Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila rrëzoi kërkesën e tij lidhur me dënimin me një vit burg për dosjen “Babale”, duke deklaruar se do ta ndjekë çështjen në Gjykatën e Strasburgut.
Në reagimin e tij, ish-deputeti demokrat akuzon Kushtetuesen për zvarritje të çështjes për dy vite me radhë, duke pretenduar se kjo është bërë për ta mbajtur larg zgjedhjeve lokale.
Salianji e cilëson absurd arsyetimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila pranon se vendimi i Apelit ka ndërhyrë në lirinë e shprehjes, por vlerëson se kjo ndërhyrje ka qenë e ligjshme dhe proporcionale me qëllimin e ndjekur.
“Një logjikë që pranon cenimin e një të drejte, por përpiqet ta justifikojë atë me proporcionalitetin e ndëshkimit!”, shkruan Salianji.
Ai ngre gjithashtu akuza për presione dhe ndikime të paligjshme në sistemin e drejtësisë, duke argumentuar se pavarësia e gjyqësorit nuk mund të ekzistojë vetëm në letër.
“Sot nuk mbyllet beteja ime. Sot ajo merr një drejtim tjetër: Gjykatën e Strasburgut”, shprehet ish-deputeti, duke shtuar se askush nuk mund t’i kthejë ditët e burgut dhe mandatin e deputetit, të cilin pretendon se e ka humbur padrejtësisht.
Reagimi:
Gjykata Kushtetuese per 2 vjet me radhë e vonoi çështjen time. E paralajmërova se kjo do të ndodhte sepse duan të më mbajnë larg zgjedhjeve lokale, dhe zvarritja e deritanishme po pengonte ndjekjen e rrugës ligjore deri në Gjykatën e Strasburgut. Sot, më në fund, dhanë vendimin, edhe pse me arsyetimin absurd se “liria e shprehjes është cenuar, por masa është proporcionale”.
Një logjikë që pranon cenimin e një të drejte, por përpiqet ta justifikojë atë me proporcionalitetin e ndëshkimit! E kam thënë që në fillim: drejtësia nuk mund të jetë e pavarur vetëm në letër. Kur gjyqtarët u nënshtrohen presioneve, shantazheve apo ndikimeve të paligjshme, humb qytetari dhe fiton pushteti. Keshtu ndodh kur gjyqataret emerohen me cene, dikush spiun, dikush me video perverse e dikush tjeter me lidhje me grupet kriminale.
Sot nuk mbyllet beteja ime. Sot ajo merr një drejtim tjetër: Gjykatën e Strasburgut. Askush nuk m’i kthen ditët e burgut. Askush nuk m’i kthen mandatet e humbura padrejtësisht. Por unë nuk do të heq dorë nga e drejta për të kërkuar drejtësi dhe barazi para ligjit.
Sepse çështja ime nuk është vetëm personale. Është një betejë për këdo që guxon të flasë, të denoncojë dhe të luftojë për interesin publik, pa u kërcënuar nga pushteti dhe pa u ndëshkuar për fjalën e tij. Nuk kerkoj privilegje por drejtesi.
Dhe këtë betejë nuk e bëj për veten time, por për parimin se askush nuk duhet të jetë mbi ligjin dhe askush nuk duhet të ndëshkohet pse lufton për të vërtetën.









Discussion about this post