Eksperti i zhvillimit rural, Fatos Fico, thotë se jemi me fat që kemi kulturën e ullirit, pasi është një kulturë që përveç vajit të ullirit ka dhe produkte të tjera dhe ka një vlerë të shtuar të lartë.
Duke folur në emisionin MCN Economy, ai deklaroi se ulliri nuk kërkon toka shumë produktive, pasi mund të bëhet në kodra, në fusha që nuk janë të përshtatshme për kultura të tjera intensive dhe jemi me fat që mund të kultivojmë dhe prodhojmë në sasi të mëdha.
Prodhimi ka qenë pothuajse primitiv, ka pasur punishte të prodhimit të ullirit. Vaji më i mirë, edhe nga ekspertët quhej vaji i këmbëve, por realisht është vaji më i keq i mundshëm.
Por e kemi tejkaluar tashmë se kemi një numër të madh fabrikash të mira. Varietetet e vendit zënë peshë dhe i kanë rezultuar kohës dhe klimës, fermerët janë të kënaqur me varietetet e vendit.
Për kushtet e vendit tonë varietetet janë mjaft të mira.
Fico deklaroi se tashmë është problem prej krizës së fuqisë punëtore dhe se kostot ndryshojnë vazhdimisht dhe se pritet që fermat të rriten në sipërfaqe, të ketë pika përpunimi, duke reduktuar fermerët e vegjël.
Sipas tij, deri më tani kanë mbijetuar fermerët e vegjël, por se me kalimin e kohës do të shkojnë drejt zmadhimit dhe specializimit.
Ata mund të mbledhin ullirin kokërr dhe vajin do e shesin fabrikat. Ndërsa aktualisht bëjnë dhe vjeljen e ullirit dhe shitjen e vajit. Përqindja që zënë fabrikat është ende shumë e ulët.
Besoj se roli i fabrikave do të rritet dhe roli i fermerëve të vegjël do të bjerë. Nëse fermerët do të bashkojnë forcat, atëherë ka më shumë shanse.
Ky numër kaq i madh i fermerëve që shkojnë me thasë në fabrika dhe tentojnë të shesin vajin në rrugë apo me telefon, do jetë shumë e vogël.
Fico tha se kemi teknologji të fundit, italiane në shumë fabrika përpunimi në Shqipëri, ndërsa në Greqi ka parë teknologji të vjetra dhe nuk i preferonin të rejat.
Por sipas tij, është e provuar shkencërisht se teknologjia sa më e re të jetë, aq më i mirë del vaji.
Në të gjitha analizat që janë bërë, nuk gjendjet kush është hallka e dobët. Por hallka më e dobët te ulliri, është ruajtja e vajit të ullirit.
Duhet në depozita inoksi dhe xingato për ta ruajtur si produkt. Mund të ruhet deri në dy vjet nëse ruhet siç duhet, edhe pas dy vitesh mund të konsumohet, por nuk është më ekstra i virgjër.
Shqipëria dyndet me vaj ulliri të lirë i cili vjen nga Greqia. Është një sasi shumë e madhe vaji që konkurron atë vendas, se iu duket më i sigurtë dhe i lirë, edhe pse mendoj se nuk është më i mirë se vaji ynë.
Një nga problemet që ka Greqia por që do e kemi dhe ne, ka problem të madh eksportin se nuk arrin të marrin vlerën e shtuar të prodhimit.
Ajo që arrin të marrë të plotë vlerën e shtuar të prodhimit të vajit është Italia. Lidhet me kulturën, traditën, në Itali është kulturë që ekziston që në kohën e romakëve. Italia e ka kulturë vajin e ullirit.
Në doganat italiane ka një panel test, jo vetëm analizat fizike por dhe sensoriale, qoftë për vajin që eksportohet por dhe me atë që importohet, kështu që ti merr garanci që është vaj ekstra i virgjër.
Ne nuk i kemi këto. Vaji i ëmbël nuk është cilësor, vaji ekstra i virgjër duhet të djegë. Nuk mund të jetë i ëmbël dhe të jetë i mirë./MCN
Discussion about this post