%; 104 777), e ndjekur nga Gjermania (70 072) dhe Spanja (58 636), secila me 2% të totalit.
Discussion about this post