Lufta për pronësinë e 38.6 mijë metrave tokë tek ish Shkolla e Partisë tashmë është shtrirë edhe brenda skalioneve të pushtetit. Një shoqëri e zotëruar në masën 45 për qind nga familja e ministres së financave ka sulmuar si të paligjshme në gjykatën administrative një leje ndërtimi të firmosur nga kryeministri Edi Rama.
Në padi, AL.P.IN sh.a kërkon shpalljen e e pavlefshme të lejes, pasi sipas saj është dhënë në kundërshtim me ligjin pa u sqaruar më parë pronësia e tokës. Veç KKT-së, kompania e familjarëve të Delina Ibrahimajt ka paditur në gjykatë edhe Avokaturën e Shtetit, Agjencinë Shtetërore të Kadastrës, shoqërinë Ferlut sh.a si dhe kompaninë Nova Construction. Kompania thotë se institucionet e mësipërme shtetërore kanë shkelur ligjin duke dëmtuar interesat e saj.
KKT është një institucion, që funksionon pranë Këshillit të Ministrave. Kreu i saj është vetë kryeministri. Madje pjesë e KKT-së është edhe një anëtar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, që në shumicën e rasteve vetë ministrja.
Luftë pushteti
Padia e shoqërisë AL.P.IN sha është dorëzuar në gjykatë në datën 13 qershor. Objekti i saj është që fillimisht të pezullohet menjëherë leja e ndërtimit të dhënë mbi truallin objekt konflikti deri në gjykimin e çështjes. Më pas kërkohet shfuqizimi i përfitimit të tokës përmes legalizimit nga shoqëria Ferlut sh.a si dhe shfuqizimi i lejes së ndërtimit.
Vetëm dy ditë pas dorëzimit të padisë, Gjykata ka lëshuar fletëthirrje për palët, madje duke e caktuar seancën në datën 19 qershor. Pra gjithçka në më pak se një javë. Një shpejtësi rrufe, kur në dyert e gjykatave shqiptare qytetarët presin me vite të tëra për të marrë drejtësi.
Një muaj më parë, AL.P.IN tentoi ta bllokonte lejen në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës përmes një vendimi të shkurtuar të Gjykatës së Lartë. Por pasi institucioni i drejtuar nga Dallëndyshe Bici e refuzoi, familjarët e ministres së Financave kanë vendosur të sulmojnë drejtëpërdrejtë në gjykatë lejen e firmosur nga kryeministri.
Kjo është hera e parë, kur një vendim i një organi ekzekutiv me firmën e kryeministrit sulmohet si i paligjshëm nga familjarët e një anëtari të qeverisë. Dhe arsyeja janë paratë. Vlera e 38.6 mijë metrave tokë tek ish shkolla e partisë llogaritet në dhjetra milionë euro. Kaq shumë para përligjin edhe luftën brenda qeverisë.
Konflikti
Saga e konfliktit për pronësinë e tokës tek ish Shkolla e Partisë nis në vitin 1993, kur qeveria e atëhershme vendosi që sipërfaqen prej 38.6 mijë metra tokë shtetërore dhe disa objekte që gjendeshin aty, t’i përdorte si kapital për të formuar shoqërinë e përbashkët Tirana Trade Center në ortakëri me një kompani italiane. Kompania italiane e quajtur GGIF Investments kontriboi me 49.9 milionë lekë dhe mori 55 për qind të aksioneve, ndërsa shteti shqiptar vendosi si kapital objektet dhe përdorimin e tokës duke marrë 45 për qind të aksioneve.
Në atë kohë ligji e ndalonte shitjen e tokës tek të huajt, ndaj toka u dha vetëm në përdorim. Por gjithçka do të ndryshonte disa vite më vonë, kur qeveria nisi privatizimin e ndërmarrjeve me kapital të përbashkët shtetëror.
Në gusht të vitit 2005, pasi kishte humbur zgjedhjet, qeveria socialiste e privatizoi pjesën shtetërore në shoqërinë Tirana Trade Center për 100 milionë lekë tek kompania italiane. Brenda vlerës 100 milionë lekë përfshiheshin objektet dhe toka. Kjo e fundit u shit me çmimin 2 mijë lekë për metër katrorë.
