E dhunshme dhe tronditëse ishte vdekja e gazetares 27-vjeçare ukrainase, Viktoria Roskina, e cila u arrestua në Zaporizhia gjatë verës së vitit 2023 dhe më pas u mbajt në burg në Rusi.
Sipas një hetimi të publikuar nga “The Guardian”, kushtet e vdekjes dhe gjendja e trupit të saj kur iu kthye familjes në shkurt të këtij viti, zbulojnë shenja të rënda torture.
Sipas të dhënave paraprake mjeko-ligjore, trupi i Roskinës kishte djegie në këmbë nga goditjet me rrymë elektrike, plagë në kofshë dhe kokë, brinjë të thyera, si dhe flokët e saj, të cilat i mbante të gjatë, ishin rruar.
Burime të përfshira në hetim bënë të ditur se edhe kocka e fytit (hyoid) ishte e thyer, një dëmtim që zakonisht lidhet me rastet e mbytjes me forcë.
Detajet më makabre dolën në pah gjatë dorëzimit të trupit të saj në një shkëmbim kufomash më 14 shkurt, ku i mungonin truri, sytë dhe laringu, duke e bërë pothuajse të pamundur përcaktimin e saktë të shkakut të vdekjes.
Trupi i saj nuk kishte asnjë shenjë identifikuese gjinore dhe ishte i shënuar vetëm me etiketën “NM SPAS 757”, që në rusisht do të thotë “Burrë i panjohur” dhe “dëmtime të avancuara në arteriet koronare”.
Roskina u mbajt pa aktakuzë dhe pa akses në mbrojtje ligjore. Kontakti i vetëm i saj me botën jashtë ishte një telefonatë katër minutëshe me prindërit e saj. Autoritetet ukrainase e konfirmuan se ndaj saj kishte nisur një hetim për krime lufte, me qëllim ndjekjen penale të personave përgjegjës për vdekjen e saj.
Hetimi i “The Guardian” përfshin më shumë se 50 intervista me të mbijetuar nga burgjet ruse, familjarë të të burgosurve, avokatë në Rusi dhe në territoret e pushtuara ukrainase, si dhe gardianë burgjesh që dhanë dorëheqjen të tronditur nga çfarë kishin parë.
Një nga dëshmitaret, një ish-e burgosur që ndante qelinë me Roskinën dhe u lirua në shtator, dëshmoi përmes një videoje për prokurorinë.
Sipas saj, trupi i Viktorias ishte i mbuluar me hematoma dhe plagë nga therjet me thikë. “E godisnin me rrymë gjatë hetimeve, kishte plagë në krah, në këmbë, madje edhe mbi thembër”, tha ajo.
Në fund të vitit 2023, një oficer i FSB-së, i identifikuar si Maksim Moroz, i tha Roskinës se do ta transferonin në një tjetër burg me kushte më të mira. Ajo u dërgua me një automjet ushtarak në një qendër paraburgimi të njohur si Sizo 2. Aty, sipas të dëshmitarëve, ajo ishte tashmë në gjendje të rëndë psikologjike dhe e nënshtruar ndaj ilaçeve të panjohura.
Një e burgosur tjetër tha: “Ishte e humbur në mendjen e saj, me sy të terrorizuar… qëndronte e shtrirë, e mbështjellë si fetus pas një perdeje pranë tualetit, për t’u fshehur nga rojet”.
Pesha e saj kishte rënë në vetëm 30 kilogramë. “Mund të qëndronte në këmbë vetëm kur e ndihmoja, nuk kishte më forcë as për të ngritur kokën nga jastëku”, rrëfeu bashkëvuajtësja e saj.
Sipas një ushtari të quajtur Jevgeni Markevich, Roskina nuk nisi zyrtarisht një grevë urie, por thjesht refuzonte ushqimin. Fillimisht e arsyetonte për arsye fetare, më pas tha se nuk mund të hante për shkak të shëndetit. Më vonë, gjymtyrët iu frynë dhe ajo refuzonte ilaçet për zemrën, simptomë e zakonshme në raste urie ekstreme.
