Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA u njoh të martën më 5 korrik me parashtrimet dhe konkluzionet në çështjen e gjyqtares së Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Etleva Deda dhe pas administrimit të katër dokumenteve të dorëzuara nga kjo e fundit, mbylli shqyrtimin gjyqësor dhe u tërhoq për vendim.
Gjyqtarja Etleva Deda u konfirmua nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit më 12 qershor 2020, pasi trupa e kryesuar nga Genta Tafa (Bungo) me anëtare Valbona Sanxhaktarin dhe Roland Ilia, vendosi se ajo arriti nivel të besueshëm në të tre kriteret e rivlerësimit. Por Komisioneri Publik, Florian Ballhysa ushtroi ankim duke e cilësuar vendimin e Komisionit të cenueshëm në tërësinë e tij. Në ankim parashtrohet pasaktësi në deklarimet e gjendjes cash në vite, për të cilat KPK ka arsyetuar se nuk ishin të qëllimshme, pasi ishin sqaruar në deklaratën “veting” dhe nuk mund të sillnin penalizim.
Ballhysa thotë se KPK i është referuar gabim jurisprudencës së KPA-së lidhur me mënyrën e deklarimeve të gjendjeve cash dhe konkludon se subjekti i rivlerësimit ka kryer deklarim të pasaktë e të pamjaftueshëm në kriterin e pasurisë.
Po ashtu, në ankim konstatohet se subjekti gjendet në kushtet e cënimit të besimit të publikut tek drejtësia në përdorimin e vlerës së përfiuar nga një kredi me kushte lehtësuese për të përfituar të ardhura shtesë.
Shkaqet e ankimit e të komisionerit kanë të bëjnë me burimet e një apartamenti me sipërfaqe 115 m2 të blerë nga subjekti në vitin 2009 në shumën 92 mijë euro. Në kontratën e porosisë së 2009-ës, është shënuar se është shlyer vlera 72 mijë euro, ndërsa 20 mijë euro do të paguheshin kur të nënshkruhej kontrata përfundimtare.
Si burime krijimi të kësaj pasurie, subjekti ka deklaruar një kredi në vlerën 5 milionë lekë të marrë në 2006-ën; kursime nga paga të siguruara nga puna ndër vite; dhuratë nga prindërit në shumën 15 mijë euro në vitin 2009, sipas një deklarate noteriale të vitit 2011; një dhuratë tjetër në vlerën 4000 euro nga prindërit në vitin 2011; të ardhura nga shitja e dy njësive shërbimi në Durrës, përkatësisht në shumat 250 mijë lekë dhe 13 mijë e 750 euro, si dhe një hua në shumën 8000 euro.
Komisioneri vërejti se në vitin 2011, subjekti ka shlyer edhe këstin e fundit 20 mijë euro dhe e ka regjistruar pasurinë në emrin e saj.
Ballhysa konstatoi në seancën e të martës se subjekti e ka deklaruar regullisht shlyerjen e kësteve të kredisë të marrë në 2006-ën, si dhe detyrimin e mbetur. Ndërkohë, ka rezultuar se e gjithë vlera e kredisë është tërhequr në 2006-ën dhe subjekti e ka depozituar në një llogari tjetër të sajën, ku ka kryer disa veprime. Në vitin 2007 e ka tërhequr të gjithë shumën 5 milionë lekë dhe gjatë hetimit administrativ ka shpjeguar se vlera është mbajtur cash në shtëpi me qëllim përdorimin për blerjen e apartamentit.
Sipas komisionerit, Deda nuk ka deklaruar as destinacionin e kredisë dhe as gjendjen cash, që KPK i ka konsideruar si pasaktësi të paqëllishme. Ballhysa konstatoi se për shkak të jurispudencës së KPA-së, ky burim afektohet si rrjedhojë e mosdeklarimit të gjendjes cash. “Subjekti ka kryer deklarim të pasaktë dhe të pamjaftueshëm për këtë burim”, pohoi Ballhysa.
