“Shqipëria në tym dhe flakë”, kështu e ka titulluar një reagim të tijin në rrjete sociale nënkryetari i LSI, Luan Rama, përmes një postimi në rrjete sociale.
Ai thekson se në një situatë të tillë nuk ndodhet vetëm Shqipëria, por edhe vendet e tjera të Rajonit. Mirëpo sipas tij, situata e zjarreve e ka gjetur të papërgatitur vendin.
Rama sugjeron që qeveria duhej të ishte mbledhur dhe të programonte një agjendë në mënyrë që t’i paraprihej situatës që ndodhemi aktualisht. Ai thotë se për neutralizimin e flakëve duhen mjete, të cilat sipas tij ndodhen me pakicë në vend.
Postimi i plotë:
TYM DHE FLAKË
Zjarre gjithkund; të qëllimtë e prej pakujdesisë, nga inati për konflikte kullotash apo edhe spontanisht prej temperaturave të larta të sezonit.
Shqipëria në tym dhe flakë.
Por nuk është vetëm vendi ynë në këtë situatë. Zjarret kanë pushtuar edhe vendet fqinjë. Turqia, Greqia dhe Italia po digjen në masë, ashtu sikundër ka lajme se edhe në Kosovë gjithashtu ka disa vatra zjarri.
Pra, fatkeqësia e zjarreve me gjithë pasojat e rënda e të pariparueshme në pasuritë, në florën dhe faunën, pra në mjedisin dhe impaktin e tij nuk është e tillë vetëm për vendin tonë.
Mirëpo ndryshe nga vendet e tjera, Shqipëria si gjithmonë gjendet e papërgatitur.
Strukturat shtetërore nuk i paraprijnë kësaj dukurie të rrezikshme, dhe nga sa mund të kuptohet, angazhimi vetëm i disa pjestarëve të Forcave të Atmatosura, i disa punonjësve të Policisë së Shtetit apo qoftë edhe i vetë Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile dhe sakrificat e tyre në terren nuk mjaftojnë.
Do të duhej që shumë më herët, të paktën në fillim të qershorit, të ishte mbledhur qeveria dhe të programonte masat parandaluese e të përcaktonte detyrat konkrete për çdo institucion, se si do të menaxhohej situata që prej ditës së parë kur të shfaqej zjarri i parë.
Qeveria duhej natyrshëm të vendoste edhe për mbështetjen shtesë me mjete, me pajisje, me gjithë infrastrukturën e nevojshme.
Sepse dihet që zjarret janë një faktor i madh rrisku në vendin tonë e nuk mund të shuhen me kazma, me lopata apo me disa kova ujë, qofshin këto edhe kovat e helikopterit të vetëm që kemi.
Qeveria në vend që të mblidhej posaçërisht për parandalimin e rreziqeve nga zjarri e të përgatitej për administrimin e situatës që eventualish do të krijohej, siç edhe u krijua, me një akt normativ që për paradoks e miratoi në muajin qershor, uli buxhetin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile me rreth 124 milionë lekë.
Shenjë flagrante papërgjegjshmërie dhe mungesë totale serioziteti për t’i paraprirë situatës apo sezonit të zjarreve, përballimi i të cilës as nuk mund t’i lihet dhe as nuk mund t’i besohet vetëm Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile.
Ajo nuk ka kapacitete, nuk ka pajisje, nuk ka as përgjegjshmërinë, të paktën për të informuar dhe për të sensibilizuar institucionet e tjera dhe vetë opinionin.
Edhe më e papërgjegjshme është qasja e autoriteteve të qeverisjes vendore. Bashkitë as e kanë idenë se çfarë detyrimesh kanë. Me miratimin e reformës territoriale mbrojtja nga zjarret është detyrë dhe përgjegjësi e tyre. Në 61 bashkitë rezultojnë të punësuar rreth 1300 punonjës zjarrfikës në në 70 stacione zjarrfikësish me 150 mjete në përdorim, shumica të amortizuar e të papërshtatshëm për terrenin që ato mbulojnë.
Ndaj, sipas vlerësimit që bën Indeksi i Riskut Botëror, një publikim që analizon si ekspozimin ndaj katastrofave të ndryshme, ashtu edhe kapacitetet përballuese të një vendi për të kapërcyer këto kriza, Shqipëria është vendi me riskun më të lartë nga katastrofat natyrore në të gjithë Europën.
Sipas të njejtit raport, pavarësisht riskut të madh, Shqipëria nuk ka bërë asnjë progres në 5-6 vitet e fundit për t’u përgatitur në raste të tilla. Mungesa e kapaciteteve përballuese llogaritet sipas studimit në 74.99% të rasteve.
Një auditim i Kontrollit të Lartë të Shtetit gjatë vitit 2020 pranë Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile zbuloi se kjo agjenci ishte e paplotësuar me burime njerëzore, pa një strategji kombëtare për zvogëlimin e riskut nga fatkeqësitë, pa regjistër ngjarjesh të ndodhura, me një koordinim të dobët me institucionet e tjera, me komunikim që bëhet përmes Ëhatsapp-it dhe pa asnjë informacion paralajmërues për fatkeqësitë.
Ndërsa referuar situatës së këtyre ditëve të fundit kur situata është rënduar, lajmi sipas të cilit Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit i kërkon publikisht drejtuesit të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile që të ndërpresë pushimet dhe të kthehet në detyrë, flet më shumë se çdo lajm tjetër apo koment që mund të bëhet.
Edhe mbledhja e Komiteti të Mbrojtjes Civile që diskutoi për situatën e krijuar ditët e fundit nga zjarret në disa zona të vendit, në vend që të nxirrte përgjegjësinë se përse vetë komiteti u mblodh kaq vonë, se përse institucionet përgjegjëse reaguan me kaq vonesë ndërkohë që dhjetëra qytetarë kanë lajmëruar prej kohësh për vatra zjarri që prej mosndërhyrjes në kohë u bënë të papërballueshme, se përse ka mungesa në mjete dhe pajisje, se përse nuk sensibilizohet dhe nuk informohet opinioni në kohë apo nē vend që të bënte një bilanc të dëmeve të shkaktuara, sa është sipërfaqja e djegur, në sa zona dhe cila është shtrirja e vatrave të zjarrit, thjeshtë rregjistroi një mbledhje në protokollin e vet dhe miratoi autorizimin e
Agjencisë së Mbrojtjes Civile për të përdorur kapacitete dhe fonde shtesë, në rast të emergjencës, përtej atyre që kanë në dispozicion.
Tym dhe flakë gjithandej.
Vendi po digjet.
Paaftësia nuk mund të fshihet pas sakrificave të punonjësve që dërgohen përballë zjarreve me mjete primitive dhe që shpërblehen me paga qesharake.