I dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se Uashingtoni qëndron me popullin e Kosovës, por shtoi se nuk mbështet një individ që “nuk ka instinkt bashkëpunimi” – duke aluduar te kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
“Ne po e shohim që po merren vendime, pavarësisht partneritetit tonë, dhe ky është sinjal për ne – ne nuk mund ta pranojmë këtë gjë. Prandaj, në një pikë, kur të duam ta rikthejmë koordinimin dhe partneritetin me këtë Qeveri, ne jemi të gatshëm, sepse ne gjithmonë do të jemi me popullin e Kosovës. Kjo nuk nënkupton që duhet ta mbështesim një individ që nuk e ka atë instinkt të bashkëpunimit dhe koordinimit”, tha Escobar gjatë një takimi me gazetarë në Ambasadën amerikane në Prishtinë.
Vizita e tij në Kosovë, së bashku me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, vjen në kohën e tensioneve të larta në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.
Situata e sigurisë atje është përkeqësuar qysh më 26 maj, kur kryetarët shqiptarë të komunave kanë marrë zyrtarisht detyrën, përkundër rezistencës së banorëve lokalë.
Zgjedhjet e 23 prillit, prej të cilave kanë dalë këta kryetarë, janë bojkotuar nga komuniteti serb.
Protestat që vazhdojnë në veri, kanë kulmuar në përleshje të dhunshme mes protestuesve serbë dhe ushtarëve të misionit të NATO-s, KFOR, në Zveçan, më 29 maj.
Me gjithë thirrjet e bashkësisë ndërkombëtare për të tërhequr policinë dhe kryetarët shqiptarë nga komunat në veri – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq – Qeveria e Kosovës, me në krye Albin Kurtin, nuk ka marrë ndonjë hap në atë drejtim.
Escobar dhe Lajçak takuan Kurtin dhe presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, në Prishtinë, ndërsa do të vazhdojnë vizitën e tyre në Beograd.
Kurti dhe Osmani kanë fajësuar “bandat kriminale”, të dirigjuara nga Serbia, për trazirat në veri, ndërsa Beogradi zyrtar e ka hedhur fajin te Qeveria e Kosovës.
I pyetur nëse raportet mes Qeverisë së Kosovës dhe SHBA-së janë dëmtuar, Escobar tha se “nuk bëhet fjalë vetëm për SHBA-në – është i tërë komuniteti transatlantik”.
“Ne i shohim gjërat njësoj, ne jemi mbështetës… Dhe, po, mund të ketë një ndikim afatgjatë”, tha Escobar.
Ai theksoi se raportet mes popullit të SHBA-së dhe Kosovës janë të forta dhe se “nuk do të ndryshojnë”, por Uashingtoni, shtoi ai, ka “disa sfida” në raportet dypalëshe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
“Ne do të vazhdojmë të jemi mbështetësi juaj më i fuqishëm në komunitetin ndërkombëtar”, tha Escobar.
Zyrtari i lartë amerikan tha se, pavarësisht sfidave në raportet me kryeministrin Kurti, “shpresojmë që njerëzit ta kuptojnë se vështirësitë tona të tanishme që kemi me kryeministrin, nuk do ta prekin këtë sentiment”.
Ai theksoi se moskoordinimi me SHBA-në për çështjen e kryetarëve të rinj të komunave në veri, do të ketë pasoja për Kosovën.
“Ne kemi thënë që të mos ndizen situatat që janë delikate dhe ka pasur këmbëngulje, duke përdorur forcën për të futur kryetarët e rinj në ndërtesat [komunale]. Jam në Qeverinë amerikane prej se kam qenë 19 vjeç, kam parë shumë qeveri amerikane që janë larguar nga ndërtesat për shkak të vërshimeve, zjarreve, uraganeve, COVID-it, por edhe protestave, dhe nuk kam parë që dikush ka vënë në pikëpyetje autoritetin e Qeverisë amerikane”.
“Prandaj, pse këto ndërtesa, pse nën këto kushte, pse pasi ne kemi kërkuar nga ta koordinim? Edhe pse ne qëndrojmë pas tyre, ata nuk pranojnë të koordinohen. Kjo na lë ne të kuptojmë se si na shohin ata neve si partnerë dhe kjo duhet të ketë pasoja”, tha Escobar.
Javën e kaluar, Kosova u përjashtua nga një stërvitje ndërkombëtare ushtarake, e udhëhequr nga SHBA-ja, për, siç u tha, moskoordinim me SHBA-në për dërgimin e kryetarëve të rinj në ndërtesat komunale në veri.
I pyetur për masa të tjera eventuale, që mund të ndërmerren kundër Kosovës, Escobar tha se “ne nuk mund të planifikojmë asgjë, por do të shohim se si do të veprojmë”.
“Do të jem shumë i sinqertë, SHBA-ja ka qenë mbështetësja juaj më e madhe dhe më dhemb të shoh që njerëzit mendojnë se ne, disi, po e drejtojmë raportin dhe angazhimin tonë me Kosovën për përfitime të Serbisë”, tha Escobar.