Sipas tij, Deda ka kryer deklarim të pasaktë e të pamjaftueshëm edhe për burimin tjetër, kursimet nga pagat. Ai theksoi se subjekti nuk ka deklaruar në 2009-ën pakësim të gjendjes cash. Komisioneri vërejti se edhe nëse do të konsiderohen deklarimet e subjektit për kursimet nga pagat, sërish do të rezultonte pamundësi financiare.
Po ashtu, Ballysa cilësoi të pabazuar konkluzionin e KPK-së edhe për mundësinë e prindërve të subjektit për dhurimin e vlerës 15 mijë euro. Sipas tij nuk është provuar sipas standarteve të përcaktuara në jurispudencën e KPA-së ky burim.
Në përfundim, komisioneri Ballhysa u shpreh se subjekti nuk arrin nivel të besueshëm në kriterin e pasurisë dhe për rrjedhojë duhet shkarkuar nga detyra.
Gjyqtarja Etleva Deda i kundërshtoi vlerësimet e Komisionerit në çështjen e saj. “Pretendohet për deklarime të pasakta e të pamjaftueshme dhe mungesë burimesh financiare. Sjell në parantezë se e vetmja pasuri e imja është ky apartament banimi”, deklaroi Deda.
Deda theksoi se kredinë në shumën 5 milionë lekë të marrë në vitin 2006 e kishte deklaruar periodikisht dhe në deklaratën “veting”. “Kam deklaruar shlyerjet e kësteve dhe gjendjen e mbetur. Kam shënuar se kredinë e kam marrë për blerje apartamenti”, pohoi subjekti.
Ajo sqaroi se në vitin 2006 nuk kishte gjetur apartament të përshtatshëm dhe se për këtë arsye e kishte tërhequr të gjithë vlerën e kredisë në 2007-ën dhe e kishte mbajtur në shtëpi cash në kërkim të banesës. “Vlerën e kredisë e kam mbajtur në shtëpi dhe e kam përdorur për blerjen e apartamentit”, deklaroi Deda dhe sqaroi se shumën 5 milionë lekë të kredisë e kishte shpenzuar për pagesën e këstit të parë në vitin 2009.
Subjekti pretendoi se në atë periudhë, as ajo dhe as familjarët e saj nuk kishin kryer asnjë shpenzim të konsiderueshëm gjatë asaj periudhe, si dhe nuk kishin pasur udhëtime jashtë shtetit.
Lidhur me mosdeklarimin si gjendje cash të kësaj vlere, Deda sqaroi se kishte konsideruar se e kishte deklaruar për faktin se kishte pasqyruar shlyerjen e kredisë dhe shumën e mbetur. “Nuk e kam vlerësuar se e njëjta shumë duhej deklaruar edhe në një tjetër zë”, pohoi ajo.
Sipas subjektit, nga hetimi i kryer në shkallën e parë të vetingut rezulton qartazi se nuk kishte pasur ndonjë qëllim për shmangien nga kontrolli të kësaj pasurie. Ajo i cilësoi deklarimet periodike në përputhje me veprimet që ka kryer me shoqërinë ndërtuese për blerjen e apartamentit. “Evidentohet disponimi i shumës së kredisë deri në datën kur kam shlyer këstin e parë”, theksoi Deda.
Lidhur me mosdeklarimin e kredisë si gjendje cash, subjekti solli në vëmendje të trupës një vendim të mëparshëm të Kolegjit, ku sipas saj arsyetohet se pasaktësitë e pashoqëruara me mungesa financiare nuk mund të sjellin penalizime.
Deda e kundërshtoi edhe konstatimin në ankim, se veprimet e kryera me vlerën e kredisë së përfituar me kushte lehtësuese për të shtuar të ardhurat, cënojnë besimin e publikut tek drejtësia. Sipas saj, veprimet e kryera për këmbimin e monedhës kishte të bënte me faktin se apartamentet blihen në euro. “Veprimi i kryer prej meje është i ligjshëm dhe kurrësesi jo për qëllime përfitimi nga këmbimi,” theksoi Deda.
