Faik Curri ka marrë shumicën e parave që shpërndan kryeministri Rama nëpërmjet Fondit Shqiptar të Zhvillimit për projektet e infrastrukturës turistike. Në këtë kuadër drejtori i FSHZH, Dritan Agolli për Currin e anon peshoren edhe sikur përballë të jenë 20 kompani. Për oligarkun shkelet barazia në tendera, sepse ligjet janë për më të dobëtit.
“Skualifikim i të gjithë operatorëve konkurrues përvec fituesit. Kusht: fituesi nuk është operatori me ofertën më të ulët”, kështu e klasifikon Open Data Albania tenderin e fundit të Agollit.

Bëhet fjalë për tenderin me objekt të gjerë “Investime për infrastrukturën e tregjeve, hapësirave tregtare, multifunksionale, rrugë tregtare në zona model zhvillimi, etj. Faza III Rajonet 1&2: Ndërhyrje për rritjen e ofertës turistike dhe për përmirësimin funksional dhe estetik të bregdetit, Bashkia Durrës”.
Fondi limit i cakuar për këtë projekt është 540,893,816 lekë pa TVSH. Dhe burimi i financimit është parashikuar në programet buxhetore të qeverisë për periudhën 2025-2027.
Data e Njoftimit të Tenderit, sipas dokumenteve ishte më 4 dhjetor 2025, ndërsa procedura është mbajtur më 22 dhjetor 2025, ku janë paraqitur 20 operatorë ekonomikë dhe bashkime kompanish.
Pas disa ditësh, operatorët janë njoftuar se 18 prej tyre janë skualifikuar, duke lënë mbi tryezën e Agollit vetëm zarfet e dy kompanive, ku njëra është “Curri” shpk, me pranar oligarkun e ndërtimit Faik Curri.
Më 14 janar 2026, Curri është shpallur fitues me ofertën 452,597,010 lekë pa TVSH. Por sic del nga dokumentet e prokurimit, kjo nuk ishte oferta më e ulët dhe më ekonomike.

Konkretisht “SHKELQIMI 07” shpk ka bërë ofertën më të ulët me vlerë 400,000,007 lekë pa tvsh.
Po ashtu, kompania “ALBA KONSTRUKSION” shpk ka bërë ofertën me vlerë 426,631,098 lekë pa tvsh.
Ndërsa “AGI KONS” sh.p.k, ka propozuar ta bëjë këtë punë me 419,164,402 lekë pa tvsh. Gjithashtu bashkimi i operatorëve ekonomik “T & XH” shpk & “2 T” shpk ka bërë ofertën me vlerë 449,147,650 lekë pa tvsh.
Edhe bashkimi i operatorëve “SENKA” shpk & “G.P.G COMPANY” shpk ka prezantuar ofertë më të ulët 448,921,105.50 lekë pa tvsh. Ndërsa “LIQENI VII” shpk & “ULZA” sh.p.k propozuan vlerën 431,745,088 lekë pa tvsh.
Në këtë linjë kompania e oligarkut tjetër, Pëllumb Salillari, “SALILLARI ” sh.p.k ka bërë ofertë më të ulët, 480,000,000.00 lekë pa tvsh
Kurse bashkimi i operatorëve “EURONDERTIMI 2000” sh.p.k & “MANE/S” sh.p.k ka bërë ofertën me vlerë 442,189,223.00 lekë pa tvsh. Edhe oferta e kompanisë “VELLEZERIT HYSA” sh.p.k është me vlerë më të ulët 445,005,762 lekë pa tvsh.
Akoma më poshtë është vlera e propozuar nga “RAFIN COMPANY” sh.p.k & “NDREGJONI” sh.p.k, 434,811,923.00 lekë pa tvsh. Në këtë nivel është edhe oferta e “ВАМІ HOLDING” sh.p.k me vlerë 445,005,762.32 lekë pa tvsh.
Po ashtu, “LIS KONSTRUKSION” shpk ka prezantuar ofertën me vlerë 450,046,687 lekë pa tvsh.
Ndër ofertat më të ulëta është edhe e bashkimit të operatorëve ekonomikë “PE – VLA – KU” sh.p.k, & “BIBA-X” sh.p.k. me vlerë 339,894,810.63 lekë pa tvsh. Në të nëjtin nivel është edhe “JUNIK” sh.p.k me vlerë 427,379,422.66 lekë pa tvsh.

Pavarësisht këtyre ofertave, Agolli nuk u tundua, por vazhdoi aty ku e kishte lënë me Faik Currin.
Projekti i shtrenjtë nuk është gjë tjetër vecse kozmetikë mbi investimet e viteve të kaluara, që i del boja pa u përuruar akoma. Beton, kangjella, ndonjë palma ose pishë sa për foto dhe avullojnë miliarda lekë. Projekti përfshin pjesën nga Kovalishenca deri tek Porti i Durrësit, me gjatesi 2.8 km. Qëllimi me sa duket është t’i jepet pak pamje investimit në pallate që po bën Alabbar nga Dubai.


Rama i bën video 3D shëtitores së Currit
Pa mbaruar akoma punimet, më 14 qershor 2023 kryeministri Rama e shiste këtë rrugicën në foton më poshtë për shetitore në Plazhin e Durrësit.

