Besimtarët myslimanë pas një muaji agjërimi e sakrificash shpirtërore, festojnë sot festën e Fitër Bajramit.
Në Tiranë besimtarët u mblodhën në “Sheshin Skënderbej” për faljen e madhe në Tiranë. Ceremonia nisi në orën 06:45 me leximin e Kuranit dhe ligjëratën dhe më pas vijoi me faljen e madhe në shesh.
Kreu i Komunitetit Mysliman, Bujar Spahiu mes të tjerash në fjalën e tij uroi të gjithë besimtarët anëmbanë dhe gjithashtu që “Zoti t’u kishte pranuar agjërimin dhe t’i ndihmonte në përballimin e sfidave të jetës”.
“Kjo ditë sot na gjen me zemra të mbushura dhe sakrifica jonë është pranuar. Jetojmë në një epokë ku vlerat e familjes po lëkunden dhe njeriu matet me atë që ka. Kjo ditë është një urë mes asaj që kemi mësuar në Ramazan dhe atë që do të bëjmë pas tij. Bajrami na kujton unitetin, mëshirën dhe drejtësinë, ne jemi një komb”, tha kreu i KMSH mes të tjerash në fjalën e tij me rastin e kësaj feste, para mijëra besimtarëve.
Ndërsa po ashtu kjo festë e shenjtë është festuar në gjithë Shqipërinë.
Vlorë, ceremonia e Fitër Bajramit u zhvillua në Pallatin e Sportit
Në Vlorë, besimtarët, të shumtë në numër, u mblodhën për të kryer faljen e kësaj feste të bekuar. Për shkak të mbylljes të Xhamisë së Plumbit për shkak të dëmtimeve që pësoi nga përmbytja e fundit ceremonia u zhvillua në Pallatin e Sportit, i cili u mbush plot me besimtarë të devotshëm.
Ceremonia nisi me leximin e Kuranit, duke sjellë qetësi dhe reflektim te të pranishmit. Më pas, besimtarët u bashkuan në faljen e namazit, duke e kthyer këtë moment në një shenjë bashkimi dhe devotshmërie. Myftiu i Vlorës, Ardit Hoxhlleku, mbajti një fjalim duke falënderuar komunitetin për përkushtimin e tyre në këtë muaj të shenjtë. Ai përcolli mesazhin e paqes dhe harmonisë, duke theksuar rëndësinë e vlerave familjare dhe solidaritetit.
Pas faljes, besimtarët shkëmbyen përqafime dhe urime të përzemërta, duke e bërë këtë ditë edhe më të veçantë. Në fund, një koncert i organizuar nga Myftinia solli gëzim për të vegjlit, duke e përmbyllur këtë festë me hare dhe shpresë për ditë më të mira.
Fitër Bajramit në Fier, myftiu lutet për më shumë respekt e dashuri
Po ashtu edhe besimtarët muslimanë fierakë kanë falur mëngjesin e sotëm namazin e Fiter Bajramit në xhaminë e qytetit pas një muaji agjërimi.
Besimtarët e të gjitha grupmoshave janë falur për mirësi shëndet dhe fat në familjet e tyre.
Ceremonisë së faljes i parapriu me fjalën e tij myftiu i Fierit Mikel Hazizolli, i cili përcolli mesazhin për më shumë respekt e dashuri ndaj njëri – tjetrit, dhe për më tepër besim duke e konsideruar njeriun si pasurinë më të madhe që ka krijuar Zoti.
Ceremonia u mbyll me lutje të përbashkët ku besimtarët e shumtë kanë shkëmbyer me njëri- tjetrin mesazhin e paqes dhe begatisë në cdo familje.
Besimtarët myslimanë falen Namazin në sheshin qendror të Lushnjes
Besimtarët myslimanë kanë falur Namazin e Fiter Bajramit pas muajit të agjërimit.
Në Lushnje, qindra besimtarë kanë falur Namazin në sheshin qëndror të qytetit.
Faljen e namazit e drejtoi imami i xhamisë Lushnje Alban Puka.
Pas faljes, Myftiu i Lushnjes Gramoz Blliku mbajti fjalën e rastit si dhe uroi besimtarët për begati paqe e lumturi në familjet e tyre dhe Zoti jua pranoftë lutjet.
Shkodër, myftiu i qytetit: Të parandalojmë të keqen në familjet dhe shoqëritë tona
Mesazhin e tij në festën e Fitër Bajramit, myftiu i Shkodrës e kishte për të rinjtë. Imam Muhamed Sytari kërkoi pendim të sinqertë tek Zoti. Ai tha se mëshira e Zotit është më e madhe se gjynahet tona. Myftiu i Shkodrës theksoi se duhet të parandalojmë të keqen në familjet dhe shoqëritë tona, si edhe kërkoi distancim nga haramet.
Një mesazh e kishte edhe për Gazën, ku tha se zullumi nuk e ka jetën e gjatë, pasi Zoti sheh gjithçka.
Falja e namazit të Fitër Bajramit u organizua në xhamitë e qytetit të Shkodrës.
Besimtarët mysliman në Kukës falen në shi
Qindra besimtarët mysliman në Kukës falën namazin e Fitër Bajramit në xhaminë kryesore të qytetit.
Pas faljes së Fitër Bajramit besimtarët përcollën urimet më të mira për këtë ditë të shënuar të besimit islam, duke kërkuar edhe zgjerimin e xhamisë.Ndërsa myftiu i qytetit Emirjon Vathaj tha se kjo ditë shënon një nga ditët më të bukura të kalendarit islam.
Bashkia Kukës ka numrin më të madhë të besimtarëve mysliman në vend, ku 97% e popullësisë i takojnë besimit islam.