Në vijim subjekti renditi deklarimet e kryera prej saj gjatë periudhës 2006-2009 për kursimet nga pagat. Deda u shpreh se shpjegimet e saj janë në harmoni me deklarimet periodike dhe se pasaktësitë kanë qenë të paqëllimshme.
Deda theksoi se kishte specifikuar çdo vit kursimet. “Edhe në vitin 2005 kur nuk kam deklaruar, sipas analizës së Komisionit e kam pasur mundësinë”, pohoi subjekti. Ajo kërkoi që një deklarim i vitit 2009, ku është shënuar se burim për çeljen e një llogarie kanë qenë kursimet e vitit 2008, të konsiderohet si korrigjim i deklaratës periodike parardhëse.
Në vijim Deda u ndal në shkakun e ankimit për pamundësinë e prindërve për blerjen e një apartamenti, një pjesë e çmimit të shitjes së të cilit ka shërbyer për dhurimin e shumës 15 mijë euro në 2009-ën.
Deda argumentoi se prindërit e saj kishin pasur të regjistruar aktivitet privat që prej vitit 1994 dhe se kishin paguar rregullisht detyrimet. Ajo shtoi se veç të ardhurave të prindërve, në ekonominë familjare kishin kontribuar edhe pagat e saj dhe të motrës dhe se vërtetohej se kishin pasur burime të mjaftueshme për blerjen e apartamentit në vitin 2003.
“Shuma e dhuruar e ka burimin në diferencën e çmimit të shitjes së apartamentit me atë të blerë nga prindërit më vonë, për një vlerë më të vogël”, shpjegoi subjekti dhe solli në vëmendje jurispudencën e KPA-së, sipas të cilës analiza financiare e personave të tjerë të lidhur duhet të shtrihet vetëm në burimin e vlerës së dhuruar ose dhënë hua dhe jo në gjithë pasuritë e tjera të tyre.
Lidhur me një konstatim për mospagimin e tatimit të fitimit, Deda shpjegoi se apartamenti i shitur nuk ështe ende i regjistruar, as në emër të të atit dhe as të shoqërisë ndërtuese dhe për rrjedhojë nuk i ka lindur ende e drejta për të shlyer këtë detyrim.
“Pasaktësitë në deklarimet e mia janë të pamjaftueshme për të konkluduar se kam kryer deklarim të pamjaftueshëm. Në rastin konkret nuk ka asnjë nga parashikimet ligjore për shkarkimin”, deklaroi Deda dhe vërejti se komisioneri vlerëson ndryshe nga KPK, bazuar në të njëjtat prova.
Ajo e shtriu arsyetimin edhe në kriterin e pastërtisë së figurës, duke sjellë në vëmendje të Kolegjit se nuk ka asnjë indicie që të ngrejë dyshime për veprime të paligjshme të kryera prej saj me qëllim. Sipas subjektit, për të arritur në konkluzion për masë shkarkuese, duhet që pasaktësitë në deklarimet e pasurisë, të lidhen me indicie në kriterin e figurës që mund të kenë të bëjnë me veprime korruptive apo të kundërligjshme.
Në përfundim, gjyqtarja Deda kërkoi riçeljen e hetimit dhe administrimin e katër dokumenteve, kërkesa që u pranuan nga Kolegji. Ajo kërkoi mospranimin e ankimit të komisionerit dhe lënien në fuqi të konfirmimit të saj.
Komisioneri Ballhysa vërejti se provat e reja nuk e ndryshojnë qëndrimin e tij. Palët paraqitën shkurtimisht edhe konkluzionet përfundimtare, duke theksuar se u qëndrojnë kërkimeve të tyre. Kolegji mbylli shqyrtimin gjyqësor dhe njoftoi se vendimi do të shpallet më datë 21 korrik, në orën 09:30. /BIRN
Discussion about this post