Mbi këtë çështje më vonë pati një hetim penal. Prokuroria konstatoi se hipoteka dhe Ministria e Ekonomisë kishin kryer vepër penale duke e shitur tokën 5 herë më lirë se vlera reale e saj. Në dosjen hetimore prokurori shkroi se ekziston vepra e qartë penale, por për shkak të tejkalimit të afateve ajo është parashkruar dhe çështja u pushua.
Vetëm përmes uljes së çmimit të tokës, shtetit iu shkaktua një dëm prej 300 milionë lekësh. Por pronarët realë që po tjetërsonin truallin me çmim kaq të lirë nuk ishin italianët. Një muaj pasi e bleu pjesën shtetërore të kuotave për 100 milionë lekë, ortaku italian ja shiti shoqërinë Tirana Trade Center për 127 milionë lekë kompanisë AL.P.IN sha, që zotërohet 55 për qind nga Astrit Kuçani dhe 45 për qind nga familja e ministres së financave.
Por brenda truallit prej 38.6 mijë metra katrorë gjendeshin dhe biznese të tjera, të cilat kishin privatizuar dhe ato objekte ekzistuese nga shteti. Njëri prej tyre ishte Ferlut sha, që kishte privatizuar godinën e ish shkollës së ushqimit social në Laprakë bashkë me 4 mijë metër tokë.
Beteja ligjore
Mes Ferlut dhe AL.P.IN është zhvilluar një betejë e gjatë gjyqësore për pronësinë sipërfaqes 4 mijë metra. Në vitin 2013, Gjykata e Shkallës së Parë vendosi t’i japë të drejtë familjarëve të ministres së Financave duke ja njohur pronësinë shoqërisë AL.P.IN. Por Ferlut e apeloi vendimin.
Një vit më vonë, Gjykata e Apelit vendosi t’i zhveshë të dyja kompanitë nga pronësia duke ja rikthyer shtetit, jo vetëm pjesën 4 mijë metër që ishte objekt konflikti mes dy palëve, por të gjithë sipërfaqen prej 38.6 mijë metrash. Sipas Apelit, toka ishte privatizuar në mënyrë të paligjshme për shkak se ajo ishte vendosur në shteti nuk e kishte vendosur tokën si kapital, por vetëm përdorimin e saj, ndaj ajo nuk mund të ishte pjesë e shitjes së kuotave. Pas këtij vendimi të formës së prerë e gjithë sipërfaqja 38.6 mijë metra u rikthye në pronësi të shtetit.
PNë vitin 2021 shoqëria Ferlut e bleu pjesën që pretendonte prej 4 mijë metrash nga shteti për një çmim prej 124 milionë lekësh përmes procedurës së legazimit të një ndërtimi pa leje që kishte ndërtuar aty gjatë viteve 96-97. Dhe pasi mori dokumentin e pronësisë vendosi ta jepte atë për zhvillim duke lidhur një kontratë me shoqërinë Nova Construction. Vitin e kaluar, KKT miratoi lejen e ndërtimit.
Por konflikti do të rihapej përsëri disa muaj më parë, kur një vendim kontrovers i Gjykatës së Lartë vendosi të prishë vendimin e Apelit të vitit 2014 duke lënë në fuqi atë të shkallës së parë. Me pak fjalë, Gjykata e Lartë ia mori tokën shtetit duke ja kthyer familjarëve të ministres së financave dhe ortakut të tyre Astrit Kuçani.
Dikur ajo tokë ishte publike dhe përmes korrupsionit u tjetërsua me një çmim thuajse të falur. Atëherë qytetarët nuk përfituan asgjë. Por tani atyre u kanoset një tjetër rrezik i madh. Të paguajnë miliarda lekë të tjera për të kompesuar palët, që pretendojnë pronësinë e tokës në sajë të vendimeve korruptive të zyrtarëve të shtetit./Oligarkia.al
Discussion about this post