Nga Ditmir Bushati
Që prej zgjedhjeve parlamentare të vitit 2020, jeta politike në Malin e Zi nuk është më eksluzivitet i ndarjeve tradicionale mes blloqeve malazeze e serbe, për shkak të suksesit të aktorëve të rinj politikë, nga njëra anë, dhe fenomeneve gërryese të tranzicionit, nga ana tjetër, për të cilat, gishti drejtohet ndaj aktorëve jetëgjatë e dominues të skenës politike. Në konfigurimin e ri politik, interesant është fakti se pakicat janë vendosur në një pozitë më përcaktuese e njëkohësisht pragmatiste, në kërkim të aleancave të ndryshme.
Me një popullsi prej pak më shumë se gjashtëqind mijë banorë, Mali i Zi luan një rol vendimtar në ruajtjen e ekuilibrave në Ballkanin Perëndimor dhe është një faktor kyç në sigurimin e kontrollit të plotë të bregut të Adriatikut nga NATO. Anëtarësimi i vendit në NATO në vitin 2017 përforcoi sigurinë dhe stabilitetin e rajonit, dhe në të njëjtën kohë u dëshmoi vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor se dera e NATO-s mbetet e hapur për ta. Por përtej kësaj, anëtarësimi në NATO sinjalizoi gjithashtu se Mali i Zi është i gatshëm dhe në gjendje të zbatojë reformat e nevojshme që do të çonin në anëtarësimin në Bashkimin Europian.
Që prej zgjedhjeve parlamentare të vitit 2020, jeta politike në Malin e Zi nuk është më eksluzivitet i ndarjeve tradicionale mes blloqeve malazeze e serbe, për shkak të suksesit të aktorëve të rinj politikë, nga njëra anë, dhe fenomeneve gërryese të tranzicionit, nga ana tjetër, për të cilat, gishti drejtohet ndaj aktorëve jetëgjatë e dominues të skenës politike. Në konfigurimin e ri politik, interesant është fakti se pakicat janë vendosur në një pozitë më përcaktuese e njëkohësisht pragmatiste, në kërkim të aleancave të ndryshme.
Gjithashtu, influenca e Kishës Ortodokse Serbe është bërë më e dukshme në skenën politike. Marrëdhëniet me Kishën Ortodokse Serbe e kanë ndarë prej kohësh Malin e Zi në dy grupe: njëri që kërkon lidhje të ngushta midis shtetit dhe kishës, dhe tjetri që mbron nevojën e një distancë të mëtejshme, bazuar në pretendimin se kisha mishëron një ndikim të vazhdueshëm serb. Verën e kaluar, qeveria e drejtuar nga Dritan Abazović nënshkroi një marrëveshje të diskutueshme pronësie me Kishën Ortodokse Serbe, e cila nuk e pranon plotësisht pavarësinë e Malit të Zi nga Serbia dhe autoqefalinë e Kishës Ortodokse Malazeze, duke shkaktuar një periudhë të zgjatur tensionesh etnike dhe paqëndrueshmëri politike.
Megjithëse në pararojë të vendeve të rajonit në procesin e anëtarësimit në BE, paradoksalisht Mali i Zi vijon për një periudhë kohe i mbërthyer nga paraliza politike dhe institucionale. Objektivi i dikurshëm i anëtarësimit në BE brenda vitit 2025, përmendur edhe në strategjinë e dikurshme të zgjerimit, duket i paarritshëm.
Zgjedhjet presidenciale në Malin e Zi u paraprinë nga zhvillimet e mësipërme politike. Sikurse pritej, për shkak të aleancave të formësuara, ato përfunduan me humbjen e Milo Djukanović dhe fitoren e Jakov Milatović. Në prag të zgjedhjeve, Presidenti i Malit të Zi shpërndau Parlamentin, pasi skadoi detyrimi ligjor për formimin e qeverisë. Kështu, zgjedhjet presidenciale do të pasohen nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të cilat do të mbahen më 11 qershor. Deri në konstitumin e institucioneve të reja, Mali i Zi do të vijojë të “lundrojë në ujëra të turbullta”.
Zgjedhjet presidenciale morën më tepër rëndësi se ato të mëparshmet. Arsyeja është e thjeshtë. Pas zgjedhjeve parlamentare dhe ndryshimit të qeverisë në vitin 2020, Mali i Zi u gjend përballë sfidave të shumta të imponuara nga përçarjet në baza kombëtare, fetare dhe identitare. Sado që në përballjen presidenciale kandidatët u përqendruan tek tezat që flisnin për integrimin europian, prosperitetin ekonomik dhe zvogëlimin e ndasive, ishin po ata, që në fakt morën pjesë aktivisht në krijimin e ndasive të tilla, dhe në vështirësinë e paparë në të cilën gjenden financat publike malazeze. Prandaj ishte e pritshme që ata të akuzonin njëri-tjetrin për dështime në fushatën parazgjedhore.
