Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm ka liruar nga burgu 65-vjeçarin Algjir Skilja i akuzuar për përdhunimin e një të miture.
Apeli vendosi revokimin e masës së sigurimit “Arrest në burg” ndaj të dyshuarit dhe u urdhërua lirimi i tij me argumentin se mungojnë prova se ai ka kryer veprën penale.
Në gusht të vitit 2023 14-vjeçarja denoncoi në policinë e Elbasanit se 8 vite më parë ka qenë viktimë e një përdhunimi.
Pas dëshmisë së saj u arrestua 65- vjeçari, i cili ishte fqinj me familjen e gjyshërve të vajzës. Në atë kohë vajza ka qenë 6 vjeçe dhe sipas të ëmës shkonte tek shtëpia e gjyshërve me pushime.
Për shkak të kohës së largët që ngjarja ka ndodhur policia e ka të vështirë dokumentimin me prova të kësaj ngjarjes ku aktualisht ka vetëm kallzimin penal të të ëmës dhe të vajzës që akuzojnë Algjir Skilen.
Postimi i gjykatës së Apelit
Referuar raportimeve të mëparshme në media, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, informon sa më poshtë: Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, ka zhvilluar gjykimin lidhur me revokimijn e masës së sigurimit personal ndaj personit nën hetim A. S, “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale, në alternativë zëvendësimi i masës së sigurimit personal ndaj personit nën hetim A. S, nga “arrest me burg” parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale në caktimin e masës së sigurimit personal “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, parashikuar nga neni 234 i Kodit Procedurës Penale, si dhe në alternativë në masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i Kodit të Procedurës Penale, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me të mitur”, e parashikuar nga neni 100/2 i Kodit Penal.
Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, me vendimin nr. 903 , datë 21.12.2023, ka vendosur:
-Rrëzimin e kërkesës së kërkuesit A. S.
Çështja në apel u shqyrtua mbi bazën e ankimit të bërë nga personi nën hetim me iniciale A. S, i cili kërkoi ndryshimin e vendimit, duke e hetuar shtetasin A.S nën masën e sigurimit personal “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” si dhe në alternativë “arrest në shtëpi”.
Gjykata e apelit, pasi shqyrtoi provat e marra gjatë hetimeve paraprake dhe kërkesën e prokurorit për pushimin e çështjes në ngarkim të të dyshuarit A.S, vlerësoi se nga provat, vërtetohet fakti se mungon dyshimi i arsyeshëm i bazuar në prova se personi nën hetim ka kryer veprën penale të parashikuar nga neni 100/2 i Kodit Penal, si një nga kushtet për caktimin e masës së sigurimit, gjë që bazuar në nenin 260/1 të Kodit të Procedurës Penale, passjell revokimin e masës së sigurimit.
Në përfundim të gjykimit, më datë 08.02.2024, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e përbërë nga trupi gjykues me Gjyqtar z. Dritan Hasani, vendosi:
-Ndryshimin e vendimit Nr. 903 , datë 21.12.2023 të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan , në këtë mënyrë;
-Revokimin e masës së sigurimit “Arresti në burg” të caktuar ndaj të dyshuarit A. S me vendimin Nr. 567, datë 23.08.2023 të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan. -Urdherohet lirimi i menjehershem i të dyshuarit A. S, nese nuk mbahet per shkaqe te tjera te ligjshme.
– Kunder ketij vendimi mund te behet rekurs ne Gjykaten e Larte, brenda 45 diteve nga e nesermja e njoftimit te vendimit.
Discussion about this post