Elbasan/ Mijëra besimtarë në Elbasan falën Fiter Bajramin, ditën më të rëndësishme në kalendarin islam. Ligjërata publike u mbajt nga myftiu Agim Duka i cili përpos urimit të kësaj ditë, në këtë vit zgjedhor bëri apel për ndershmërinë e votës dhe mos shitjes e saj.
“Vota është amanet. Zgjedhjet janë një festë demokratike, një shprehje e vullnetit të popullit dhe duhet të jenë të pastra nga çdo ndotje. Le të orientohemi nga virtyti dhe përgjegjësia, të mos e shesim vullnetin tonë, të mos e blejmë ndërgjegjen e tjetrit. Të mos lejojmë që lista dhe përfaqësimi të matrapazohen, por të jenë në shërbim të së mirës së përbashkët”, tha ai.
Pas faljes së Fiter Bajramit komuniteti mysliman hap dyert e pritjes ku nuk mungojnë urimet nga përfaqësues të besimeve të tjera fetare si shembulli më i bukur i bashkëjetesës fetare.
Bulqizë/ Ashtu si në të gjithë vendin edhe në Bulqizë pas përfundimit të muajit të madhërishëm të Ramazanit, qindra besimtarë myslimanë të rrethit të Bulqizës, mëngjesin e sotëm kanë kryer ritin e faljes së Fiter Bajramit.
Riti i faljes u drejtua nga Myftiu i xhamisë së Bulqizës Sejdin Strazimiri. Në fjalën e tij Strazimiri u shpreh se “sot është dita në të cilën festojmë, dhe se nuk ka Zot tjetër veç Allahut dhe se Muhamedi është i dërguari i Tij”.
“Duhet të përmisojmë veten tonë dhe se kjo ditë kjo ditë është dita e shpërblimit për të gjithë ata që e respektuan dhe e mbajtën këtë muaj të Ramazanit. Por që të jesh i mirë nuk është vetëm agjërimi, por të besh mirësi gjithë vitin. Është dita ku duhet t’i lëmë mëritë dhe idhnitë ndaj njëri-tjetrit, është dita ku duhet të shtrim dorën e pajtimit pasi kohët e fundit ka ftohësi mes njerëz”, tha ai në mesazhin e tij.
Durrës/ Mijëra besimtarë myslimanë të Durrësit, ashtu si në mbarë botën, festojnë sot Bajramin e Madh. Namazi i Fiter Bajramit u fal në xhaminë e madhe të qytetit dhe sheshin para saj, si dhe në xhamitë e tjera të Durrësit, ku besimtarët u mblodhën për të kryer këtë rit të rëndësishëm fetar.
Imam Ervin Qylafku përcolli mesazhet e kësaj dite festive për të gjithë besimtarët duke uruar që Allahu të ua ketë pranuar agjërimin, lutjet dhe veprat e mira gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit.
Pas faljes, besimtarët shkëmbyen urime, duke shpresuar për mëshirë, begati dhe pranim të agjërimit e sakrificave nga Zoti. Gjatë ditës, besimtarët vijojnë traditën e vizitave dhe urimeve të ndërsjella, duke e kthyer këtë festë në një moment bashkimi dhe gëzimi familjar.
Korçë/ Edhe në Korçë besimtarët myslimanë kanë falur Namazin në xhaminë Iljaz Bej Mirahori. Pas agjërimit, një muaji sakrifice për ta, besimtarët janë falur në sheshin para xhamisë ndërsa myftiu i Korçës ka përcjellë urimin e tij
Edhe besimtarët kanë uruar ditën sotme. Pas faljes së namazit, Fitër Bajrami festohet nga besimtarët në familjet e tyre por edhe në ambiente të përbashkëta sipas traditës ndërsa është një prej ditëve më të rëndësishme për të uruar paqe dhe dashuri.
Peshkopi/ Besimtarët e Peshkopisë falin Fitër Bajramin në stadiumin “Korabi”. Mijëra besimtarë myslimanë në Peshkopi u mblodhën sot në stadiumin “Korabi” për të falur namazin e Fitër Bajramit, duke e kthyer këtë në një traditë të rëndësishme fetare dhe shoqërore për qytetin.
Ceremonia nisi që në orët e para të mëngjesit me leximin e ajeteve kuranore dhe këshilla fetare mbi rëndësinë e solidaritetit dhe faljes. Imami i qytetit, në fjalën e tij, uroi besimtarët për këtë ditë të shënuar dhe theksoi vlerat e devotshmërisë dhe mëshirës pas një muaji të përkushtimit gjatë Ramazanit.
Fitër Bajrami në Peshkopi shënon jo vetëm fundin e agjërimit, por edhe një moment reflektimi dhe bashkimi mes besimtarëve, të cilët përpiqen të ndihmojnë më të varfrit dhe të kontribuojnë për një shoqëri më të mirë.
Lezhë/ Me dhjetëra besimtarë myslimanë janë mbledhur mëngjesin e sotëm në xhaminë e qytetit të Lezhës për të kryer faljen e Namazit, duke shënuar kështu fillimin e festës së Fiter Bajramit. Pas një muaji agjërimi, kjo ditë simbolizon falënderimin, solidaritetin dhe gëzimin mes besimtarëve.
Myftiu i Lezhës, Sadetin Kotrri, në fjalën e tij uroi të gjithë besimtarët dhe i ftoi ata që të jenë shembull i mirësisë dhe dashurisë për njëri-tjetrin. Besimtarët që morën pjesë në faljen e mëngjesit shprehën gëzimin e tyre për këtë ditë të shenjtë, duke përcjellë urimet më të mira për të gjithë myslimanët kudo që ndodhen.
Discussion about this post