Federata e Futbollit organizoi të martën një mini-turne futbolli me pjesëmarrjen e tre ekipeve të përbëra nga vajza të administratës së FSHF-së, media shqiptare dhe UN Women. Një nismë e veçantë e ndërmarrë nga FSHF në kuadër të muajit sensibilizues kundër kancerit të gjirit.
Në një prononcim për fshf.org, zyrtaret e FSHF-së, Barisa Avllaj e Lenida Halilaj, dy përfaqësuseset e UN Women, Alba Agolli e Erisa Çela dhe gazetaret sportive Trevisa Tufa e Dea Kozma, vlerësuan aktivitetin e organizuar nga FSHF dhe theksuan se evente të tilla promovojnë një jetë të shëndetshme ndërsa shtuan se të gjitha gratë duhet t’i drejtohen qendrave shëndetësore dhe të bëjnë në kohë vizitat.
“Jam shumë falënderuese për këtë aktivitet që Federata e Futbollit ka ndërrmarrë për të organizuar. Është një mesazh që përcillet jo vetëm te vajzat që e duan dhe ndjekin sportin, por te të gjitha gratë. Kanceri i gjirit mund të diagnostikohet në kohë shumë të hershme, të bëjmë vizita, ta kapim në kohë këtë “armik” të përbetuar tonin dhe t’ja dalim me sukses në fund” – Trevisa Tufa, gazetare sportive.
“Sporti është promotori kryesor i një jete të shëndetshme dhe kush më mirë se lojtaret në fushë dhe të gjitha femrat të bashkuara të japin këtë lloj mesazhi: të jemi bashkë të gjitha!” – Barisa Avllaj, zyrtare e FSHF.
“Është në vazhdën e aktiviteteve që ka organizuar Federata për tetorin rozë. Është e rëndësishme të bëjmë kontrollet rutinë që të mund të parandalojmë sëmundjen para se të jemi në një pikë që ajo mund të na marrë dhe jetën, sepse është sëmundje fatale” – Lenida Halilaj, zyrtare e FSHF.
“Gratë nuk lindin të forta, megjithatë jeta i bën të tilla duke kaluar çdo provë dhe pengesë. Unë mendoj që ka gjithmonë vend për optimizëm, kurrë mos të dorëzohen. Kontrolle të vazhdueshme jo vetëm në muajin tetor, por gjatë gjithë vitit” – Dea Kozma, gazetare sportive.
“Duke organizuar evente të tilla që kanë të bëjnë me sportin, ne promovojmë jo vetëm një jetesë të shëndetshme duke bërë sport, por edhe faktin që të gjitha ne duhet të kujdesemi dhe të drejtohemi në pikat shëndetësore dhe të bëjmë vizitat e duhura në mënyrë që ta parandalojmë” – Alba Agolli, përfaqësuese e UN Women.
“Organizimi i aktiviteteve të tilla është shumë i rëndësishëm, jo vetëm përgjatë muajit tetor por gjatë gjithë vitit. Mendoj se është shumë e rëndësishme për të dhënë një mesazh për të gjitha gratë dhe vajzat për të bërë një jetë të shëndetshme dhe për të parandaluar duke u kontrolluar jo vetëm gjatë muajit tetor por gjatë gjithë vitit, për një jetë të shëndetshme kundër kancerit të gjirit” – Erisa Çela, përfaqësuese e UN Women.
Discussion about this post