Fatime Kryemadhi, nëna e Monika Kryemadhit, i ka kërkuar Gjykatës së Posaçme shpalljen e pafajësisë për akuzën e pastrimit të parave, si dhe rrëzimin e kërkesës së SPAK për konfiskimin e vilës së saj në Kodrën e Diellit.
Në konkluzionet përfundimtare prej 81 faqesh, avokatet e saj, Flutura Kona dhe Esmeralda Rama, kundërshtojnë pretendimet e Prokurorisë së Posaçme për origjinën e paligjshme të fondeve të përdorura për blerjen e apartamenteve, shlyerjen e kredive bankare dhe përfitimin e pasurive të paluajtshme.
Një nga çështjet e kundërshtuara është shuma prej 846 mijë eurosh, të cilën SPAK e konsideron të pajustifikuar dhe e lidh me transaksionet financiare të familjes Meta-Kryemadhi. Sipas mbrojtjes, Prokuroria nuk ka identifikuar konkretisht veprimet financiare që përbëjnë këtë shumë, burimin e secilit transaksion dhe dijeninë e Fatime Kryemadhit për një origjinë të mundshme kriminale të parave.
Avokatet kundërshtojnë gjithashtu lidhjen që SPAK vendos mes pasurive dhe çështjes CEZ-DIA. Ato i referohen një mesazhi të datës 22 qershor 2009, ku përmendet shuma “200 mijë”, duke argumentuar se nuk përcaktohet monedha dhe se nuk ka prova që paratë janë paguar nga Kastriot Ismailaj, janë përfituar nga Ilir Meta apo i janë kaluar Fatime Kryemadhit.
Një tjetër argument i mbrojtjes lidhet me blerjen e apartamenteve në rrugën “Vaso Pasha”, në Tiranë. Sipas avokateve, transaksionet janë kryer në mars të vitit 2010, përpara themelimit dhe regjistrimit të kompanisë DIA dhe marrëveshjeve të saj me CEZ-in.
Transfertat dhe kreditë bankare
Në konkluzione trajtohen edhe 138 mijë eurot që Fatime Kryemadhi i ka kaluar vajzës së saj, Monika Kryemadhit, gjatë vitit 2009. Sipas SPAK, shuma është transferuar në tri këste: 21 mijë, 70 mijë dhe 47 mijë euro.
Nga kjo vlerë, Prokuroria njeh si të justifikuara 100 mijë euro, me burim kompaninë AGI KONS, ndërsa konteston 38 mijë eurot e mbetura. Sipas përllogaritjes së akuzës, kësaj diference i shtohen edhe 75 mijë euro të ardhura nga qiraja për një periudhë 25-mujore, duke e çuar mungesën e pretenduar të burimeve të ligjshme në rreth 113 mijë euro.
Mbrojtja kundërshton këtë përllogaritje dhe kërkon verifikimin e pagesave reale të qirasë, transfertave bankare dhe burimeve financiare të deklaruara.
Një tjetër çështje është kredia prej 335 mijë eurosh, e marrë në mars të vitit 2010. Sipas SPAK, prej saj janë transferuar 100 mijë euro për apartamentin e Monika Kryemadhit, ndërsa janë tërhequr edhe 200 mijë dhe 34.500 euro.
Prokuroria pretendon se këto dy shuma janë marrë nga Mirvjen Nino si pagesa shtesë për apartamentin. Por avokatet kundërshtojnë këtë version, duke argumentuar se 200 mijë eurot janë tërhequr nga vetë Fatime Kryemadhi dhe se mandatet bankare të përdorura nga akuza duhet të verifikohen.
Mbrojtja ka kundërshtuar edhe ekspertimin financiar të SPAK, me pretendimin se nuk janë marrë parasysh të gjitha dokumentet bankare, kontratat noteriale dhe burimet e të ardhurave të paraqitura prej saj. Sipas avokateve, analiza financiare duhet të përfshijë edhe periudhën përpara vitit 2003.
Kundërshtimet për vilën në Kodrën e Diellit
Një pjesë e rëndësishme e konkluzioneve i kushtohet vilës në Kodrën e Diellit, për të cilën SPAK kërkon konfiskimin përfundimtar.
Sipas mbrojtjes, prona është përfituar përmes një kontrate shkëmbimi me kompaninë AGI KONS, së cilës Fatime Kryemadhi i ka kaluar dy njësi dhe një garazh. SPAK kërkon konfiskimin e vilës si pasuri me vlerë ekuivalente me produktin e pretenduar të veprës penale, duke e vlerësuar atë rreth 186.945 euro.
Avokatet argumentojnë se nuk është provuar lidhja mes kësaj pasurie dhe fondeve që Prokuroria i konsideron me origjinë kriminale. Në mbështetje të pretendimeve të tyre, ato i referohen edhe një vendimi të Gjykatës së Posaçme të Apelit, të datës 17 dhjetor 2024, përmes të cilit ishte hequr sekuestroja preventive e vendosur më herët mbi vilën.
Në konkluzione theksohet se Fatime Kryemadhi është pensioniste dhe se, sipas mbrojtjes, vila përbën të vetmen pasuri të paluajtshme në pronësi të saj. Për këtë arsye, avokatet kërkojnë që gjykata të marrë parasysh edhe pasojat ekonomike që do të sillte konfiskimi.
Mbrojtja ka kundërshtuar gjithashtu veçimin e çështjes së Fatime Kryemadhit nga ajo e Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit. Sipas saj, transaksionet dhe provat financiare janë të ndërlidhura dhe duhet të vlerësohen në tërësi, pa paragjykuar përgjegjësinë e personave që po gjykohen veçmas.









Discussion about this post