Megjithatë, rëndësia e zgjedhjeve presidenciale qëndron para së gjithash në lidhjen logjike me pritmëritë e zgjedhjeve parlamentare. Në këtë drejtim, Presidenti i zgjedhur Jakov Milatović pritet të forcojë edhe pozitat e partisë së re “Europa Tani”, nënkryetar i së cilës është, në zgjedhjet e parlamentare të qershorit. Duke i dhënë jetë, në këtë mënyrë, ndryshimit të skenës politike në Mal të Zi, pas tri dekadash.
Duhet theksuar se, 17 vjet pas shpalljes së pavarësisë, mosmarrëveshjet politike që dominohen nga çështjet identitare ishin pjesë e fushatës presidenciale. A e ndjejnë qytetarët veten se i përkasin kombit malazez apo serb? Çfarë gjuhe flasin ato? Cila prej kishave ajo ortodokse serbe apo malazeze e ushtron pushtetin shpirtëror në Mal të Zi? Këto pyetje duket se përcaktojnë realitetin politik aktualisht në Mal të Zi.
Është fakt i pamohueshëm se shkëputja e butë nga bashkëjetesa në një Federatë me Serbinë, anëtarësimi në NATO, përparimi në procesin e anëtarësimit në BE, sikundër ndërtimi i marrëdhënieve të mira fqinjësore lidhen pashmangshmërisht me Milo Djukanović dhe Partinë Demokratike të Socialistëve. Kjo është arsyeja se përse ai është konsideruar si aleat i natyrshëm i Shqipërisë, çka është reflektuar në kultivimin e marrëdhënieve të mira mes dy vendeve me interesa të përbashkëta në Adriatik, pjesë e familjes euroatlantike, dhe njëkohësisht në përmirësimin e të drejtave të pakicës kombëtare shqiptare në Mal të Zi dhe asaj malazeze në Shqipëri.
Rruga nga pavarësia drejt ankorimit në rrjedhat euro-atlantike nuk ka qenë e lehtë për Malin e Zi, i cili i mbijetoi tentativave destabilizuese të Rusisë, dhe politikës obstruksioniste të Serbisë, e cila me shkëputjen e Malit të Zi nga Federata, humbi përfundimisht daljen në Adriatik. Roli i shqiptarëve gjatë këtij rrugëtimi të Malit të Zi ka qenë përcaktues.
Vështruar në këtë kontekst, fushata zgjedhore e Djukanović u përqendrua pikërisht te ky rrugëtim, i cili nëse do të ndërpritej, do ta fuste vendin në një spirale paqëndrueshmërie, sipas tij.
Ndërkohë, Presidenti i zgjedhur Jakov Milatović, si përfaqësues i një brezi të ri, të mbështetur fuqimisht nga Kisha Ortodokse Serbe, gjatë fushatës kundërshtoi ndarjen midis malazezëve nga njëra anë, dhe serbëve nga ana tjetër, duke u zotuar të pajtojë rrugën europiane të Malit të Zi me vendosjen e marrëdhënieve më të ngushta me Serbinë. Duke u përpjekur për t’i qëndruar larg çështjeve identitare që kanë dominuar prej kohësh vendin, Milatović në programin e tij i mëshoi zhvillimit ekonomik të vendit, shoqëruar me mesazhe të forta kundër korrupsionit.
Gjatë ushtrimit të detyrës së ministrit, Milatović ishte një prej arkitektëve të një skeme që rriti pjesërisht pagat duke i hequr kontributet në kujdesin shëndetësor gjatë kohës së pandemisë. Megjithëse ka kritika të shumta për qendrushmërinë e kësaj nisme, ajo pati rezultate të menjëhershme, duke kontribuar në më shumë se dyfishimin e pagës minimale mujore, nga 250 euro në 450 euro, dhe duke rritur pagën mesatare, nga 530 euro në 670 euro.
Largimi nga skena politike i Milo Djukanović, sikurse ka paralajmëruar vetë ai, pas zgjedhjeve parlamentare të qershorit, shënon fundin e një epokë për Malin e Zi, e cila lidhet me pavarësinë dhe forcimin e identitetit kombëtar, anëtarësimin në NATO, rrugëtimin drejt BE-së, ndërtimin e marrëdhënieve të mira e të ekuilibruara me fqinjët, përfundimin e procesit zgjedhor brenda një kohe të shpejtë dhe pranimin e rotacionit të pushtetit, çka janë karakteristika të një shoqërie të lirë.
Nuk duhet të harrojmë se Djukanović u bë një barrikadë përkundrejt nacionalizmit serb dhe të ashtuquajturës “botë serbe”, duke kundërshtuar në momente përcaktuese udhëheqësit serb, nga Milosheviçi tek Vuçiç. Nën drejtimin e Djukanović, Mali i Zi njohu pavarësinë e Kosovës më 2008-ën, dhe kundërshtoi përmes një artikulimi të qartë tezat e inspiruara nga Serbia për dominim në rajon dhe ndryshimin e kufijve. Në vitin 1999, në dallim nga Maqedonia e Ljubčo Georgievskit, Mali i Zi nën drejtimin e Djukanović nuk nguroi të bëhej strehë e refugjatëve nga Kosova.
