Në prill 2021, gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare të qershorit të atij viti, shtetasja J.B., e cila mendonte se punonte në një kompani private, i komunikon një shokut të vet duke i thënë se dikush kishte marrë administratorin e kompanisë 5D Konstruksion nga Lapraka, duke i kërkuar që ajo të dalë në fushatë zgjedhore, besohet, për Partinë Socialiste.
“Kanë marrë shefin tim nga njësia e Laprakës, duke ditur se pronari është i shtetit dhe i kanë thënë, thuaj J. të angazhohet me zgjedhjet,” citohet punonjësja në një vendim për masë sigurie të Gjykatës së Posaçme.
Partia Socialiste i fitoi zgjedhjet e atij viti mes akuzave për abuzim masiv me burimet shtetërore, një sistem kontrovers të përdorimit të punonjësve të administratës për të mbledhur vota dhe një listë zgjedhësish ku çdo njëqind shtetas kishin një zyrtar partie mbikëqyrës të njohur si “patronazhist”.
Sistemi dukshëm nuk ishte i kufizuar vetëm te punonjësit e administratës publike, por edhe te kompani, nominalisht private, të cilat, në fakt akuzohet se i përkiste dy drejtorëve të Bashkisë së Tiranës, Redi Molla dhe Mariglen Qato. Të dy u arrestuan me urdhër të SPAK javën e kaluar, ndërsa gjashtë zyrtarë të tjerë të bashkisë u akuzuan gjithashtu për shkelje të barazisë në tenderë dhe vepra të tjera penale.
Prokuroria vëren gjithashtu se si, pa ndonjë përpjekje të madhe për të maskuar natyrën kriminale të transaksioneve, kompania që fitonte miliona euro tenderë dhe kishte miliona lekë fitime të pashpërndara, shitej nga një aksioner te një tjetër përkundrejt çmimit nominal të aksionit, 100 lekë gjithsej. Prokuroria pretendon gjithashtu se shkeljet e bëra nga zyrtarët e shtetit për të dhënë kontrata punimesh publike për këtë kompani ishin të shumta, për shkak se kompania ishte e re dhe nuk kishte kurrfarë aktiviteti për të justifikuar plotësimin e kritereve tenderuese, të tilla si xhiroja apo suksesi në zbatimin e projekteve të mëparshme.
Përgjimet e komunikimeve mes punonjësve të ndryshëm të kompanisë sugjerojnë gjithashtu se pronësia e Qatos dhe Mollës mbi kompaninë ishte një sekret që e dinin të gjithë dhe as nuk kishte ndonjë përpjekje shumë të fortë për ta mbajtur të maskuar. Përgjimet paraqesin gjithashtu një mjedis pune të dominuar nga sherret dhe presioni, punonjës që marrin qetësues për të fjetur gjumë dhe një inspektim të çuditshëm nga ana e Tatimeve, në të cilën inspektorët tatimorë “kishin parë diçka që nuk duhej të shihnin”.
Historiku i suksesit të kompanisë 5D Konstruksion buron sipas SPAK nga pozicioni publik i aksionerëve të fshehtë të saj. Kompania arrinte të fitonte tenderë të panumërt në institucionet e Bashkisë Tiranë, por nuk ishte në gjendje të fitonte tenderë në institucione të tjera publike nën varësi të zyrtarëve të tjerë socialistë.
Hetimi zbulon gjithashtu se paratë që besohet se iu vodhën shqiptarëve me tenderë të manipuluar u investuan në ndërtim pallatesh. Të dhënat e Qendrës Kombëtare të Biznesit tregojnë se pas vitit 2021, kompania nisi ndërtime në pesë objekte, kryesisht pallate banimi dhe një hotel në Durrës.
Në fakt, në lidhje me hotelin në Durrës, kompania u pajis edhe me statusin special të dhënë nga qeveria e kryeministrit Edi Rama, status që i fal kompanisë taksa dhe i ngarkon taksapaguesit me mbulimin e kostove të shërbimeve bazë si ujë, kanalizime, etj..
Hoteli në Durrës sjell në vëmendje kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili, në komunimimet private të punonjëses J.B., përshkruhet si asgjë më pak se njëri prej aksionerëve pas hotelit, i cili rezulton zyrtarisht në emrin e katër personave të tjerë.
“Këtë hotelin po e bëjmë ne,” thotë punonjësja e kompanisë. “Është aks. pronari jon… Lali eri… E kta.” [SIC]
Pyetur nga BIRN, një zëdhënës i Bashkisë dërgoi një koment nga kryetari Veliaj në të cilin, përshkrimi konsiderohet si absurd.
“Kjo është gjëja e tretë më absurde që kam dëgjuar për veten. Kampion mbetet ai që ka thënë se jam djali i Ahmadinexhadit, kurse në vend të dytë ai tipi poshtë dritares, që thoshte se kam bërë skemat piramidale të vitit ‘97, nga gjimnazi. Jo, nuk kam ASNJE lidhje me ndonjë hotel, as në Durrës, as në Tiranë, as në gjithë globin!”
Molla dhe Qato u deklaruan të pafajshëm para gjykatës të shtunën, në seancën e vleftësimit të masës së sigurisë të dhënë më herët pas dyerve të mbyllura nga GJKKO.
Elektricisti dhe bukëpjekësi
Biseda mes punonjëses së nxehur, J.B., dhe një mikut të saj në prill 2021 gjithsesi është një nga provat për të cilat prokuroria thotë se tregojnë pronësinë e drejtpërdrejtë të Qatos dhe Mollës mbi kompaninë 5D Konstruksion.