“Dua t’ua rikujtoj njerëzve: Serbia ishte kundër pavarësisë suaj më 2008 dhe ne vazhduam përpara. Ata [zyrtarët serbë], me vite të tëra, ishin kundër fushatës sonë për njohje [të Kosovës] dhe ne vazhduam përpara. Ishin kundër zgjedhjeve dhe ne i pamë ato si legjitime”, kujtoi Escobar.
Ai tha se mënyra për të lëvizur përpara, përkatësisht për të shtensionuar situatën në veri, është propozimi i BE-së që kryetarët e rinj shqiptarë të mos punojnë nga objektet komunale në kohën kur tensionet janë të larta, të mbahen zgjedhjet e reja lokale në këtë zonë dhe të zbatohet Marrëveshja drejt normalizimit të raporteve, që Kosova dhe Serbia e kanë arritur më herët gjatë këtij viti.
“Kjo do të thotë se ne duhet të shohim përpjekje reale nga Kosova që angazhohet për Asociacionin [e komunave me shumicë serbe]. Ne, po ashtu, duhet ta shohim Serbinë duke ndërmarrë hapa. Kjo duhet të bëhet tani. Ne duhet të pajtohemi për këtë sot dhe nesër, sepse të premten unë dhe Lajçak do të raportojmë te shefat tanë respektivë nëse kemi qenë të suksesshëm apo jo”, tha Escobar.
Nëse këto përpjekje dështojnë, “kjo do të dërgojë një sinjal të fuqishëm që Kosova nuk është e interesuar të koordinohet me ne. Mendoj se kjo do të ishte fatkeqe. Jo Kosova, por kryeministri”.
“Dua ta bëj shumë të qartë se ne shohim se kjo do të ketë ndikim në raporte, në terma afatgjatë. Por, veprimet e marra apo të pandërmarra mund të kenë disa pasoja që do të mund të ndikojnë në pjesë të raportit tonë. Por, për këtë pjesë nuk dua të flas”, tha Escobar.
Escobar tha se SHBA-ja është në koordinim me partnerët evropianë për të punuar që serbët të marrin pjesë në zgjedhjet e mundshme të reja në veri.
Ai tha se këtë mesazh do ta japë edhe në Beograd, ku bashkë me Lajçakun do të qëndrojnë mbrëmjen e së martës.
Escobar tha, po ashtu, se Rusia po përfiton nga kjo situatë në Kosovë, por theksoi se Rusia nuk është duke e drejtuar atë.
“Ky është dështim i lidershipit politik të të dyja palëve për të lëvizur përpara drejt pajtimit ndëretnik. Pikë”, u shpreh Escobar.
Asociacioni, “e vetmja zgjidhje për Kosovën”
Duke folur për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, Escobar tha se “nëse e ktheni prapa këtë marrëveshje, ktheheni vetë, duke marrë përsipër të gjitha pasojat që vijnë me këtë veprim”.
“Shpresojmë që të mos arrijmë te kjo, sepse përfitimet [nga zbatimi i Marrëveshjes për themelimin e Asociacionit] janë shumë të mëdha”, tha Escobar.
Zyrtari i lartë amerikan u pyet nëse Asociacioni duhet të krijohet para ose pas zgjedhjeve eventuale në veri, por ai tha se pjesën e zbatimit ia lë BE-së, e cila ndërmjetëson dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
“Qëndrimi ynë është që marrëveshja duhet të zbatohet menjëherë. Për Kosovën, e vetmja zgjidhje është Asociacioni. Do të ndodhë, por pyetja është se me kë dhe për sa kohë do të duhet të presim? Ne e dimë se si do të duhej të dukej Asociacioni, ne e dimë se si nuk do të duhej të dukej. Ne mund ta kemi statutin [e Asociacionit] për një ditë, nëse duam. Prandaj, nuk e kuptoj këtë vonesë”, tha ai.
Kosova ka refuzuar ta zbatojë Marrëveshjen për Asociacionin – të arritur me Serbinë në vitin 2013 – me arsyetimin se kompetencat e tij do të ndikonin negativisht në funksionalitetin e brendshëm të shtetit.
Por, sipas Escobarit, kur të themelohet Asociacioni, ai mund të shkojë te shtetet evropiane dhe t’iu thotë: “Ata [Kosova] kanë bërë gjithçka që kemi kërkuar, prandaj ne duhet të vazhdojmë përpara me përfitime më të mëdha për Kosovën. Tani, këtë nuk mund ta bëj, nëse Kosova nuk zbaton pjesën e vet të marrëveshjes”.
Sipas Escobarit, Asociacioni është një mënyrë “për ta çliruar veriun nga kontrolli i Serbisë dhe për ta vendosur atë pjesë nën kontrollin e Kosovës”.
Escobar tha se Kosova menjëherë duhet ta paraqesë draftin e ligjit që do të mundësonte jetësimin e Asociacionit.
“Është një ligj. Ata, thjesht, nuk e paraqesin”, tha zyrtari i lartë amerikan./REL
Discussion about this post