Kreu i Bashkisë Konispol, Ergest Dule, ka krijuar një “pashallëk” në skaj të Jugut. Në zyrën e tij firmosen vazhdimisht tendera pa garë, duke i shpërndarë fondet e taksapaguesve në shkelje të ligjit mbi prokurimet.
Një nga të favorizuarit e Dules është biznesmeni Bujar Murati, me të cilin është lidhur bashkëpunimi i radhës. Bëhet fjalë për tenderin me objekt ‘MBROJTJE LUMORE NE TOKAT E MARKATIT’. Konkretisht do të ndërtohet një mur me blloqe dhe gjatësi 200 metra buzë lumit, që të pengojë gërryerjen e tokave aty pranë.
Për të ndërtuar këtë mur sipas llogarive të stafit të Dules, do të nevojiten 45 ditë dhe për këtë planifikohet të shpenzohen 271 milionë lekë.
Fond limit duket i fryrë, por për këtë do të presim auditimin e radhës të Kontrollit të Lartë të Shtetit.
Për momentin është procedura që duhet të alarmonte Agjencinë e Prokurimeve Publike dhe të mos e regjistronte kontratën. Kryetari Dule e ka hapur “garën” më datë 2 gusht dhe e ka mbyllur më 26 gusht 2024. Sipas dokumenteve të tenderit, kanë shfaqur interes 4 firma.
Gjithsesi tre prej tyre u ka shkuar mundi kot, sepse komisioni i vlerësimit i ka fshirë qysh në fillim ofertat më të ulëta. Konkretisht, “Fled” shpk e kishte ofertën 200 milionë lekë, “TEA-D” shpk ishte me ofertë 213 milionë lekë dhe bashkimi i operatorëve “MANE/S” shpk me ofertë 218 milionë lekë. Por, asnjë prej tyre nuk është lënë të konkurrojë përballë bashkimit “Iliria/D” & “Lis Konstruksion” me ofertë 250 milionë lekë.
Open Data Albania e ka vlerësuar këtë tender me “flamur të kuq” që është shenja treguese e riskut të korrupsionit.
Edhe pse kishte një diferencë 50 milionë lekë më shumë se sa oferta më e ulët, “Iliria/D” & “Lis Konstruksion” u shpallën fitues. Kontrata u nënshkrua pa garë dhe duke shkelur disa rregulla të ligjit mbi prokurimet publike. Kështu ndodh, sepse 50 milionë lekëshi është “taksa” e shpërdorimit të detyrës.
Bashkia Konispol e ka bërë rrugë manipulimin e tenderave
Kryetari i Bashkisë Konispol i ka të freskëta rekomandimet e lëna nga KLSH me anë të raportit të auditimit të vitit 2023.
“Referuar të dhënave për procedurat e zhvilluara për vitin 2022, gjithsej 5 procedura, me fond limit në vlerën 88 713 000 lekë, mbi bazën e materialitetit u audituan 3 procedura me fond limit 30 564 000 lekë dhe u konstatua se: a- Kriteret e aplikuara janë në kundërshtim me aktet ligjore e nënligjore të LPP dhe me tipologjinë e procedurës së zhvilluar, veprime të cilat direkt ose indirekt pengojnë pjesëmarrjen e operatorëve në procedura. Këto janë: Tenderi me objekt “Zgjerim i varrezave të fshatit Mursi”, me vlerë të fondit limit 4,108 000 lekë dhe vlerë kontrate 3 405 000 lekë; Procedura me objekt “Rikonstruksion i rrjetit të ndriçimit rrugor, Konispol”, me vlerë të fondit limit 8,917 000 lekë dhe vlerë kontrate 7 678 000 lekë; Procedura me objekt “Mbrojtje lumore në lumin “Pavëll” pranë urës së Bogazit”, me vlerë të fondit limit 17,539 000 lekë dhe vlerë kontrate 14,153 000 lekë”, shkruhet në raportin e audituesve të KLSH.
Ndërkohë, sipas raportit të KLSH, në 2 procedura prokurimi, Operatori Ekonomik i shpallur fitues nuk është në kushtet e plotësimit të gjitha kritereve standarde dhe dispozitave të LPP.
Në këto kushte komisioni i vlerësimit duhet të anulonte procedurën dhe zhvillonte procedurën tjetër me kushte me të favorshme. Konkretisht me këto shkelje u gjetën: Procedura me objekt “Rikonstruksion i rrjetit të ndriçimit rrugor, Konispol”, me vlerë të fondit limit 8 917 000 lekë dhe vlerë kontrate 7,678 000 lekë; Tenderi “Mbrojtje lumore në lumin “Pavëll” pranë urës së Bogazit”, me vlerë të fondit limit 17,539 000 lekë dhe vlerë kontrate 14 153 000 lekë;
E shkuara e errët e Muratit
Një nga bashkëpunëtorët e kryetarit në këtë tender është biznesmeni Bujar Murati. Ai është themeluesi i firmës LIS KONSTRUKSION, Bujar Murati, që ka një CV me përshirje në shumë skandale korrupsioni. Tani firmën e ka lënë në dorë gruas së tij Dorina Muratit. Theksojmë se pas skandaleve, Murati i ndryshoi edhe emrin e kompanisë që dikur quhej “Euro Alb”.
Kjo gjë ndodhi pas vitit 2021, kur Murati u arrestua me urdhër të SPAK për abuzimet që kishte bërë me tenderat me kryebashkiakun e Lushnjës Fatos Tushe dhe grupin e tij.
Në fakt, Murati nuk e kishte për herë të parë që përplasej me drejtësinë. Në vitin 2009, Murati mbante postin e drejtorit të përgjithshëm të prokurimeve publike në Ministrinë e Brendshme kur u arrestua për tenderin e uniformave të policisë, i paracaktuar për kompaninë “Gjergjefi”, me pronar Jani Gjergjefi.
Sipas prokurorisë dhe policisë, Murati me dy zyrtarë të tjerë do të merrnin një pjesë të fitimit, në këmbim të shpalljes fitues të tenderit.
Murati jo vetëm i shpëtoi dënimit, por në janar të vitit 2014 depozitoi një padi civile në Gjykatën e Tiranës, duke kërkuar dëmshpërblim për ditët e burgut. Murati ka themeluar kompaninë e ndërtimit “Euro Alb” në vitin 1999. Në vitin 2006, biznesmeni ia shiti aksionet në masën 100 % bashkëshortes së tij, Doriana Murati. Pas shkarkimit si drejtor prokurimesh, arrestimit dhe më pas shpëtimit nga dënimi, Bujar Murati, në dhjetor të vitit 2013, i rimerr sërish aksionet, tashmë përmes dhurimit nga bashkëshortja e tij.
Është pikërisht kompania “Euro Alb”, e cila ishe paracaktuar fituese e tenderit abuziv me vlerë 24 milionë lekë për rehabilitimin e kanalit ujitës në Bitaj të Lushnjës. Sipas dosjes, kompania e Muratit e kishte fituar tenderin me dokumente të falsifikuara, me ofertë gati sa fondi limit, përmes përjashtimit arbitrar të kompanive të tjera, duke ndarë më pas një pjesë e të parave të tenderit sipas rolit në këtë aferë.
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/201
Discussion about this post