“Nga provat e administruara, të vlerësuar në raport me njëra-tjetrën, rezultojnë të dhëna që mbështesin faktin se shtetasit Redi Molla dhe Mariglen Qato janë personat që kontrollojnë dhe drejtojnë aktivitetin e shoqërisë tregtare, janë personat që marrin vetime për veprimtarinë e shoqërisë tregtare, për punësimin apo largimin e punonjësve, për pagat e punonjësve, janë persona që në disa raste kanë arkëtuar shuma monetare në shoqëri për veprimtarinë e saj të përditshme, janë persona që kanë marrë përfitime financiare nga aktiviteti tregtar i shoqërisë,” citohen prokurorët në vendimin e gjykatës.
Megjithatë, në letra kompania u regjistrua në vitin 2016 nga një elektricist nën emrin Igor Elektrik. Kompania fitoi tenderin e parë në maj 2016, as një muaj nga data e themelimit dhe autoriteti kontraktor ishte vetë Ujësjellës Kanalizime Tiranë SHA, kompani e drejtuar në atë kohë nga Redi Molla dhe ku kryetari i komisionit të prokurimit ishte Mariglen Qato.
Dyshes së pronarëve iu desh që të mbyllin sytë për të dhënë kontratën me vlerë 5 milionë lekë, pasi kompania e sapokrijuar nuk mundej të plotësonte kriteret më minimale të tenderimit, të tilla si pasja e mjeteve për të bërë punën apo pasja e një aktiviteti të mëparshëm. Prokuroria i ngarkoi Qatos edhe akuzën e mosdeklarimit të interesave private, pasi në formularin tip të procesit të prokurimit, deklaroi se “nuk ishte” në kushtet e konfliktit të interesit.
Prokuroria vëren gjithsesi se pavarësisht se ishte pronar i një kompanie që shpejt fitoi tenderë dhe bëri para të madhe, elektricisti gjatë të gjithë kohës vijonte të punonte me një nipt personi fizik, përmes të cilit paguante sigurime shoqërore për veten. Por fitimet nga tenderët duket se janë mjaftueshëm të bollshëm sa kompania, brenda pesë muajsh nga themelimi, zhvendosi zyrat, nga një apartament diku në periferi në rrugën Sitki Çiço, te qendra Kondor në rrugën “Babë Rexha” në Tiranë.
Në vitin 2016, viti i parë dhe i pjesshëm i aktivitetit, kompania realizoi të ardhura në masën 77 milionë lekë. Në vitin 2017, kompania realizoi të ardhura në masën 175 milionë lekë dhe fitime neto në masën 6.1 milionë lekë. Dhe pavarësisht se paratë ishin aty, prokurorët thonë se pronari fillestar shiti 75% të aksioneve të kompanisë përkundrejt çmimit 75 lekë (shlyer jashtë zyrës noteriale).
Blerësi, shtetasi Muhamet Petriti, rezulton se është një bukëpjekës në Tiranë. Sipas prokurorisë, ai merr rrogë dhe paguan sigurime shoqërore te një biznes furrë buke, nën pronësinë e së shoqes. Ai nuk rezulton të ketë kontroll real mbi kompaninë që ka nën pronësi. Administratori i kompanisë, Nestor Muhametllari nuk e ka numrin e tij, ndërsa në një rast kur i duhej, ia mori shtetasit Alfred Qato, vëllai i drejtorit të arrestuar Mariglen Qato. Në këtë rast, administratori porosit Alfred Qaton që “pronari” të shkojë të bëjë tërheqje në bankë ndërsa numri i komunikimeve mes pronarit dhe administratorit është jashtëzakonisht i vogël. Përkundrazi, prokuroria vëren se administratori ka mbi 1 mijë telefonata dhe thirrje të humbura me vëllezërit Qato.
Ortaku 1 dhe Ortaku 2
Prokuroria siguroi ato që duket se janë prova të forta se Molla dhe Qato, dy drejtorët e arrestuar, ishin pronarë de facto të kompanisë. Në dokumentet që i janë gjetur administratorit, përfshirë blloqet e shëbimeve, të dyve u referohet si Ortaku 1 dhe Ortaku 2 me llogari të hollësishme për të treguar se sa para ka marrë njëri dhe sa tjetri nga dividentët e fitimeve të kompanisë.
Një bllok shënimesh i sekuestruar në zyrë dhe një tjetër i sekuestruar në shtëpinë e administratorit tregojnë pronarët e vërtetë të kompanisë. Pastaj, dokumentet e sekuestruara në kompjuterin e financës së kompanisë i paraqesin drejtorët si njerëz që kanë përfitime apo pagesa të rregullta nga kompania.
“Rezulton fakti se Ortaku 1, ose ndryshe O1, që i referohen dokumenteve të gjetura në kompjuterat e sekuestruara të kompanisë është i njëjtë me person (R) që i referohet në shënimet e tij shtetasi Nestor Muhametllari, që është shtetasi Redi Molla,” vëren prokuroria. Në dokumentet e brendshme të kompanisë, shtetasit Mariglen Qato i referohen si (M) apo Ortaku 2.
Kompania 5D Konstruksion pati të ardhura në masën 22 milionë euro për periudhën nga themelimi deri në vitin 2022, viti i fundit për të cilin është depozituar bilanc në Qendrën Kombëtare të Biznesit.*
Discussion about this post