Kjo rrugicë që është vetëm 3 km e gjatë kishte marrë më parë paratë e bashkisë Durrës për kanalizime, asfaltim, ndricim dhe gjelbërim. Ndërsa më 15 korrik 2022 erdhi Faik Curri dhe arkëtoi paratë e tenderit të Dritan Agollit 416,606,400 lekë të reja pa TVSH. Pikërisht këtë xhevair e promovonte Edi Rama.
Ky tender përfshinte ndërtimin e shëtitores nga Ura e Dajlanit deri te Kavalishenca. Më konkretisht bëhet fjalë për kontratën me numër reference REF-34703-06-28-2022 dhe me objekt “Transformimi urban në hapësira publike kryesore (rajoni 1 dhe 2), ndërtimi i shëtitores së plazhit nga ura e dajlanit deri në godinën e kavalishencës”.
Dhe tani, i njëti projekt paketohet ndryshe, i vihet një emër më i gjatë, i shtohet fondi limit dhe sërish i jepet oligarkut të besuar Faik Curri. Ndryshon vetëm segmenti.
Curri në të njëjtën kohë merr shumë projekte, sepse kjo është metoda e FSHZH, për shpërndarjen e fondeve në pak duar tek bizesmenë të porositur nga lart, duke funksionuar si hinkë. Në këtë periudhë Currit i është dhënë edhe tenderi me objekt “Investime për transformimin e aseteve publike me potencial zhvillimi në modele të standardit më të lartë të zhvillimit, Loti 2 “Kompleksi i Dijes, Korçë”.
Duke parë vlerën e lartë të tenderit, 474,325,344 lekë (pa TVSH) janë paraqitur menjëherë 17 oferta të ndryshme. Dhe gjatë këtij muaji supozohej që komisioni i vlerësimit të ofertave të shqyrtonte me kujdes secilën prej tyre, por ka ndodhur e kundërta.
Më datë 13 dhjetor 2023, FSHZH ka shpallur fituesin, pasi i kishte skualifikuar të gjitha kompanitë e tjera. Open Data Albania evidenton se procesi nuk është zhvilluar sipas ligjit. Shihet se Dritan Agolli ka përjashtuar nga gara 16 ofertat dhe ja lënë mbi tavolinën e tij vetëm koktejlin e operatorëve “XHENGO SHPK” – “CURRI” sh.p.k, me propozimin 3.5 miliardë lekë.

Dhe pa mbaruar këto punë, Curri është thirrur për një tender tjetër të Fondit Shqiptar të Zhvillimit me objekt “Ndërhyrje në infrastrukturën turistike të aventurës, Zip line, ura të varura, Via ferrata, parqe aventure, etj.”.

Vlera e kontratës, sipas dokumenteve, është 173,403,831 lekë me TVSH. Qëllimi i këtij investimi është hartimi i projektit sipas fazave, nxjerrja e lejeve përkatëse, realizimi i punimeve të ndërtimit dhe dorëzimi i objektit të përfunduar me “çelësa në dorë”. Deri tani asnjë celës nuk është dorëzuar!
Agolli e publikoi hapjen e tenderit më 12 shkurt 2025 ndërsa data e dorëzimit të ofertave ishte më 28 shkurt 2025.
“Curri” shpk nuk e meritonte ta fitonte këtë tender sepse kishte oferta më të ulëta. Në këtë procedurë ishin 5 pjesëmarrës, por e gjitha duket se është formale, pasi fituesi është vendosur jashtë komisionit.
Projekti përbëhet nga 8 Zip Line dhe 2 Via Ferrata të shpërndara në disa bashki. Më konkretisht, do të ndërtohen kavo për të rrëshqitur nga një lartësi dhe kavo për alpinizëm në shtigje malore.
Në listën e objekteve të dëshirave të Agollit janë: Ndërtim i Zip Line në kullën 360° në parkun kombëtar të Divjakës; në liqenin e Roshnikut, Berat; në kullën panoramike mbi liqenin e qytetit të Belshit, në liqenin e Grekanit, në Belsh; në liqenin e Funarit, Elbasan; në liqenin e Gjelbër, në fshatin Lalëz, Durrës; në Margegaj, Bajram Curri; në Voskopojë. Po ashtu do të shtrihet Via Ferrata në Buronjat e Kuçit, Nj. Administrative Horë – Vranisht dhe në kanionin e Gjipes, Bashkia Himarë.
Hetimi i SPAK
Kujtojmë se drejtori i FSHZH, Dritan Agolli, është pronar i një kompanie e quajtur ‘Magnum Opus’ group me objekt studime në nivel strategjik, menaxherial, operacional, analiza, vrojtime, sondazhe, konsulencë, shërbime administrative etj.
Kompania rezulton që ka marrë para publike. Agolli ka siguruar para publike përmes nënkontraktimeve dhe kompaninë që u ka dhënë tendera publik.
Ka një marrëdhënie që kreu i FSHZH ka kryer me kompani private, me të cilët i ka lidhur interesi.
Një vit pasi Agolli është emëruar në krye të FSHZH, i biri i tij deklaron se gjyshi i ka dhuruar një shtëpi me sipërfaqe gati 1550 metra/katror, ndërsa Agolli ka deklaruar në institucionin kundër pastrimit të parave se ka shitur një apartament 360 mijë euro, ndërkohë që vlera e tij ka qenë gjysmë për gjysmë në kohën e blerjes.
Me këtë lëvizje ka justifikuar blerjet e apartamenteve dhe garazheve ku ai jeton dhe i ka pronë të tij. Bëhet fjalë edhe për një shumë që do t’ia kalonte biznesit të djalit të tij, 400 mijë euro.
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.










Discussion about this post