Thënë këto, është fakt i pamohueshëm gjithashtu se qëndrimi i gjatë në pushtet dhe dominimi i skenës politike nga Djukanović, është shoqëruar me fenomene gërryese që kanë lidhje me sundimin e së drejtës, nivelin e lartë të korrupsionit, nepotizmit, klientelizmit dhe infleuncës së krimit të organizuar në jetën politike dhe ekonomike.
Epoka post-Djukanović, në të cilën po hyn Mali i Zi ka një të panjohur të madhe që lidhet me vetë zotimin e Presidentit të porsazgjedhur, për të pajtuar rrugën europiane me ndërtimin e marrëdhënieve më të ngushta me Serbinë. E panjohur që ka lidhje edhe me interesin strategjik të Shqipërisë dhe shqiptarëve për qendrueshmërinë e kursit euroatlantik të rajonit dhe forcimin e aleancave që frenojnë hegjemoninë serbe në rajon.
A është realiste të mendohet që Mali i Zi në një përiudhë afat-shkurtër do të bëhet anëtari i 28-të i BE-së? Nëse, para së gjithash, dinamika brenda BE-së nuk ndryshon, asnjë vend në rajon nuk do të arrijë një nivel të mirë pregatitjeje për anëtarësim për shumë vite. Vlerësimet vjetore të Komisionit Europian tregojnë se procesi aktual i anëtarësimit nuk nxit e frymëzon reforma të qenësishme. Fokusi në bazat e sundimit të së drejtës, i paraqitur për arsye të mira shumë vite më parë nga vetë BE-ja si pjesë e strategjisë së zgjerimit, nuk po jep rezulatet e pritshme. Kjo është shqetësuese. Për t’u bashkuar me BE-në dhe vendet e saj të tregut të përbashkët kërkohet një nivel i lartë i përmbushjes së standardeve. Vetëm përmes sundimit të së drejtës sigurohen të drejtat e individëve dhe të sipërmarrjes.
Kjo do të thotë se nuk ka rrugë të shkurtër e aq më pak propogandistike rreth përmbushjes së këtyre kritereve. Edhe në kushtet e një dinamike të re për procesin e zgjerimit, shtetet anëtare do të insistojnë që BE-ja të mbrojë integritetin e tregut të saj dhe sundimin e së drejtës. Pa bindjen në kryeqytetet e BE-së se ka pregatitje të mirë në vendet që synojnë të anëtarësohen, nga siguria ushqimore te standardet e produkteve, nga administrimi i mbetjeve toksike te funksionimi i gjyqësorit, Mali i Zi dhe asnjë vend i rajonit nuk do të mund të anëtarësohet në një periudhe afatshkurtër. Por, vendosmëria e Malit të Zi për të ecur në drejtim të përmbushjes së standardeve të anëtarësimit në BE, pa e kthyer kokën mbrapa, do të sillte një ndryshim loje në rajon.
Sa është i mundur ndryshimi i lojës në kushtet kur Presidenti i porsazgjedhur i Malit të Zi është zotuar për të thelluar marrëdheniet me Serbinë? Në të vërtetë, Serbia për asnjë moment nuk e ka ndërprerë presionin ndaj Malit të Zi dhe fqinjëve. Të gjitha algortimet e sigurisë në rajon e kanë zanafillën në qëndrimin agresiv të Serbisë ndaj fqinjëve jostabël dhe të vegjël.
Megjithëse formalisht një vend që aspiron anëtarësimin në BE, Serbia ka bërë hapa mbrapa për sa i përket linjëzimit të saj me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së. Revizionimi i historisë për rolin e saj në luftërat e ish Jugosllavisë, e deri tek ndërhyrja parandaluese e NATO-s ndaj spastrimit etnik të forcave serbe në Kosovë, e ka vendosur atë në një pozicion të ndryshëm nga shumica e vendeve të rajonit.
Ndërkohë, sigurimi i aksesit në Adriatik përbën interes strategjik për Serbinë. Pranimi i Malit të Zi në BE do të sillte një ndryshim të dinamikave në rajon dhe njëkohësisht do të përbënte një humbje ekonomike dhe gjeostrategjike për Serbinë. Ndaj është e vështirë të parashikohet se si Presidenti i porsazgjedhur do t’i harmonizojë këto dy prioritete që për momentin ngjajnë me dy drejtëza që nuk priten. E ardhmja do të tregojë nëse Mali i Zi përmes reformave europianizuese do të ndryshojë dinamikat në rajon, apo do të zgjedh interesat mendjengushta dhe aleancat okulte, duke iu nënshtruar Serbisë. Kjo dilemë do të marrë përgjigje së shpejti.
Discussion about this post