Në prill 2024, familja mori konfirmimin e parë zyrtar nga Ministria e Mbrojtjes ruse se Viktoria ishte gjallë. Ata thanë vetëm se “është arrestuar dhe ndodhet aktualisht në territorin e Federatës Ruse”.
Në fund të gushtit, iu lejua një telefonatë me prindërit. Biseda ishte në rusisht. Viktoria tha: “Më premtuan që do të kthehem në shtëpi në shtator”. Kur babai i saj i kërkoi të hante, ajo u përshëndet me fjalët: “Epo, kjo ishte. Mirupafshim, mirupafshim. Mami, babi, ju dua”.
Një gazetare e patrembur
E njohur për familjen si Vika, ajo u rrit nën hijen e luftës. Babai i saj ishte veteran i luftës sovjetike në Afganistan dhe Viktoria ishte vetëm 17 vjeç kur Rusia aneksoi Krimenë. Ajo dhe motra e saj u rritën në të njëjtin qytet me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, në Kryvyi Rih, vetëm 50 kilometra nga linja e avancimit rus në jug të Ukrainës në vitin 2022.
Kolegët e përshkruajnë si një profesioniste të palodhur, të përkushtuar dhe të guximshme. “Nuk kishte jetë jashtë punës së saj, pa miq, pa partner, vetëm gazetari. Ishte misioni i saj”, tha kryeredaktorja e Ukrainska Pravda, Sevil Musaieva. “Ishte një nga gazetaret më të guximshme që kam njohur në karrierën time”.
Për të mbrojtur burimet e saj, Viktoria përdorte disa telefona, mesazhet i shfaroste automatikisht dhe artikujt i shkruante në dokumente që vetëfshiheshin.
Kontakti i parë i Viktoria Roskinës me autoritetet ruse ndodhi në mars të vitit 2022, ndërsa ishte duke raportuar nga qyteti i pushtuar Berdyansk. Aty u kap nga një ushtar rus dhe iu dorëzua agjentëve të Shërbimit Federal të Sigurisë së Rusisë (FSB), të cilët e detyruan të regjistronte një video propagandistike. Pas protestave publike dhe presionit ndërkombëtar, ajo u lirua disa ditë më vonë.
Pasi u kthye në Ukrainë, kolegët i kërkuan të pushonte dhe të kërkonte ndihmë psikologjike, por ajo refuzoi të largohej nga terreni. Vijoi të kalonte vijën e frontit dhe të hetonte raste të rënda nën pushtimin rus.
Ajo zbuloi kushtet nën të cilat punonin punonjësit e termocentralit bërthamor në Zaporizhia dhe hetoi vrasjen e dy adoleshentëve 16-vjeçarë që kishin guxuar të sfidonin autoritetin rus.
Në udhëtimin e saj të fundit, Roskina dyshohet se po përpiqej të lokalizonte qendra sekrete torturash, ambiente nëntokësore ose ndërtesa industriale, ku agjentët rusë ushtronin dhunë sistematike ndaj civilëve për t’i detyruar të bënin deklarata të rreme.
Ajo punonte paralelisht për të përpiluar një listë me emrat e agjentëve të FSB-së që ishin përgjegjës për këto veprime.
Roskina doli nga Ukraina për herë të fundit më 25 korrik 2023. Në orën 14:09 të ditës, telefoni i saj u lidh me një rrjet telefonik në Poloni. Gjurmimi i udhëtimit të saj tregoi se ajo kaloi nga Polonia në Lituani, pastaj drejt Letonisë. Një foto e pasaportës dhe formularit të hyrjes në territorin rus tregonte se ajo kishte hyrë në Rusi nga kufiri letonez, në pikën doganore Ludonka, me emrin e saj të vërtetë.
Vetëm disa ditë më vonë, më 3 gusht, babai i saj, Volodymyr, ngriti alarmin pasi nuk kishte më asnjë gjurmë të vajzës së tij në rrjetet sociale. Pista e informacionit që kishte mbledhur e çonte drejt një burgu famëkeq në qytetin Taganrog, në bregdetin rus.












Discussion about this post